Inxhinieri i Kantiereve Agim Kore

1279
Sigal

Shkatërrimi i azotikut të Fierit, Uzinëssë Korçës dhe Metalurgjikut ishte tradhti. Puna e 600 specialistëve kinezë dhe inspektimet e Enverit, Mehmetit, Xhelilit, Piro Kondit etj

Intervista/Flet ish-inxhinieri ndërtimit të metalurgjisë në Elbasan Agim Kore: Ju rrëfej punën  me Jashar Menzelxhiun, Piro Kondin, Simon Stefanin, Foto Çamin, Xhelil Gjonin

Nuk duhej të shkatërroheshin Metalurgjiku, azotiku i Fierit, uzinat në Korçë, Tiranë etj., ishin moderne për kohën

Në kombinatin metalurgjik në sektorin që kisha unë punonin 600 kinezë.

Kinezët nuk sabotuan kurrë në metalurgjikun e Elbasanit

Në vitin 1978 në metalurgji vjen Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Pali Miska, Adil Çarçani.

Kinezët punonin me ndërgjegje dhe përpikëri të madhe

Në pushim kinezët nxirrnin nga gjiri librat e Maos

Albert Z. ZHOLI

Një njeri vizionar dhe i lidhur me punën  dhe librin. Agim Kore rrjedh nga një familje punëtore dhe patriote nga Gjirokastra. Babai i tij ishte rritur jetim dhe punonte karrocier në Gjirokastër, Janinë e Tepelenë. Më pas për 22 vjet babai ka punuar në minierën e Kërrabës ku dhe doli në pension. Nga puna e rëndë pas një viti vdiq, sepse ishin kushtet me të vërtetë të këqija. Nëna ka qenë në spitalin e fëmijëve, në pediatri pastruese dhe pastaj kaloi kuzhiniere. Agimi mbaroi shkollën teknike dhe filloi punë në Fushë-Krujë nga ku pastaj shkoi ushtar. Ushtar ka qenë përgjegjës i zyrës sekrete tek reparti ndërlidhjes në Tiranë me komisar Luto Niko dhe komandant Habib Kacebani Ishin vitet 1966-1969.. Në vitin 1969 mbaroi shkollën teknike.

-Kur ishe ushtar kush ka ardhur për kontroll nga ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i lartë?

Aty vinin shumë për kontroll por jo të gjithë i njihja. Mbaj mend se ka ardhur Vehbi Hoxha, një ushtarak i lartë. Ai ka qenë drejtor i drejtorisë operative.

–Si ju caktuan përgjegjës dhe pse ishit ushtar?

Kur shkova ushtar, një ditë shefi im i zyrës sekrete në kohën që punonim tunelet në Kërrabë në Bërzhitë, ku plasi dinamiti gjatë punës për të hapur tunelet. Shefi im duke hyrë në tunel për të parë gjendjen ra me kokë mbrapa dhe vdiq, Kështu unë ndenja shef ushtarësh për shumë kohë. Ishte shumë përgjegjësi për mua. Unë nuk isha oficer dhe duhej të bëja punën e oficerit. Në atë kohë kishte shumë shërbime dhe gatishmëri. Partia thoshte të punojmë dhe jetojmë si në rrethim. Tunelet që ndërtonim ishin të rëndësisë së veçantë. Mbaheshin sekret. Sot janë kthyer për strehë bagëtish.

-Po shkollën e lartë për inxhinieri ku e keni mbaruar?

Shkollën e lartë e fillova në vitin 1969 pa shkëputje nga puna pra punoja dhe vazhdoja shkollën. E mbarova në vitin 1975.

– Cilët kanë qenë pedagogët tuaj në atë kohë? Si kanë qenë në marrëdhëniet me ju? A ishin të përgatitur? A kishte kërkesë llogarie në atë kohë?

Atëherë shkolla ishte shkollë. Kishte shumë seriozitet. Kishte shumë kërkesë llogarie. Kishte rregull dhe disiplinë. I kujtoj me respekt pedagogët Bashkim Baholli, Idajet Farka, Sandër Bushati etj. Unë isha shumë i lidhur me ta, Ishin korrekt në të gjitha drejtimet.

-Në një bisedë kam dëgjuar se gjatë periudhës së shkollimit keni punuar si fotograf. Si e ke marrë këtë profesion?

