Intervista me Prof. Nikolla Pano/ Korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, padrejtësitë historike dhe këshilla ime që Rajoni i Ballkanit të ecë më shpejt drejt BE-së. “Vatra” dhe liderët e post-komunizmit

1373
Sigal

Korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë – Ja këshilla ime që Rajoni i Ballkanit të ecë më shpejt drejt BE-së

Nikolla Pano: Roli i komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-ShBA.  Pozicioni amerikan dhe evropian në Rajon. Ndryshimi i kufijve të Ballkanit rrezikon të hapë “Kutinë e Pandorës”

Vijon nga numri i kaluar

-Kur flasim për kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA. “Vatra” për një periudhë të konsiderueshme kohe, pas 1913-s veproi si de facto edhe si qeveri shqiptare. Duke parë historinë dhe rolin e presidentëve amerikanë që nga Willsoni, te Klintoni e Bushi duket që është një politikë amerikane miqësore ndaj Shqipërisë. Ishte kjo vetëm falë kontributit të komunitetit shqiptaro- amerikan apo ka pasur edhe konsiderata gjeopolitike?

-Kur sheh historinë e Shqipërisë, Shqipëria e arriti pavarësinë në nëntor të 1912, pas më pak se dy vitesh nisi Lufta e Parë Botërore, vendi ishte në anarki, Shqipëria u pushtua dhe nuk kishte qeveri shqiptare dhe kishte shumë vakum politik. Në këtë boshllëk nisi punën komuniteti shqiptaro amerikan, i prirë nga Noli, Konica dhe një galaksi e liderëve të shquar shqiptarë në SHBA. Këta njerëz krijuan “Vatrën”. Këta njerëz panë që Shqipëria ishte në rrezik dhe kemi thirrjen: “Shqipëria në rrezik!”atëherë mblodhën fonde, dërguan një delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, ishte Noli, Konica dhe të tjerë miq të Shqipërisë si Çarls Telford Erikson që mbajtën kontakte me njerëz të rëndësishëm. Noli shfrytëzoi lidhjet që kishte nga Harvardi për kontakte me departamentin e shtetit. Ai pati një intervistë me ish-Presidentin Theodor Rusvellt, që kishte qenë në Harvard, ai takoi Presidentin Uillson siç bënë edhe shqiptarë të tjerë dhe bindi ata për rëndësinë e ruajtjes së Kombit shqiptar dhe Uillson mbajti qëndrimin që tashmë dihet në Konferencën e Paqes në Paris. Ai nuk pranoi ndarjen Shqipërisë. Dhe nga ky moment ne kemi idenë e mikut të madh, e aleatit të madh të Shqipërisë. Roli i Uilsonit, nganjëherë ndoshta është ekzagjeruar, por sidoqoftë kemi këtë kontekst. Nëse gjykojmë aktivitetet mes dy Luftërave Botërore, kemi aktivitetin e Kryqit të Kuq amerikan, hapja e shkollave, siç është shkolla e Fultz në Tiranë, shkolla bujqësore në Kavajë. Pra, patëm bashkëpunim në fushën e kulturës dhe arsimit, kishim misionin amerikan në Tiranë, patëm kontribute konkrete, si lufta ndaj malaries dhe kemi ende dhe sot e kësaj dite marrëdhënie të ngrohta miqësore. Për fat të keq, Shqipëria u pushtua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas Luftës së Dytë të Botërore, patëm imponimin e regjimit komunist në Shqipëri. Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri më të mirën e mundshme për t’i mbajtur gjallë lidhjet me shqiptarët në Shqipëri, lidhjet familjare dhe shoqërore… dhe pas përfundimit të regjimit komunist, edhe një herë tjetër SHBA u ofruan për të ndihmuar shtetin shqiptar, për t’i ikur problemeve të krijuara nga makthi i gjatë komunist. Ishte presidenti Bush (i vjetri) që ndihmoi në rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe sërish komuniteti shqiptaro-amerikan punoi prapa skene për të arritur këtë qëllim dhe jemi me shumë fat që kishim njerëz të tillë si Elez Biberaj, Frank Shkreli dhe të tjerë që promovonin lidhje më të ngushta mes SHBA dhe Shqipërisë. Pra, ne kemi SHBA që janë të interesuara ta shohin Shqipërinë të çliruar nga komunizmi dhe në rrugën e progresit drejt demokracisë. Dhe së fundi, sigurisht është edhe periudha e luftës në Kosovë. Kemi fluksin e kosovarëve nga ky rajon në SHBA. këta njerëz ishin mjaft të ndjeshëm nga pikëpamja politike dhe ata u organizuan politikisht. Ne patëm krijimin e lobit shqiptar dhe dua të theksoj se kjo nisëm u nis nga kosovarët, të ndihmuar nga ish kongresmeni Xhozef Dio Guardi i Nju Jorkut dhe më vonë u fitua mbështetja e kongresmenit Engel, që ndoshta do të jetë kryetari i Komitetit për marrëdhëniet me jashtë në kongres.

