Intelektualët, si i kërkonin llogari Ramiz Alisë

932
ARKIVA i / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990
Ramiz Alia ka thirrur, më 12 gusht 1990, disa nga intelektualët kryesorë të Shqipërisë për një bisedë mbi gjendjen e vendit, vetëm një muaj pas hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptarëve dhe shumë ndryshimeve në vendet e Lindjes. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër ore në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektuale, mes te cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. 
“TELEGRAF” rinis sot botimin e kësaj bisede të gjatë, ku ne fillim te saj Ramiz Alia bënë një prezantim të çështjeve për t’i diskutuar me intelektualet dhe me tej debaton me intelektualët. 
(Ramiz Alia i përgjigjet një bashkëbiseduesi nga salla)
Ramiz Alia: “Në thelb ti ke të drejtë, në kuptimin që duhet medoemos, informacioni të jetë më i gjallë, më i shkathet dhe që duhet menduar për këtë çështje”. 
Sali Berisha: “Më fal shoku Ramiz. Para së gjithash, unë mendoj se informacioni duhet të jetë i vërtetë. Ja unë po jap një shembull: U dha komunikata për ngjarjet e 2 korrikut. Plagosje të lehta”.
Ramiz Alia: “Si?”
Sali Berisha: “Pati plagosje të lehta”.
Ramiz Alia: “Po!”
Sali Berisha: “Gjejmë 16-vjeçarin që ishte duke vdekur në spitalin nr.2 dhe që, siç dihet, vdiq! I bënte roje nja dy ditë rresht ambasada gjermane. Tashti thuaj sa të duash ti, atij personelit tim që pati plagosje të lehta. Që këtu, këto fakte, janë 6 mije veta…”
Ramiz Alia: “Po mirë, më fal, më fal. Dale ti. Prit. Kush ishte ai që u plagos rëndë? Jo, jo po dale. Meqë po e thua ti, na e thuaj ti, na u përgjigj ti? Kush ishte ai që u plagos rëndë?”
Sali Berisha: “Një nga ata…”
Ramiz Alia: “Ku u plagos?”
Sali Berisha: “Nuk e di!”
Ramiz Alia: “Epo kur s’e di, si e thua ti? Ti po na dezinformon ne tani”.
Sali Berisha: “Pse?”
Ramiz Alia: “Po ja se s’po na e thua! Na e thuaj! Ti thua… Jo, jo Sali… Ti po ngrihesh me një tezë të drejtë që informacioni duhet të jetë i drejtë. Kështu? Bukur. Atëherë bëje edhe ti të drejtë. Ti me thua që ky djalë ishte kështu, dakord jam me ty. E para e punës, ai djalë nuk ju erdhi atë dite në spital, se e di këtë çështje mirë. Ai djalë u plagos kur hyri makina me vrull. Hodhi… domethënë, çau murin e ambasadës një makinë dhe një polic i qëlloi. Bukur. Qartë. Po ai djalë ka ndenjur tri ditë në ambasadën gjermane dhe pas tri ditësh ka ardhur në spital. Kështu është historia. Kur u dha komunikata, ai djalë ishte brenda në ambasadë. Jam dakord me ty në parim që duhet t’i bëjmë të sakta dhe, në qoftë se do saktësi, t’i themi saktë gjërat”. 

Dhimiter Shuteriqi: “Këtu ka një gjë, shoku Ramiz. Këtu ka një të metë, për mua, konsekuencë në informacion. Domethënë, këtë ngjarje, spitali, nuk e njoh kështu. Jo, doktori nuk e ka njohur kështu edhe unë kështu e kam dëgjuar. Më falni! Neve, nëse ngjan ndryshe dhe krijoi një dezinformacion të këtillë, duhet të ishim neve konsekuent ose drejt, përnjëherësh të përgjigjeshim me informacionin tonë, më vonë se komunikata u dha, më vonë se u dha dezinformimi, më vonë vajti djali atje. Menjëherë të ishim përgjigjur!”
Sali Berisha: “Unë jam në spitalin numër 1, po Veliu që punon aty, djali thotë që ka ardhur menjëherë”. 

Ramiz Alia: “Kur menjëherë, pra? Ka ardhur më datën 4 korrik. Ngjarja ka ndodhur me 2 korrik. Ai ka dalë ka hyrë atje, në ambasadën gjermane në atë kohë, më 2 korrik. E mbajtën gjermanet dhe kërkuan autorizim që ta dërgonin në spital, se është shumë sëmurë etj. Në fillim kërkuan të vinte aeroplani i tyre me mjek e gjëra të tilla. Dakord, është e qartë. Vetëm ka një gjë, që ky informacion, tani ky informacion ai shoku atje thotë, pse nuk u botua? Çfarë të botohej? Si të botohej? Në këtë çështje ka një gjë, ne pushuam direkt nga puna drejtorin e policisë, ai që qëlloi. Këtë e keni marrë vesh besoj?! Apo jo?!”

