Ish- Drejtor i RTSH, Marash Hajati/ Ju rrëfej figurën e Enver Hoxhës dhe kush e mbajti në pushtet. Kongresi i Tetë i PPSH afroi finalen e përmbysjes së madhe mes Mehmet Shehut dhe Enverit. Ja si i xhironim takimet e liderit komunist

1649
Sigal

Në kuadrin  e dossierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” dhe përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes Radio dhe Televizion deri në vitin 1991.

Intervista/ Flet ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, shkrimtari, publicisti, Marash Hajati: Enver Hoxha ka poseduar cilësi të spikatura në fushën e aktrimit

|

01- E. Hoxha për katër dekada me radhë, udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi. Një histori e gjatë.

02- Për të arritur në krye Enveri bashkoi më zgjuarsi tytat e armëve të komandantëve trima e të dëgjuar si: M. Peza, H. Lleshi, S. Moisiu, R. Kodheli, M. Shehu

03- Për fatin e tij të mirë E. Hoxha përmbushte në shkallën e lartë tri kërkesat kryesore, që i duhen një prijësi: Figurën, portretin e mënyrën e të ecurit

05-Enveri ishte si Dimitrovi në Bullgari, Georgiu Dezhi në Rumani, Bejruti në Poloni, Ulbrihti në Gjermani, Kim Ir Seni në Korenë e Veriut, Tito në Jugosllavi

06- Vetëm Kim Ir Seni i Koresë së Veriut ia kaloi me 50 vjet sundim

04-Kongresi i tetë i PPSH afroi finalen e përmbysjes së madhe mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut

Albert Z. ZHOLI

 

Zoti Marash Hajati, ka  qenë përmbi 20 vjet me detyrë qëndrore në drejtim të shtypit shqiptar e brenda kësaj periudhe, 15 vjet drejtor i televizionit e Radiotelevizionit të vetëm në atë kohë. Në gjallje të tij kam zhvilluar shumë intervista dhe biseda pafund dhe habitesha me kujtesën por dhe vizionin e tij. Takimet me të ishin shumë mbresëlënëse.  Madje miqësia bëri që të më besoj dhe redaktimin e një libri të tij. Shkruante bukur, me kulturë ku figurat letrare ishin lulet zbukuruese të krijimtarisë së tij.

 

-Zoti Marash, është një sipërmarrje e madhe, bile mund të them artileri e rëndë në fushën e publicistikës, paraqitja e kësaj teme në media. Por, nisur nga përvoja juaj në fushën e gazetarisë, kjo do të jetë me vlera në njohjen e historisë së gjallë dokumentare të shtypit shqiptar. Faleminderit që zgjodhët gazetën tonë.
Për t’u lënë sa më shumë fushë veprimi mendimit tuaj, ju bëjmë fillimisht një pyetje të shkurtër: Nga do ta nisni intervistën?

