Ish-partizanët Naxhi Zhupa & Zenel Koshaj: Marshi i Brigadës së 8-të sulmuese. Ja pse luftuam 75-vjet më parë

137

Brigadës së 8-të, Atdheut i japin liri!”

 

Ja përse luftuam 75 vjet më parë

 

(Themelimi i Brigadës VIII Sulmuese, më 25 Prill 1944, në Sheper të Zagorisë)

 

Gjatë LANÇ-it ishim në moshë fare të re, vetëm 14-15 vjeçarë, nga prindërit tanë dëgjonim për krimet që bënin pushtuesit: vrasje, plagosje, djegie shtëpish, grabitje pasurish etj. Ata besonin se rruga për shpëtim ishte rrëmbimi i një arme lufte, bashkimi midis luftëtarëve, lidhja e luftës sonë me atë të popujve të tjerë kundër armikut të përbashkët. Kështu vepruam edhe ne, duke lidhur besë dhe duke bashkuar armët në bazë fshati, zone, krahine dhe mandej edhe më gjerë. Nuk na shkoi mendja kurrën e kurrës për të shtënë armë kundër bashkëfshatarëve, krahinarëve e më gjerë. Me kalimin e kohës u bëmë më të bindur në kauzën tonë për lirinë e vendit dhe të popullit, u lidhëm më mirë midis nesh, fituam përvojë, u kalitëm më shumë për të përballuar vështirësitë, “na u ndez gjaku” pas humbjes së jetëve të shokëve tanë dhe u bëmë më të vetëdijshëm për të marrë hak për ata te armiku. Nuk pretendojmë se pa pjesëmarrjen tonë në atë luftë, pushtuesit nuk do të ishin shkulur prej këtej, nuk bëjmë as bilanc se sa armiq kemi asgjësuar, “nuk e rrahim gjoksin” për bëma të jashtëzakonshme, e të tjera si këto. Gjithsesi jemi të ndërgjegjshëm se kemi bërë diçka pozitive në interes të lirisë të familjeve tona dhe të rivendosjes së tërësisë territoriale të vendit. Ne e pranojmë dhe e pohojmë, se sakrifikuam mjaftueshëm në ato vite në interes të çështjes kombëtare, mjaft nga shokët tanë humbën jetën në moshë fare të re, shumë të tjerë u plagosën duke mbetur invalidë përjetë, përjetuam ngjarje të ngarkuara me emocione të forta të përballuara jo pa gjurmë nga ne etj.. U privuam nga mjaft të drejta, liri dhe detyrime personale e familjare si adoleshentë, duke u mënjanuar nga kujdesi i domosdoshëm prindëror, duke mbetur larg shkollave dhe arsimit, duke mos përmbushur detyrimet si fëmijë ndaj prindërve dhe familjeve tona etj., etj. Këto sakrifica dhe privime nuk ishin as të pakta në numër dhe as edhe pak të ngarkuara emocionalisht. Urojmë që askush si ne të mos i provojë në të ardhmen!

Tashmë jemi të moshuar, te 90-tat. Hedhim shikimin pas, dhe gjykojmë se diçka me vlerë kemi bërë për fëmijët dhe pasardhësit tanë, por edhe për shtetasit dhe vendin tonë. Nuk kërkojmë grada e ofiqe, privilegje e dekorata, as lapidarë e monumente, por pak më shumë vëmendje nga shteti dhe institucionet përkatëse, të cilat e kanë detyrim ligjor dhe moral. Me keqardhje ne përjetojmë sjellje, veprime e qëndrime që synojnë të baltosin sakrificat e bëra dhe privacionet e përjetuara nga ata që luftuan ballazi me pushtuesin: Rehabilitohen dhe dekorohen pafundësisht ata që nuk hodhën asnjë pushkë kundër pushtuesve, përkundrazi, bashkëpunuan deri edhe fare hapur me atë; dëmshpërblehen dhe u vihen në dispozicion fonde financiare nga taksapaguesit pasardhësve të bashkëpunëtorëve të pushtuesit, të cilët baltosin pareshtur Luftën Çlirimtare dhe drejtuesit kryesorë të saj, të cilët ne i kemi pasur bashkëluftëtarë në të njëjtën llogore, por edhe drejtues e komandues. Por ka edhe mjaft qëndrime e veprime të tjera, të cilat duket se na shprishin gjakun e shokëve e shoqeve tona, që mbetën llogoreve në përballje me armikun pushtues në të katër anët e vendit.

