Izet Dyrmishi, “ustai” i fjalës dhe lapsit

1547

Jetëshkrimi

Sigal

Izet Dyrmishi u lind në Koprënckë të Skraparit, më 20 maj të vitit 1924. Në moshën 12-vjeçare, nën kujdesin e të atit dhe një kushëriri të tij, vazhdon shkollën fillore në Malind. Pikërisht gjatë shkollimit të tij ndodh edhe pushtimi fashist i Shqipërisë. Kujton se para okupacionit, kur u keqësua situata, shkolla u mbyll. Në 12 prill lajmërohet për të vazhduar mësimet, pasi shkolla u rihap. Nga ajo ditë kujton se mësuesi kishte marrë porosi për t’u thënë nxënësve këto fjalë: “Ky nuk është okupacion, por bashkimi i Shqipërisë me Italinë”. Megjithatë, Izet Dyrmishi, në kujtimet e tij shkruan se shkollën fillore e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, që në atë kohë vlerësoheshin me notën 1 (njësh). Gjatë periudhës 1939-1944 familja Dyrmishi përjetoi jo vetëm peshën e okupacionit nazi-fashist, por edhe atë të Luftës italo-greke. Në fund të tetorit 1942 Izet Dyrmishi përjeton vdekjen e të atit, ndërsa shprehet se nëna e tij në atë kohë ishte vetëm 42 vjeç, ndërkohë që kishte për të nxjerrë në jetë 7 fëmijë. Por gruaja e fortë nga Skrapari do të jetonte mbi 90 vjet dhe do të vdiste në vitin 1990. Duke ndjekur rrjedhën e familjes së tij, Izet Dyrmishi shkruan se në vitin 1948, kur ishte 24 vjeç, martohet me Verën, (Mynevere Sinan Ylli, nga Leshnja). Shprehet se jeta familjare u zhvillua në harmoni e mirëkuptim të plotë, nga dashuria e të cilës lindën dhe dy djem: Triumfi dhe Agimi.

PORTRET/ Jeta e ish-sekretarit të Parë në katër rrethe. Intelektuali që si “diplomë” të parë pati ndershmërinë

Izet Dyrmishi, njeriu që drejtoi punët në Kukës e Tropojë

Sefedin METHOXHA

Izet Dyrmishi është në parajsë dhe ne kemi nevojë për fjalën e tij të mençur, për zgjuarsinë dhe urtësinë e tij. Ai ka qenë “engjëll” për të gjithë vëllazërinë dhe fisin e tij, i kudo ndodhur për ta në ditë të mira dhe të vështira. Kur ikën një njeri i tillë, u dhemb edhe zogjve. Kur rrëzohet një lis i rënde dhe hijerëndë i dhemb edhe malit. Nga “pylli” i rralluar i flokëbardhëve ra një lis, por ai qëndron përsëri në këmbë, me emrin dhe veprimtarinë e tij në 86 vitet mbi këtë tokë. Ai nuk u thye dhe nuk u shkul dot nga erërat dhe rrebeshet për një gjysmë shekulli, por vdekja vjen urtë e butë e pa bërë zë. Izeti pati një jetë me furtunë, por tërësisht me vlera e virtyte. Ai kurdoherë e ka ruajtur “diplomën” e ndershmërisë dhe urtësisë. Po të kërkosh të vizatosh karakterin e tij del një personazh, që mishëron veçori thelbësore morale e psikike të larta, ku spikat vullneti i fortë, urtësia, qëndresa e burrëria, këmbëngulja e madhe dhe vendosmëria, mirësia njerëzore e respekti për jetën e lirë. Izet Dyrmishi qe një njeri i thjeshtë, i urtë e i mirë, njeri pa vese me një dituri të rrallë. Izeti ka qenë një nga intelektualët më në zë të krahinës së Skraparit, kjo e vërtetë zë vend edhe në bisedat e përditshme të, miqve, shokëve, skraparllinjve e më gjerë. Atë e njeh edhe Tropoja edhe Kukësi edhe Lezha, kudo ku punoi ai la përshtypjet nga më të mira. Ai konsiderohet si njeriu që ka siguruar në jetë, shkallën më të lartë të ndershmërisë dhe urtësisë. Të gjithë ata që punuan me të, qoftë si epror edhe si vartës flasin me superlativa për personalitetin e tij. Të shkosh në Tropojë apo në Kukës dhe të pyesësh për Izet Dyrmishin vështirë të mos e njohë kush.

E kaluara, shkallët e ngjitjes

E kaluara e tij të fut në mendime të çuditshme. I lindur në një familje zemër ngrohtë dhe mikpritëse të Skraparit. Me tej “diploma” e tij e ndershmërisë dhe urtësisë ka pasur efekt edhe tek fisi, lagja Dyrmish, fshati Koprenckë e pse jo në gjithë rrethin e Skraparit. Fjala e tij ka qenë jo më pak shëruese se sa ilaçi i rekomanduar nga mjeku. Zanatin e “profesionit” në punën me njerëzit Izet e ka “vjedhur” nga babai i tij Veizi dhe nëneja e tij Alija, (Nenuja) e cila ka qenë një nënë me cilësi të rralla. Gjurmët e mirësisë së Izetit kanë ngelur të freskëta jo vetëm në familje, por edhe kudo ku ai shkoi dhe punoi. Jo vetëm në Skrapar, por edhe në Tropojë, në Kukës e Krumë, në Lezhë dhe në Tiranë, deri sa doli në pension. Ai që dikur ishte një vocërrak që zvarritej me bashkëmoshatarët e vet nëpër rrëpirat e Koprenckës, shumë shpejt do të rritej dhe do të fillonte studimet, fillimisht në shkollën e fshatit Malind (Rrethi Skrapar) dhe më pas në Berat dhe Tiranë ku kreu dhe shkollën e lartë. Privilegje këto që zor se mund të gëzonte njëri tjetër për kohën që flasim. Fatin e tij të ardhshëm e pati parashikuar një plak i mençur i lagjes Dyrmish, i cili, kur Izeti ishte fëmijë duke luajtur, i ishte afruar dhe i kishte pëshpëritur në vesh, “Je djalë i zgjuar dhe një ditë do të bëhesh njeri i dëgjuar. Dhe ky plak Izetit do t’i kujtohej kohë më pas, kur ai u shkollua dhe mbajti mbi supe detyra shumë të rëndësishme në gjithë jetën e tij. Shtëpia e Izetit si shumë shtëpi në krahinën e Skraparit u kthye në bazë të rëndësishme të Luftës Nacional-Çlirimtare. Izeti u përfshi në gjirin e Luftës, fillimisht duke marrë pjesë në formacionet partizane, në çetat territoriale në bazë fshati e Komune, krahas dhjetëra të tjerëve koprenckallinj. Ai si patriot që ishte e shkriu jetën, pasurinë dhe gjithçka që kishte për lirinë. Deviza e tij ishte: “Partia ime Kombi. Politika ime Shqipëria”. E ka pasur këtë siguri deri në fund të jetës së tij. Ai i dha një vulë të vërtetë origjinale, traditës së mrekullueshme Skraparase, siç janë: Trimëria atdhedashuria dhe bujaria. I ritheksova vetes detyrën të grumbulloja materiale, e të shkruaja të vërtetën sa që gjallë ashtu siç ishte ai, pa teprime, pa të mangëta, i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për gjithçka që bëri dhe kaloi në jetën e tij. Por Izet Dyrmishi ishte tepër modest në dhënien e deklaratave gazetareske. Ishte interesant personaliteti dhe intelekti, që kishte formuar në vite. Ky mesazh njerëzor vjen nga një njeri pa komplekse, i vërtetë, i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë. Ai u bë model i njeriut që do mirëkuptim e vëllazërim. Shpesh thoshte se në këtë kohë tranzicioni grindjet shoqërore dhe politike janë të tepërta për popullin tonë të vogël dhe të vuajtur. Jemi pak, jeta është e shkurtër dhe duhet ta gëzojmë atë, duke e dashur dhe respektuar njëri-tjetrin.

“Ustai” i fjalës dhe i lapsit

Idealist, i drejtë, i ndershëm dhe shpirt demokrati në atë kohë dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij. Gjithmonë do ta kujtojmë ashtu siç ishte, me pardesynë e gjatë ngjyrë gri, kapelën republike, syzet e errëta dhe me të qeshurën e tij karakteristike. Çdo mëngjes mbasi bënte shëtitjen e tij nga liqeni i Tiranës, kthehej tek dyqani ku shiteshin gazetat, blinte gazetën dhe bashkë me shokët e tij do të kalonte ato pak çaste që ai i çmonte aq shumë. E them pak çaste mbasi Izeti pjesën më të madhe të kohës e kalonte në bibliotekë duke shfletuar dokument dhe arkiva. Studionte çdo ditë duke braktisur kështu në një farë mënyrë atë qoshen e ngrohtë të oxhakut dhe filxhanin e kafesë. Ndërsa pjesën tjetër të kohës që nga dita kur doli në pension e kalonte në mënyrë aktive në Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe forumet e saj. Edhe pse i moshuar fjala dhe mendimi tek ai mbeti i ri. Ai është autori i disa librave si: “Kjo rrugë pa fund”, “Skrapari në LANÇ dhe në progresin shoqëror”. “Në rrjedhën e jetës sime”, “Historiku i Koprenckës “etj. Në këto libra, ai ka ditur të vërë në “rresht” fjalën, pasionin dhe inteligjencën e një njeriu që ishte i lidhur aq ngushtë me vendlindjen. Për të gjitha këto ai është parë me një sy tjetër, është vlerësuar kontributi, mençuria dhe urtësia e tij. Më të drejtë Qarku i Beratit i dha atij titullin e merituar: “Nderi i Qarkut” Në 20 vjet demokraci nuk u pa urrejtje në sytë e tij, në fjalën dhe shpirtin e atij burri. Vetëm buzëqeshje e dashamirësi lexoje në tërë qenien e tij. Këto janë vlera, virtyte, cilësi të larta që rrallë kush i gëzon. Atë ditë me diell të plotë, tek i jepej lamtumira e fundit fisnikut të Skraparit, shihje për rreth, njerëz të heshtur e kokulur, nga Tropoja, Kuksi, Skrapari dhe Tirana. Përcilleshin me të për mos u takuar me kurrë, iku një njeri i mirë, një baba shembullor një shok i mirë, një njeri për të cilin shoqëria jonë ka nevojë shumë. Izet Dyrmishi mbart dhe ju përcjell brezave mesazhe historike ndjenja krenarie për të parët e tyre, duke lënë gjurmë në etapa e periudha të ndryshme të zhvillimeve politiko-sociale të vendit tonë. Njerëz të tillë ngelen të pavdekshëm në memorien kolektive.

I pari në Berat: Emërimet në karrierë

Në ditët e para të majit ’46, Izet Dyrmishi merr në dorëzim detyrën e sekretarit të Parë të Bashkimit të Rinisë të Rrethit, duke zëvendësuar në këtë mënyrë Ramadan Rehovicën, i cili u transferua në një tjetër detyrë. Ndërsa në gusht ’46 u bë një shpërndarje e kuadrove, sidomos e atyre që punuan me rininë. Në atë kohë Izet Dyrmishi lirohet nga detyra e Sekretarit të Parë dhe ngarkohet me detyrën e sekretarit Kuadrovik të Komitetit të Partisë në Nënprefekturë. Ndërsa në 1 dhjetor ’46 fillon studimet në Shkollën e Partisë në Tiranë. Në 30 qershor ’47 kthehet në Skrapar dhe, për shkak të lëvizjeve në kuadër, caktohet në detyrën e sekretarit Politik të Skraparit, ose thënë ndryshe, sekretari i Parë. Në fillim të shtatorit ’53 Izet Dyrmishi ngarkohet me detyrën e sekretarit të Partë të Rrethit të Beratit. Duke i vënë objektiva vetes, mundi të përballojë detyrën për 6-të vjet në Berat në dy etapa: Në detyrën e Sekretarit të Parë të Rrethit, deri në fund të vitit 1955, kur u shkri Qarku, dhe detyrën e sekretarit të Dytë të Komitetit të Partisë po të rrethit, deri më 30 nëntor ‘59. Po në Berat u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin e Punës të Klasit III.