Këtë profesion ma kërkoi koha, familja e madhe që ishim. E bëra këtë, sepse babai më thoshte gjithmonë, që zanatin mësoje dhe mbaje në xhep, se nuk i dihet se si të vjen jeta. Në vitin e katërt u hap një kurs i fotografisë që e organizonte revista “Ylli” në atë kohë. Kursin e drejtonte Pirro Naçe. Pirro kishte mbaruar në Francë për këtë punë, ishte i pasionuar. Bëra një vit kurs me të për fotograf. Me mbarimin e kursit na dhanë një diplomë për fotograf. Pastaj hapën një faqe të revistës “Ylli” me fotografi të ndryshme. Më vonë në këtë faqe për të gjithë fotoreporterët dhe fotografët e Shqipërisë u hap një konkurs dhe unë fitova çmimin e tretë. Fotot e mia ishin kryesisht me temë nga ndërtimi. Bëhet fjalë për vitet 1966-1967 që është bërë konkursi. Në ato foto kam dhe kombinatin metalurgjik të Elbasanit.

-Kur mbarove shkollën, ku ju caktuan?

Sa e mbarova vitin e pestë politeknikum, dola mekanik dhe u emërova në ndërmarrjen e Ndërtimit të Tiranës dhe po atë ditë që shkova, por aty më thonë se vendin e ke ose në Elbasan, ose në Ballsh, ose në Fierzë. Zgjidh një nga këto 3 vende. Duke u nisur dhe nga ana ekonomike vendosa të shkoj në Elbasan se e kisha më afër dhe më kushtonte më pak rruga vajtje-ardhje. Në fillim e nisa si punëtor në vitin 1975. ose si inxhinier i thjeshtë. Mbas tre muajve më vunë përgjegjës sektori ku kisha fabrikën e oksigjenit dhe TEC-in që është i shkatërruar sot. Ishin tre turbina nga 5 mijë kilovat..

-Kush ka qenë drejtor kur shkuat në fillim?

Në fillim ka qenë Veiz Gjebero që u bë zv. Ministër dhe pastaj erdhi Eqerem Shijaku, ndërsa më pas i paharruari Feruz Mataj. Nëse ka një progres në kombinatin metalurgjik është i pari dhe i padiskutueshmi Feruzi që e ngriti lart metalurgjikun. Ai ishte kryetar i Komitetit ekzekutiv i Durrësit pastaj erdhi në Elbasan dhe më pas drejtor me të gjitha kompetencat në kombinat metalurgjik në vitin 1976. Unë pastaj ika dhe e lashë atje Feruzin.

-A kishit kontakte të drejtpërdrejta me Feruzin?

-Feruzi të bënte për vete, nuk është se e kisha unë mirë apo keq. Kur kishe një hall ai nuk e bënte dy fjalën.

– Po me kinezët a punonit në atë kohë?

Me kinezët, punova shumë dhe i kisha si vëllezër. Në kombinatin metalurgjik në sektorin që kisha unë në përgjithësi ishin rreth 600 kinezë. Vetëm ne si sektor Tirane mund të kishim rreth 150 kinezë. Nga ata mësova shumë. Ata më shpjeguan pasqyrën e kostos. Borderotë i bënin vetë, të gjithë i bënin vetë. Ishin shumë shumë praktikë dhe të sjellshëm. Nuk dinin hile në punë.

-Sot thuhet se kanë sabotuar kinezët?

Është absolutisht gënjeshtër. Ata ishin shumë korrektë. Unë për të gjitha llojet e punimeve që ishin atje nuk isha kompetent. Unë hyja në çdo profil se më detyronte halli, nuk kisha njerëz ndaj. Kinezët i kishin të specifikuara. Ata me njëri tjetrin i kishin të ndara punët. Ata ishin të specializuar vetëm për një degë. Për një profil. Nuk hynin tek puna e njëri-tjetrit. Secili profilin e tij. Jo nuk është e vërtetë për sabotim, pasi unë kam qenë 4 vjet atje si sekretar dhe kam pasur rreth 100 vetë komunistë dhe nuk e kemi diskutuar kurrë diçka të tillë. Aty kam pasur Maqo Lakrorin që bënte stazhin. Hasan Pema pedagog etj., dhe ishin të dashur dhe të komunikueshëm. Edhe ata i vlerësonin kinezët.

-Çfarë mbani mend nga kinezët ndonjë gjë të veçantë?