Disa nga veprimet luftarake dhe kontributi i Brigadës VIII Sulmuese

 

Ajo u inaugurua, më 25 prill 1944 në Sheper të Zagorisë, por puna përgatitore kishte filluar kohë më parë. Shtabi i Përgjithshëm me një urdhër të veçantë porosiste që “…Komisari i atij shtabi (Shtabi i Zonës I Operative) shoku Qazim Kondi është caktuar për organizimin e reparteve që do të marrin pjesë në Brigadën e 8-të Sulmuese. Ai duhet të kujdeset gjithashtu për armatimin e kësaj Brigade, të grumbullojë ushqime në një zonë të përshtatshme, ku do të bëhet inaugurimi i kësaj Brigade”. Shtabi i Përgjithshëm orientohej dhe vepronte sipas parimit, që Njësitë e reja të kompletoheshin me partizanë të viteve 1942-1943, të cilët të kishin kalitjen e vullnetin e duhur, por edhe përvojën dhe aftësimin ushtarak të domosdoshëm, çka mundësonte futjen në veprime luftarake të menjëhershme dhe të suksesshme, ashtu si shoqet partizane dhe partizanët-pionierë, nuk duhet të rrezikohen në luftime, sidomos në situata kur mund të kapen nga armiku. Si kontingjent bazë për kompletimin e Brigadës shërbeu efektivi i batalioneve partizane: “Çamëria”; “Perlat Rexhepi”, “Koto Hoxhi”; “Misto Mame”; “Dëshnica”; “Thanas Ziko”; Grupi I dhe III i Kurveleshit etj. Në ditën e përurimit ishte ky kontingjent: 915 vetë (nga të cilët 38 ishin shoqe), 93 kuadro drejtues, 46 partizanë-pionierë 14-15 vjeçarë, 107 komunistë, 70 partizanë ishin të rinj etj.

Qazim Kondi dorëzoi flamurin luftarak duke besuar se “Partizanët e Brig. VIII Sulmuese, flamurin luftarak që iu dorëzua, do ta mbajnë lart me nder e lavdi dhe do ta shpien fitimtar nga beteja në betejë…”. Dhe kështu ndodhi në fakt, ajo nga armiqtë u quajt “Brigada I S. e Re”, ndërkohë më vonë u vlerësua “Njësia që shkoi nga fitorja në fitore”. Në fillim komandant e komisar ishin Asaf Dragoti dhe Qazim Kondi. Armatimi ishte kryesisht i lehtë nga ai trofe i zënë apo rrëmbyer armikut; organi i shtypit u quajt “Pishtari”, një organ ky politik e ushtarak, ndërsa motua e veprimeve luftarake ishte: “Liri, Pavarësi, Tërësi territoriale”, ndërsa partizanët shprehen se “Popullin dhe atdheun e deshëm me shpirt”.

Kishte këtë marsh partizan:

 Sot malet e fushat gjëmojnë

Deti tallaz buçet

Kudo partizanët luftojnë

Çlirojnë katund e qytet.

 

 Refreni: Armikun s’e lenë të qetë /

Sulmojnë kudo me furi

Partizanët e Brigadës së 8

Atdheut i japin liri…..