Faleminderit për çfarë thatë. Ky është një obligim për të qenë sa më realist në shtjellimin e kësaj teme vetëm sipas fakteve të ekranit. Fillimisht nisur dhe nga sensi profesional si redaktor i shtypit të shkruar, por edhe si njohës i ekranit, do të jap disa karakteristika të figurës së Enver Hoxhës për të arritur deri tek kamera.
Ka qenë rrjedha e ngjarjeve historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë për të mos u ndarë nga emri i E. Hoxhës për katër dekada me radhë. Si figurë qendrore e një shteti që po ribëhej në drejtime të panjohura, ai udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi…Një rrugë e gjatë peripecish, arritjesh e humbjesh të një shteti e të një populli të tërë. Koha e sundimit të E. H. nuk është as magji, as pa shpjegime. Ai erdhi në krye të vendit në rrethana të ndërlikuara, por të volitshme për ambiciet e qëllimet që i kishte vënë vetes. Mes flakëve të Luftës së Dytë Botërore, Musolini më 7 prill 1939, hodhi këmbët në bregun më të dobët të Gadishullit Ballkanik, në Shqipërinë e varfër e të rraskapitur për të ngritur më tej urën e pushtimeve drejt Lindjes. Kundër agresorëve, nën flamurin e interesave kombëtare u ngritën krerë, atdhetarë, nacionalistë të rrymave politike nga më të ndryshmet, për të udhëhequr revoltën, manifestimet e qëndresën aktive kundër zbarkimeve italiane. Të mësuar për dhjetëra vjet me radhë nga historiografia shqiptare, se e vetmja forcë organizuese, që solli çlirimin e vendit ka qenë Partia Komuniste me E. Hoxhën në krye, nuk e pengon sot aspak hapjen e rrugës së studimeve objektive për t’i dhënë cilësdo force politike meritën e paraqitjes së kontributit real, që i takon për atë rrethanë apo situatë që u krijua. Por askush tjetër nuk diti e nuk manovroi si E.H. për marrjen e pushtetit dhe vazhdimin e qëndrimit në krye të tij pas luftës së çlirimit. Për të arritur në këtë finale, ai bashkoi më zgjuarsi tytat e armëve të komandantëve trima e të dëgjuar si: M. Peza, H. Lleshi, S. Moisiu, R. Kodheli, M. Shehu etj., që opinioni i asaj kohe i njihte dhe i respektonte. Me taktikën e “ruajtjes fizike” të udhëheqësit dhe rolin e padukshëm, por tepër të fuqishëm të Partisë Komuniste, në kohën kur nazifashizmi ulte kokën i shpartalluar në dyert e Stalingradit e të Moskës, E. H. del i pari në drejtim të Luftës, komandant i ushtrisë partizane. I pari në krye të Frontit Demokratik, i pari në Qeverinë e Përkohshme. Kudo në krye, kudo në drejtim, kudo i pari. Ai fitoi dhe e mbajti pushtetin me metodat e luftës dhe mbeti zbatues i këtyre metodave, derisa u nda nga jeta.