Ata lexonin citatet e Mao Ce Dunit. Ata e kishin idhull atë. Deri momentin e fundit kur u prishën marrëdhëniet me Kinën ata ishin korrektë. Për ne ishte fatale dhe varrmihësja e Shqipërisë në atë kohë prishja me Kinën. Ngelën të gjitha pajisjet pa ardhur. Shqipëria do të prodhonte nikel dhe kobalt, që janë minerale që përdoren nëndetëset apo pajisje tepër të rralla. Ikja e kinezëve na preu gjunjët. .

-Gjatë kësaj kohe që ishe në metalurgji, kush nga udhëheqësit e lartë ka ardhur atje.?

Atje kanë ardhur të gjithë. Atje u bë dhe një Kongres Rinie ku erdhi Enver Hoxha, në vitin 1978. Bashkë me të ishin Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Pali Miska, Adil Çarçani. Ditët para ardhjes së tyre ishim si në ethe. Duhej realizuar plani. Punonim ditë natë. Nuk ishte e lehtë, vinte vetë ai, Enveri. Kongresi u zhvillua madhështor. Iu bë shumë reklamë.

-Kë kini takuar nga këta udhëheqës?

Unë kam takuar dhe i kam dhënë dorën të parit Mehmet Shehut, Hysni Kapos.

-Çfarë diskutonit me udhëheqësit kur vinin?

Ne vetëm raportonim për punën, problemet, kërkesat por nuk debatonim kurrë. Nuk mund të mendohej debati. E shumta mund të parashtroja ndonjë hall të shokëve. Në atë kohë isha kryeinxhinier për një vit e gjysmë. Më thoshin si është cilësia e punimeve, afati i punimeve etj., si i keni bashkëpunimet me kinezët etj. Kaq! Të tjerat i dinin vetë.

-Sekretar i parë kush ka qenë në Elbasan në atë kohë dhe si i kishit lidhjet?

Në atë kohë ka qenë Jashar Mesenxhiu, pastaj erdhi Piro Kondi. Me Piro Kondin jam takuar tre herë. E kisha Sekretar të Parë kur isha në Krujë dhe në Elbasan më gjeti pastaj kur ika më gjeti sërish në Tiranë, pasi fillova punë në Komitet të Partisë Tiranë dhe Piro erdhi Sekretar i Parë atje. Komunikim im me të ishte i mirë.

-A keni pasur ndonjë ngjarje të rëndë në kombinat?

Ka pasur. Unë kisha linjën ku bëhej fabrika e oksigjenit. Oksigjeni mund të kthehej në eksploziv. Atje në fabrikë ishin disa të rinj inxhinierë. Aty aparatura pastrohej me leckë me alkool, sepse po të plasnin një nga ato sferat e bënin Elbasanin shkrumb. Kur inxhinierët e rinj jepnin objektin në dorëzim ngaqë nuk e kishin  e kishin pastruar mirë, linjën e oksigjenit ajo plasi. Pati dhe viktima, rreth 3 viktima, dhe shumë të plagosur. Fati është se këtij vendi i ka dhënë natyra të gjitha pasuritë; si shtresa bakri, qymyri, ferrokromi, por ka keq menaxhim burimesh njerëzore. Nëse në një ndërmarrje ishin 300 njerëz, 100 nga këta ishin miq që nuk i prekje dot dhe rrinin indiferentë. Në kombinat pajisjet që erdhën ishin të një cilësie të lartë, të njëjta si në Suedi ku një linjë e bënë vetë suedezët, tek ne kontribuuan kinezët se ne i jepnin krom ata na jepnin pajisje. Tjetër,në hidrocentrale turbinat i kishim franceze ndërsa pajisjet ishin të gjitha kineze. Edhe në Vaun e Dejës janë pajisje kineze. Kjo ishte teknologji kineze, por ishte bashkëkohore. Nëse në Elbasan u prishën 350 hektarë tokë për të bërë këtë kombinat, e njëjta fabrike mund të bëhej në Suedi me 50 hektarë. Njerëzit e kursejnë tokën. E të mendosh se kapaciteti i tyre ishte dy herë më i madh se sa i yni.

-Kur ikët nga Elbasani ku shkuat? Çfarë pozicioni kishit në atë kohë?

Pas Elbasanit unë punova në Komitet të Partisë Tiranë. Isha instruktori që mbuloja ekonominë. Në Kombinat u rraha me vaj e me uthull. Isha instruktor i ekonomisë, mbuloja industrinë e minierës dhe gjeologjinë, Ministrinë e ushqimores, industrisë e ndërtimit, transportit. Pra, kisha treçerekun e uzinave mekanike. Ajo punë më dha 25 vjet fakultet nga eksperienca e punës.

-Kush ishte sekretar i parë atëherë në Tiranë?

