Ismail Kadare, “agjent” i Mehmet Shehut!

1560
Sigal

Rrëfimi/ Helena Kadare tregon se sa i rrezikuar ka qenë Ismail Kadare më 1982-n, pas vrasjes së ish-Kryeministrit Mehmet Shehu

Ballë për ballë me Xhelil Gjonin dhe Simon Stefanin

Në tetor të vitit 1981, pas kthimit të Is nga panairi i Frankfurtit, befas i ramë më të se stina e qetë e përkohshme kishte marrë fund. Në fakt, shenjat ishin bërë të qarta prej kohësh, por, ngaqë Is tregohej shpesh i pavëmendshëm, i kishte hedhur pas krahëve. Gati një vit më parë, atë e kishin thirrur në Komitetin e Partisë të dy sekretarët, Simon Stefani e Xhelil Gjoni, për t’i njoftuar se motra e tij, Kakuja, ishte dëgjuar të fliste “kundër shtetit” dhe “kishte për të qenë me kohë në burg, në qoftë se s’do të ishte motra e tij”. Nga sqarimet e plota që i dhanë kur e thirrën, ishte se ajo mblidhej shpesh me disa shoqe, midis të cilave bënte pjesë edhe piktorja e talentuar Safo Marko, gruaja e shkrimtarit problematik, Petro Marko, si edhe një tjetër me emrin Asamble, e cila ishte arrestuar ndërkaq. Ndërsa pinin kafe, ato e kishin bërë zakon të merrnin nëpër gojë shtetin dhe udhëheqjen. Po kështu, si një njohëse dhe adhuruese e letërsisë ruse, Kakuja shoqërohej edhe me disa gra ruse të mbetura në Shqipëri, gjë që gjithashtu përbënte një faj!

Is, siç më tregoi, kishte dëgjuar me gjakftohtësi. Kur kishte ndodhur kjo gjë, ne po përgatiteshim për udhëtimin në Kosovë. Is kishte ndërkaq pasaportat, dhe një pasaportë ishte më e fortë se çdo kërcënim i Komitetit të Partisë. (Me një kthjelltësi të çuditshme më kujtohet tërheqja që i bëhej pasaportës nga polici ushtarak sapo që avioni cikte pistën e aeroportit. Më së shumti kujtoj fytyrën e të njëjtit person, sytë e tij të vrenjtur, dhe sidomos çehrja e vrarë e fytyrës. Ai nuk priste që njerëzit të zbrisnin në pistë. Hipte vetë deri në avion dhe i grumbullonte një nga një pasaportat e shqiptarëve, si të ishte duke marrë dëshminë më të rëndë të një krimi të kryer. Fytyrat e njerëzve, që i lëshonin ato në dorë të tij, kishin një si buzëqeshje të ngrirë, një si kërkim ndjese, për një faj që, natyrisht, s’e kishin bërë.)

Dialogu midis atyre të Komitetit të Partisë e Is, kishte qenë paka shumë ky:

Ata: Të njoftuam që të jesh në dijeni të problemit.

Is: Ju faleminderit. Por unë s’kam ç’i bëj asaj.

Ata: Sidoqoftë, ti je vëllai.

Ai: Ajo s’është në rregull, e di. Besoj se edhe mua më merr nëpër gojë.

Ata: (Vështrojnë njëri-tjetrin, pastaj dosjen që kanë përpara.) Në të vërtetë, ashtu është.

Kjo ishte fraza magjike, që, e shqiptuar rastësisht, ka lehtësuar, ndoshta, fatin e motrës. Kakuja vetë, e shtyrë nga vaniteti ose për të kënaqur kureshtjen e njerëzve, s’e kishte për gajle të tregonte poshtë e lart (këtë ma kishin thënë edhe mua kaq herë, miq e dashamirës) intimitete të shtëpisë, sidomos të Is, gjëra që nuk përkonin aq fort me përfytyrimin për shkrimtarin socialist, që është i mirë, i qeshur, i drejtë etj..

Sidoqoftë, ai u zemërua vërtet me të motrën dhe kishte të drejtë. Në thelb, Kakuja ishte gati të flijohej për Is, por pasioni për të folur ishte më i fortë dhe ajo ishte treguar fare e papërgjegjshme.

Ismaili në Komitetin Qendror

Episodi i hetuesisë së saj na u rikthye me një ndriçim të ri në atmosferën e krijuar atë vjeshtë të vitit 1981. Kudo flitej se kryeministri i vendit i kishte punët keq, për shkak të fejesës së famshme të të birit. Ne kishim lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen, për shkak të njohjes me Bashkim Shehun, djalit tjetër të kryeministrit, që ishte një shkrimtar me talent. Me të na kishte njohur Gim Myftiu, dhe, për fat të keq, ishim treguar fare të pakujdesshëm në bisedat me të dhe gruan e tij të re, Marietën.

