Ish-partizani Abaz Hoxha/ Si dola në mal për të luftuar pushtuesit. Si dëshmitar okular ju trgoj si u pushkatua “ylli” i Brigadës së 5-të Ramize Gjebrea, e cila do të mbetet një plagë e pashërueshme

1355
Sigal

Leonard VEIZI

Si u arratisa nga shtëpia për të luftuar

Arkiva/ Flet Abaz Hoxha, ish-partizani 14-vjeçar i Brigadës së Pestë Sulmuese

(Vijon nga numri i kaluar)

Kur u bë pjesë e luftës, ai nuk njihte asnjë term politik. Nuk dinte ç’ishin komunistët dhe as ballistët. Por për shkak të frymës që mbizotëronte në të gjithë zonën dhe sidomos në familjen e tyre të madhe, ai e ndjente veten patriot, ndaj për këtë arsye ishte gati të vihej në mbrojtje të Atdheut, duke përdorur dhe armën. Në vazhdim të rrëfimit të tij për “Telegraf”, Abaz Hoxha, partizani 14-vjeçar i Brigadës së Pestë Sulmuese, para 65 vjetësh tregon se si nacionalistët Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Sadik Premtja e Bego Gjonzeneli shkuan në shtëpinë e tyre dhe u takuan me babain, Tahirin, i cili në atë kohë ishte Kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tragjasit.

 

Çfarë u tha në atë bisedë?

Më kujtohet që Sadik Premtja u tha të pranishme: “Partia Komuniste është vënë në shërbim të sllavëve”. Një nga të tjerët, ndoshta Lepenica ia kthen: “Siç e kanë filluar këta jo vetëm Kosovën që do na i shesin, por do shesin gjithë Shqipërinë të sllavët”. Më bënë përshtypje këto fjalë sepse Partia Komuniste ishte kthyer në një idhull për të gjithë ne.

Ju ndryshuat qëndrim pas asaj që dëgjuat?

Aspak. Në këtë kohë vëllai im Kujtimi dhe djali i xhaxhait Niko,  kishin dalë malit të inkuadruar në radhët e çetës së Rinisë dhe fare pak kohë pas tyre edhe Lufteri, vëllai i madh. Edhe unë vetë, i përfshirë nga kjo frymë patriotike e bashkëfshatarëve, babait dhe vëllezërve të mi isha duke bërë plane për të shkuar në mal ndonëse isha vetëm 13 vjeç. Bashkë me Qemal Mërtirin e Xhemil Kaleshin kishim bërë planet e ikjes për t’u bashkuar me partizanët. Ata ishin dy vjet më të mëdhenj se unë. Dy ditë më vonë kur në qendër të fshatit, po bëhesh një mbledhje e të gjithë popullit ku do të flisnin si përfaqësues të Nacionalçlirimtares dhe të Ballit Kombëtar, shfrytëzuam rastin dhe u nisëm.

E gjetët shpejt batalionin partizan?

U deshën dy ditë rruge të mundimshme. Pasi u takuam me partizanët, mora vesh se vëllai im Lufteri ishte komisari i batalionit. Kur më pa Lufteri u çudit por ende pa e ditur qëllimin tim të ardhjes ai erdhi me vrap e më mori në krahë e më puthi. Atë natë fjetëm përjashta bashkë me partizanët e tjerë. Nuk kishte ftohtë por mbasi u shtrimë në një lëndinë me fier natën më kishin bërë njolla-njolla të kuqe krimbat e fierit. Megjithatë unë fjeta pa u përmendur. Kishim bërë një rrugë të gjatë, isha tepër i lodhur dhe nuk u përmenda deri në mëngjes.

A të pranuan në radhët e tyre?

Nuk flitej për të më pranuar. Por nuk më kthenin dot. Mbas 5-6 ditëve batalioni partizan mori urdhër se duhej të kalonte në anën tjetër të Lumit të Vlorës, diku mbi Velçë në malin e Beunit. Flitej se do bëhesh një aksion i kombinuar. Por si rregull ishte që partizanët e rinj që ende nuk kishin marrë armë qëndronin në prapavijë deri sa shokët e tjerë t’u zinin armë armiqve për t’i armatosur. U bëmë 7 veta që sapo kishim ardhur prandaj na lanë aty së bashku me të 6 robërit e lidhur. Në krye qëndroi një skuadër komandant i cili ishte i armatosur vetëm me një pistoletë e një pushkë dhe në brez mbante një bombë dore “Balila”. Batalioni u nis në marshim drejt për kryerjen e misionit. Skuadër komandanti kish urdhër të prerë që të kujdesesh për ne, por veçanërisht për “robin” e S. Premtes. Mua me Qemalin dhe dy partizanë të tjerë na nisën drejt staneve të barinjve për të siguruar ushqim për skuadrën dhe robërit. Në Tragjas italianët kishin filluar një operacion hakmarrjeje. Shumica e familjeve kish marrë malin përpjetë për t’u strehuar. Qemali qëndroi në stanin e një kushëririt të tij ndërsa unë po kërkoja stanet e Laçajve me të cilët ne ishim ortakë. Kur u afrova te stani ç’të shihja! Përpara më doli njerka ime, Haxhua, dhe pas saj edhe hallë Anifea dhe Dedja (gruaja e xhaxhait).

