Ismail Kadare: E vërteta mbi vrasjen e Ramize Gjebresë (2)

1025
Sigal

Libri/ Rrëfimi tronditës i Ismail Kadaresë në veprën e tij më të re: “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”

(Vijon nga numri i kaluar)

Për të kapur diçka më shumë nga ky kryengulth makabër, le të kthehemi prapë te nata e ftohtë e shkurtit të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës.

E lidhur me litar, midis baltës, bagëtive dhe llumit, në haurin ku mezi bën dritë një kandil i zbehtë, Ramona e brishtë, shumë herë do të ketë sjellë në kujtesë gjyqtarët e saj, ndërsa shpresa për mëshirë do të zhvendoset nga një fytyrë te tjetra.

Ja Hysni Kapo, shefi i tyre, ka gjasë që edhe po t’u besojë pëshpërimave, të mos ia quajë për të madhe “mëkatin”, ngaqë ai vetë e ka lënë gruan e dhënë me mblesëri, në katund, për një tjetër, marrë me dashuri. Dhe ja i dyti, Manush Myftiu, kthyer nga Italia, ku ajo ka qenë gjithashtu për studime, e sidomos student i mjekësisë, s’ka si të kërkojë dënimin e saj. Aq më tepër, të tretit, Bilbil Klosit, ardhur nga Franca, ku ka studiuar për drejtësi, e gjithë kjo s’mund t’i duket veçse groteske. Sa për të katërtin, Dushan Mugoshën, serb nga Jugosllavia, atje ku flirtet dashurore nuk mallkoheshin aq fort, e për më tepër i dërguar i Kominternit famëmadh, do të duhej t’i ngjallte më fort shpresën, sikur një dyshim i errët të mos e gërryente.

Pastaj, me radhë, fytyra të rëndomta, për të cilat s’di ç’të mendojë, gjer te komandanti puritan e kokëshkretë i brigadës, Sh. Peçi, dhe ndihmësi i tij, D. Hekali, një djalë i ri, ish-ngarkues-shkarkues porti, në Durrës, që e adhuron komandantin e vet hijerëndë. Prej këtyre të dyve ka gjasë të ketë frikë, e sidomos tek ish-punëtori i portit, që pothuajse nuk e njeh.

Siç do të dëshmohej më pas, për një rreng tepër trillan të fatit, do të ishte pikërisht komandanti i ashpër Sh. Peçi që nuk do të kishte ndonjë zell për dënimin e vajzës. Do të shkonte te H. Kapo e do të kërkonte “të pyetej Partia”, por përgjigjja e këtij të fundit do të ishte: “Partia këtu, jam unë!”. Kurse befasimi i madh do të vinte prej D. Hekalit, zëvendësit, i cili, pa kurrfarë lëkundjeje, do të ishte gjer në fund kundër dënimit të vajzës.

Nga anketa e vitit 2009 e V. Barutit, natyrshëm del pyetja: përse H. Kapoja bashkë me “të dijshmit” tregoheshin kaq të egër, e përse të padijshmit, përkundrazi, më të dhembshur?

Këtu niste ftillimi i çështjes. Pyetja mund të shtrohej ndryshe: ç’dinte njëra palë më shumë se tjetra ose, përkundrazi, ç’dinte tjetra më pak?

Me sa dukej, pikërisht te kjo e fundit, te mungesa, zinte fill enigma. D. Hekali nuk dinte diçka që, aq sa ç’mund ta vinte nën të tjerët, e vinte përkundrazi mbi ta. Ai nuk dinte, me sa dukej, urdhrin e fshehtë, që, sipas V. Barutit, kërkonte vrasjen me çdo kusht të Ramonës.

Sipas këtij motërzimi, komandanti me zëvendësin tregojnë mëshirë për vajzën, ndoshta për shkak të mosdijenisë së urdhrit. Fakti që komandanti ndryshon qëndrim, ka gjasë që kjo të ketë ardhur pas marrjes në dijeni për urdhrin. D. Hekali, me sa duket, edhe pas dijenisë së urdhrit, vazhdon të mos bindet.

Shpjegimin e merr me vete në varr. Kjo ndodh pak kohë pas ngjarjes. Pas një beteje (jo gjatë betejës, por pas saj), D. Hekali merr një plumb (jo në ballë a në gjoks, siç e kërkojnë doket heroike, por në shpinë), sipas stilit që përshkruan Nako Spiru në letrën e tij.

Dhe stili, ai që sipas një maksime të njohur është njeriu, në këtë rast i bie të jetë morti. Ai që na çon te shpjegimi.

