Isa HALILAJ*/ Profesor Doktor Jup Kastrati, gjurmë të pashlyera në Albanologjinë shqiptare

176

Pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës, karrierë të pasur 57-vjeçare në arsim dhe shkencë

Profesor Doktor Jup Kastrati një nga viganët e albanalogjisë u nda nga jeta në shtator 2003, në moshën 79 vjeç, e Shkodra dhe gjithë shqiptarët që e kanë njohur e përcollën me nderimin më të madh. Një boshllëk i madh për shkencën albanologjike për një nga themeluesit e saj. Po figura të tilla si e Prof. Kastratit kurrsesi nuk harrohen.

Me 15 Prill të këtij viti, Profesori në ngjallje do të kremtonte 90- vjetorin e lindjes. Kujtesa e historisë, jeta dhe vepra e tij shkencore e atdhetare na obligojnë që ditëlindjen e 90- të e gjithë datat në shenjë të këtij burri të madh të kulturës e shkencës shqiptare, t’i kujtojmë e respektojmë me nderimin më të madh. Profesor Jupi, veprat e jetën intelektuale e qytetare të tija e ka bërë vetë të njohur mjaft mirë. Po në vlerësim të kësaj figure janë shkruar edhe vepra e artikuj të shumtë. Kam parasysh këtu shkrimet e Profesor Tomorr Osmanit të Begzad Baliut, Diana Kastratit, Mentor Çukut, Vehbi Hotit, Naim Kules e mjaft të tjerë. Arsimimi i tij, si dëshirë e vullnet i pamposhtur, është realizuar me vështirësi e peripeci të kohës. Në vitet ‘30- ‘35 mbaron filloren plotore shkëlqyeshëm. Pastaj i futet gjimnazit Klasik ’36- ’40 dhe Liceut Real ‘41- ‘44 në qytetin e lindjes Shkodër, e pak kohë, në këto vite, ka vazhduar në Liceun “Galileo Ferraris”, Conviço Nazionale “Umberto I” në Torino, që i vlejti shumë për horizont dhe kulturë të përgjithshme. Por pikërisht në këtë periudhë rinie, gjatë pushtimit italian, si antifashist, është persekutuar, burgosur e internuar në Fushë përqendrimin Comando Z, italiane te Kodrat e Tepes, Shkodër dhe nga andej është dërguar peng në burgun famëkeq të Prizrenit në Korrik- Shtator 1943, nga i cili te Ura e II e Vezirit Kukës u pushkatuan 16 shkodranë e kosovarë të burgosur.  Që nga shtatori i 1946 shërben si mësues në Shkodër duke mos ndërprerë për asnjë moment përpjekjen për arsimim në nivelet më të larta. Pasi mori ILP 2- vjeçar në Tiranë shërben me përkushtim në Gjimnazin e Shtetit Shkodër e shquhet si një mësues dhe edukator meritor me rezultate të larta. Krahas punës në mësimdhënie nuk reshti së paraqituri me shkrime tematike e problemore në shtypin e kohës.  E pa shkëputje nga puna arrin të mbaroi Fakultetin e Filologjisë në UShT. Me këtë nivel përgatitjeje e me dëshirën që Shkodra të ketë arsimin e lartë, ai është iniciator themelues jo vetëm i ILP 2 e 3 vjeçar të Shkodrës nga 1957, por edhe ka meritën e kthimit të këtij institucioni në Universitet me emrin e “Luigj Gurakuqit “, në saj të memorieve dhe kërkesave urtake të këtij shkodrani të mirë pranë organeve të larta shtetërore. Aty ai shërben si pedagog  e shef katedre i Gjuhës Shqipe. Është periudha më intensive e Profesor Kastratit në fushën e gjuhësisë dhe bëhet si një nga themeluesit e Albanologjisë në krah të profesor Çabejt, Domit e Demirat. Ka shërbyer në arsim mbi 57 vjet nga të cilat 37 në arsimin e lartë