Përgjigje nga salla: “Jo, jo, shumë veta nuk e dinë”.
Ramiz Alia: “Jo, jo, jo. Nëse do ndokush ta thotë në pazar këtë, nuk pranohet. Zëvendësministri i Brendshëm u pushua, dy zëvendesministrat u pushuan. Tani thashethemet janë edhe majtas edhe djathtas. Po mirë, o vëllezër, shiko, dakord jam me ju. Vetëm ju lutem, një gjë keni parasysh, shqetësimi mbi informacionin është i drejtë. Por, shembujt që merrni juve nuk janë shumë, si të thuash, nuk janë shumë simpatikë, po i quaj kështu. Domethënë, shqetësimi i shokut atje është se, pse nuk u tha që një njeri që hyri në ambasadë u plagos. Çfarë të bënim ne? Hero ta bënim këtë njeri që po hyn në ambasadë dhe po arratiset? Çfarë kërkon më tepër? Ne deklaruam që është plagosur, pikë! Çfarë t’i themi më tepër? Ngushëllime t’i them familjes së tij dhe atij djalit vetë? Këtë kërkojmë ne? Kjo nuk është korrekte. Opinioni këtu këto gjëra kërkon, këto gjëra i vlon. Po pse nuk më thotë anën e kundërt? Pse nuk më thotë të kundërtën? Se ajo makinë sulmon policin. E kupton? Gjermani vetë që ishte vajti i ra policit me hekur kokës. Këtë e di ti?! Apo nuk e di ti, prit ta them unë atëherë. Jo, jo, prit. Gjermani hyri, i ra policit kokës dhe i mori revolen. Revolen erdhi dhe e dorëzoi i ngarkuari me punë i Gjermanisë në Ministrinë e Jashtme të nesërmen. Por, tha: Polici hyri në territorin e ambasadës! Tani, çfarë t’i bëj unë kësaj në gazetë? T’i qaj hallin atij djalit? E kam këtu çështjen, nga një pikëpamje duhet pasur kujdes. Domethënë, në nuk duhet absolutisht të mbyllemi me informacionin tonë. Unë thashë dhe u them, që është një nga dobësitë tona. Dikush tha se ndodhi një aksident në rrugë, pse nuk japim. Nuk japim ne! Dakord jam unë. Është gabim, ne nuk japim. Ne kemi shumë gjëra që nuk japim informacion. Duhet të them unë që duhet të jepni për thatësirën, se del ai bukuroshi dhe thotë: kaq kilovat/orë edhe nuk thotë që ne po importojmë! Po marrim kredi, ja ketë energji që po marrim sot ne, ¼ është kredi. Ja, këtu! E dini këtë apo s’e dini?! Edhe ai nuk e thotë hiç. Pra, as këtë informacion s’ia jep publikut. Dua të them që pika e lobet e jona është informacioni më siguri. Por, unë mendoj që revolta nuk duhet të jetë në këto lloj informacionesh që po i shqetëson disa njerëz. Nuk është ky shqetësimi që duhet të kemi. Ky shqetësim sikur i bën jehonë disa gjerave jo shumë… Domethënë këto prekin masën, po i prekin në një rrugë të gabuar. Çfarë t’i them unë mashalla këtyre që u futen në ambasada? Jo, jo, jo t’i thua në asnjë mënyrë, por unë e kam më të shkruar, që më thuhet që ky ka pas të drejtë që është fut. E kam të shkruar zyrtarisht. E kam në letër”. 

Sali Berisha: “Shoku Ramiz, dy informacionet janë: i joni që duhet të jetë kompletiv me informacionin e armikut. Në qoftë se s’japim ne, informacionet duke filluar që nga vetë Komiteti Qendror, po i japin radiot e huaja”.
Ramiz Alia: “Jo, s’është e vërtetë. Në qoftë se t’i u beson atë që thotë radio e huaj është puna jote. Kjo nuk është e vërtetë”. 
Sali Berisha: “Po e dezinformojnë informacionin”.
Ramiz Alia: “Po nuk është e vërtetë!”
Sali Berisha: “Jo, më fal shoku Ramiz ata jo se po japin informacion të pavërtetë, prandaj shtrova tezën për vërtetësinë e informacionit. Se këtu në këtë kompeticion fiton informacioni i saktë dhe i vërtetë. Prandaj edhe ne duhet të jemi shumë vigjilentë”.
Ramiz Alia: “Dale, dale!”. E para, nuk është e goditur fjala kompeticion, nuk bëjmë ndonjë garë për informacion. E dyta, për sa i përket Komitetit Qendror, Komiteti Qendror i Partisë u mblodh në date ‘x’ dhe në darkë, jo të nesërmen, por në darke u dha njoftimi edhe u dha fjalimi që mbajta unë në Plenumin e Komitetit Qendror për arsimin. Të nesërmen u diskutuan probleme të tjera dhe u dha materiali për plenumin. Prandaj, nuk pati asnjë kompeticion dhe nuk pati … Po për çfarë e kishe fjalën?”