Disa ditë pas kthimit nga Frankfurti, Is e thirrën në Komitetin Qendror, për t’i hequr vërejtjen për takimin me Martin Camajn. Is nuk kërkoi t’i bënte bisht asaj që kishte ndodhur. Në pyetjen e parë të Sofo Lazrit: “Është e vërtetë se në Frankfurt ke takuar Martin Camajn, shkrimtar armik, apo jo?”. Is i qe përgjigjur pa mëdyshje: “Është e vërtetë”. Mbrojtja e tij ishte e thjeshtë: takimi ka qenë i rastësishëm. Veç kësaj, nuk e kam ditur që merret me veprimtari armiqësore.

Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave

Plenumi u bë në mars, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës. Mbledhjen e kryesonte zëvendësi zyrtar i Enver Hoxhës, Ramiz Alia. Në radhët e para, midis anëtarëve të Byrosë Politike dhe të qeverisë, ishte gruaja e vetë diktatorit, Nexhmije Hoxha. Is ishte në presidium dhe prej andej ai duhej të dëgjonte para gjithë auditorit kritikat më të ashpra. Ato po lexoheshin nga kryetari i Lidhjes. Unë isha me shoqet e mia të zyrës në sallë. Rrija krejt e mpirë, duke ndjekur me kujdes çdo lëvizje të fytyrës së vrenjtur të Is. Pas frazave të frikshme, herë pas here ndieja në krah shtrëngimin e heshtur e plot kuptim të mikeshës sime, Nasta Haxhiu. Nga tribuna vinin fjalë të rënda. Romani akuzohej se bënte “aluzione për regjimin komunist”. Ishte kritika më e rrezikshme që mund t’i bëhej një vepre në Shqipëri. Ndërkaq dëgjoja me habi citime të frazave të librit, fraza që unë i dija të gjitha përmendsh, por nuk e di se nga çfarë ndryshimi apo renditjeje të çuditshme të tyre, ngjanin edhe më të frikshme se ç’ishin.

Të gjithë kujtuan se ky ishte fundi i Is. Atij vetë, për të dytën ditë i duhej të dëgjonte, me të njëjtën shprehje të ngrirë, ato që thuheshin për të. Tek e shikoja nga larg, nuk po arrija ta zbërtheja pamjen e tij. Jepte përshtypjen se nuk e kishte mendjen në ato që dëgjonte. S’mund të thuhej se ishte një shpërfillje, nga ato që ia njihja aq mirë dhe për shkak të të cilave kishte shkaktuar aq shumë acarimin e njerëzve. Këtë herë ishte ndryshe.

Gjatë pushimit mes dy seancave, dy miq të tij, duke u përpjekur të ishin të kujdesshëm, më thanë se ndoshta do të ishte më mirë që Is të tregohej disi më i vëmendshëm. Ose, së paku, të jepte përshtypjen tëtillë… Por ai nuk doli në sallë që ta takoja. Por edhe sikur të dilte, vështirë se kisha për t’ia thënë. Nga përvoja e dija se nëse doja t’i sugjeroja diçka, në këto raste, e mira do të ishte të mos i bija fare në sy, sepse e dija fort mirë se kishte për të ndodhur e kundërta.

Në seancën në vazhdim ai kishte përherë po atë shprehje munguese.

Mbledhja u mbyll vonë për t’u rihapur në katër të pasdites. Në shtëpi, duke u vërtitur nëpër kuzhinë për përgatitjen e drekës, ia thashë atë që mendoja dhe atë që më kishin thënë miqtë e tij. Për çudi, më ndoqi pa ndonjë interes të dukshëm, si të dëgjonte diçka që e dinte. Kur ma shpjegoi arsyen, i dhashë të drejtë. Fati i tij, domethënë fati ynë, nuk varej fare nga ato që thoshte kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve apo diskutuesit e zellshëm. As nga sytë zhbirues të Nexhmije Hoxhës, të cilët, që nga radha e parë ku kishte zënë vend, nuk i ndaheshin.

Fati ynë vendosej në një tjetër vend, larg nga kjo sallë, në qelinë apo në vendin e veçuar, ku po merreshin në pyetje Bashkim Shehu me të shoqen e tij të re, Marietën. Se ç’do të thoshin ata për ne, ishte shumë më fatale se gabimet e Pallatit të Ëndrrave që po numëroheshin aty.

