Ilmi Qazimi: Çerçiz Topulli në Skrapar, mik te Hasanajt e Zabërzanit

1882
Sigal

I spiunuar, bashkë me shokun e vet Muço Qulli, kapen nga forcat malazeze dhe pushkatohen në Fushë-Shtoi

Çerçiz Topulli në Skrapar

Jo vetëm me gojëdhëna, kujtime gojore ose të shkruara, por ka edhe dokumente, prej të cilëve tërthorazi dalin të dhëna se nëpër fshatrat e Skraparit që shtrihen buzë rrjedhjes së sipërme të Osumit, Çerçiz Topulli me shokë, gjezdisi anë më anë tok me kryekomitët që drejtonin çetat e porsakrijuara me luftëtarë banorë të këtyre katundeve.

Bashkëveprim luftarak atdhetarësh

Kanë qenë të shumta herët që Çerçiz Topulli kalonte për “punë lufte” në krahinën e Skraparit. Në nëntor të vitit 1905, me iniciativën e Bajo Topullit krijohet Komiteti i Fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”. Ky komitet kishte edhe statutin e vet. Atdhetarët dhe krerët e njohur të Skraparit e përkrahën menjëherë dhe pa rezerva këtë komitet. Jo shumë kohë më pas nga mbledhja e Manastirit ku u krijua komiteti, në Teqenë e Frashërit, në vjeshtën e tretë të vitit 1906, u organizua një takim, i atdhetarëve nga Dangëllia, Skrapari, Kolonja, Përmeti. Luftëtarët skraparas u përfaqësuan nga Laçe Backa, Zote Backa, Maliq Mersini, Riza Kodheli, Ahmet Bala, Zylyftar Potomi, Barjam Koprencka, Neim Koprencka, