Sigal

Arkiva/ Intervista e dhënë nga koloneli në pension Resul Bedo: Iniciativa për të botuar 19 vëllimet me “Yjet e Pashuar” në dy regjime. Interesimi i Enverit për dëshmorët

Komiteti Qendror, si ma ndaloi botimin e “Yjeve të Pashuar”

Leonard VEIZI

Ka të botuar të paktën 75 tituj librash, ndër të cilët 19 kanë të dokumentuar jetën e dëshmorëve shqiptarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore, nën titullin “Yje të Pashuar”. Për një kohët të gjatë ka shërbyer si ushtarak karriere në ushtri, ndërsa për shumë vite ka shërbyer në sektorin e kulturës në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, me gradën e kolonelit. Në vitet e luftës ka qenë i inkuadruar me çetën “Çerçiz Topulli”, më pas me batalionin “Asim Zeneli” dhe së fundi si komisar kompanie me Brigadën e 6-të Sulmuese. Por paralelisht, e dendur ka qenë dhe jeta e tij e krijimtarisë letrare. Aktualisht, edhe pse 83 vjeç, është po aq aktiv në mbrojtjen e dinjitetit të dëshmorëve. “Duam apo s’duam ne, dëshmorët janë të bashkuar. Ata kanë rënë për një qëllim të përbashkët: për kombin shqiptar, për lirinë dhe demokracinë”, shprehet koloneli në pension Resul Bedo, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

Si filloi puna për “Yjet e Pashuar”?

Dëshmorët e atdheut dhe heronjtë e kombit kanë qenë objekt i punës sime, thuajse të përhershme, duke filluar që në vitet e Luftës, ku diçka kam shkruar. Megjithëse unë kam shërbyer në detyra komanduese në ushtri, gjithnjë më ka ngacmuar çështja e dëshmorëve. Kështu grumbullova materiale të shumta si në rastin botimit “100 episode partizane”, ku të gjithë ishin me fotografi. Pastaj, duke shkruar vazhdimisht, si “Shqiponjat e vogla” e të tjera tregime, vura re se u bënë një sasi e madhe. Atëherë mendova t’i hidhja në një vëllim. Në një Përvjetor të Çlirimit e përgatita për shtyp duke e titulluar “Krahët e shqiponjës”. M’u duk si një titull tepër i gjetur, duke u bazuar në fjalët e Pirros së Epirit, që u tha ushtarëve: “Nëse ju më quani mua shqiponjë, ju ishit krahët e mi”.

Kur vendosët ta ndryshonit titullin?

Menjëherë pasi një miku im që e pa vëllimin para se ta çoja në shtyp, më bëri një vërejtje duke më thënë: “Këta dëshmorë janë të vrarë të gjithë dhe krahët e shqiponjës s’mund të fluturojnë. Mos të krijon ndonjë keqkuptim një gjë e tillë?” Kjo vërejtje miqësore më bëri të zmbrapsem. Kështu ia ndërrova titullin duke e cilësuar “Yje të pashuara”. Materiali ishte i shumtë, kështu që dolën dy vëllime me të njëjtin titull. Ishte e para herë që përdorej në mjetet e informacionit një shprehje e tillë. Në fillim mendoja se si do kapej kjo nga lexuesit, por interesante ishte se ajo u përshtat shumë shpejt dhe u bë e plotfuqishme. Kjo gjë më dha dorë. Vazhdova të punoja sërish dhe kjo solli për rrjedhojë dhe botimin e katër vëllimeve të tjera.

Si do të procedohej për dy vëllimet e para. A kishte censurë?

Ato i shpëtuan censurës. Të dy vëllimet u dërguan për t’u botuar në Kinë, me një cilësi maksimale. Në atë kohë Kina i jepte Shqipërisë tanke e aeroplanë dhe jo më të shtypte dy vëllime me cilësi të lartë. Por më pas shtypshkronja erdhi në Shqipëri dhe nuk patëm probleme me cilësinë e botimit

Si priteshin nga udhëheqja këto vëllime?

Natyrisht që u pritën mirë. Por në vëllimin e tretë kishte një koincidencë. Ndërsa Hysni Kapo më dërgoi një letër ku më përgëzonte për punën time, Enver Hoxha nuk ishte në dijeni. Dhe një gjë e tillë doli gjatë vizitës që ai bëri në ekspozitën “Shqipëria Sot”, ku ishin ekspozuar dhe tre vëllimet e Yjeve të Pashuara. Unë nuk kam qenë dëshmitar okular, por më treguan se Enveri thirri Ramiz Alinë, duke i kërkuar llogari se përse nuk i ishte bërë e ditur se kishte dalë dhe vëllimi i tretë i “Yjeve të Pashuar”.

A kishit peripeci në përzgjedhjen e materialit?

Natyrisht kishte shumë peripeci. Unë kam hulumtuar në të gjithë Shqipërinë, përveç materialeve që më vinin në zyrë. Një gjë të tillë e bëri të mundur dhe dalja ime si shkrimtar i lirë. Më vonë u angazhova dhe në Komitetin Kombëtar të Veteranëve. Por kur u bënë 6 vëllime, botimi i “Yjeve të Pashuar” u ndërpre padrejtësisht. Burokracia e kishte bërë punën e saj. Kështu u krijuan probleme nga më të ndryshmet. Të paktën për ta u duk se u kënaq opinioni me 6 vëllime, ndaj më thane: “Mjaft!”. Ose më saktë, u tha: “Vazhdimi i këtij libri na sjell telashe” Ndërsa për mua ato nuk ishin mjaft. Unë synoja më tepër. Në atë kohë kërkoja të realizoja botimin e 10 vëllimeve.

Në të vërtetë cila ishte arsyeja e vërtetë e ndalimit?

Unë i merrja të dhënat nga baza. Familjet kishin dëshmi autentike. Madje për këtë Ministria e Mbrojtjes më vuri në dispozicion 2-3 ushtarë, me prirje letrare, të cilët më ndihmonin për të seleksionuar materialet. Por në këtë të dhëna ndonjëherë vihej re se diçka nuk shkonte. Ishte propaganduar tjetër gjë, por dilte tjetër gjë. Të vogla në dukje, por krerët nuk mund t’i duronin, përderisa gjërat kishin ndryshuar dhe nga gjiri i partisë kishin dalë “grupet e tradhtarëve”. Dhe kështu u mendua që “Yjet e Pashuara” të ndaleshin me kaq.

A kishit siguruar “visto” nga lart?

Botimi ishte me iniciativën time. Sapo u njoh me materialin, Enver Hoxha tregoi interes për të dhe kërkoi që, nëse dilte ndonjë vëllim i ri, t’i vihej menjëherë në dispozicion. Mund të them se Enver Hoxha e ndiqte më vëmendje serinë e këtij botimi. Por megjithëse e kisha këtë “visto” nga Sekretari i Parë i KQ, një pjesë aparatçikësh e bënë punën e tyre. Dhe diku nga viti 1985, kur dhe Enver Hoxha nuk jetonte më, botimi u pezullua

Kishit ndërhyrje nga KQ për materialet e përzgjedhura?

Mendoj se kishte një farë dashamirësie ndaj kësaj pune. Përndryshe nuk mund të bëhej i mundur botimi. Por gjithsesi iniciativa ishte dhe mbeti thjesht e imja. Ndërkohë, nuk kishte asnjë privilegj dhe ashtu siç botoheshin dhe librat e tjerë, botohej dhe “Yjet e Pashuar”. Në këtë përpjekje timen morën pjesë dhe shumë familjarë të dëshmorëve të Luftës, të cilët më sollën materialet konkrete.

Si e rifilluat botimin e ciklit?

Ndalesa disavjeçare krijoi përshtypjen se nuk do të kishte më vazhdimësi. Por unë nuk isha dakord me këtë. Kur krijuam shoqatën, unë e shtrova problemin ku kërkova që të rivazhdonte botimi “Yjet e Pashuar”. Vërtet nuk kisha mundësi financiare, por dalëngadalë arrita që në vitin 1996 të nxirrja vëllimin e 7-të. Rifillimi i ciklit pas rreth 10 vjet ndërprerje, krijoi dhe interesin e njerëzve të cilët deri në atë kohë kishin menduar se nuk do të kishte më “Yje të Pashuar”. Mendoj që, po të kem jetëgjatësi, të bëj të mundur botimin e 30 vëllimeve.

FINANCAT

Përballimi i vazhdimësisë

Nëse 6 vëllimet e para merreshin përsipër të botoheshin nga vetë shteti i centralizuar, në kapitalizëm puna ndryshon. “Yjet e Pashuar” ose duhet të sponsorizohen, ose duhet të nxjerrin vetveten nga shitja. Por duket se asnjëra prej tyre nuk ndodh. “Më e rënda nga të gjitha, qenë zgjidhja e çështjes financiare. Nuk kemi pasur asnjë ndihmë nga shteti. Edhe kur kemi kërkuar e i jemi paraqitur zyrtarisht, nuk kemi arritur gjë. Kështu që botimi i vëllimeve bëhet në mënyrë vullnetare, me ndonjë ndihmë nga shtypshkronja, apo me shitjet. Po të kisha një ndihmë financiare, do të arrija të hidhja në treg 30 vëllime, pasi bazën materiale e kam përzgjedhur. Ndërkaq, vëllimi i fundit, që ishte një vëllim i veçantë në serinë “Yjet e Pashuar” e që kishte të bënte me 70 ushtarë e oficerë të vrarë në provokacionet greke të gushtit u bënë të mundur të dilnin në qarkullim vetëm një javë më parë”, shprehet shkrimtari i njohur Resul Bedo.

 

PROJEKTET

Vazhdimisht me shokët e rënë

“Në kushtet e sotme, të cilat janë të ndryshme nga ato të viteve ’90, po bëhet një punë e gjithanshme në përkujtim të dëshmorëve. Mendoj se ka ende për të bërë, pasi nuk është ezauruar gjithçka. Por që gjithçka të shkojë mire, duhet dhe një mbështetje e fuqishme nga shteti, nga të gjitha mediat. Atëherë themi se mund të konsumohet. Ky konsum nuk vjen, meqenëse bëhet një vizitë në varreza, bie një bandë frymore, vihet ndonjë kurorë me lule, apo shkohet për vizitë në një shtëpi dëshmori, pihet një gotë raki dhe përshëndetet: “I paharruar qoftë kujtimi i tyre. Është e domosdoshme që të shtrohet problemi, që të punohet gjerësisht për dëshmorët. Pra, ne do ta vazhdojmë këtë punë, por se sa do të na përkrahin, është tjetër çështje”, thotë Resul Bedo.

DËSHMORËT/ Përplasja e shifrave, që nuk vërtetojnë të rënët dhe viktimat e Luftës

Shqipëria, një dëshmor në çdo kilometër

Një nga çështjet e debatuara mes forcave politike në fillim të demokracisë shqiptare ka qenë dhe shifra e dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fillim, dita e çlirimit të vendit, 28 apo 29 nëntor ’44. Më pas dita e krijimit të ushtrisë, në 10 korrik ’43 në Labinot apo 4 dhjetor 1912 në Vlorë. Por dhe për numrin e dëshmorëve, forcat politike nuk gjenin gjuhën e përbashkët. Shifra që sundoi për 40 vjet ishte ajo e 28 mijë dëshmorëve, që personifikonin dhe 28 mijë kilometrat katrorë të shtetit shqiptar. Ndërsa në periudhën postkomuniste u deklarua se dëshmorët nuk kishin qenë më shumë se 12 mijë, madje ishin në shifrat e 8-mijë të rënëve. Për këtë çështje shkrimtari i njohur Resul Bedo, si njohës i mirë i çështjes në fjalë, jep këtë shpjegim: “Për dëshmorët ka pasur vërtet një farë sektarizmi. Unë e kam ndjekur nga afër këtë punë. Është shumë interesante kur në një varrezë dëshmorësh të një rrethi gjeje 20 varre dëshmorësh të hequr nga vendet e tyre. Dhe për çudi, pas dy-tre vjetësh këta të 20-të vinin përsëri atje ku kishin qenë më parë. Domethënë, ne kemi qenë shumë të shtrënguar në këtë anë. Fillimisht u mendua të shpalleshin dëshmorë ata që ranë në betejë. Por në fakt janë po aq dëshmorë dhe ata që u pushkatuan. Sepse ka pasur të vrarë dhe nga bombardimet e aviacionit. Jo vetëm nga ai pushtues, por dhe nga aviacioni aleat. Kështu lindnin problemet. U tha se ata nuk janë vrarë me armë në dorë. Flitet për 28 mijë dëshmorë. Në fakt unë kam lexuar materialet e prefekturave të atëhershme, të cilat i dërgonin në formë relacioni emrat e të rënëve për çdo rreth. Pastaj këto lista (të cilat gjenden në arkiva) filluan të cungoheshin padrejtësisht. Por unë mendoj se është bërë një padrejtësi me ta. Kështu që them se janë 28 mijë dëshmorë. Kjo shifër është bërë e njohur tashmë. Sepse ka ndodhur që flasin për shifra e për numërime ata që nuk janë marrë ndonjëherë me këtë punë. Por në fakt ne mburremi dhe themi që gjatë Luftës ishim përkrah aleatëve tanë antifashistë. Por dhe aleatët e mëdhenj mburren me dëshmorët e tyre. Dhe këta dëshmorë ata i bëjnë personazhe nëpër vepra e filma. Pra, u japin vendin që meritojnë. Unë vetë në librat e mi kam publikuar rreth 5.000 dëshmorë, por kam dhe shumë të tjerë që nuk janë publikuar”.

PROBLEMET

“Yjet” që u shtypën në Kinë

Kujton se “Yjet e Pashuar”, dy vëllimet e para janë shtypur në Kinë, për shkak të cilësisë së lartë që duhej për të përballuar luksin e këtij libri. Ndërsa 4 vëllimet e tjera në Tiranë. Por Resul Bedo thotë se, vështirësia më e madhe ndodhi pas vitit 1974, kur doli i ashtuquajturi “grupi puçist në ushtri”. Ai thotë se shumë materiale të grumbulluara u rrëzuan. Shumë emra që duhet të kishin dalë u censuruan. Dhe shumë fotografi e materiale të tjera u shkatërruan. Ai vetë mori një “vërejtje” në organizatën bazë.

KRIJIMTARIA

Që në vitet e Luftës ka tentuar të shkruajë rreth asaj që i mbetej në kujtesë. Nga ajo kohë kanë mbetur ende disa gjurmë. Resul Bedo thotë se edhe pse kishte një dëshirë të madhe për të shkruar, pas çlirimit punët nuk ishin të lehta. Ushtria partizane ku ai ishte inkuadruar duhej të kthehej në një ushtri moderne. Por ai shton se përkrah detyrimeve ushtarake, mundohej të bënte diçka dhe në fushën e letrave. “Letërsia më tërhiqte fort dhe më ngacmonte për të shkruar. Madje fillova dhe të botoj. Vëllimet e para ishin me tregime për Luftën, siç janë: “Shqiponjat e vogla”, “Ditar partizan”, “Në grykën e Zarelit”, “100 episode partizane”. Më pas shkrova romanin “Edhe ne luftuam”, i cili fitoi dhe një çmim të parë në konkursin kombëtar. Përveç kësaj, botimet me tregime kanë qenë të vazhdueshme. Por kam shkruar edhe në gjininë e novelës, por gjithnjë me tematikën e luftës. Kam shkruar dhe romanet “Furtuna”, “Ndëshkimi i korbave”, “Goditja”, “Bilbilenjtë” etj.”-thotë koloneli në pension.

 

AKTIVITETI

Shoqata që u ngrit datën e vdekjes së Enver Hoxhës

Në 11 prill, kur nostalgjikët, edhe pse të trembur, kujtonin ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, Ministria e Drejtësisë licencoi një nga shoqatat e para të krijuara pas rënies së perdes së hekurt të komunizmit, të quajtur: “Shoqata për Dëshmorët e Atdheut”. Ishte viti 1991, pikërisht koha kur filluan proceset e ndryshimeve në Shqipëri, e cila, sipas shkrimtarit të njohur Resul Bedo, u shoqërua me një regres të fortë në drejtim të dëshmorëve të Luftës, duke hedhur baltë mbi ta dhe heroizmat e tyre. “Në këtë kohë, me një grup shokësh intelektualë, ku kishte veteranë, shkrimtarë, historianë, krijuam Shoqatën Atdhetare për të Rënët e Kombit, e cila shtroi si detyrë të saj, kryesisht, ndriçimin e jetës dhe veprës së dëshmorëve. Kjo shoqatë, që në krye të statutit të saj ka vënë shprehjen: “Kombi që s’harron të rënët, s’ka mort kurrë”.