-Komunitetit shqiptaro-amerikan ka një pozicion shumë të rëndësishëm…?

-Po. Shumë pozicion të rëndësishëm. Dhe mendoj se për këtë arsye ne kemi këto lidhje. Është roli dhe kontributi i komunitetit shqiptaro-amerikan që i mban gjallë dhe i promovon këto marrëdhënie.

-Roli i komunitetit shqiptaro-amerikan përgjatë gjithë historisë është mjaft i qartë. Pasi Kosova fitoi pavarësinë a ka më ndonjë rol komuniteti shqiptaro-amerikan për të luajtur sot e tutje?

-Kosova është shtet i pavarur, ashtu si edhe Shqipëria. Por ne kemi anëtarë të komunitetit amerikan që kanë interes për të dy shtetet. Mendoj që komuniteti shqiptaro-amerikan dëshiron që të shohë që të dy shtetet shqiptare të kenë institucione të forta demokratike, shtete ku sundon ligji, të drejtat e njeriut. Duam që të dy shtetet të zhvillohen nga pikëpamja ekonomike. Duam që të dy shtetet të jenë pjesë aktive dhe e përgjegjshme e komunitetit evropian dhe botëror. Pra, ka një interes që të dy shtetet shqiptare të jenë shtete të zhvilluara me kontribute në komunitetin botëror.

-Profesor Pano, le të flasim pak për çështjen shqiptare që mbeti e hapur pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në 1913-n. Me pavarësinë e Kosovës dhe faktin që tashmë kemi dy shtete shqiptare, si e shihni çështjen shqiptare, duke pasur parasysh që tashmë shqiptarë kemi edhe në vendet e tjera fqinje si Maqedonia, Mali i Zi apo edhe në Greqi?

-Fakti që më shumë se gjysma e popullit shqiptar u la jashtë kufijve të shtetit të krijuar në 1913-n është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë sonë. Si rezultat i kësaj Kosova mbeti nën Serbinë dhe më pas nën Jugosllavinë po kështu edhe Maqedonia si pjesë e Federatës Jugosllave. Edhe në Maqedoni shqiptarët kanë qenë të diskriminuar. Nuk u lejuan të përdorin gjuhën e tyre etj. Fakti që shqiptarët në Shqipëri mbeten nën regjimin komunist për një kohë të gjatë shpjegon sot dallimet. Por, sidoqoftë, me zhvillimet pas rënies së komunizmit, shumë lidhje të shkëputura janë vendosur dhe po zhvillohen dhe, si pasojë e kësaj, mendoj se tani ekzistojnë shumë mundësi për marrëdhënie më të ngushta politike, diplomatike, ekonomike, kulturore dhe mendoj se kjo është rruga që shqiptarët në rajon duhet të ndjekin. Mendoj që e ardhmja e marrëdhënieve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe popullsisë shqiptare në rajon duhet të ndjekë një rrugë evolucionare të natyrshme. Më shumë marrëdhënie të ngushta ekonomike, politike dhe, kur këto marrëdhënie të maturohen, le të shohim se ku do të na çojnë. Besoj se nuk duhet të ketë një lëvizje masive të sforcuar për të krijuar një bashkim artificial mes shteteve në këtë kohë dhe, sigurisht, Maqedonia është në një situatë krejt tjetër nga Kosova. Gjithmonë jam në favor të një qasje evolucionare ndaj çështjes shqiptare në Ballkan.

-Po liderët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të luajnë një rol duke e përshpejtuar ose duke e ngadalësuar këtë proces. A po e bëjnë ata siç duhet punën e tyre?

-Mendoj se në këtë stad e vetmja gjë për të cilën duhet të jemi të kujdesshëm është se, nuk duhet të nxitojmë për një marrëdhënie më të ngushtë dhe nuk duhet që në mënyrë të parakohshme të lëvizim për marrëdhënie më të ngushta mes Shqipërisë dhe Kosovës apo vendeve të tjera të rajonit.

-Pse jo?

-Sepse do të krijohej një problem. Sepse, nëse do të bashkohej sot Shqipëria me Kosovën…

-Jo për t’u bashkuar, por për të nxitur hapat që do të krijonin marrëdhënie më të ngushta ekonomike, për të inkurajuar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit në sferën shqiptare…

-Ky është një qëllim fisnik dhe duhet ndjekur kjo rrugë, ndërkohë që po ecet në këtë drejtim.

