Incidentet, si iku Misioni Amerikan nga Shqipëria

958
ARKIVA / Raporti sekret i shërbimit të jashtëm të SHBA-së. Ditari i veprimtarisë në periudhën ‘45-’46 
Letër e Jacobs për Enverin
I dashur Gjeneral Hoxha!
Simbas urdhërit që kam marrë prej Qeverisë sime, kam nderin të j’ua transmetoj këtu memorandumin përgatitur prej Departamentit të Shtetit në Uashington, në lëndën për të cilën Departamenti i Shtetit nep rëndësinë ma të madhe.
I sinqerti i Juaj
J.E.Jacobs, Përfaqësuesi Amerikan
– Vijon nga numri i kaluar –
Pas dështimit të përpjekjeve dypalëshe zyrtare shqiptaro-amerikane, letërkëmbimeve të shumta, së fundi, Departamenti i Shtetit njoftoi sot tërheqjen e Misionit Politik Amerikan nga Shqipëria. Ja pjesë të komunikimit zyrtar për këtë fakt: 
Misioni Amerikan tërhiqet 
“Departamenti i Shtetit njoftoj sot tërheqjen e Misionit Politik Amerikan nga Shqipëria, duke thënë se Qeveria e Amerikës arrijti në mejtimin, që Misioni nuk mundte më të binte ndonjë dobi duke qëndruar atje. Gjeneral Hoxha, Kryeministri i Shqipërisë, u njoftua të martën mbi këtë vendim. Lajmërimi i Departamentit të Shtetit tha se, sigurimi nga ana e Qeverisë Shqiptare se do t’i njohë marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, do të qe “konditë e parë (e domosdoshme) për njohjen e saj nga ana e Shteteve të Bashkuara… në pajtim me zakonet e ndjekura nga kjo Qeveri”. Shqipëria deklaroi se ajo, nuk ia njohu vlerën (fuqinë) e marrëveshjeve bilaterale” në mes të dy shteteve. Departamenti tha se marrëveshjet, të cilat refuzoi t’i pranonte Shqipëria, “nuk janë në asnjë mënyrë të nji karakteri të rëndë” por përmbajnë vetëm subjekte të zakonshme, pajtim (conciliation), natyralizimin (e shteteve) dhe trajtimi i shtetit më të favorizuar”. Me gjithë tërheqjen e Misionit, SHBA” i vijojnë ndjenjat e miqësisë së mirë për popullin shqiptar. Z.George D.Henderson, përfaqësues i Amerikës në Tiranë, dhe Shtabi i tij, largohen me nji herë për n’Amerikë”.( AQSH, Pub.”The Times”, më datën 9 Nëntor, e Shtunë, 1946).

Reagimi i ndërkombëtarëve
Edhe anglezët e aleatë të tjerë të kampit perëndimor janë të shqetësuar dhe komentojnë largimin e Misionit Amerikan nga Shqipëria. Ja disa qëndrime të kohës: Gazeta “Front National”, datë 9 Nëntor, duke dhënë lajmin e tërheqjes së Misionit Amerikan nga Shqipëria, shkruan se: “…Qeveria Amerikane, më 10 Nëntor 1945, informoi Gjeneral Enver Hoxhën që njohja e Qeverisë së tij varej nga njohja që do t’u bënte Shqipëria traktateve dhe akordeve të kaluara në mes të dy vendeve… Madje, më 13 Gusht, Qeveria Shqiptare pranonte validitetin e të gjitha akordeve multilaterale të nënshkruara nga Shqipëria dhe Amerika. Por ajo rezervohej përkundrazi mbi akordet bilaterale!”. Më tej, në të njëjtin dokument thuhet: “Ja një shembull i ri i mënyrës se si Departamenti i Shtetit praktikon “diplomacinë atomike” karshi vendeve të vegjël që refuzojnë të radhiten mbrapa fuqisë USA dhe konfirmojnë indipendencën e tyre. Duke njohur validitetin e akordeve multilaterale Shqipëria i është konfirmuar rregullave të kurtuazisë ndërkombëtare. Dhe artikulli vazhdon: “Duke refuzuar të ri marrij për hesap të saj akordet direkte të formuara prej Qeverisë së vjetër Shqiptare, e cila është e kotë ta theksojmë, ishte një qeveri kukull, Shqipëria demokratike e re mbron indipendencën e saj ekonomike dhe sovranitetin e saj. Shqipëria e Mbretit Zog ishte një koloni e trusteve Angleze e Amerikane para se të bëhej e Musolinit…!”

Incidente në ikje
Ikja e Misionit Amerikan nga Shqipëria, shoqërohet me tension. Ja dëshmi të pasqyruara për këtë fakt, në mediat e kohës: “Misioni Amerikan në Shqipëri, u largua nga Shqipëria sot, më ora 18.00. Ai u imbarkua në Durrës dhe u transportua prej vaporëve shqiptarë në dy destrojerët amerikanë që qëndronin jashtë ujërave territoriale shqiptare. Misioni Amerikan, jashtë çdo rregulli miqësie, për dy herë rresht kërkoi nga ana e Qeverisë sonë që kryqëzori Huntingon dhe një destrojer të vinin në Portin e Durrësit për të marrë misionin. Qeveria Shqitare ja refuzoi këtë kërkesë, pse populli shqiptarë ushqen miqësi dhe simpati për popullin amerikan. Nga ana tjetër Qeveria Shqiptare lejon me kënaqësi ardhjen e një vapori tregtar, ose të aeroplanëve për transportimin e këtij misioni. Duke kërkuar të qëndronin 10 km larg Portit të Durrësit ku do të caktonte vendin e posaçëm një torpedinier shqiptar, Qeveria Shqiptare, sipas kërkesës së Misionit Amerikan, vuri menjëherë në dispozicion të tij dy vaporë të vegjël shqiptarë për transportimin e këtij misioni deri në anijet Amerikane. (Arkiva, “The Times”, më datën 15 Nëntor 1945).