-Po, cilat kanë qenë premisat që e mbajtën aq gjatë E. Hoxhën në pushtet?
Mendoj se janë tri kryesore. Së pari, ai i përket një plejade udhëheqësish të vendeve të Lindjes, që dolën fitimtarë mbi pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. I gjithë ky brez sundimtarësh e quante veten shpëtimtar të kombeve të tyre, si: Dimitrovi në Bullgari, Georgiu Dezhi në Rumani, Bejruti në Poloni, Ulbrihti në Gjermani, Kim Ir Seni në Korenë e Veriut, Tito në Jugosllavi, pa folur për Stalinin e Mao Ce Dunin, që në vendet e tyre morën gati pamje hyjnish. Të gjithë këta udhëheqës, as nuk mund ta mendonin veten të zëvendësuar. Erdhën në pushtet nga gryka e pushkës dhe vetëm ndonjë luftë e re mund t’i zbriste nga ai post. Gjithçka u shkrua dhe u sanksionua në favorin e tyre: ligjet, kushtetuta, vendimet, ngjarjet. Në realitet, asnjë nga këta sundues nuk u largua dhe nuk e dorëzoi pushtetin, sa qe gjallë. Me fronet, ata i ndau vetëm vdekja. E. H. ishte më i riu prej tyre e sundoi më gjatë se të tjerët. Vetëm Kim Ir Seni i Koresë së Veriut ia kaloi me 50 vjet sundim. Imagjinoni tani që të ndodhte kjo në një sistem si ai demokratik perëndimor apo Amerika. Titos do t’i duhej të kalonte 9 mandate në kutitë e zgjedhësve. E. Hoxha do të merrte 10 mandate rresht. Kim Ir Seni do të votohej për 13 katërvjeçarë. Një çmenduri e vërtetë. Në vendet perëndimore sot, apo në Amerikë ndonjë kandidature i bie të zgjidhet për herë të dytë e njerëzit mërziten, derisa ta lërë pushtetin. Natyrisht sistemi i udhëheqjes së përjetshme sot është tkurrur e strukur në pak vende të botës, të cilat janë edhe më të pazhvilluarat.
Faktor i dytë i rëndësishëm, që favorizoi pushtetin e gjatë të E. H. ishte varfëria deri në mjerim e vendit. Shqipërinë e asaj kohe ishte tepër e vështirë ta përcaktoje, se cilit sistem shoqëror i përkiste. Me rreth 90 për qind të popullsisë analfabete, ajo përpëlitej mes grindjesh, pangrënies, gjakmarrjes etj. Të çoje në atë kohë deri në krahinat më të largëta të Shqipërisë, bukën e kripën, vajgurin, veshjen, këpucët etj., ishte njëlloj si të ndërtoje një qytet në shkretëtirë. Të çoje mësuesin dhe shkollën, diturinë deri në thellësitë, ku edhe mushka nuk gjente dot rrugë, ishte një ëndërr. Të shkruanin e të lexonin letra në çdo shtëpi, ishte një përrallë. Të çoje llambën elektrike në vend të pishës, ishte njëlloj sikur të zbrisje në errësirën shekullore një copë diell. Të gjitha këto për fatin e mirë kanë ndodhur nën sundimin e tij. Këto ndryshime nuk i kupton, as nuk i imagjinon brezi i sotshëm dhe i disa viteve më parë, por s’duhet harruar për asnjë çast se, së bashku me përparimin ai çoi atje partinë, diktatin, nënshtrimin, që i shërbenin lakmisë për të mos e lëshuar kurrë pushtetin.
Faktori i tretë, që ka ndikuar në jetëgjatësinë e dorës së hekurt të E. H. ka qenë politika e tij e veçantë brenda rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Duke folur tri herë në ditë për unitetin, ai kurrë nuk preferoi të jetonte në amulli, pa vigjilencë, pa zbulim kundërshtarësh, pa shtypje e ushtrim frike. Në vetvete kjo metodë drejtimi mbante të tensionuar çdo pjesëtar të udhëheqjes. Për çdo veprim kërkohej maturi e besnikëri. Mjaftonte që ndonjëri nga udhëheqësit e tjerë apo bashkëpunëtorët e afërt të shqiptonte propozime apo mendime më të zgjuara se të tijat, apo të krijohej ndonjë farë dyshimi për rivalitet, që i lartpërmenduri të përfundonte në ndonjë grup antiparti. Nëse grup nuk kishte, ai do të krijohej. Ndarja me të keqen, forconte e çelikoste udhëheqjen. Tani për t’u kthyer tek tema jonë.