Çfarë menduat kur patë të afërmit tuaj që nuk u kishe lënë adresë?

U trondita dhe kujtova se aty do kishte ardhur edhe babai të më merrte. Por jo. Ato kishin ardhur aty si gjithë fshatarët e tjerë që u larguan mbasi në Tragjas u futën trupat fashiste dhe dogjën fshatin. Gratë u gëzuan shumë kur më takuan. Në shtëpinë tonë kish rënë zia që kur u largova unë dhe as nuk e dinin ku kisha shkuar. Isha i katërti që largohesha për në mal (Lufteri, Nikua, Kujtimi dhe unë). Në veçanti ata ishin të shqetësuar sidomos për mua e Kujtimin që ishim më të vegjlit. Babai kish disa ditë që kish rënë në depresion. Mbasi më dhanë për të ngrënë filluan të më thoshin që duhej të kthehesha me to në shtëpi. Unë as që e diskutoja kthimin mbrapa. Kur e panë që nuk bindesha atëherë, Haxhua dhe Dedja m’u hodhën përsipër dhe më lidhën me litar. Në mëngjes i mora me të mirë. U fola për vështirësitë që kisha kaluar dhe më në fund ato më zgjidhën, por unë dola me vrap nga stani dhe u largova për te shokët.

Si do të vazhdonte ngjarja më pas?

Të nesërmen na erdhi një korrier nga shtabi partizan dhe na njoftoi se duhej të iknim menjëherë mbasi çeta e Sadik Premtes kishte zbuluar që shoku i tyre ishte i arrestuar aty me ne dhe ishin nisur për shpëtimin e tij. U nisëm me të shpejtë gati duke vrapuar poshtë malit të pjerrët, thikë. Na njoftuan se duhej të shkonim në malin e Beunit, mbi fshatin e Vajzës, dhe të bashkoheshim me batalionin. E patëm të vështirë mbasi kishim me vete edhe 6 robër prandaj duhej të kalonim rrëzave e në vende të padukshme për të mos u zbuluar. Midis Mazharit dhe Lapardhasë kaluam lumin në një pjesë më të cekët duke u lidhur me njëri tjetrin që të mos na rrëmbente lumi ku uji na vinte deri në brez. Midis Vajzës dhe Ploçës u takuam me një kompani të batalionit partizan. Ishim bërë qull nga mezi e poshtë por kjo vetëm se na pengonte pak ecjen por gradualisht filloi të avullonte uji nga nxehtësia e vapës dhe e lëvizjes. Por ky udhëtim i lodhshëm, rrobat e lagura bënë që unë të merrja një të ftohtë dhe të nesërmen u gjenda me temperaturë. Pas kësaj më filloi edhe një kollë. Lufteri që erdhi aty pas dy ditëve u bë shumë merak dhe gjeti rastin e volitshëm të më bënte përsëri thirrje që të largohesha për disa kohë sa të bëhesha më mirë. Këtë radhë ai nuk më tha të shkoja në shtëpi se e dinte që unë në shtëpi nuk kthehesha më, por më propozoi të shkoja në Mesaplik te dajua im Lavdosh Zotaj. Temperatura dhe kolla këtë radhë më bindën që të nisesha i shoqëruar nga një partizan drejt Ramicës, ku prindërit e nënës sime kishin pasur një shtëpi, por kur shkova atje gjeta vetëm gërmadha se i kishin djegur gjatë një operacioni të ushtrisë italiane.