Efektivi i Brigadës u përball në luftime me armikun që ditën e parë të inaugurimit deri në përfundim të luftës çlirimtare. Si detyrë e parë iu besua: Sigurimi i zhvillimit të punimeve të Kongresit të Përmetit (24-28 maj 1944); kaloi me sukses provën më të vështirë, “Operacionin armik të qershorit 1944”, duke u ndeshur në 28 ditë luftime të pandërprera; mandej kaloi në veprime mësymëse për spastrimin e zonës rreth Gjirokastrës, të cilën e çliroi më 18-19 korrik 1944; në gusht çliron Konispolin dhe niset drejt Beratit; më 18 tetor çliron Lushjën dhe marshon drejt Tiranës në luftimet 10-17 nëntor, si pjesë organike për çlirimin e kryeqytetit. Merr pjesë në parakalimin para Qeverisë Provizore Demokratike në Tiranë më 28 Nëntor 1944, dhe më 1 dhjetor 1944 nën komandën e Feti Smokthinës dhe Rasim Bazos, e inkuadruar në Divizionin VI, niset drejt Veriut ku përballoi disa luftime të ashpra në Mal të Zi dhe në janar-shkurt 1945 në Bosnjën Jugore duke marrë pjesë edhe në çlirimin e Vishegradit. Ka kryer mbi 3700 km. marshim në luftim, nga të cilat 1100 km. jashtë territorit. Prezente në 821 fshatra, kaloi me mjete rrethanore në kushte dimri 14 herë lumenjtë ujëshumë në Shqipëri dhe jashtë. I dhuroi çlirimit të vendit 148 dëshmorë, 176 të plagosur, 53 invalidë. Në një dokument më 09.06.1944, Komanda gjermane e Grupit Luftarak “Shtajrer” informon eprorët: “… nuk e morëm vesh fare nga erdhi kjo goditje …., bandat sikur mbinë nga dheu dhe na shkaktuan dëme të pandreqshme… Ata i karakterizon një vendosmëri deri në vetëmohim…”.

Në parakalimin përpara qeverisë demokratike në Tiranë, flamurtare është Sorka Dhima (Kureta) efektive e Br.VIII S., fakt që na bën të ndihemi edhe më shumë krenarë Brigada mori pjesë si një ndër forcat kryesore për çlirimin e Tiranë, me detyrë luftarake në anën jugperëndimore të saj dhe në pritën në rrugën Qafë Kërrabë – Tiranë, pikërisht në rajonin Mushqeta-Bërzhitë. Vija e parë e mbrojtjes armike ishte organizuar nga Kisha e Shën Prokopit, Lana e Saukut, Tirana e Re, Kazermat e “Ali Rizait”. Brigada VIII S. i dha Tiranës 19 dëshmorë, si dhe u plagosën 38 partizanë e partizane, midis tyre edhe shoqet: Sose Hysa (Memishaj), Merjeme Sinaj, Rukije Aliaj dhe Benda Xhelilaj. E kemi të qartë akoma në kujtesë kur disa prej të plagosurve “… na çuan në vend mjekimin më të afërt… e tillë ishte përzgjedhur një shtëpi në anën perëndimore, … ishin si sanitare (infermiere) shoqe partizane: Kano Saliaj dhe Ateme Arapi, të cilat na dhanë ndihmën e parë, na pastruan plagët dhe na ndaluan hemorragjinë… Mjeku i Brigadës, i shumë njohuri Grigor Konomi,… bashkë me kryeinfermieren e palodhur Dhora Miho dhe kryeinfermierin e batalionit Pertef Kokalari, u kujdesën që ne të mjekoheshim, të vizitoheshim, dhe në orët e para të ditës së çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor, na transportuan për në spital…”.

