Intervista/ Flet Gani Peza: “Kajo Karafili në Pezë iu mësonte fëmijëve këngë partizane”

Intervista/ Flet Gani Peza, oficeri personal i Myslym Pezës, që shërbeu 24 vjet pranë Heroit 

Nga Xheladin ÇELMETA 

Disa nga momentet më mbresëlëse të pasqyruara mjaft bukur edhe në librin e Myslym Pezës “Kur dhashë besën”, botim i vitit 1987, janë ato të dhjetë ditëve në Pezë, kur zhvilloi punimet Konferenca Historike e 16 Shtatorit 1942. “Ato ditë u përjetun si një festë e vërtetë, edhe pse ishte kohë lufte”, thotë Gani Peza në intervistën e tij dhënë për gazetën “Telegraf”. Edhe pse fëmijë, 6 vjeç, ato ditë ai është gjendur në mes të fëmijëve të familjes së madhe Peza, si dhe të fëmijëve të tjerë pezakë, duke kënduar këngë partizane. Dhe organizatori që iu mësonte këngët partizane ka qenë luftëtari i rrallë Kajo Karafili, sot dëshmor, “Hero i Popullit” 

Ju personalisht, a keni fiksuar ndonjë detaj nga ato momente të Konferencës, edhe pse keni qenë i vogël në moshë? 
-Unë atëhere isha 6 vjeç, por gjithsesi e mbaj mend atë periudhë. Ishim kalamaj vërtet, por edhe ne kuptonim se aty, në atë shtëpi, po gatuhej diçka madhore. Na bënte përshtypje ardhja e shumë burrave nga Tirana, dhe ata na dukeshin mjaft seriozë. Kjo na bënte përshtypje. Ne ato ditë rrinim vetëm disa metra larg mureve të shtëpisë sonë, brenda së cilës ishin ata të Konferencës. Kajo Karafili na mësonte këngë partizane. Ishin tamam ditë feste. Konaku i miqve i shtëpisë sonë, që ishte karshi shtëpisë së Babës, binte nga ana e rrugës, ku po aty afër ishte një pus. Rrotull pusit, ne fëmijët mblidheshim dhe këndonim. E mbaj mend si tani: Na drejtonte edhe Lemja; kurse Dija, vajza e Myslymit, na “dirigjonte” nga brenda shtëpisë. Se nuk na linte Shyqyriu, ai kishte hall që ne mos prishnim qetësinë, pasi në katin e dytë vazhdonte mbledhja. Bile, mbaj mend që një ditë Shyqyriu na futi nga një shpullë për zhurmën që bëmë. Vetë Shyqyriu nuk mori pjesë në Konferencë, se nuk donte të ishte përballë Abaz Kupit. Se e quante tradhëtar. Por, Konferenca vetë ishte pluraliste dhe qëllimi i saj ishte shumë i lartë; ishte “Bashkimi i popullit shqiptar pa dallim feje, krahine e ideje në një front të përbashkët kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tyre”. Ndaj dhe Babë Myslymi ishte shumë entusiast, për Konferencën, se donte pikërisht luftën për liri. E vërteta është që vetë Baba ka synuar t’i afrojë me Luftën edhe ata që ishin me Ballin, si për shembull Habiljet në Kavajë. Iu ka kërkuar atyre të luftojnë okupatorin, por ata nuk iu bashkuan luftës sonë. Në konferencë Balli solli si përfaqësues Halim Begenë. Më pas, koha tregoi se komunistët dhe partizanët ishin ata që e zhvilluan me furi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe pas Konferencës pati një shtim të madh të radhëve partizane në të gjithë Shqipërinë; u krijuan batalionet, brigadat partizane, dhe pjesëmarrja e popullit në LANÇ u rrit si një ortek: rreth 70 mijë luftëtarë partizanë, që u bënë tmerr për armikun. Kurse Balli Kombëtar e Legaliteti zgjodhën të ishin në krah të okupatorëve dhe kolaboracionistëve. 

