Albert Zholi: Intervista / Flet kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji: Ja pse mora çmim të parë në Festivalin e 13-të

1154
Sigal

Ju tregoj Koncertet e Majit, kur vinte Enver Hoxha

Një kompozitor i veçantë. Kënga e tij “Mbrëmja e fundit”, zë vendin e parë në Anketën Muzikore të vitit 1970. Në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, ai me shumë kompozitorë dhe këngëtarë të tjerë largohet nga pjesëmarrja në festivale dhe emërohet me punë në Kërrabë. Por nuk e lë krijimtarinë, madje e shton më shumë cilësinë. Energjik, studiues, ai ka marrë dhe dy çmime të treta në Festivalet e RTSH-së. Miqtë e njohin punëtor, të dashur, rebel, nxënësit dhe studentët, pedagog të apasionuar mbas këngës.

Ju keni qenë pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, si ju vijnë sot mbresat e atij organizimi?

-Festivali i parë që kam marrë pjesë është ai, festivali famëkeq i 11-të. Kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos në brezin i ri. Unë sapo kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të ardhmen.

Sigurisht, krijimtaria juaj nuk fillon këtu?

Krijimtarinë e kam filluar që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit. Kënga ime e parë është “Udhëtojmë së bashku”. Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte. “Udhëtojmë së bashku” e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore dhe është nderuar me çmimin e parë. Pra kënga ime e parë mori çmim të parë. Kjo më dha impuls që unë të vazhdoja krijimtarinë.

Po Festivalin e 11-të si do ta komentonit?

Festivali i 11-të ishte mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky lulëzim vazhdoi deri në vitet ‘70-’73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty filloi një censurim drastik. Deri nga vitet ‘73 në radio, por edhe në televizion u bë një lloj tolerimi për sa i përket muzikës. Mëngjesi nuk fillonte më me këngë e valle popullore siç ishte tradita, por u futën edhe këngë të tjera, kryesisht ritmike të muzikës së lehtë. Ishte një festival që i përshtatej aspiratave të rinisë. Të rinjtë në fillim, pa filluar ende kritikat, këngët e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në auditoret e shkollave, kudo… Ai Festival mbetet si pika kulmore e ëndrrave rinore për të parë drejt perëndimit.

Për të ardhur tek Festivali, çfarë koncertesh të tjera të muzikës kishin bërë bujë?

Pikërisht në vitet 1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Në ato festivale i gjithë formacioni orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku të gjithë pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha fakultetet. Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam përfaqësuar në festivalin e parë me një këngë “Erdhëm që nga larg”. Ideja ishte se nuk na frikësonte asgjë… Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti. Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë “Mbaje mend atë natë”. Ka qenë një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që lidheshin me dashurinë me botën rinore. Ajo moshë mbi gjithçka ka dashurinë.

-Kush e ideoi këtë Festival?

Ky Festival pati jetë të shkurtër dhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi Robert Radoja.

Pse në atë kohë në qendër të vëmendjes së kompozitorëve e poetëve u vu dashuria?

Të gjithë artistët në botë sidomos të sferës së muzikës e kanë marrë inspirimin nga femra. Njeriu kur shikon diçka të bukur kërkon të shkruaj, evidentojë, ta ngrejë lart atë.

Sigurisht në memorien tuaj Festivali i 11-të mbetet një ditë e zezë?

Në atë vit kur unë isha pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas Festivalit të 11-të. Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të lulëzonim, pra sa kishin filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi kokat tona ra një kosë e rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori se vuajtje po e po. Të gjithë duke filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi të u larguam nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në Fushë-Arrës, unë në malet e Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë para se të martohesha më është dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira në shtëpi, ishim 13 veta në dy dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5 pallate me kontribut vullnetar, dhe ngaqë isha beqar s’më jepnin shtëpi. Kur unë fillova punën vullnetare tek “Rruga Bardhyl”, ku u bë pallati fundit (ku mora shtëpi) atëherë më erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku qëndrova 7 vjet. Dy ishin rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje një rrugë të mesme që as veten mos ta poshtëroje, por të ishe në rregull edhe me ligjet e shtetit, ose të dilje kundër dhe të dënoheshe.

E cilësoni dënim atë që ju ndodhi pas Festivalit 11-të?

Them se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani. Ne të tjerët jemi të larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të kompozuarit vetëm për një vit. Në Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk mori pjesë. Por morëm në të 13-in.