Me këto veçori e me këtë karakter, ka ardhur E.Hoxha që në ditët e para të pushtetit, në moshë të burrëruar përpara aparateve dhe kamerave filmike. Me shkathtësi e gjallëri, ai kurrë nuk pozoi i stisur, por qëndroi para objektivit për t’u thënë bashkështetasve se është aty jo për t’i parë, por për të paraqitur plotfuqishmërinë e tij drejtuese. Për rreth 20 vjet me radhë, derisa edhe në Shqipëri hyri televizioni, shtypi, gazetat dhe revistat e më pas dhe filmi dokumentar, kanë qenë vitrina numër një e portretit dhe veprimtarisë së E. Hoxhës. Në çdo festë apo ngjarje përkujtimore, në pritje të delegacioneve, në vizitat nëpër Shqipëri e jashtë shtetit, kudo dhe përherë s’pushonte së shkrepuri aparati. Fotografitë zyrtare, që shumëfishoheshin në disa kopje, kalonin pragun e K.Q. për zgjedhje e për caktim botimi. Në vitet e para të gjitha organet e shtypit vinin të njëjtën fotografi. Më pas ato u ndanë sipas tematikës. Deri vonë, viston për t’u bërë fotografitë publike e ka mbajtur E. H. e bashkëpunëtorët e afërm. Më pas e drejta e përcaktimit ka zbritur tek sekretari i propagandës, por asnjëherë pa dijeninë e N. Hoxhës. Popullaritet kanë pasur edhe filmat kronikalë, dokumentarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që xhiroheshin shpejt dhe shfaqeshin para seancave të filmave artistikë në të gjitha kinematë e Shqipërisë.
Kemi lexuar e dëgjuar që shumë udhëheqës në botë kanë bërë dhe mjeshtëri artistike për zgjedhjen e portretit fotografik dhe paraqitjen e tyre në mjediset shoqërore e në media. Si është ky raport te E. Hoxha?
Çështja e paraqitjes së sunduesve para qytetarëve të vet ka qenë ka shkolla më e vjetër artistike që njihet. Këtu nuk bëjnë pjesë realizimet e portreteve në pikturë, skulpturë, fotografi, më vonë edhe filmimet, por edhe mësimet e mjeshtërisë aktoreske të lëvizjeve si dhe arti i komunikimit dhe të folurit artistik. Bile e gjithë kjo nuk është “pronë” vetëm e drejtuesve, mbretërve e presidentëve. Ajo është në vetë prirjet njerëzore. Kush nuk do të flasë bukur, rrjedhshëm e në mënyrë të figurshme! Kush nuk do ta paraqesë këtë art me hijeshi, me mimikë e lëvizje të pëlqyeshme! Mirëpo tek udhëheqësit për këtë veprim thonë fjalën e vet specialistë, mësues, piktorë deri edhe në komisione të veçanta merren me këtë punë. Por e gjithë kjo është vetëm pjesa ndihmëse kryesore, është aftësia, paraqitja, filozofia, inteligjenca e pse jo edhe guximi, forca e imponimit të vetë udhëheqësit. Për këtë historia ka shumë shembuj nga më të habitshmit. Por të kthehemi tek tema jonë. Për fatin e tij të mirë E. Hoxha përmbushte në shkallën e lartë tri kërkesat kryesore, që i duhen një prijësi: figurën, portretin e mënyrën e të ecurit dhe kjo është e para. Zërin mikrofonik me intonacionet më të pëlqyeshme për publikun dhe e treta, aftësitë e komunikimit hipnotizues. Këto s’kam pse t’i shpjegoj, sepse ata që kanë folur, biseduar e dialoguar me të më japin plotësisht të drejtë.