BUKUROSHJA DHE BALTA

E lidhur me litar, në haurin e bagëtisë, e më pas nën dhé, Ramona nuk di asgjë nga ato që ndodhin mbi tokë. Në mendjen e saj të turbulluar sa prej territ, aq dhe prej dritëzës së kandilit, ka gjasë t’i vijnë dy të fejuarit e saj, të njëpasnjëshëm, Misto Mame, i vrarë para pak kohësh, dhe Nako Spiru, që mendohet se ka zënë vendin e të vrarit, më pas, në zemrën e saj. Kjo fejesë dyshe, disi e çuditshme, do të përdoret përkohësisht në fazën e poshtërimit të saj. Ishte e lehtë që një vajzë, e cila pa iu tharë lotët për njërin, do të rendte te tjetri, të merrej për jo fort e moralshme. Në të vërtetë, lotët e Ramonës për të vrarin ishin aq të nxehtë dhe aq të zgjatur, saqë, duke u bërë proverbialë, ishin kthyer në të vetmen dëshmi për fejesën e hamendësuar të saj. Të gjithë do të besonin, e ndoshta edhe ajo vetë, se një të qarë të tillë, për një mashkull që s’i përkiste fisit, nuk e përligjte veçse dashuria ose fejesa e fshehtë.

Për skenarin e poshtërimit, fejesa dyshe, e shoqëruar nga akti i tretë i dramës, dashuria mëkatare me të tretin, ishin më se të volitshme.

Me dashjen apo pa dashjen e Ramonës, i fejuari i saj i dytë, ai i njëmendti, Nako Spiru, do të kthehej e rikthehej pafundësisht në ankthet e saj. E dinte vallë që po dergjej në haurin plot baltë si më e fundmja lavire e Shqipërisë? I kishte marrë vesh thashethemet, hetimin, egërsinë? Nëse i dinte, pse nuk turrej ta nxirrte nga ai haur i lemerishëm?

Në çdo zhurmë, në çdo pipëtimë që vinte nga jashtë, shpresa i ngjallej se ndoshta shpëtimtari më në fund po arrinte. Por pastaj, bashkë me heshtjen, thyhej besimi dhe ajo i kishte të gjitha arsyet të besonte se i fejuari i saj, jo vetëm nuk do të vinte kurrë, por ndoshta me cinizëm dhe xhelozi ndiqte dënimin e saj për tradhti ndaj tij.

Anketa e V. Barutit nuk është e butë me N. Spirun, por në asnjë rast nuk sjell ndonjë dëshmi për cinizmin e tij. E kundërta njoftohet prej shumë dokumentesh, e sidomos prej dëshmisë së L. Belishovës, shoqe e ngushtë e Ramonës dhe gruaja e ardhshme e shefit komunist. Thelbi i të gjithëve është i njëjtë: Nako Spiru e ka përjetuar vrasjen e së fejuarës si një tragjedi. Tre vjet më pas, më 1947, ai vetë do të rrëzohet nga plumba po aq të dyshimtë, si ata që ka përshkruar në letrën e tij dikur. Vrasja, e paraqitur si vetëvrasje, do të ndodhte në zyrën e tij prej ministri. Në tryezën ministrore, përbri njëra-tjetrës, do të ishin fotografitë e dy grave: Liri B., e shoqja e tij, dhe Ramona Gj., e fejuara. Nën sytë e qeshur të të dyjave, siç janë zakonisht sytë në fotografitë e zgjedhura, do të rrëzohej i përgjakur përgjithmonë…

Njeriu i tretë në jetën e saj, njeriu i gabuar, fatal, ai që ajo do ta mbante si gur dantesk për gati shtatëdhjetë vjet mbi qenien e saj, ishte Zaho Koka, ai që nga barí dhensh ishte bërë partizan, e më pas komisar, për të përfunduar në Romeo.

Kronika ka shumë fletë të zbrazëta, në kuptimin e njëmendtë dhe kurrsesi metaforik të fjalës. Fletë të grisura me dorë, në Arkivin e Partisë, atje nuk guxonte të hynte kush pa lejen e padrones së tij, gruas së Enver Hoxhës, Nexhmije Xhuglinit. E megjithatë, edhe pas grisjes së pashpirt të ditarëve të Ramonës, të letrave e shënimeve të saj, të dëshmive të gjyqit, të procesverbaleve të hetuesisë, si përherë diçka ka mbetur për të arritur gjer tek anketa e V. Barutit.

Seancat e hetimit janë të shkurtra dhe akoma më të shkurtra ato të ballafaqimit të Ramonës dhe Zaho K. Përgjigjet e tij janë varfërisht të sakta. E kam dashur, por s’kam guxuar t’ia shpreh dashurinë. Jep të kuptojë se ajo, si vajzë qyteti, i jepte shenja, por ai, si katundar i thjeshtë që ishte, druhej. Se ajo lexonte një vjershë të gjatë me skëterrë dhe me puthje. Së fundi, se e fyente, duke e këshilluar të përdorte furçën dhe pastën e dhëmbëve.