kryesisht në Shkodër. Qe model për tu marrë shembull në mësimdhënie për përgatitje te thellë shkencore, për taktin pedagogjik e korrektësinë e edukatorit. Siç shënojnë ish-studentët e tijë Ismet Bala apo Naum Kule, Profesor Kastrati, ndryshe nga disa pedagogë që kërkonin ta sajonin autoritetin e tyre në poza false, nga toni kërkues dhe denigrues, që si të thuash përdornin pedantizmin e tyre shtrydhës duke tundur “Lëkurën e Ujkut”, ai i jepte dritë e bindje auditorit në njohuritë që jepte. I ishte i vetmi pedagog që vlerësonte studentët në radhe të parë me shprehjen “Ju faleminderit”, e ngrohtë e ëmbël udhëzonte: “ Për këtë çështje shikoni edhe njëherë leksionin, po shiko tek Çabej apo te Fatmir Agalliu e këtu e këtu… e pastaj bisedojmë përsëri…”. E kur studentët përgjigjeshin mirë e ndonjë merrej suksesshëm me punë shkencore, Profesori i vlerësonte si një hap i mirë i punës së tyre, “por- vazhdonte nxitjen – jemi te vonuar , bota ka ecur shumë përpara, prandaj nga me hap, të ecim me vrap “. Kjo ishte në fakt motua e punës së tij. Një meritë e veçantë e Prof. Kastratit është mbrojtja e lidhjeve të punës me gjithë institucionet shkencore në Shkodër dhe Tiranë apo në Prishtinë, Tetovë e Ulqin, e me arbëreshët e Italisë e të Greqisë, po edhe me studiues ish-studentë e bashkëpunëtorë të tija si Xhemal Meçin e Ismet Balën ne Pukë e Tropojë me Shefqet Hoxhën në Kukës e deri me Novruz Sheun në Tepelenë e Naum Kulen në Fier. Ndërsa Profesor Mark Tirto, ish-student i tija në ILP- nuk harron të vlerësoj Profesor Kastratin si nxitësin e parë e kryesor të tija “ për t’u marrë me punë kërkimore shkencore. Ai na ka trajtuar si koleg e familjar në ato vite mjaft të vështira për ne”. Veprimtaria e Profesor Kastratit është e shumanshme, pedagogjike e shoqërore, shkencore e albanologjike, si në historinë e gjuhësinë shqiptare, albanologjinë, historinë e letërsisë shqiptare e në veçanti të asaj arbëreshe , dialektologji e folklore, në historinë e shkollës shqipe e mendimit pedagogjik e veçmas në bibliografinë shqipe. Punimet shkencore kryesore të Prof. Kastratit janë përfshirë ne mbi 30 vëllime studimesh të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës po edhe në Kosovë, Tetovë, Napoli, Kalabri, Salermo, etj.. Veprat e tij shkencore të botuar e ribotuar nga viti 2001 arrijnë në një kolanë prej 40 vëllimesh e 6 të tjera të sistemuara në dorëshkrime që presin dritën e botimit, si një trashëgimi serioze e albanologjisë. Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre si Historinë e Albanologjisë në 5 vëllime, Historia e gjuhësisë shqiptare, historia e gramatologjisë shqiptare, sintaksa e gjuhës shqipe, studime linguistike, filologjike, studime arbëreshe, Bibliografi albanistike, ditar shkencor, apo monografitë e bibliografitë e veçanta për Konicën Skëndërbeun, De Radën, F. Shirokën, N. Mjedën në bashkëpunim me Kasem Biçokun e Mentor Çukon, etj.. Të gjithë këto në disa vëllime. Ai dha një kontribut të çmueshëm në studimin e fonetikës e drejtshkrimit, ortografisë, dialektologjisë e tekstologjisë e sintaksës si dhe në përkthime gjuhësore. Të gjitha këto