Sa herë është djegur Peza gjatë Luftës?
-Peza u dogj tri herë rrafsh. Më 13 qershor deri më 18 qershor 1943 forcat fashiste italiane prej 14 mijë ushtarësh të paisur me artileri, tanke e aviacion sulmuan Pezën. Ka qenë një luftë e ashpër, ku armiku pati 300 të vrarë e 500 të plagosur. Aq shumë ishte shkretuar nga djegia e plaçkitja e fashistëve italianë, sa në zonë kishte rënë një qetësi e frikshme. Asnjë zhurmë gjallese nuk dëgjohej… Nga Pezë Helmësi e deri në Shpat e Gjysulkonje. Dhe interesant; mes asaj shkretie, vetëm një gjel këndonte ato ditë. Dhe ai kishte shpëtuar rastësisht. Kaq e rëndë ishte atëhere situata e luftës në Pezë. E ato ditë informatat bënin me dije se në mes të trupave të vrarë të fashistëve ishte edhe koloneli Ludoviko Bartolomeo. Nga ana e partizanëve në këtë luftë ranë dëshmorë 26 vetë, prej tyre 12 ishin gra. Peza ka 327 dëshmorë, pa përmendur këtu dhe shumë të tjerë që nuk ishin nga treva, por që ranë duke luftuar në radhët e njësisë së saj. Bastisjet, plaçkitjet e djegiet në Pezë gjatë Luftës nga nazifashistët kanë qenë të mëdha. 

Si ka ecur karriera juaj z.Gani, pas çlirimit të Shqipërisë; detyrat që keni kryer?
-Si gjithë fëmijët shqiptarë edhe unë u rrita dhe u shkollova. Natyrshëm ndjehesha me fat që isha bir i një familje të madhe, ku të gjithë pjestarët e saj kishin dhënë kontribut për LANÇ. Si shumë familje në Pezë, xhanëm... Se e thotë bukur Baba; që “pa pezakët trima, pa popullin, nuk do fitohej kurrë Lufta”. Pas mbarimit të shkollës përkatëse ushtarake, u caktova oficer shoqërimi i “Heroit të Popullit” Myslym Peza. Ishte kjo një detyrë e madhe, që unë e vlerësoja si shumë delikate, të vështirë dhe që kërkonte shumë përqëndrim e vigjilencë. Ndërkohë, e quaja edhe privilegj që të isha pranë “Heroit të Popullit” Myslym Peza për 24 vjet rresht; nga 15 gushti i vitit 1960 e deri në vitin 1985, kur vetëm pak muaj më përpara, heroi ynë legjendar kishte mbyllur sytë përgjithmonë. 