Përgjigjet e saj janë të qarta. Është e vërtetë se ka kënduar italisht dhe shqip një copëz nga “Ferri” i Dantes, por këtë e ka bërë pa ndonjë qëllim. Për të tjerat, përdor shprehjen latine, jo fort të saktë gjuhësisht, ndoshta për shkak të procesverbaleve: Nega totum, pra, mohimi i gjithçkaje. Nuk e ka dashuruar. Edhe po të tundohej, do të kishte dy pengesa: E para, “përthyerjen e karakterit të tij ndaj shefave”, e dyta, higjienën e gojës.

Anketa e V. Barutit i afrohet më në fund pikës fatale: shkakut të vërtetë të vrasjes. Atij që më fort se gjithçka, më këmbëngulshëm, më frikshëm, i largohen të gjithë. Ai shkak që, ndonëse i mbyllur në dyzet dryna, shkakton ende frikë dhe mort. Dhe do të shkaktojë të tilla për shumë kohë.

Është ankthi i Dushan Mugoshës, të dërguarit jugosllav, që i vjen herë pas here Ramonës. Jo se ishte serb, përkundrazi, e ka çmuar si të tillë, ngaqë ka lënë vendin e vet e po rrezikon jetën për Shqipërinë. Është i fundit me të cilin nuk do të donte të kishte moskuptim. Por moskuptimi s’varet prej saj. Ai i ka rrënjët larg. Ramona e ka nënën nga Kaçaniku i Kosovës. Dhe natyrshëm herë pas here flet për Kosovën. Dhe sa herë që ndodh kjo, në sytë e Mugoshës ka një ngricë. Ramona e di se të përmendësh Kosovën është gati-gati krim. Dënimi i Ballit Kombëtar, thënë ndryshe i “nacionalizmit” nis pikërisht nga çështja e Kosovës. Por Ramonës, ndonëse i fejuari Nako Spiru ia ka shpjeguar se “nacionalizmi” është pikërisht shenja që ndan komunistët nga fashistët shqiptarë, nuk e ka besuar fort. I duket kaq e pavend kjo histori, saqë beson se do të jetë e përkohshme.

Anketa e V. Barutit jep copëza letrash të këmbyera midis E. Hoxhës dhe të fejuarës së tij, N. Xhuglinit, ku flitet për “dekorime”, çka do të thotë vrasje pas shpine, si për një gjë të rëndomtë. Sipas V. Barutit, një pjesë të “dekorimeve” i propozon Nexhmije Xhuglini. Për t’i miratuar pastaj E. Hoxha. Midis “të dekoruarve”, gjysma, në mos më tepër, janë nacionalistë. Për “dekorimin” e këtyre të fundit, ashtu si për gjithçka të rëndësishme, vendos Mugosha.

V. Baruti, krahas motivit të Kosovës, jep gjithmonë si shkak xhelozinë e N. Xhuglinit. Prej anketës së tij është vështirë të vërtetohet krejtësisht një gjë e tillë. Ashtu siç është vështirë të kapet nëse njëri nga të dy motivet është fshehur pas tjetrit, apo, siç ndodh shpesh në jetë, rastësisht janë ndërthurur të dy për të shpejtuar orën e keqe të vajzës. Në këtë histori, pas luksit të jashtëm, pas shprehjeve latine në gjyq, pas leximeve e komenteve të Dantes, pas dy të fejuarve, pas një dashurie të hamendësuar për të vdekurin, pas dy vajzave shemra, tri-katër të tjerave xheloze dhe, pa dyshim, shumë meshkujve ngacmues të sprapsur prej Ramonës, xhelozia e gruas së ardhshme të sunduesit shqiptar i shkon stilit të dramës.

VDEKJA

Po gdhin më në fund mëngjesi i dënimit. Ramona, e hutuar krejt, del nga hauri. Sytë i lëbyren, mezi i hedh hapat. I kanë thënë se do të flasë përpara brigadës dhe kjo i ka përtërirë shpresën e faljes. Tek ecën, kërkon me sy Zaho K., bashkëfajtorin, që duhet të ishte i lidhur si ajo, por nuk e sheh kund. Me një shpresë të fundit, kërkon të fejuarin, Nako S., por as ai s’duket. Duket vetëm brigada e rreshtuar në pllajë, një mur hijerëndë, që hesht. Tri vajza partizane, me armë në duar, pakëz mënjanë, ndjekin me sy të turbullt ecjen e së vetmuarës. Ajo i afrohet një flamurthi, ku ndoshta, duhej të ndalonte për të folur. Ndërkaq, midis heshtjes ndihen krisma. Dhe midis krismave, dëgjohet zëri i saj: ç’janë këta plumba! Kthen kryet dhe, si në mjegull, sheh tri vajzat partizane që shtien drejt saj. Por, ngaqë iu dridhen duart, plumbat s’e kapin. Bëhet gati të klithë përsëri: ç’janë këta plumba?, kur një partizan, me sy të çakërritur, shkëputet nga rreshti dhe i turret pas për të zbrazur pas qafës së brishtë të vajzës, armën e tij.

Ramona bie më në fund, për të mos u ngritur më.

(Fund. Shih fillimin: “Telegraf”, 15 nëntor 2012)