Pirro Kondi e Mihal Bisha: “Shko në veri të marrësh frenat e partisë”

Ishte tetori 1959, kur zhvillohej një mbledhje e Aktivit të Partisë në Berat, me tematikë për luftën kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe Ramiz Alia. Në mes të mbledhjes, Izeti lajmërohet se të nesërmen kërkohej në zyrat e KQ. Në pushim të mbledhjes është pyetur Ramiz Alia, nëse dinte gjë se përse kërkohej Izet Dyrmishi në Tiranë. Izeti thotë që Ramniz Alia u shpreh se nuk e dinte një gjë të tillë. Megjithatë, u mor me mend se flitej për një transferim. “Ramiz Alia gjeti rast dhe bëri shaka me mua, duke sugjestionuar përgjigjet e mia. Ai tha: “Në qoftë se do të thonë të shkosh në ndonjë rreth të Jugut, ti do t’u thuash: “E bëj apo s’e bëj atë detyrë, e di partia, po unë do të shkoj”, po të të thonë për në veri, do të thuash: “Unë vullnet nuk kam, por ushtar i partisë jam”. Të nesërmen, në Komitetin Qendror, Izet Dyrmishi është takuar me Pirro Kondin dhe Mihal Bishën, të cilët e njoftuan për rekomandimin si sekretar i Parë i Partisë në Tropojë. Ndërsa më 20 dhjetor 1959, Izet Dyrmishi fillon punë në Tropojë. Nga 1 shtatori 1967 deri në 30 nëntor 1968, pra gjithsej 15 muaj, Izet Dyrmishi punon si instruktor në Komitetin Qendror në Tiranë. “Grupi i instruktorëve ishte filtri i parë i projekteve dhe analizave që bënte Sekretariati, Byroja Politike dhe KQ, ndërsa filtri i dytë ishin ekspertët përkatës. Në tetor-nëntor 1968, me një ekip të madh të Komitetit Qendror, shkuam në Kukës, ku studiuam gjendjen dhe mundësitë për të fituar “kohën e humbur për zhvillimin e zonave malore”. Në dhjetor të vitit 1968 u rekomandova të zgjidhesha sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Kukësit, që për mua ishte krejtësisht e befasishme dhe krejtësisht e papritur”, shprehet Izet Dyrmishi.

HISTORIA/ Pas ekzekutimit të dy drejtorëve të Krumës

Hysni Kapo, si e shkarkoi Izet Dyrmishin pas vetëvrasjes së Piro Gushos

Në vitin ‘75, Izet Dyrmishi kalon një çast tepër të vështirë. Në kujtimet e tij ka shkruar se, nuk la vend pa bërë autokritikë e pa u “rrëfyer”, mirëpo, për fat të keq, baza e logjikës mbi të cilën ndërtohej analiza, ishte jo reale. “Duke analizuar tërësinë e “çështjes Kruma”, e cilësuar si “sabotim i qëllimshëm armiqësor i përmasave të mëdha”, kam deklaruar e theksoj se ky cilësim ishte absurd, ndërsa dënimin e Hajdar Kastratit me vdekje, si sabotator, e cilësoj si krim. Dhe në gjyq nuk u sollën prova ligjore dhe bindëse, por vetëm slogane. Gjyqi u politizua në mënyrë ekstreme”, ka shkruar Izet Dyrmishi. Më 31 mars ’75, në organizatën-bazë ku bënte pjesë, Enver Hoxha mbajti fjalimin: “Kuadri duhet të edukohet në shkollën e klasës punëtore”. Izet Dyrmishi shkruan se në këtë fjalim organet udhëheqëse dhe organizata e partisë së Kukësit, u kritikuan ashpër dhe kërkohej shkarkimi i udhëheqjes kryesore të partisë e pushtetit në rreth. Një javë më parë, pas një stërvitjeje të madhe ushtarake, të koduar me emrin “Peza”, e cila nuk pati suksesin e duhur, kuadrot kryesore të ushtrisë, pushtetit dhe partisë, u mblodhën në Shtëpinë e Pushimit të Durrësit, ku u mbajtën konkluzionet përkatëse. Gjithashtu në atë kohë u zhvillua Aktivi i Partisë së Fierit, i cili shqyrtonte veprimtarinë sabotuese të “armiqve” në naftë me në krye Lipe Nashin. Në një mbledhje me sekretarët e parë të rretheve, ku drejtues ishte Hysni Kapo, duke bërë vlerësimin e situatës, ai thotë: “Ashtu si Piro Gusho (sekretar i parë) në Fier, që i fërkon kokën Lipe Nashit, ashtu edhe Izet Dyrmishi në Kukës, i fërkon kokën Hajdar Kastratit (drejtor i NB-së Krumë)”. Izet Dyrmishi thotë se kjo shprehje u lëshua si bombë, ndërsa të pranishmit filluan të kthenin kokën nga ai. Të nesërmen Izeti shkon në zyrën e Hysni Kapos dhe i shotë se “gjërat nuk janë ashtu”. Por Hysni Kapo i kundërpërgjigjet se do të merrnin masa të ashpra karshi tij. “Dola i shqetësuar nga zyra. Por shqetësimi im u bë më i madh, kur Piro Gusho, pas dy-tri ditësh vrau veten, sepse u cilësua “armik i partisë”. Në këto rrethana shkarkohet më 31 mars ’75 nga detyra e sekretarit të Parë, ndërsa më 2 maj të po këtij viti, Byroja Politike vendosi të emërohej drejtori i Ndërmarrjes Bujqësore të Krumës.

