Intervista/ Flet Dr. Hasan B. LUÇI, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë

1570
Sigal

Albert   Z.  ZHOLI

 

Duke  vazhduar  me   njohjet   kush  ishin  intelektualët   francezë  që  e donin   Shqipërinë?

 

Ndër  ta  ishte Prof. Zhak Burkar e zonja e tij, anëtar i Akademisë Franceze. Deri në 1964 që ndërroi jetë e takova disa herë se kërkonte materiale për Shqipërinë. Ai kish bërë studime në Korçë për gjeologji e gjeografi në 1916-1920. Ai botoi dy libra “Kufijtë shqiptar të administruar nga Franca” dhe “Shqipëria e shqiptarët”. Studimet e tij u shfrytëzuan nga gjeologët shqiptarë. Ai ishte shumë dashamirës me shqiptarët dhe i lavdëronte me fjalët më të mira.

U njoha me Prof. Andre Simonar, albanolog i njohur vijoi të vinte në seli dhe shkruante mbi vendin tonë me materialet që i siguronim, sipas kërkesave. Mbështeti vendin tonë, kombin shqiptar, për Kosovën dhe Çamërinë, se i njihte mirë këto probleme. Në takime me të shoqërova edhe profesorët tanë që vinin në Francë në bazë të marrëveshjes kulturore e shkencore. Ai vizitoi disa herë vendin tonë.

Iu paraqita vetë Lui Aragonit dhe Elsa Trioles, të cilëve u fola si lexues i veprave të tyre. Ata më falënderuan dhe Aragoni shtoi se e donte Shqipërinë për vitalitetin e saj, pavarësisht nga ç’ndodhi më vonë, saktësoi Elsa Triole. Ky çift mbahej si shembull në Francë për jetëgjatësinë bashkëshortore. Më vonë i përshëndesja në pritje të tjera.U njoha me gruan e Leon Reit, të cilës me djalin në 1965 i dhamë vizën kur iuvu emri një rruge në Fier për zbulimt në Apoloni.Ajo vinte në pritjet tona.

-Shumë njohje   por  kush   e  njihte  më  shumë   Shqiëprinë?

Po! U njoha me Ksavie De Kurvili, ish drejtori i liceut të Korçës, dhe më njohu me gruan këngëtaren Zhakelinë Kazadesus dhe me vajzat e tij Rëne e Geraldinë, që na puthnin si në Shqipëri nënat e motrat tona. Ato shuanin mallin për Shqipërinë duke na bombarduar me pyetje për “Parisin e vogël” (Korçën) dhe butikët me emërtimet si të magazinave të mëdha parisiane, para çlirimit. Ky kishte teatrin e vetë në lagjen Monparnas, ku pashë teatrin e parë në Paris dhe shkova disa herë më vonë. Drejtor e artist i tij qe z. Ksavie de Kurvil. Teatri “Mikro-Opera” qe një garazh i përshtatur në teatër me plate e llozhë. Familja e de Kurvilit jetonte me të ardhurat e këtij teatri dhe luanin të gjithë role të ndryshme. Pasi luheshin skeçet “Qengji e ujku” (Shqipëria e Italia fashiste) etj., të përshtatura nga De Kurvili, ku demaskohej pushtimi i Shqipërisë më 1939, ato na qerasnin me ponç, që e pinim për t’u bërë qejfin. De Kurvili mburrej se qe pasues i mbretërve, por ne shqiptarëve na donte siç ishim, shprehej ai. E shoqja shtonte: “S’e ka me të keq se është mbretëror”, ndërsa vajza e tyre Geraldina, e lindur në Korçë, thoshte: “Babai është mbretëror, por shpirt njeriu”, kurse dhëndri i thoshte: “Vetëm ëndrrën ka, jo veprën”. Pasi ishim miqësuar, më vonë, kur Geraldina më njohu me të fejuarin, në moshë dy herë sa ajo, e pyeta miqësisht: “Ku e ke gjetur këtë ujk të ri?!” -“Paraja, miku im, por duhemi shumë”, ma ktheu ajo. “Më falni, e ngava, jeta ka gjithmonë balsame për t’i shijuar!” – “Vilin!” (rrufjan), klithi ajo duke picërruar sytë e ngazëllyer për shakanë me kripë. Geraldina shtoi: “Do të doja një shqiptar, një diplomatit tuaj i propozova, se mbeti beqar këtu, por e kishte të ndaluar nga qeveria”, picërroi ajo sytë duke bërë aluzion për Dh. Lamanin, që ndau gruan duke qenë në seli, në Paris.