(Vijon numrin e ardhshëm)

VRASJA E KRYEMINISTRIT

Ngjarjet e këtij viti do të rrokulliseshin me shpejtësi. Më 17 dhjetor ndodhi vetëvrasja apo vrasja e kryeministrit. Pas dy-tri ditësh ai u shpall tradhtar. Menjëherë filloi të flitej për një komplot të madh, më të rrezikshmin e zbuluar gjer atëherë. Gjithë Shqipëria nisi të dridhej prej llahtarës. Gjithkush sillte ndër mend të afërmit që mund të goditeshin dhe rrezikun që vinte prej kësaj. Ne rrezikoheshim nga dy drejtime, nga Bashkimi me Marietën, biri dhe nusja e kryeministrit të vrarë, që ishin izoluar dhe priteshin çdo ditë të arrestoheshin, si dhe prej Gim Myftiut, babai i të cilit mund ta pësonte. Dhe po ta pësonte i ati, dihej, i biri do të kishte të njëjtin fat.

Viti 1982 hyri me këtë re të zezë. Ndërkaq, Bashkimi me Marietën ishin arrestuar. Por e keqja s’do të mbetej me kaq. Më 28 janar, në mbrëmje, ishim mbledhur me ca miq për ditëlindjen e Is, kur një nga xhumat e dritareve të dhomës së ndenjjes u thye nga goditja me gur. Gurët vinin nga rruga dhe Is mori në telefon rajonin e policisë.

Policët erdhën menjëherë, u sollën shumë mirë, bënë ekspertizën. Disa ditë më pas ngjarja u përsërit, këtë herë me goditje të derës së apartamentit. U përsërit i njëjti ritual: fotografimi, matjet, procesverbalet. Ky ishte fillimi i një historie të shëmtuar që zgjati shumë kohë. Kishim dëgjuar kaq shumë për marifetet që përdornin regjimet komuniste për të hedhur baltë mbi personalitetet e kulturës, por kjo telenovelë e pështirë i kalonte të gjithë kufijtë e imoralitetit.

Në kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet për demaskimin e “kryekomplotistit më të madh të të gjitha kohërave, Mehmet Shehut”, përpara banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që Is ishte ende deputet i parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas!

Proverbi “Kur vijnë të këqijat, hapu derën”, merrte një kuptim të veçantë në vendet si yni. Në kohën që historia e përbaltjes ishte në kulmin e saj, një lajm i hidhur na erdhi nga Lidhja e Shkrimtarëve. Së shpejti do të bëhej plenumi i letërsisë, ku do të dënohej Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Mendimi i parë që na erdhi ishte: a kishte lidhje kjo gjë me çështjen e “xhamave të thyer”?