-Atëherë, ju duhet ta keni pasur shumë të lehtë paraqitjen në televizor?
Relativisht. Dhe ja pse. Në hapat e parë të televizionit eksperimental në vendin tonë, aty nga vitet ‘60-të, nuk pati ndonjë vëmendje të veçantë për informacionin televiziv. Më vonë erdhi duke u shtuar interesi. Me fillimet e viteve ‘70, televizioni njohu një rritje të dukshme. Me kompletimin e pajisjeve teknike, me zhvillimin e rritjen e krijimtarisë publicistike, krijuese e pasqyruese, ai u bë qendra më e rëndësishme e propagandës. E. H. e vlerësoi lart magjinë elektronike si mjet i pazëvendësueshëm në komunikimin me masat. Televizioni kishte përparësi të jashtëzakonshme për paraqitjen e platformave politike, mitingjeve, takimeve e bisedave “gju më gju me popullin”. Veç figurës, hyri si komponent edhe zëri, që i dha një vërtetësi jetësore, dokumentare, të pakrahasueshme me mjetet e tjera. E. Hoxhës i doli kështu në shteg një dhuratë e madhe, që duke u harmonizuar me talentin e tij si orator, bëri një epokë të vetën për atë periudhë. Në të gjitha veprimtaritë e manifestimet, sekretari i parë i K.Q-së. do të ishte në qendër të kamerave. Në mjaft raste këto veprime organizoheshin enkas për të treguar se “Partia e shoku Enver ishin të pathyeshëm”.
Televizioni me grupe të veçanta e regjisorë të kualifikuar kishte plane tepër sekrete, ku do të bëheshin filmime. Për to deri në detaje interesohej personalisht R.Alia. Për paraqitjen autoritare të E.H në ekran, veçuar nga të tjerët, gradualisht u përpunua një “skemë” e hollësishme. Në kongrese, data përkujtimore, festime, ai do të hynte i pari në presidium, me hap të ngadalshëm e duke përshëndetur. Kamerat do të xhironin në disa plane me kalime të qeta. Kur brohoritjet e duartrokitjet të arrinin në shkallën më të lartë, atëherë hynte pjesa tjetër e byrosë. Në mbledhje të veçanta, kur nuk parashikoheshin duartrokitje, ai vinte i fundit, vetëm pasi të ishte vendosur një qetësi absolute. Kur ndonjë veprimtari është quajtur e paarrirë, jo në planin e përmbajtjes së ideve, por të cilësisë së figurës, paraqitjes e kjo ka ndodhur, atëherë takimi nuk është lejuar të transmetohej në televizion. Kështu një bisedë organizuar në Korçë me kuadro e veteranë, ngaqë nuk u lejua që të vendoseshin mjetet për ndriçim, kronika doli e zbehtë si pa jetë, vende-vende e errët. Duke mos u dhënë në televizion, ky aktivitet ngjalli shumë dyshime mbi gjendjen shëndetësore të E. H. Si kompensim, për t’u prerë rrugën përgojimeve e fjalëve të armiqve kundërshtarë, mbas pak kohësh E.H. doli para publikut në një manifestim me shokun Pilo Peristeri mes punëtorëve në uzinën “Traktori”. Më pas nuk na sollën aq shumë pengesa për vendosjen e prozhektorëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se E.H. ishte mjeshtër i komunikimit me kamerat. Ai duke depërtuar përballë saj, i jepte objektivit gjerësi manovrimi tepër të natyrshëm. Për atë çka do të pasqyrohej bëhej një konsultim i gjerë duke marrë në mjaft raste edhe pëlqimin e vetë E.H. Telashet më të mprehta krijoheshin në veprimtaritë e mëdha si: Parada, manifestimet e 1 Majit, kongreset etj., sepse mbas xhirimeve kërkoheshin shumë plane me figurën e E.H. për të plotësuar montazhin. Kohët e fundit të jetës së tij është filmuar në një kamera të veçantë, e cila regjistronte gjithë veprimtarinë në objektiv të drejtuar vetëm tek ai. Pastaj bëheshin zgjedhjet e planeve.
Paraqitja më spektakolare e E.H. në kamera, ka ndodhur në vitin 1978 me vizitat në Gjirokastër e Sarandë organizuar me shumë publicitet. Ato, që në fillim morën një karakter çmalljeje, ndjenjash personale, kujtime të fëmijërisë etj. Ishte koha, kur nga sheshi i Çerçizit në një miting të gjerë, ai iu drejtua bashkëqytetarëve:
– Hë, do thoni ju, po ç’u bëre!
Duke shfrytëzuar vendlindjen si arenë filmimesh në atë turne të gjatë, mund të themi se E.H. arriti një pikë kulmore të paraqitjes së tij në televizion. Çdo gjë ishte e programuar dhe e kronometruar, që nga shëtitjet në monopatet, sokakët e kalldrëmet e deri tek kafeja në shtëpinë pranë kalasë. Në tatëpjetën e ndërtesës-muze u çmall me gjitonët. Në Mashkullorë, te Rrapi, recitoi vargje pafund për atdhedashurinë e këndoi labçe me grupin e kooperativës për Çerçizin. Në Grapsh të Jorgucatit pushtoi kamerat duke bërë të ngulen pranë tij mijëra njerëz, që duartrokisnin. Shiu nuk pushonte. Ai e filloi përshëndetjen e tij me keqardhje, që s’kish mundur ta mësonte greqishten e bukur në rini, gjuhën e atij populli të lashtë e të respektuar, të një vendi me histori botërore, por për fat të keq e kishte gllabëruar kapitalizmi.
Vizita vazhdoi në Sarandë. Ai vendosi tufa me lule në varrezat e dëshmorëve dhe u përkul me solemnitet përpara bustit të të madhit Hoxha Tasim. Në amfiteatrin e Butrintit bisedoi lirshëm me gazetarë, sidomos me ekipet e televizionit, të cilët mbetën mbas ndenjëseve të helikopterëve.
– More, kur i filmoni, kur i përgatisni e kur i transmetoni të gjitha këto ngjarje! Jeni njerëz shumë të zotë, – u tha ai.
Ishte koha, kur në vendin tonë as nuk mund të bëhej fjalë për transmetim nga vendngjarje. Në Tiranë ajo zotësi mund të bëhej hi e pluhur sikur telekinemaja e “plakur” dhe e vetme, të pësonte ndonjë defekt. Ai aparat transmetonte çdo natë rreth dy orë kronika e reportazhe me film 8 milimetërsh, që kishte mbi 100 ngjitje. Një çudi e vërtetë.

Nesër do të lexoni:

01-Shpërthimi i Enver Hoxhës në Sarandë: Mos doni të vijmë ne e të bëjmë punën tuaj këtu, t’ua ruajmë kufijtë?

02- Vizita e parë dhe lodhshme në jug të Shqipërisë e Enverit 1978, qe e fundit në këto përmasa me regjistrime e takime jashtë në natyrë.

03- Xhirimet më të vështira kur këndoi në 1978 me Xhevat Avdallin, dhe kur shkoi vetëm në varrezat e Dëshmorëve në vitin 1982

04- Transmetimi i Kongresit të 8-të të Partisë në nëntor 1981 arriti sukseset spektakolare të punës në televizion

05- Ai ishte kongresi i fundit që marrin pjesë të gjallë E. Hoxha e Mehmet Shehu

06- Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas asaj vetëvrasjes së Mehmetit, Enveri vendosi, të dalë para kamerave.