Nëna dhe dy vajzat e veta qenë me shumë humor si dhe i ati, i cili gjithnjë buzëqeshte dhe hidhte romuze të ndryshme apo tregonte anekdota për të qeshur duke ngacmuar familjarët e miqtë. Këta qenë të mrekulluar nga jeta në Shqipëri, në Liceun e Korçës dhe, nga vizitat që bënin, herë pas here, në vendin tonë. Të gjithë qenë shumë të dashur sa që kishin marrë tiparet e sjelljes e të mikpritjes shqiptare. Në çdo shfaqje të tyre Shqipëria nuk ndahej, veç të tjerave, sidomos historia e qengjit me ujkun e madh.

-Kur erdhën në Shqipëri?

Në vitin 1972-1973, studio “Arlëken” (Mikro-Opera) bëri sezonin e 30-të (në 18 bis, rruga Henri Barbys, Paris 5). Ata luajtën pjesë nga Bualdjë, Mozarti etj., veç skeçeve për Shqipërinë. U gëzuan shumë kur në 1963 arritëm t’u jepnim vizën për në Shqipëri, ku grupi i Teatrit Arlëken i mikro-operës pariziane të Ksavie De Kurvilit (me gruan, vajzat e dhëndrin) dhanë shfaqje në Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës, ku binte në sy pjesa me motive shqiptare “Ujku dhe qengji” (Italia dhe Shqipëria në vitet 1939-1943, kurse më 20.11.1964 Teatri Arleken dha premierën “Francë-Shqipëri”, skeçe, këngë e valle shqiptare. De Kurvili foli mbi përshtypjet e veta nga vizita e grupit të tij në Shqipëri, duke theksuar përparimet e vendit që nga koha e qëndrimit të tij në liceun e Korçës. Të gjithë këta ishin propagandistë të mëdhenj të Shqipërisë dhe me humor e dashuri flisnin, vazhdimisht në çdo mjedis për të dhe miqtë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Ata qenë veprimtarë të mirë të shoqatës së parë dhe të dytë të miqësisë franko-shqiptare.

-Po me anëtarët e Partisë Komunsite Franceze, a u njohët?

Nga miqtë e shoqatës së parë të miqësisë, njoha edhe Zhak Dyklon, njeriun legjendë të PKF-së. E takoja më vonë edhe në pritjet e veri-vietnamezëve dhe të Kubës, ku shkëmbenim fjalë mirësjelljeje.

Pier Kurtadi kishte qenë në Shqipëri, kisha lexuar librin e tij dhe buzëqeshi kur ia përmenda me lavdërim. Më vonë e takova disa herë në pritjet vietnamezo-veriore. Ai mbetej mik i Shqipërisë, por më sqaroi miqësisht: “Jam edhe funksionar i PKF-së”, pra s’vepronte e s’shkruante  dot si më parë për Shqipërinë.    Zhoani Berlios, kryeredaktorin e “Demokraci nuvel” dhe deputet, e takoja edhe më vonë në pritjet e ish demokracive popullore. Këtyre u dërgoja edhe materialet tona edhe pas prishjes së PPSH-së me PKF-në, të cilat nuk i kthenin mbrapsht. Andre Vurmser, gazetar në “Hymanite” dhe komunist i vjetër, funksionar i PKF-së mbante marrëdhënie miqësore edhe më vonë, por nuk më ngacmonte në çështje ideologjike edhe pas prishjes së marrëdhënieve me PKF-në. Ai nderohej për botimin që kishte bërë mbi veprën realiste franceze të Balzakut. I çoja vazhdimisht materialet tona dhe nuk i kthente.