-Profesor Pano, cili është opinioni juaj rreth zhvillimeve të fundit gjatë pushimeve të verës, sa i përket korrigjimit të kufijve, që është një eufemizëm për ndryshimin e kufijve. Si e shikoni këtë?

-Mendoj se është një lëvizje që ndoshta mund të eksplorohet. Por mendoj se duhet të kihet parasysh një element kryesor që është popullsia shqiptare në Serbi, që është subjekt i këtij debati për statusin. Besoj se duhet të konsultohen me kujdes dhe është thelbësore, që vendimet nuk mund të merren pa pjesëmarrjen e popullsisë shqiptare. Për shembull, a duan ata të heqin dorë nga disa të drejta? Çfarë do të ndodhë me pensionet e tyre? Çfarë do të ndodhë me buxhetin për shkollën? A do të kenë mbështetje në të njëjtin nivel për aktivitetet e jetës së përditshme. Mendoj se ata duhet të pyeten dhe jam i sigurt se serbët në zonën e diskutuar në veri të Kosovës, ndoshta ata duan ndryshim kufijsh. Por duhet të ketë bisedime shumë të kujdesshme dhe shqyrtime të imtësishme të interesave dhe shqetësimeve për njerëzit e përfshirë dhe, veçanërisht, popullsisë shqiptare. Ndryshimet e kufijve mund të ndodhin për sa kohë ky proces është paqësor, që nuk bëhen me dhunë dhe unë shpresoj që para se të ndërmerret ndonjë veprim konkret, të ndodhë ky proces që unë përmenda.

-Ndërsa flasim për këtë temë duket se ka një dallim mes atij që quhet pozicion evropian dhe pozicionit amerikan. Pozicioni evropian është, se nuk duhet të ketë ndryshime kufijsh, sepse nga kjo ide ka pasur shumë gjakderdhje në rajon dhe nga ana tjetër ka disa zëra në Amerikë që, nëse mund të arrihet një marrëveshje, nuk ka asnjë problem.

-Unë bie dakord se, nëse ka një përgatitje tejet të kujdesshme dhe një sqarim të plotë të opinionit publik dhe gjithsecili është dakord që të ecet përpara me marrëveshje, atëherë ky mund të ishte një hap që do t’ia vlente. Por sërish dua që ta përsëris, kjo do të kërkonte përgatitje tejet, tejet të kujdesshme, dhe nuk është një gjë që mund të merret lehtë, dhe nuk është një çështje që mund t’i besohet përgatitjeve të vetëm një qeverie.

-Kufijtë e Ballkanit historikisht janë përcaktuar nga fuqitë e mëdha. A erdhi koha tashmë që për kufijtë mund të merren vesh vetë vendet në rajon?

-Unë hezitoj që t’i hyj këtij shtegu, veçanërisht në këtë kohë. Ka shumë probleme në Ballkan që duhen adresuar, ka probleme sociale dhe ekonomike. A do të ndikoheshin këto probleme nga ndryshimi i kufijve? Sigurisht do të preferoja të mendohesha për këtë çështje, por në këtë periudhë të ndjeshme për historinë e Ballkanit duhet lëvizur shumë ngadaltë dhe në mënyrë racionale.

-Cili mendoni se duhet të jetë pozicioni i qeverisë shqiptare për këtë çështje? Deri tani ka pasur kryesisht heshtje. A ka Shqipëria një rol për të luajtur?

-Sapo hap temën e ndryshimit të kufijve, do të ngrihen çështje të tjera, si për shembull kufijtë jugorë të Shqipërisë. Kjo është një nga arsyet që nuk dua që të zhytem shumë në këtë çështje. Cilat do të ishin implikimet për shtete të tjera si Bosnje Hercegovina? Sapo fillon të flasësh për këtë çështje…

-Hapet kutia e Pandorës?

-… Po, është kutia e Pandorës dhe një zot e di se kur mbaron. Dhe në këtë rast rrezikon të hapësh dhe orekset e disa fuqive që historikisht kanë qenë të interesuara për rajonin. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm kur merremi me këtë çështje.

-Duke folur për rajonin, janë më pak se 17 milionë banorë që jetojnë këtu, por gjithsesi duket sikur ka një interes të madh për këtë rajon, por gjithmonë e më pak interes nga SHBA dhe më shumë nga ish-fuqitë perandorake, si Turqia dhe Rusia dhe një fuqi e re si Kina. Është ky rajon nga pikëpamja gjeostrategjike aq i rëndësishëm sa ç’na pëlqen ne të jemi?