 

Pak fjalë edhe për kontributin e shoqeve partizane

 

E kemi pohuar me bindje të plotë edhe mjaft herë ndër vite, se shoqet partizane kanë qenë dhe mbeten një pjesë shumë e çmuar e krenarisë të Luftës së shenjtë për çlirimin e vendit. Ishte koha kur lypsej mençuri, guxim, forcë, trimëri, sakrifica dhe privime të shumta. Ishin ato që përcillnin me vaje dhe lot të nxehtë të rënët në fushëbeteja; ishin ato që na pastronin dhe mjekonin plagët; ishin ato që na rrinin mbi krye dhe na njomin buzën e plasur nga zjarrmia e etheve; ishin ato që na gatuanin me ç’të mundnin dhe na pastronin teshat me finjë e duke i rrahur me kopan… Të shkruash për ato duhet shumë kohë dhe përkushtim që rrjedh nga zemra… Më poshtë po sjellim për lexuesin disa pasazhe të shkurtra nga ato vite kur luftohej për liri e vatan: “Në fushën e luftimit…mitraljeri Xhafer Rizai, i ndihmuar nga partizanja trimëreshë Kano Çarçani, luftuan me trimëri të rrallë deri në fishekun e fundit…”. “Partizani Xhezo Memishaj kishte në radhët partizane bashkëshorten dhe mbesën: Emine Merja dhe Xhulia Memishaj”. Partizane Dëshmore të Brig. VIII S.: Trëndafile Denaj dhe Inajete Karalliu, vrarë më 22 korrik 1944 në Shëntriadhë; Sose Hysi, vrarë më 11.11. 1944 te Kazermat e Ali Rizait; Nevro Berdaj, vrarë më 12.12.1944 në Momçe jashtë atdheut; Sado Maliqi, vrarë më 13.2.1945 po në Momçe… Partizane invalide mbetën: Marie Brisku, Merjeme Sinaj, Mesarete Karagjozi, Xhone Godo. Partizane pioniere ishin: Ilha Çami, Zyhra Zhuzhuni, Ylvije Cenaj. Partizane të plagosura: Zonja Rushani, 7.6.1944 në Skore; Mesarete Karagjozi, 11.6.1944 në Skore; Kano Saliaj, 25.6.1944 në Skore; Selvije Jaho, Nervo Vergaj, Marie Dhamo dhe Lejla Goxhi 28.8,1944 në Konispol; Merushe Gjika, 15.10.1944 në Dushk të Lushnjës; Merjeme Sinaj, 14.11.1944 te “Rruga e Kavajës”; Rukije Aliaj dhe Benda Xhelilaj, 11.11.1944 te Kazermat e Ali Rizait; Marie Brisku dhe Merushe Sadikaj,14.12.1944 në Ulbi të Malit të Zi; Ollga Dhamo dhe Katerina Gjika 25.6.1944 në Grykën e Selckës; Hurma Troqe.

Vjershë për flamurtaren Sorka Dhima (Kureta)

Kush ish flamurtarja me flamur

Që zbriti si sorkadhe gur më gur?

E me të shtëna pushke malet mati

 Nga Zagori e saj te Vishegradi?

Më thoni kush ka qenë flamurtar

Në Ditën e Çlirimit Kombëtar?

Një fat të tillë e pati Sorka Dhima

Në të gjitha luftimet e zhvilluara nga repartet e Brigadës, shoqet partizane…, luftuan me trimëri dhe guxim të rrallë. Disa prej tyre si Inajetja, T. Denaj, S. Hysi, M. Banaj, N. Berdaj, etj. dhanë jetën e tyre rinore duke luftuar pikërisht në vijat e para dhe atje ku rreziku ishte më i madh… Disa të tjera si Z. Rushani, K. Saliaj, M. Karagjozi, S. Isaraj, M. Dhamo, M. Sinaj, Hurma Troqe, M. Sadikaj etj., u plagosën pikërisht në vijat e para të luftimeve…”.

Fjalët dhe mirënjohja për shoqet partizane janë të pashteruara. Ne krenohemi me ato, dhe të gjithë së toku me çka kemi bërë në vitet e Luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe shërbyesit e tyre.

 

Naxhi Zhupa, ish-partizan në Br. VIII. S., veteran, invalid

Zenel Koshaj, ish-partizan në Br. VIII. S., veteran