Si erdhi transferimi nga Kërraba?

Mbas 7 vjetëve erdha në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Aleksandër Lalo, Françesk Radi u kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Festivali i 11-të ishte një akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim në atë ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot se ajo ishte e drejtë sepse duhej të këndoja shqip.

Para se të merreshit me muzikë ke pasur dëshira të tjera për të studiuar?

Unë nuk kam lënë pjesë teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë. Profesori im i parë i muzikës ka qenë mjeshtri Ali Prodani. Edhe Agron Dashi, ish- aktor i Teatrit Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës dhe sidomos në prirje në planin e komedisë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis të dyve. Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë sepse kur mbarova të mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën as muzikën. Mua më caktuan në kulturën e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e futesha në degën e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një profesor thërret babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë se unë i di pasionet e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë degë. Ky është i caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës dhe një dege tjetër që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe këmbënguljen time arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i instrumentit të solfezhit. Unë nuk mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë e këngës, filmit dhe të simfonisë.

Ç’do të veçosh nga krijimtaria jote?

Në vitin 1974 më lindi vajza dhe unë kompozova këngën “O ti, ti e vogla moj bij, bija ime” që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu “Të më rritesh bujkeshë” dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë se ne nuk kemi as toka as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës.

Ka pasur shumë kërkesa në atë kohë në drejtim të krijimtarisë dhe të përgatitjes?

Kërkesa ka qenë e lartë. Demokraci nuk është ajo se unë dua të bëj atë që dua unë. Nëse nuk ka vlera çfarë do të shkruhet më vonë? Sot nuk mund hedhësh poshtë këngët “Për ty atdhe” e Pjetër Gacit etj., sepse u krijua në sistemin komunist. Nuk mund të hidhet poshtë një krijimtari teatrale që kishte vlera edukative. Sot më shumë ka këngëtarë se sa ka popull. Ka shumë këngëtarë që hiqen apo i quajnë famozë dhe ata stonojnë. Sot po dëgjojmë edhe këngëtarë që nuk dinë fjalët e këngës që këndojnë. Atyre do t’iu vijë turp mbas 70 vjetëve kur të shikojnë dhe dëgjojnë se çfarë kanë kënduar. Këngëtari me artin dhe kulturën e tij nderon kombin. Këngëtarë ka shumë të mirë, kushtet teknike janë të mira por muzikë dhe tekste nuk ka. Kjo është një fatkeqësi e madhe për kombin. Disa shtëpi diskografike, propogandojnë vlera antikombëtare.

Në sa festivale ke marrë pjesë?

Unë kam një parim të të madhit Agim Krajka, i cili thotë: “Luani që është luan, bën vetëm një luan”. Kam qenë me këtë parim që të shkruaj pak edhe saktë. Unë kam marrë çmimin e parë në Festivalin e 13-të. Kam marrë çmimin e tretë me këngën “Nën kurorën e ullirit” me tekst të Zhuliana Jorganxhi dhe të kënduar nga Lindita Theodhori në Festivali e 19-të. Në Festivalin e 21-të kam marrë çmim të tretë me këngën “Lulet e mollës” të kënduar nga Bashkim Alibali. Këto janë tre çmimet e mia në festivalet e RTSH. Për këtë jam krenar se po të bëj një krahasim me brezin tim kam marrë shumë çmime. Kur kam marrë çmimin e parë Pjetër Gacit i kam thënë ky nuk çmimi i Enver Shëngjergjit, por çmimi i brezit tim. Se për herë të parë mbas 13 festivaleve merrte çmim të parë një kompozitor i ri.

Flitet për çmime jo merituese në festivale e nivel të ulët interpretimi, mendimi juaj?

Gabimi fatal i festivaleve mbas viteve ‘90 është të mos kënduarit “live”. Si nuk qenka i aftë televizioni shqiptar të bëjë një festival live bashkë me këngëtarët dhe orkestrën? Baza orkestrale nuk është live. Këngëtarët 2 vitet e fundit këndojnë live .Orkestra është e konservuar. Orkestra 80% është e regjistruar. Çdo gjë duhet bërë live. Të gjithë, festivalet, por televizionet që transmetojnë këngë kanë një mangësi të madhe, ku kompozitori nuk përmendet fare. Nëpër festivale kërkohen fotografitë e këngëtarëve, kompozitorët shihen sit ë tepërt. Unë them se festivalet janë në radhë të parë të kompozitorëve, pastaj të interpretuesve, këngëtarëve, orkestruesve, i poetëve. Kur themi i këngës kuptohet se tabani i këngës është kompozitori. Këto vlera janë të mëshiruara, por babai është kompozitori. Shumë këngë sot kanë ngelur anonime, pasi nuk përmendet babai i tyre, kompozitori, por njihet vetëm këngëtari që i këndon.