Luftanijet përcjellin Misionin
Momenti i ikjes së Misionit nëpërmjet detit, sipas arkivave, bëhet sipas kushteve të palës shqiptare, ku dy anijet luftarake amerikane, nuk janë lejuar të afrohen. Situata në dëshmitë e arkivat e kohës: “Anijet luftarake amerikane qëndronin jashtë Durrësit. Ministri çohet me një anije të vogël. Qeveria Amerikane përpara kundërshtimeve shqiptare ka pranuar që të dyja anijet luftarake amerikane të mos hyjnë brenda limanit të Durrësit, për të marrë anëtarët e Misionit Amerikan. Janë bërë përgatitje për të çuar Ministrin Z.Georges B.Henderson, dhe 10 veta të tjerë me viza të fshehta dhe regjistra pasaportash me anë të një motoskafi rrugë-tregues deri në kufirin e tri mijëve, dhe ende po pritet lajmi mbi plotësimin sot të këtij operacioni. Përdorimi i anijeve të luftës u shpjegua se ishte bërë nga mungesa e anijeve tregtare. (Nga “The Times”, Nr.50.610, Datë 16 Nëntor 1946). Në raportin e Departamentit Amerikan, për këtë ngjarje, është dhe dëshmia e mëposhtme e konfirmuar nga agjencia “Reuter” (burimi nga Beogradi): “Misioni i Shteteve të Bashkuara, i cili u tërhoq nga Departamenti i Ministrisë P.Jashtme, u largua mbrëmë nga Shqipëria. Dy vaporë shqiptarë i morën anëtarët e Misionit përjashtë ujërave territoriale shqiptare, ky dy destrojerë po prisnin për me i marrë”.
KORRESPODENCA
Përfaqësuesit amerikan në Shqipëri, J.E.Jacobs me Departamentin e SHBA:
“Xhejkobs i shkruan Sekretarit të Shtetit (në vazhdim me sa kuptohet edhe me anë të mesazheve të mëparshme) se : “….Unë paraqes ndjenjën jo shoqërore në rritje të regjimit këtu, kundrejt SHBA”. (Arkiva e Dep.Shtetit SHBA, telegrami 711.75/ 1-2046 të datës 29 janar 1946).

“Për prestigjin tonë ndaj sovjetikëve, në Shqipëri po zhvillohen aktivitete të ndryshme… Legata Sovjetike është e plotë, pothuajse të gjithë pjesëtarët janë këtu së bashku me gratë e tyre, se ata jetojnë në pesë shtëpi… Këta nëpunës, kryesisht ushtarakë, shikohen shpesh në vende publike me zyrtarë shqiptarë… Në qytet ka edhe shumë sovjetikë, që thuhet se janë teknikë (janë disa qindra ). Dhe priten të vinë tjerë…”. (Po aty)

“…Brenda vetë qeverisë po del në pah një grup pro-jugosllavëve dhe sovjetikëve… për të orientuar Kushtetutën e re sipas vijës sovjetike. Kjo ka ngjallur një frymë opozite midis radikalëve moderues… Grindja shkaktoi arrestimin e anëtarëve të të ashtuquajturës opozitë, si Kokoshin, Asllanin dhe Larry Post “ (alias Llazi Papapostoli)…

“Qysh nga mezi i dhjetorit, kur u mbajt Konferenca e Moskës, këtu është rritur shumë influenca sovjetike… që gjithçka që bën Qeveria Shqiptare, e bën e drejtuar nga një grup komunist, pro-sovjetik, me pëlqimin e autoriteteve sovjetike e ndoshta nën drejtimin e tyre”. (Telegramin Nr.711.75/2-546 , më 5 shkurt 1946)

“…Në qoftë se nuk protestojmë fort kundër autoriteteve sovjetike, të cilët vetëm pak javë pas njohjes së një shteti ballkanik, kanë bërë që ideologjia e tyre të penetrojë thellë në radhët e kësaj qeverie, të inauguruar dhe njohur nëpërmjet veglave të tyre, duke zbatuar një program frike dhe reprezaljesh kundër gjithë opozitës…, atëherë ne duhet të mendojmë që autoritetet sovjetike do ndjekin të njëjtën rrugë si ajo e Rumanisë, Bullgarisë e Koresë, menjëherë sa të akordohet njohja.. .” (Telegramin Nr.711.75/2-846 të datës 10 shkurt 1946, Xhejkobs, për Sekretarin e Shtetit).

“Duket qartë se Shqipëria është kthyer në shtet satelit të BS dhe Jugosllavisë… Këto dy shtete shpresojnë që Shqipëria të pranohet anëtare e UNO-s, duke i shtruar kështu një tjetër votë bllokut sovjetik. Në rast se në sesionin tjetër të UNO-s, Shqipëria nuk pranohet, atëherë Shqipëria do kthehet në një njësi të Federatës Jugosllave. Unë jam i sigurt se shumica e shqiptarëve kundërshtojnë infiltrimin e dominimit sovjetik, si dhe bashkimin me Federatën Jugosllave.” (Nga telegrami i datës 28 shkurt 1946, (Nr. 711.75/2-2846).
Sigal