Cilat vlerësoni si momentet më të bukura të karrierës suaj ushtarake, si oficer shoqërimi i heroit Myslym Peza?
-Kujtimet janë të shumta. Myslim Peza, si komandant i të parës çetë antifashiste, ishte një gjeneral që nuk mund të shkëputej dot nga njerëzit edhe pse pas Lufte detyrat lidheshin me çështje të ndërtimit të vendit. Dihet që pas Luftës, ai mori poste të rëndësishme shtetërore deri nënkryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Kur ka shkuar delegacioni ynë në Bashkimin Sovjetik, në Moskë, i ka pritur atje Molotovi, atëhere ministër i Jashtëm i BS. Që në fillim Enver Hoxha i ka prezantuar atij, Babë Myslymin me zë solemn: “Komandanti i Çetës së Parë Partizane në Shqipëri, gjeneral Myslym Peza; prej Peze, afër Tiranës; mes Elbasanit, Kavajës, Durrësit, e Shijakut. Ky është ai trim legjendar, që kudo iu dëgjua emri gjatë luftës për Çlirim!”. Molotovi, gëzohet shumë, e sheh Babë Myslymin me admirim; përqëndrohet një moment dhe thotë: “Pyeteni, ju lutem, gjeneral Myslym Pezën, se si i mban marëdhëniet me fshatarët që dikur i kanë hapur dyert, e kanë pritur dhe përcjellë gjatë Luftës?”. Enver Hoxha, që e njihte mirë komunikimin e përsosur që mbante pas Lufte Babë Myslimi me ish luftëtarët, por dhe me fshatarët e tjerë të gjithë krahinës, i thotë Molotovit: “Nuk është nevoja ta pyes gjeneralin, se e kam parë vetë: në shtëpinë e gjeneral Myslym Pezës në çdo moment dhjetë hynin e dhjetë dilnin”. Atëhere Molotovi e ka përgëzuar Babën. …Vërtetë, vizitat nga miqtë e shokët e Luftës kanë qenë gjithnjë të pranishme në shtëpinë e Myslym Pezës. Shpirti human i Babë Myslymit demonstrohej kudo. Kur kapitulloi Italia fashiste, rreth 800 ushtarët italianë që mbetën në Pezë, u mirëtrajtuan nga forcat partizane. Me ushqim e strehim. Siç dihet, shumë nga këta italianë u rreshtuan në rradhët partizane të çetës së Pezës dhe ata luftuan trimërisht. Ka shumë nga ata që ranë në luftë e më pas, u shpallën “dëshmorë”. Por pati të tjerë italianë që nuk u angazhuan pas kapitullimit. Dhe kur ata u larguan për në Itali sipas rregullave protokollare ndërkombëtare, Babë Myslymi i ka përcjellë ata me shumë respekt e dhimbshuri njëkohësisht. Gjatë gjithë kohës sa ishte gjallë, Babë Myslymi ka pritur e përcjellë shokë e miq, jo vetëm nga krahina e Pezës, por nga gjithë Shqipëria. Në aspektin njerëzor, vështirë të gjesh raste të ngjashëm. Ai interesohej për jetë e çdo personi që kish njohur gjatë Luftës dhe jo vetëm ata. Në një rast, kish qëlluar të kish njohur një Lom Kaçi, një fshatar i ndershëm, por i vobegtë, pas çlirimit. Baba më pyet mua: “A di gjë, a është sistemuar me punë Lom Kaçi? …Të shihet kjo, atij duhet t’i gjendet patjetër një punë…”. Babë Myslymi, nuk mund ta kuptonte dot jetën e tij, pa përkujdesjen për jetën e të tjerëve, të atyre me të cilët dikur kish luftuar, por edhe të gjithë njerëzve të thjeshtë të popullit. 
-----------------------------------------------------------------------------------------------------

Dekorata e Artë e Shqiponjës, për: 
• Hasan Peza, Pezë, Tiranë, luftëtar në Çetën e Pezës (dëshmor)
• Vath Korriku, Ndroq, Tiranë, Luftëtar në Çetën e Pezës (dëshmor)
• Sadi Sinani, Pezë Tiranë , Luftëtar në Çetën e Pezës (dëshmor)
• Muharrem Haka, Rromanat, Durrës, Luftëtar në Çetën e Pezës (dëshmor)
• Xhaferr Durishti, Pezë, Tiranë, Luftëtar në Çetën e Pezës (dëshmor)
• Sulejman Ymeri, Pezë, Tiranë, Ish luftëtar i Çetës Pezës (dëshmor)
• Shaban Rexha, Pezë, Tiranë, Ushtarak, Kolonel,
• Jonuz Hakrama, Pezë, Tiranë,
• Ymer Kurti, Ndroq, Tiranë, Ish luftëtar i Çetës Pezës
• Hamdi Grori, Pezë, Tiranë, Ish luftëtar i Çetës Pezës
• Sulejman Jonuz Ymeri, Pezë, Tiranë, Ish luftëtar i Çetës Pezës
………………………………………………………………………………….
Në Pezë u vra nipi i Geringut…
“…Gjermanët kontrollonin vendin ku u vra Fon Hesen me qëllim që të merrnin kufomën e tij mbasi e kërkonte Geringu, por u lodhën kot. “Tre a katër ditë erdhën rreth e rrotull, vetëm kërkonin. Të pestën ditë na erdhi një letër nga një ish miku ynë i rremë. Në letër thuhej se oficeri i vrarë SS i quajtur Fon Hesen ishte nipi i Geringut “Sa pare të kërkoni, - na shkruanin, - aq do të japim, vetëm na dorëzoni kufomën e tij” ... Trupin e Kajanit ju e shëtitët në Kavajë e Shijak, - A u kënaqët me të? Ne kufomën e nipit të Geringut do t’ua hedhim qenve të Pezës. Më mirë të kënaqen ata me të, se t’ua japim juve!. (M. Peza “Kur dhashë besën”, fq.291)