Ç’mund të veçoni nga puna juaj në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi?

Kam punuar 15 vjet shef muzike në Pallatin e Kulturës, Ali Kelmendi që atëherë mbulohej nga Bashkimet Profesionale. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë shef i muzikës për të gjithë muzikën amatore të klasës punëtore të Tiranës. Kanë qenë me dhjetëra këngëtarë. Ne vetëm si pallat kemi të filmuar 18 orë muzikë të mirëfilltë shqiptare. Të gjithë këta këngëtarë popullorë të asaj kohe apo dhe të muzikës së lehtë) kanë dalë nga ky pallat kulture. Me dhjetëra instrumentistë që sot qarkullojnë nëpër Tiranë. Elementët më të mirë rrinin në pallat ku merrnin pjesë nëpër koncertet e majit e aktivitete të ndryshme.

Vizita e papritur e Enverit

Pyetjes, nëse ka pasur ndonjëherë rast të takohej me Enver Hoxhën, kompozitori Enver Shëngjergji i përgjigjet: “Jo drejtpërdrejt. Kur isha student bënim fizkulturë dy grupe. Një grup i avancuar dhe një prapambetës. Luanim futboll mbrapa Institutit, kur për çudi kaloi aty dhe i tha ushtarit hap derën. Ai na tha: Ç’bëni këtu përse nuk jeni në mësim? Një shoku im nga Gramshi përgjigjet dhe i thotë se e kemi pushim këtë orë. Po orën tjetër na tha, a keni mësim? Po i themi ne. Po kur do të laheni na tha, ku do të shkoni nëpër auditore kështu si jeni bërë ju? Ky ka qenë takimi i parë në jetën time që e kam parë në distancë 2-3 metra. Pastaj një rast tjetër ka qenë në koncertet e majit. Na mblodhën urgjent për të kënduar një këngë me Fatma Zyberin. Më dhanë urdhër që të orkestroja një këngë pa bërë prova. Emocionet ishin të mëdha. Para se të filloja i them Agim Krajkës ku është fa-maxhori. Nga emocioni nuk dija të gjeja akordin. Agimi më qëllon me shuplakë dhe më thotë: “Mblidhe mendjen se të kushton me kokë kjo punë”. Ma merr dorën dhe ma bën gati duke më vendosur gishtin aty. Kam hyrë në skenë me dorën tek fa-maxhori në fizarmonikë, si ma kishte mbledhur Agim Krajka. Ishim tek Teatri i Operës dhe i Baletit. Çdo koncert të majit ai ishte prezent”.

Popull i vogël që bën muzikë të madhe

Ç’kupton kompozitori Enver Shëngjergji dhe çfarë transmeton tek dëgjuesit e thjeshtë të kënduarit shqip? Kësaj pyetje ai i përgjigjet:Ne jemi një popull me traditë ne sferën e muzikës. Ne kemi ritme dhe instrumente, melodi që nuk i ka bota. Unë kam shëtitur shumë jashtë Shqipërisë dhe kam qenë edhe 6 vjet në Amerikë, por edhe në Zvicër, Francë, etj., dhe nuk kam dëgjuar në asnjë vend të botës, në këngët e tyre ndonjë motiv shqiptar. Pse duhet të imitojmë dhe të marrim motivet e popujve të tjerë? Ne jemi një vend i vogël, por kemi shumë vlera të mëdha. Ne bota do të na njohë vetëm me art. Unë them se Shqipëria deri para viteve ‘70 nuk njihej në Francë, por Ansambli e bëri që Shqipëria të njihej në Francë. Unë kam qenë në Algjeri, Tunizi, etj., arti dhe muzika shqiptare ka qenë ajo që ka prezantuar edhe kombin edhe vlerat dinjitoze të artit tonë. Unë jam bërë më shumë i famshëm kur jam dënuar se sa jam bërë i famshëm kur jam lavdëruar. Unë jam bërë i njohur në Festivalin e 11-të. Njerëzit për të mirën nuk janë shumë të interesuar, aty ku është më negativja aty ka më shumë interes”.