-Po, mendoj se interesi i vendeve si Rusia, Turqia dhe vendeve që po rriten si Kina janë pjesë e një loje të re mes fuqive. Loja që po zhvillohet…

-Pa përmendur këtu BE-në…

-Po, dhe ka disa konsiderata, ju shihni pansllavizmin e vjetër, rolin që Rusia po përpiqet të shfaqë dukshëm në Ballkan, veçanërisht nën Putinin që ka sensin e historisë, ai po përdor edhe Kishën Ortodokse si një agjenci të ndikimit rus në rajon. Ai ka këtë interesin historik në rajon dhe e gjitha kjo është pjesë e një procesi të ri. Por ajo, për të cilën unë jam i shqetësuar, është potenciali për të krijuar destabilitet në këtë rajon.

-Nga kush?

-Nga përzierja e këtyre fuqive. Dhe një nga interesat themelore të SHBA ka qenë ruajtja e stabilitetit në Ballkan dhe reformat e tij të brendshme dhe ndryshimet e brendshme, forcimi i ekonomisë dhe reformat sociale, forcimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e rrjedhës kryesore te ngjarjeve për të gjithë Ballkanin. Gjithë vendet e Ballkanit kanë probleme të brendshme dhe si rezultat i kësaj…

-Cili është interesi specifik i SHBA?

-ShBA në mënyrë specifike duan stabilitet në rajon, SHBA duan që këto vende të zhvillojnë institucione të forta demokratike, përfaqësuese. SHBA duan të shohin sundimin e ligjit të vendosur, duan të shohin luftë ndaj korrupsionit. Pothuajse të gjitha vendet kanë një nivel të lartë korrupsioni. SHBA duan të shohin përparim ekonomik dhe më shumë vëmendje për çështjet e barazisë sociale, që shtetet të jenë më kohezivë dhe të kontribuojnë për zhvillimin dhe stabilitetin në rajon.

-Çështjet e Ballkanit ndoshta nuk mbërrijnë kurrë në tavolinën e Presidentit të SHBA, për shkak se ka prioritete të tjera. A është administrata e re e ndërgjegjshme për potencialet për destabilizim të rajonit, që janë ende të pranishme?

-Mendoj se në mënyrë korrekte e thatë që shqetësimet e përditshme të Ballkanit nuk mbërrijnë tek Presidenti, por sigurisht kanë vëmendjen e Departamentit të Shtetit. Nëse e keni vënë re përgjatë viteve, ka pasur angazhim dhe aktivitete të zyrtarëve të lartë të administratës. Zëvendës ndihmës sekretarë për çështjet e jashtme dhe shumë drejtorë të departamenteve që kanë vizituar vendet e Evropës Juglindore. Ata në mënyrë konstante e monitorojnë situatën, inkurajojnë qeveritë në rajon për t’u përballur me disa nga çështjet që sapo përmenda. Kemi një politikë koherente, kemi bërë avokati për reforma dhe ndërmarrjen e politikave që i bëjnë këto vende më të qëndrueshme dhe rajonin më të sigurtë. Do të thotë pra, që politika e SHBA ka qenë koherente në Ballkan dhe qëllimi i kësaj politike është që rajoni të mbetet stabël dhe ta ruajë atë që të mos bëhet siç ka qenë Ballkani i mëparshëm…

-Fuçi baruti….

-Kukull në duart e fuqive të tjera konfliktuese.

-Nëse dikush nga Departamenti Amerikan i Shteti ju kërkon një këshillë se çfarë duhet bërë që ky rajon të lëvizë më shpejt drejt BE-së dhe jo të mbetet një shesh beteje për interesat e vendeve që po përmendët si Kina apo Rusia…?

-Siç e përmenda, SHBA-të këtë po e bëjnë në mënyrë të vazhdueshme. ShBA kanë inkurajuar reforma të ndryshme, kanë monitoruar nga afër çështjet që mund të sillnin rrezik për stabilitetin e rajonit dhe unë do t’i inkurajoja SHBA që të vijojnë t’i ndjekin këto politika, ndoshta duke u fokusuar dhe duke shtuar disa programe në rajon dhe mbi të gjitha duke vijuar me mbështetjen teknike për t’i ndihmuar këto shtete që të jenë eficiente.

Vijon

Nesër do të lexoni

 

  • Problemet dhe mangësitë e Shqipërisë së sotme
  • Roli dhe kontributi i liderëve dhe presidentëve shqiptarë në periudhën post-komuniste
  • Çfarë do të dëshironte të shihte të realizuar në Shqipëri, Nikolla Pano, nëse do të ishte President i SHBA-ve dhe Rusisë