Kanë qenë shumë. Piro Kondi, Simon Stefani, Foto Çami, Xhelil Gjoni dhe këtu u mbyll karriera. Çamit i heq kapelën. Nëse do të zgjidhje ndonjë problem Xhelili ishte i rëndë, por të mbaronte punë. Të tjerët ishin ndryshe mbanin distancë.

-Uzinat në atë kohë si Dinamo, Partizani etj a ishin rentabël?

Ishin moderne për kohën, por… Arsyeja ishte kjo, nga 500 vetë punonin 150 dhe të tjerët ishin të njohurit, miqtë të nomenklaturës..Unë kam mbuluar minierat dhe nuk kam lënë minierë pa shkuar dhe  administratat ishin të mbushura me të njohur..

-Si u lidhët me minierat?

Më caktuan, kur isha në Komitet të Partisë.

-Në cilat miniera keni shkuar për inspektim?

Kërraba që më kujtonte babanë kur nxirrte qymyr. Mëzezin që nxirrte qymyr rregullisht, Domja që ishte  e njëjtë dhe më modernia që ishte Valiasi. Por ishte dhe Priska pa ndonjë  rëndësi të  veçantë.  Këto miniera punësonin  mijëra punëtorë. .

-Këto miniera qymyri a kishin qymyr të cilësisë që pretendohej?

Qymyr i cilësisë së mirë, ai që donim e nxirrte vetëm Memaliaj, që kishte 5 mijë deri 5 mijë e pesëqind kilo/kalori, 4000-4500 e kishte Kërraba.

-Po bota sa e kishte”

Nga 7000. Në Tiranë Mëzezi ishte numër 1, sepse kishte më shumë dhe ishte e modernizuar.

-Ndërkohë që bënit këtë detyrë merreshe edhe me fotografi?

Aparatin fotografik nuk e kam hequr nga dora kurrë. Fotot i fillova nga viti ’66 deri në ’78 që i çoja tek revista “Ylli”. Pastaj kur fillova punë si inxhinier i çoja tek kjo revista “Ndërtimi”. Pastaj ika nga Komiteti Partisë se erdhi demokracia në vitin 1990 dhe më lanë pa punë edhe mua edhe gruan. Më hoqën pa motivim. Duhej jetuar. Gjej një mik kosovar më sjell dy makina të lira dhe fillova punë me ‘Autoshkollë’ ku jepja dhe teorinë dhe praktikën. 6 vjet e punova me auto-shkollën. E pashë që po rëndohej ekonomia se fëmijët ishin në shkollë dhe filluam të aplikojmë lotarinë për në Kanada,.Për çudi fitoi e para gruaja se i plotësonte kriteret pasi duhet të dinim mirë gjuhën. Filluam kurset e gjuhës dhe e fituam kështu u nisëm në korrik të vitit 2000 në Kanada.

-Çfarë vlerësoj nga ai sistem?

Së pari, nga ai sistem vlerësoj punën. Sot janë kthyer të gjithë në rrangalla dhe të gjithë janë shkatërruar. As Hitleri nuk do ta bënte atë dëm sa i sollën Shqipërisë këto duke e filluar nga zero. Të gjithë i prishëm dhe i bëmë skrap për t’i çuar në Mal të Zi dhe për të shkrirë. Veprat më të rëndësishme të pesëvjeçarit të fundit ishin: Kombinati Metalurgjik Elbasan, Uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, Hidrocentralet Fierzë e Koman etj. Në këto vepra punonin kuadro e specialistë e punëtorë nga i gjithë vendi. Vetëm në kantierin tonë të montimeve punonin heronj të punës socialiste Llazar Papamihali, Njazi Aga, Viktor Dusha, Hysen Veizi dhe dy drejtorët e ndërmarrjes Muhamet Hoxha dhe Bashkim Zajmi si dhe shumë kandidatë të tjerë për këtë titull, Ilia Gaçe, Anesti Shkurti, vëllezërit Abaz e Vedat Masha etj. Respekt për këta njerëz të devotshëm dhe gjithë atyre që punuan e sakrifikuan jetën, mundin e djersën për të mirën e vendit. Në kombinatin metalurgjik shpesh përdorej metoda me aksion të përqendruar që do të thotë në të njëjtin objekt punonin të gërshetuar forcat e ndërtimit e të montimit të shoqëruar me materialet pajisjet dhe makineritë, (vinça, ekskavatorë, betonierë) me punëtorë dhe specialistë përkatës. Puna më normale për vitet që qëndruam në Kombinat ishte 10 -12 orë në ditë. Bashkëpunimin tonë me specialistët kinezë ka qenë shumë miqësor dhe korrekt. Gjatë këtyre viteve janë ndërtuar e montuar shumë objekte të rëndësishme si: Furrnaltat për shkrirjen e mineraleve, uzina e petëzimit, Fabrika e oksigjenit, dy kaldajat në TEC, dy turbinat për prodhimin e energjisë elektrike, aglomerimi, pastrimi kimik i ujit dhe shumë reparte e ofiçina ndihmëse, uzina mekanike, fabrika e tullave refraktare etj. Për punë të mirë dhe rezultateve të dorëzimit e objekteve në kohë, kantieri i montimeve të Tiranës në Elbasan u dekorua me “ Urdhrin e Flamurit të Klasit të Parë”.