Sali Berisha: “Unë e kisha fjalën për informacionin si informacion shoku Ramiz. Po jap një shembull tjetër. Për ngjarjet e Kavajës. Asnjë fjalë nuk është thënë për këtë gjë, unë e konceptoj që ne duhet të informohemi. Ne nuk dimë asgjë vetëm çfarë kemi marrë vesh rrugëve”.
Ramiz Alia: “E drejtë është”.
Sali Berisha: “As për ngjarjet e Shkodrës. E konceptoj që duhet të informohemi”.
Ramiz Alia: “Në Shkodër nuk ka ndodhur gjë, me përjashtim të atyre të janarit. Në qoftë se do të dish ti…”
Sali Berisha: “Po, për janarin e kam fjalën, për janarin”.
Ramiz Alia: “Ah, për janarin! Po për janarin nuk ka ndodhur asgjë, por për Kavajën po, s’është thënë asgjë, shumë e drejtë”. 
Sali Berisha 
“Më lerë të them nja 2, 3 gjëra shkurt, shoku Ramiz. Do të doja që shokëve të organeve të punëve të brendshme t’u dërgoja vetëm një mesazh, se çdo rrahje e paligjshme, dhe që të themi të drejtën kanë qenë të shumta. Unë çdo ditë shihja njerëz te spitali, te stacioni i trenit kur merrja autobusin, çdo ditë policia do të mbante njerëz. I kapte, i keqtrajtonte, ndonjë burrë edhe më të pashëm e më të veshur se unë. Po unë dua të them se çdo rrahje e paligjshme është rrahje për të gjithë ne. Ata janë pjesë e njeriut, çdo shqiptar, çdo pjesë territoriale, është pjesë e ndërgjegjes shoqërore kombëtare e secilit prej nesh. Në qoftë se ata i rrahin në këtë mënyrë njerëzit, është njëlloj sikur na kanë rrahur ne, në këtë mënyrë e përjetojmë, në këtë mënyrë e suportojmë. Dhe unë ju them që ndihemi edhe të fyer e të ofenduar që në mënyre kaq të pashpirt kanë thyer urdhrat dhe ligjit. Për mendimin tim, për të çuar se,… se ju e keni kap shumë drejtë që problemi është poshtë kësaj, është e vërtetë, është në bazë. Por ama, t’i prijmë mekanizmit, unë nuk di ç’ka thonë zbulimet, por veprimi kryesor i mekanizmit është ngjallja e mosbesimit për këtë ç’ka bën partia. Partia ka bërë shumë edhe po të marrësh masat, të cilat janë marrë nga janari e deri tashti unë kam pasur bindjen time personale, që janë shumë pas psikologjisë së përgjithshme shoqërore të Shqipërisë. Ama i rrahu ai ata djemtë që u futën për të marrë pasaportën? I rrahu. Për mendimin tim, ata duhet të dënoheshin se në qoftë se dy punëtorë rrihnin dy oficerë sigurimi, që shkojnë për detyrë në një ndërmarrje, ata dy punëtorët humbasin vendin e punës dhe futeshin brenda për rrahje. 

Pra, unë them që një komision hetimor, publikisht… se ky problem ka shqetësuar shumë, për t’u dhënë një përgjigje të merituar atyre që e kanë tejkaluar kompetencat dhe që kanë thyer urdhrat ma thotë mendja, që është në dinjitetin e shoqërisë sonë dhe të forcës se saj, nuk është asnjë gjë. E dyta, kisha një problem lidhur, shokët folën edhe për problemin e informacionet, e mira është që ne të informojmë dhe detyrimisht që është kërkesë shumë e drejtë që ne të informohemi nga partia, nga asnjë format tjetër. Ne duhet te informohemi nga partia për atë çfarë ka ndodhur dhe te japim mendimet tona, të mira si t’i kemi, por edhe të themi fjalën tonë. 

Së fundi, kam një problem për vetë partinë. Tani partia ka bërë gjithë këto ndryshime gjatë këtyre muajve, mendoj është marksiste, që duke ndryshuar realiteti ndryshon veten e tij njeriu, edhe partia duhet të ndryshojë veten e vet në disa aspekte, në disa gjëra. Po marr për shembull mendimin, ne e konsideroj të domosdoshme pluralizmin e mendimit”. 
NESËR DO TË LEXONI
Alia pyet intelektualët “Pluralizm mendimi apo pluralizm partiak?”
Si u zhvillua debate mes Ramiz Alisë dhe Sali Berishës?
Cili ishte koncepti “pluralizëm” për intelektualët shqiptarë?
Sigal