Zhan Lanzhëveni, fizikant, biri i shkencëtarit të madh dhe gruaja e tij qenë të dy simpatikë e të thjeshtë, nuk jepnin shenja mospëlqimi për bisedën me ta, siç bënin jo pak francezë, jo për faj të bashkëbiseduesit, por për snobizëm e mendjemadhësi. Ata flisnin mirë për vizitën që kishin bërë në Shqipëri dhe na ndihmonin me mendime për veprimtari kulturore me miq të tyre.

Miku i Shqipërisë Rëno De Zhuvënel, i cili shkroi, pas vizitës në Shqipëri, edhe librin “Bijtë e Shqipes”, të cilit i fola mirë për librin, nuk ishte më  me aq entuziazëm për t’u takuar me ne, pasi i qenë bërë vërejtje nga lart për disa gjëra në librin e tij, ku ai përshkruante realitetin. Nuk reagoi në shtyp kundër këtyre vërejtjeve, ndofta të bëra pak pa takt, siç më tha shkurt në një bisedë tepër të shkurtër. Me dhimbje m’a ka treguar këtë ngjarje Llambi Peçini, i cili qe ngarkuar për t’i bërë vërejtjet, që sipas tij qenë të tepërta dhe jo thelbësore.

Pritja me shqiptarët e kolonisë në Francë kaloi përzëmërsisht,u njoha me të gjithë pjesëmarrësit, shkëmbyem mendime dhe kërkonin të reja nga Atdheu, meqënëse isha i porsaardhur.Pas vitit të ri fillova takimet me ta në seli apo gjatë vizitave në shtëpit e tyre në Paris e krahina, ku vajta më vonë.

Ditën e vitit të Ri Presidenti francez Sharl Dë Gol priste diplomatë, a patët mundësi takimi?

Presidenti francez kishte krijuar traditën diplomatike të priste për Vitin e Ri një grup diplomatësh nga çdo përfaqësi, të cilët rreshtoheshin në formë patkoi në një sallë të pallatit presidencial “Elize”, rezidenca e tij zyrtare, veç presidentit Zhorzh Pompidu, i cili nuk e zbatoi këtë protokoll dhe qëndroi në shtëpinë e vet. Diplomatët radhiteshin : së pari, në krye ambasadorët, ministrat fuqiplotë dhe të ngarkuarit me punë,  dhe pas tyre, grupi i diplomatëve pjesëmarrës të çdo vendi, sipas rangut dhe sipas ftesës së marrë.

Unë mora pjesë për herë të parë në pritjen e Vitit të Ri 1962 te president Sharl De Goli, pastaj disa herë në këtë ceremoni, që bëhej sa për të takuar dorën, pasi presidenti qëndronte gati një minutë me titullarët e fuqive të mëdha, duke u thënë diçka sipas nivelit të marrëdhënieve dypalëshe. Ishte interesante se Sharl De Goli, gjenerali guximtar edhe me më të mëdhenjtë e botës gjente një fjali të veçantë, qoftë edhe të përsëritur në thelb, nga viti në vit, si tepër autoritar që ishte, për t’ia thënë njërit e tjetrit, me seriozitet apo me kripën e duhur. De Goli dominonte edhe me trupin e gjatë, kështu që të shkurtrit duhej të ngriheshin mbi gishtërinj për ta dëgjuar urimin apo mesazhin e tij kur u jepte dorën. Pompiduja ishte më i qeshur, me atë fytyrën e gjerë, të shëndoshë, me sy shumë shprehës, ndërsa Giskar d’Esteni, me fytyrën si Fernandeli dhe me dhëmbët katarosh ishte shumë gazmor dhe me shikimin zhbirues, po të butë.

nesër  do  të lexoni:

01- Nga miqtë e shoqatës së parë të miqësisë, njoha edhe Zhak Dyklon, njeriun legjendë të PKF-së.

02-Zhoani Berlios, kryeredaktori i “Demokraci nuvel” dhe deputet, kërkonte materialet e  të gjitha kongreseve  të  PPSH

03- Andre Vurmser, gazetar në “Hymanite” dhe komunist i vjetër admironte Enverin

04- Sharl Dë Gol për Vitin e Ri na ftoi në një sallë të pallatit presidencial “Elize”