Ismail Qemal Vlora

1708
Nga Luan ÇIPI
Ismail Qemal Vlora lindi më 16 tetor 1846 në qytetin e Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Ai u lind në një nga familjet e mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije Hanëm Asllan-Pashali, nga familja tradicionale Alizoti, Gjirokastër. Ismail Qemal Vlora jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum e kravatë. Flokë dhe mjekrën i mbante gjithnjë krehur me kujdes. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele. Pas shtypjes së Kryengritjes kundër Tanzimatit (epopeja shqiptare e Hekalit dhe Gjolekës – 1847), Mahmud beu, (babai i Ismail beut) si një ndër udhëheqësit kryesorë të kësaj kryengritje, u arrestua dhe bashkë me të vëllain Selim pashën, u burgosën në Manastir. Familja u dërgua në Selanik ku qëndruan për tre vjet. Në Selanik familja e tij gjeti mbështetjen e madhe të konsullit francez Edouard Grasset, i njohur i Mahmud beut, qysh kur kishte shërbyer me po atë detyrë në Janinë. Ismail Qemali, kreu shkollimin fillor dhe ndërkohë përvetësoi turqishten. Pas politikës së re të Portës së Lartë familja e Ismailit, që ishte e vendosur e internuar në Selanik, kthehet në Vlorë. Më 1852 lirohet dhe Mahmud beu, kthehet dhe ai nga Konja në Vlorë; ndërsa i ungji Selim pasha, bashkë me një nga krerët kryengritës, Çelo Picarin, detyrohen të qëndrojnë ende në Thesali. Me vdekjen e të gjyshit nga e ëma në Janinë, (Tahir bej Asllan-Pashali), Ismaili i bashkohet së ëmës dhe në vitin 1855 regjistrohet në gjimnazin Zosimea në Janinë, duke pasur dhe mbështetjen nga kushëriri i parë i të atit, Mustafa pasha, që ish nëpunës pranë Ismail pashë Tepelenës , në atë kohë Vali i Janinës. Në Zosimea, Ismail Qemali, ishte aso kohe i vetmi nxënës mysliman. Mësoi aty greqishten e vjetër, latinishten; mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht, mësoi arabisht e frëngjisht. Pasi i ati kthehet në Janinë, me të shtypur revoltën e Epirit, i shpreh dëshirën e kushëririt, Ismail pashës, Guvernatorit te Thesalisë dhe Ministrit të Jashtëm Fuad pashës dhe me pëlqimin e përkrahjen e tyre, i biri shkon me studime në Stamboll. Sipas regjistrave të Zosimeas, Ismail Qemali i dha provimet e vitit të fundit më 15 korrik 1859. Në majin e vitit 1860 ndërmerr udhëtimin nga Janina për në Stamboll, që i zgjati dhjetë ditë. Ismaili banoi në Stamboll, në shtëpinë e Guiridli Mustafa pashës, i cili qe i afërt i tyre, ndërkohë që Ministri Fuad pasha, e punësoi në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, njëkohësisht lejon që të vazhdonte dhe studimet për drejtësi. Me një ndryshim të ambasadorit Osman në Paris, Ismail Qemali, emërohet atashe pranë ambasadës, por me t’u nisur misioni, merr lajmin e vdekjes së të motrës që e shtrëngon të kthehet në Janinë dhe të qëndrojë pranë familjes. Aqif pasha, Guvernator i Përgjithshëm, në vitin 1862 e mori ndihmës drejtor të çështjeve politike dhe së bashku bëjnë një tur perandorak. Por, në shtator të atij viti në Athinë ndodhi një grusht shtetit. Nga kjo ngjarje detyrohen për t’u rikthyer në Janinë për të marrë masat e duhura mbrojtëse. Pas Aqif pashës, Ismail beu, tashmë i konfirmuar si nëpunës i aftë, do t’i shërbente Hysni pashës, Dervish pashës dhe Kaizerli Ahmed pashës deri në vitin 1864. Sipas merakut dhe këmbënguljes të së ëmës. Ismaili martohet me një vejushë të re nga Konica. Duke hapur një parantezë për jetën e tij bashkëshortore mund të themi: Më 1864, siç shkruan edhe vetë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi «kontratën e martesës» sipas të cilës, nga pikëpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë. «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Et’hem bej Vlora (1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes, Duke ardhur në rrjedhë e jetës së tij, mund të themi: Pas disa rrethanash e ngjarjesh, që e shtrënguan të jepte dorëheqjen nga nëpunësitë qendrore, Ismail Beu, shkon në Larisa, me ftesë të kushëririt të tij Ismail pashës, Guvernator i Përgjithshëm i Thesalisë, i cili e bëri shef të kabinetit të tij. Me rekomandimin e Mustafa Pashës, Ismaili u propozua për t’u rritur në detyrë dhe në vitin 1867, atë e tërhoqi Komisari i Lartë për Reformat në Bullgari, Mid’hat Pasha dhe e caktoi drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane dhe më tej, me që ngeli i kënaqur prej tij, kur Mid’hat Pasha u emërua Sadrazam, e mori me vete në Stamboll Ismail beun, si sekretar personal të tij. Duke qenë në këtë pozicion të rëndësishëm, Ismail bej Vlora, mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e Kushtetutës Turke, e cila mbanë dhe kontributin e tij dhe u shpall më 1876. Më 1868 Ismail beu u pozicionua dhe me lart, si kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë. Kur ra nga detyra e Sadrazemit Mid’hat Pasha dhe u burgos në Taif, ngjarja ndikoi shumë dhe në karrierën e Ismailit. 
Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mid’hat Pashës më 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim, në Kutahja, ku u mbajt deri në vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë, po në detyra të rëndësishme shtetërore. Sepse ishte shumë i çmuar nga qarqet qeveritare, u emërua pas pak kohe Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qëndroi mjaft kohë e tregoi zotësi e shpirt përparimtar. U bë Mytesarrif i klasit të Parë në Manisë, Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamonu, dhe në Bejrut. Kudo që shkoi fitoi mirëdashjen e të krishterëve dhe të pjesës përparimtare të popullit. Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) mbi Ismail Qemalin rëndonte mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrëdhënieve të tija të ngushta me Mid’hat Pashën. Mbasi u pushua nga Valillëku i Bejrutit u emërua “Shuraj – devlet Azasi” në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjellje të tij dhe ishte vazhdimisht nën vërejtjen e policisë së fshehtë. Më së fundi vendosën ta dërgojnë Valí në Tarabullus, Libi. I paraqiti Abdyl Hamitit një promemorie ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave. Ai propozonte që të zbatoheshin me ngut reforma radikale, të cilat duhet të ishin të përgjithshme, t’u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorie kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t’i bëheshin ndryshime e përmirësime, që t’u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare të popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga Asambleja Kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim. Ismail Qemali mendonte, që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë, të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropës. Mehmed Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorien, Ismail Qemal Vlora, i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane. Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decentralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë.
Ismail bej Vlora, disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, me 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, e në Misir, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, ne Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë me të gjatë. Në Athinë pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të, duke qenë se respektin që gëzonte e kishte në Greqi edhe nga i ati. Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani qysh në ditët e para të largimit të tij, bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, po ai nuk i pranoi. Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ndër propozimet e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i sugjeroi atij ndërtimin e një hekurudhe, që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të jetë projekt edhe për sot. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e Turqve te Rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë. Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet “Le salut d’Albanie” (lexo: Shpëtimi-i Shqipërisë). Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë, e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane “Tribuna”, më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa më 15 tetor të po atij viti, ai botoi në revistën “Albania” thirrjen “Vëllezërve shqiptarë!” drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare. Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t’u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t’u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane, rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbasë bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin si një komb të shqiptarëve që rrojnë si në Shkodër, në Kosovë, Çamëri, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të, Turqisë Evropiane. Ne paraqitjen e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme të konsolidimit të kombësisë shqiptare, të afirmimit të shqiptarëve si komb më vete dhe të njohjes së identitetit të tyre kombëtar në arenën ndërkombëtare:
“Ne duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik, me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne. E ardhmja e shqiptarëve, të cilët në gjak kanë mbetur gjithmonë evropianë, sigurohet vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian”. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten, si dhe arabishten e persishten. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij, ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart. Aktiviteti diplomatik dhe tentimi për bashkëpunim me Turqit e Rinj nga ana e Ismail Qemalit, u vërejt që me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e tyre në Paris, që u mbajt në shkurt të vitit 1902, ku së bashku me Dervish Himën, Jashar Erebarën etj, tentuan që forma e bashkëpunimit të jetë e sinqertë, duke i ruajtur parimet e veta, çka nënkuptonte që të mos cenohet integritetit dhe pavarësia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me kërkesat e veta, në Kongresin e Dytë të xhonturqve të vitit 1907, shqiptarët nuk u pritën mirë nga turqit e rinj. Më 1908 me shpalljen e Kushtetutës (21 korrik) Ismail Qemali, kthehet në Vlorë dhe zgjidhet deputet i Beratit, në Mexhlisin osman. Bëhet udhëheqës i “Hyrrjet ve ltilaf”, parti e “Lirive dhe e Marrëveshjes”, anëtarët e së cilës ishin prej të gjithë kombësive që përbënin Perandorinë Otomane. Midis tyre të bashkuar vetëm kundra xhonturqve, përbëheshin prej elementesh heterogjenë dhe nuk ishin të organizuar si parti në popull. Ishte Deputet Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë dhe në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë. Në janar të 1912 mblidhet me deputetët e tjerë shqiptar që bënin pjesë në opozitë përkundrejt politikave të Turqve të Rinj Osmanli të Vilajeteve Shqiptare. Të tillë ishin Nexhib beu bashkë me Ismail Qemal Vlorën, Syrja beun, Hasan Prishtinën, Myfid bej Libohovën, Esad pashë Toptanin etj., të cilët u takuan në fillim pranë Hotel “Pera Palace” dhe më pas me 12 janar në shtëpinë e Syrja beut në lagjen Taksim, për çka u pagëzua “Komploti i Taksimit” I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit dhe nga ky grup deputetësh, Ismail Qemali, shkoi në Stamboll për ta bindur Qeverinë Osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë, por pa dobi. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, Ismailil Bej Vlora, ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun..
Zhvillimet e Luftës së Parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të “Aleancës ballkanike” që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit. Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, arriti në Bukuresht të Rumanisë, për t´u takuar fillimisht me komunitetin shqiptar që vepronte atje. Në Bukuresht gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll. Kryeqyteti rumun ishte përfshirë nga euforia dhe të gjitha organizatat shqiptare që vepronin atje, qenë të vendosura për pavarësinë e Shqipërisë (shkëputjen e plotë të saj nga Turqia). U desh fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, Komuniteti Shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të pjekur tashmë. Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.
Sigal