Po ç’kishte ndodhur?!

*Ndërmarrja Bujqësore e Krumës, në raportin (bilancin vjetor) të vitit 1973, kishte raportuar 5.025 kv misër më tepër, sesa rezultoi në fakt prodhimi i atij viti.

*Në Ndërmarrjen Tregtare të Shitblerjes ishte vërtetuar një vjedhje me thyerje në një dyqan kinkalerie, në qytetin e vjetër të Kukësit

*Në një tunel ushtarak, përtej Uzinës së Bakrit, dikush që nuk doli kurrë, kishte vendosur një sasi të madhe tritoli.

Dega e Punëve të Brendshme në shkurt-mars ’74 kishte raportuar se në Krumë ishte groposur 1500 kv misër, ndërsa ai që ishte magazinuar po kalbej. Ndërsa në maj të po këtij viti raportoi se misri po shpërdorohej. Pas këtyre informatave Komiteti Ekzekutiv urdhëroi seksionin e bujqësisë së rrethit të verifikonte çështjen. Pas kësaj doli diferenca prej 5025 kv misër më pak nga sa ishte raportuar në vitin 1973.

Të gjitha këto u mblodhën dhe u lëshuan në fjalimin e krerëve të lartë të Partisë së Punës. Këto ngjarje u cilësuan si “veprimtari armiqësore”. Ndërsa çështja e Ndërmarrjes Bujqësore të Krumës u cilësua “sabotim me përmasa të mëdha”.

Dëshmia e Izet Dyrmishit

“Pas fjalimit u ushtrua kontroll shtetëror. Të gjitha ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore u revizionuan nga Kontrolli i Shtetit dhe dikasteret përkatëse, për një periudhë 15-vjeçare. Tronditje e vërtetë u shkaktua në mënyrë të veçantë te kuadrot. Shumë prej tyre u pushuan nga puna, u lëvizën nëpër detyra të tjera, apo u çuan në gjyq. Por gjyqet shkuan edhe më tej. Shefi i llogarisë së Ndërmarrjes Tregtare, Haki Hoxha, megjithëse nuk pranoi se kishte vjedhur, për faktin se shitëse në dyqanin e vjedhur me thyerje ishte nusja e djalit të tij, dhe ky shef llogarie, u dënua me vdekje dhe u pushkatua drejtori i Ndërmarrjes Bujqësore Krumë, Hajdar Kastrati u dënua për sabotim, me vdekje dhe në gusht 1975 u pushkatua. Bashkë me të u dënuan me burgime të gjata për sabotim: kryeagronomi, shefi i planit dhe shefi i llogarisë së ndërmarrjes. Një llogaritar u dënua me vdekje, për vjedhje. Ai në të vërtetë, u kishte vjedhur paratë ish-kooperativistëve, kur bëri shpërndarjen e tyre për pasurinë e përfshirë nga Ndërmarrja Bujqësore e Krumës”, shkruan në kujtimet e tij Izet Dyrmishi.