Atdhetarët   

Nacionalistët që luftuan pushtuesit

Ata ishin nacionalistë, kishin pikëpamje politike të kundërta me komunistët, por e donin atdheun dhe luftuan kundër fashizmit. Duke rrëfyer për grupimet politike në vitet e ashpra të Luftës së Dytë Botërore, Abaz Hoxha thotë: “Duhet theksuar fakti që, ndonëse disa nacionalistë nga Tragjasi si: Skënder Muço, Bego Gjonzenelaj, Muhamet Murati, Tahir Hoxha, Hasan Cane, Hysni Alimerko e ndonjë tjetër u shkëputën nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe u bashkuan me Ballin Kombëtar, asnjëri prej tyre nuk u bashkua me forcat e armatosura të pushtuesve dhe nuk morën pjesë në reprezalje kundër popullit të tyre, gjë që nuk ndodhi me disa pjesëtarë të Ballit Kombëtar nga fshatra të tjera të Vlorës që, jo vetëm u bashkuan me pushtuesit, por u bënë dhe pararoja e operacioneve armike kundër popullsisë të krahinës së Mesaplikut dhe dogjën e masakruan fshatra dhe vranë shumë banorë të pafajshëm.

Përjashtim bëri vetëm M. A., i cili ndonëse vinte nga një familje patriotësh, djali i atdhetarit të nderuar Alem Mehmeti, menjëherë me pushtimin e Shqipërisë u regjistrua anëtar i Partisë Fashiste, madje edhe u gradua dhe mori pjesë në krye të disa ekstremistëve në reprezalje kundër popullsisë të fshatit të tij. Por M. Alemi nuk bënte pjesë në Ballin Kombëtar. Edhe T. Hoxha megjithëse u shkëput përfundimisht nga Fronti Nacionalçlirimtar ai nuk u bashkua kurrë me armikun dhe nuk mori pjesë në asnjë veprimtari kundër popullit të tij e njëkohësisht as Lëvizjes nacionalçlirimtare. Përkundrazi ai u tregua tolerant dhe me moral qytetar duke ndihmuar për të mos u pushkatuar disa militantë të Lëvizjes që ishin të plagosur ose ishin futur ilegalisht në qytetin e Vlorës”

DËSHMIA/ Dëshmori 16-vjeçar Kujtim Hoxha dhe Ramize Gjebrea, dy plagë të pashërueshme

 

Ramizeja, pushkatimi i  “yllit” të Brigadës së Pestë

(FOTI KUJTIM HOXHA DHE RAMIZE GJEBREA)

“Ishte fillimi i muajit mars 1944, menjëherë pas operacionit gjerman të dimrit ‘43-‘44. Në lëmin e fshatit u grumbulluan një grup i shoqeve partizane Stolia, Kanua, Gjena, Dallëndyshja, Meni etj.. Midis tyre njoha për herë të parë një vajzë bionde, të qeshur, të bukur si yll dhe që këndonte shumë bukur. Ajo binte në sy midis shoqeve që e kishin rrethuar. Që në pamjen e parë krijova një simpati deri në hyjnizim për të se ajo të rrëmbente me bukurinë, zgjuarsinë dhe sjelljen e saj. Ishte Ramize Gjebrea. Mora vesh se ishte anëtare e Shtabit të Brigadës së Pestë, përgjegjësja e rinisë dhe bënte pjesë në seksionin politik të saj. Një nga shoqet më tha se ajo ishte edhe anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste. Nuk më harrohet fytyra e asaj vajze që më mbeti si një yll në ndërgjegjen time dhe nuk e kam harruar asnjëherë gjatë gjithë jetës. Ky hyjnizim do të ma bënte edhe më të rëndë atë skenë makabre që jetova tre katër ditë më vonë. Ndërkohë batalionet partizane po grumbulloheshin njëri pas tjetër në “Qafë të Aliajt”, në Ramicë. Po prisja të takohesha me vëllezërit e mi që bënin pjesë në ato formacione. Erdhi batalioni i pestë dhe u përqafova me mall me vëllain e madh, Lufterin, që ishte zv/komisar i atij batalioni. E pyeta për vëllanë e vogël, Kujtimin dhe ai pas një hezitimi dhe duke kthyer kokën nga ana tjetër që të mos i shikoja fytyrën, m’u përgjigj se është në batalionin tjetër. Erdhi batalioni i dytë, ku ishte edhe Niko Hoxha, me të cilin ishim rritur bashkë, ai ishte 4 vjet më i madh, edhe ai më tha se Kujtimi do të vijë më vonë në repartet e tjera kur unë e dija që ai bënte pjesë në atë batalion. Ai për një çast u mallëngjye dhe u largua me të shpejtë pas shokëve të tij të batalionit për të mos e vënë re unë shqetësimin e tij, e tradhtoi veten… Por unë e kuptova. Vëllai im, Kujtimi, kishte mbetur në luftë. Nuk e zgjata më tepër se si kishte ndodhur, por fillova të qaja me ngashërim. Ai ishte vetëm 18 muaj më i madh se unë, pra nuk i kishte mbushur ende 16 vjeç. Ishte i brishtë në trup por i shkathët, entuziast dhe gjithë optimizëm. Kjo ishte një goditje e rendë për mua. Ishim rritur jetim. Nëna na kish vdekur që në vitin 1936 dhe na kishte lënë shumë të vegjël. Verën e kalonim gjithmonë në Ramicë tek dajua ynë, Lavdoshi dhe motrat e saj Ifeti dhe Sefirea që përpiqeshin të na zëvendësonin nënën dhe na trajtonin me shumë dhembshuri. Nuk e mora veten dy-tre ditë dhe vazhdimisht qaja. Por sidoqoftë në luftë pritesh çdo gjë dhe në një fare mënyre ishim mësuar me vrasjet nga armiku të shokëve dhe të afërmve. Ngjarja që do të pasonte më vonë do të ma mbulonte disi atë dhimbje por do të më shkaktonte një dhimbje më të madhe. Në fund të fundit ai u vra në luftë dhe kreu detyrën e tij karshi atdheut duke dhënë gjënë më të shtrenjtë, jetën. Ai do të rronte e kujtohesh gjithmonë si një dëshmor i atdheut”, rrëfen për “Telegraf” Abaz Hoxha.