me syrin e një mjeshtri prej pedagogu e studiuesi për t’i bërë të kuptueshme e të asimilueshme në aspektin shkollor dhe publik. Në bibliografinë e shkrimeve të Prof. Kastratit ne periudhën 1941–1999 bie në sy shumica e organeve brenda dhe jashtë vendit në mbi 90 gazeta dhe revista nga të cilat 25 jashtë shtetit si Disaporë, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Europë, Amerikë e Azi. Autori kishte informacion të thellë për studimet e kryera nga albanologë dhe studiues të tjerë të huaj për vendin e historinë kombëtare shqiptare, e në këtë plan shumë nga studimet e tij janë bërë të njohura e të publikuara në gjuhë të huaja jashtë shtetit. Ai zotëronte mjaftë mirë gjuhët latinisht, italisht, frëngjisht, etj. Shpirti i tij kërkues kërkues e krijues, në të gjithë veprimtarinë e tij ka orientim kombëtar, besnik ndaj idealit të shqiptarizmës që përvijoj Rilindja Kombëtare Shqiptare. Profesor Kastrati, me pjekuri e guxim mundi t’i rezistojë fluktualitetit politik dhe ideologjik në vite e na dha vepra me përmbajtje të shëndoshë në shërbim të brezave të rinj. Është pjesëmarrës në të gjitha konferencat albanalogjike e ato historike brenda dhe jashtë vendit. Në sesione shkencore ka kumtuar mbi 120 tema e diskutime të frytshme. Më 1972 ka qenë delegat firmëtar e organizator në zhvillimin e Kongresit të Drejtshkrimit.  Me mençuri e guxim ka mbrojtur e zbatuar besnikërisht Standardin e Gjuhës Letrare Shqipe me idenë se me një gjuhë e një komb i shërbehet bashkimit kombëtar. Veçmas këtyre ka ndihmuar direkt Shkodrën duke themeluar e drejtuar: Buletinin për Shkëmbim Eksperience, Buletinin Shkencor ILP në 45 vëllime, revistën letrare “Shkodra” në 15 vëllime. Ka qenë redaktor te “Gjuha Jonë”, “Lidhja” Kozence, “Besa”, etj. Profesor Kastrati nga viti 1958 mori tituj shkencor shkallë pas shkalle në 60 vitet e punës shkencore, duke patur udhëheqës shkencor, relatorë e reçensorë profesorët më me peshë të albanalogjisë si E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj, Dh. Shuteriqi, V. Bala, E. Lika, etj në titujt Kandidat, Docent, Doktor, Profesor, e Akademik duke u renditur me dinjitet në radhët e themeluesve të Albanologjisë e shkencës shqiptare.  Është vlerësuar e nderuar me mirënjohje, tituj, medalje e me urdhra e, që nga 1979 me titullin “Mësues i Merituar”, e më 1987 “Mësuesi i Popullit”, ndërsa në kuadrin e 75 vjetorit të lindjes nga Presidenti i Republikës iu dha titulli i lartë: “Mjeshtër i Madh i Punës”. Nuk mund të lëmë pa përmendur vlerësimin meritor që i është bërë më 1998, duke e përfshirë shkodranin e mirë Jup Kastrati në Enciklopedinë  Ndërkombëtare të Bibliografive, Edicioni i Trembëdhjetë i intelektualëve Botërorë.  Për të gjitha këto, në kurorëzimin e veprës e jetës së tij, ka pasur edhe përkrahje, vlerësime kolegjiale, kolektive e institucionale shoqërore e shkencore në Shqipëri dhe në botën akademike të gjuhësisë e të albanologjisë. Pikërisht për këtë ai përkujtohet me respekt jo vetëm në këtë 90 vjetor të lindjes por gjithmonë në të ardhmen në brezat e studiuesve e botës akademike shqiptare. *Studiues, “Mësues i Merituar”