Së dyti, mbresat nga shkolla e mesme teknike dikur me emrin e njohur Politeknikumi “7 Nëntori” sot Akademia “Hary Fultz janë të pashlyeshme, miqësore dhe të paharruara. Jemi bashkuar e festuar 25 dhe 50-vjetorin e mbarimit si klasë së bashku me mësuesit tanë.

Në kujtesën tonë janë e do të mbeten: “Mësuesi i Popullit” Gjergj Canco dhe më pas drejtorët Ali Progri, Ivan Koka, Arjan Kapedani, mësuesja Parashqevi Ylli, Ylli Begolli. Inxhinierët Qazim Reka, Mensur Kodra, Qazim Xhepa dhe të gjithë stafin të mësimdhënies në ato vite.

Së treti, në universitet korrektësia dhe cilësia e mësimdhënies, serioziteti dhe rregulli ishin në lartësinë e duhur. E metë ishte se na mungonin librat për lëndët duke na vënë në vështirësi mbajtja e shënimeve për secilin prej tyre. Do të veçoja pedagogët Bashkim Baholli, Aleksandër Bushati, Ismail Demiri, Ismail Farka, Niko Zaka dhe Ferdinand Petrela si dhe profesorin e matematikës, Koço Zhuka..

Së katërti, përballimi me vështirësitë dhe problemet e Tiranës që ishin të mëdha. Pengesa e materialeve nga importi për lëndët e para ndikonin në realizimin e detyrave të planit po ashtu edhe të pajisjeve e pjesëve të këmbimit që prodhoheshin në vend. Ekonomia filloi të rëndohet, ndërmarrjet, uzinat, fabrikat kishin mungesa të theksuara të lëndëve të para, vrulli dhe mobilizimi filloi të ulej, njerëzit paguheshin me 80% të pagës mujore, ra kërkesa e llogarisë nga drejtuesit dhe personeli administrative në ndërmarrje. Buxheti i shtetit po tkurrej. Ra kërkesa e llogarisë në të gjithë nivelet.

Së pesti, në fund të viteve ’80 njerëzit kërkonin ndryshim të sistemit dhe kjo u duk me manifestimet e studentëve, të cilët e donin Shqipërinë si Evropa. Partitë që u krijuan premtonin për një të ardhme më të mirë. Populli rendte pas tyre me optimizëm, për një jetë më të mirë. Nga tribunat e mitingjeve popullit u premtohej se Shqipëria do të ndihmohej nga e gjithë bota. Sloganet: Ta nisim gjithçka nga e para, ta shkundim të vjetrën komuniste dhe ta ndërtojmë Shqipërinë e re me çekun e bardhë. Filluan shkatërrimin e të gjithë atyre që kishim ndërtuar për 45 vjet çlirim. Gjithçka u prish dhe u rrafshua. As lufta nuk bëri ato dëme dhe shkatërrime sa u bë në kohën e tranzicionit me ardhjen e demokracisë. U prishën TEC-et, Fabrikat, uzinat, kombinatet, ndërmarrjet ekonomike, tregtia, bujqësia, pemët frutore, pyjet, tarracat etj. Filloi eksodi me gomone, anie e vaporë nga derti, në këmbë kodrave e maleve emigruan jashtë vendit.

Së fundi, do veçoja faktin se qeveritarët si hipokritë sot ngrenë zërin, iku truri, iku rinia, po plaket popullsia e broçkulla të tjera që vetë i gatuan. Populli nuk ka të ardhme, nuk ka punë dhe ekonomi. Shqipëria po shitet e po shkatërrohet nga dita në ditë. Mjerë populli e mjerë vatani!