Ekzekutimi

Ramica, arena e një dëshmie rrëqethëse

Ai ka qenë dëshmitar edhe i një ekzekutimi makabër. Ramize Gjebreja, agjitatorja e Brigadës së Pestë, një femër e bukur dhe shumë e zgjuar, u dënua me pushkatim për çështje morali”. Abaz Hoxha, dëshmitar okular në këtë ekzekutim rrëfen për “Telegraf”: “Në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës, në faqen e malit karshi fshatit, u grumbulluan batalionet partizane që përbënin brigadën e pestë. U rreshtuan në formë U-je duke lënë të hapur pjesën e sipërme të U-së. U grumbulluan edhe fshatarët e Ramicës, Verbasit, Matogjinit, Bratajt e deri të Velçës dhe Vajzës. Ndodhesha në mesin e anës së majtë të brigadës së rreshtuar. Në qoshe, në të majtë, ishte vendosur një skuadër vajzash partizane, dy hapa përpara batalionit. Mbanin armët në sup. Befas, dikush doli para brigadës (ngjarja që ndodhi më tronditi aq shumë sa që nuk e mbaj mend fare se kush ishte ai). Ai foli diçka për moralin partizan. Papritur po vinte drejt nesh një grup partizanësh në mesin e të cilëve qëndronte Ramize Gjebrea. Ajo dukesh e shqetësuar, por unë po e shihja vazhdimisht me atë ndjenjë që e njoha disa ditë më parë. Kaluan midis nesh dhe ajo doli para brigadës. E shqetësuar ngriti dorën lart dhe iu drejtua partizanëve. “Shokëëë!!” Por fjala iu pre në mes se dikush urdhëroi skuadrën e shoqeve partizane: “Zjarr!!!” Një batare të shtënash iu drejtuan asaj, por asnjëri nga plumbat nuk e goditi. Vetëm një plumb e preku në supin e majtë të pardesysë së çelur që kishte vata në supe dhe i dëmtoi vatën. Përkundrazi, një nga plumbat goditi në zhavorrin përballë dhe ngriti një gur, i cili plagosi N/komandantin e Batalionit të Dytë Halim Xhelon, të cilit filloi t’i rridhte gjak. Ishte e natyrshme. Ndonëse shoqet partizane zbatonin një urdhër të komandës, por ato kishin përpara një nga shoqet e tyre më të dashura, prandaj iu drodhën duart dhe plumbat nuk e morën. Të gjithë ngelëm të shtangur. Ajo vetë mbeti e hutuar para brigadës. Kur drejtuesi urdhëroi për së dyti të hapesh zjarr. Këtë radhë e morën disa plumba dhe ajo u rrëzua për tokë. Skena më makabre ishte kur dy tre veta të ngarkuar e tërhoqën zvarrë prej pardesyje dhe e shpunë drejt një grope që ishte hapur pak më lart. Aty dikush urdhëroi që t’i kontrollonin xhepat ku i gjetën disa letra dhe ashtu të veshur e mbuluan me dhe”.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Çfarë më tha Mehmet Shehu në takimin tonë të parë

-Lufta për çlirimin e Tiranës. Si marshuam në kryeqytet

-Faktet përse Shqipëria është çliruar në 28 nëntor 1944