Xhevdet Shehu / SHKRIMTARI I KËRCËNUAR

Kthimi në të shkuarën është gjithnjë i dhimbshëm. Sidomos kur i kthehesh një periudhe tejet të zymtë, sikurse ishte ajo e viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar, dhimbja shumëfishohet. Kësaj periudhe i janë kthyer shpesh vitet e fundit gazetarë, analistë e studiues, për të zhbiruar të fshehtën e krusmës që po ndodhte në Shqipëri. Në epiqendër të tragjedisë ishte kryeministri i vendit, sikurse u vërtetua më vonë, numri 2 i regjimit, Mehmet Shehu. Por enigma mbetet e pazbërthyeshme nëse do të hetohej vetëm emri i Mehmetit dhe vetëm tragjedia e tij. Sepse në vetvete, tragjedia ishte e stërmadhe. Ankthi i përndjekjes, arrestimeve dhe pushkatimeve mori përmasa të papara. Gjeratoret e rrathëve të të ashtuquajturit komplot kundër diktatorit shtriheshin pambarimisht. Dhe nëse do të vazhdonte të jetonte diktatura, nuk do të ishte aspak çudi që edhe sot e kësaj dite të dilnin armiq! Në këtë pohim nuk ka asnjë hiperbolë. Ata që e jetuan dhe i mbijetuan diktaturës nuk çuditen aspak. Mirëpo, çudia më e madhe është se në këtë “komplot” imagjinar del se paska qenë edhe shkrimtari Ismail Kadare! Ky është vërtet një zbulim. Shumëkush e ka quajtur alibi pohimin e Ismailit se ai ka qenë i kërcënuar në ato vite. Në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me ndonjë alibi, por me një të vërtetë të madhe. Ismail Kadareja ka qenë realisht i kërcënuar dhe më e pakta ai do të përfundonte në burg, ose do të hante plumbin kokës! Sikurse është vërtetuar nga një pjesë e dokumenteve të zbuluara deri më tani, Ismail Kadare është llogaritur gjithnjë si bashkëpunëtor i “armikut” Mehmet Shehu dhe pjesë e komplotit kundër Enver Hoxhës. Për këtë flitej dhe shkruhej nëpër birucat e burgjeve dhe të hetuesisë së diktaturës. Flitej edhe në qarqe të caktuara jashtë burgjeve dhe hetuesive. Dokumentet janë dhe kjo është tashmë lehtësisht e vërtetueshme. Helena Kadare, në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” sjell disa dëshmi tronditëse lidhur me këtë periudhë, që përbën një nga momentet më delikate të jetës së shkrimtarit të madh. Por ajo më ngjethësja është dëshmia me firmë dhe vulë në hetuesi e ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishtit. Sikurse është bërë tashmë e qartë edhe për më naivët, Llambi Ziçishti u pushkatua se bëri një “mëkat” të madh: pa kufomën e ish-kryeministrit të vrarë! Në hetuesi ai pak më vonë do të pohonte dhe do të firmoste se: “Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta armiqësore që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë”. Ndërsa pak më poshtë Ziçishti pohonte: “Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjerat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri”. Ky është një pasazh nga dëshmia në hetuesi e Llambi Ziçishtit. Nuk po i hyjmë analizës se si është dhënë kjo dëshmi por, qoftë edhe vetëm kaq do të mjaftonte për të marrë dënimin kapital në atë kohë. Si shpëtoi Ismaili? Kjo është çështje që meriton analizë më vete. Unë mendoj se fama e madhe e shkrimtarit bëri punën e vet, ishte ajo shpëtimtarja. Ismaili ka thënë diku se e ka shpëtuar vetë diktatori falë portretit që shkrimtari i ka bërë në romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Diktatorit i pëlqente ai portret, ishte dashuruar sit ë thuash me veten e tij. Një portret të tillë të ngjashëm nuk e kishte as Stalini në ndonjë vepër letrare. Diktatorit shqiptar nuk i dhimbsej shkrimtari, por vetvetja. Po të eliminohej shkrimtari, asgjësohej dhe portreti i tij. Si mund ta pranonte ai këtë? Ndaj na doli një diktator shpirtmirë, që dinte të falte! Në të vërtetë kjo është një alibi e pastër. Ndaj dhe nuk lejoi të linçohej shkrimtari. Ky është një arsyetim bindës. Por kjo nuk e zbeh aspak faktin se shkrimtari ka qenë seriozisht i kërcënuar në atë periudhë pikërisht prej veprës së tij, prej krijimtarisë së tij, por edhe të bindjeve të tij. Madje i kërcënuar trefish. Së pari, i kërcënuar si shkrimtar. Unë kam qenë i pranishëm në Plenumin e Lidhjes në mars të vitit 1982, kur Ismail Kadare është kritikuar rreptë për novelën “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe kam parë e përjetuar drithërimën dhe akullimën që ka përshkuar sallën e mbushur me shkrimtarë dhe artistë. Shkrimtari më i shquar i vendit u kritikua për aludime të papërshtatshme dhe të rrezikshme në novelën e pallatit të ëndrrave që sapo ishte botuar. Dhe pjesëmarrësit në atë mbledhje pëshpëritnin: Po e hëngri Ismaili, llogarit se ç’mund të ndodhë me të tjerët! Së dyti. Ismailit në atë kohë iu stis një histori banale me vajzën që i shkaktoi shumë andralla shkrimtarit. Por, sikur të mos mjaftonin këto, po në atë kohë Ismaili ka qenë seriozisht i kërcënuar  nga Sigurimi i Shtetit. Këtë kërcënim shkrimtari e ndiente, e nuhaste, e vërente t’i vërtitej si fantazmë dhe me siguri ka parandier prangat. Dokumentet e zbuluara më vonë e vërtetojnë katërcipërisht këtë fakt. Disa herë Ismaili vetë ka pohuar se nuk ka qenë disident. Të tjerët e kanë quajtur të tillë. Një pohim të tillë e bën edhe ish i burgosuri politik Spartak Ngjela në librin me kujtime të botuar tani së fundi. Sidoqoftë këtu nuk po analizojmë veprën e shkrimtarit, e cila është ajo që është dhe qëndron në pjesën më të ndritshme të letërsisë shqipe. Jemi në vitin 1982 dhe po analizojmë një aspekt jashtëletrar të shkrimtarit: Sa i kërcënuar ishte ai nga diktatura?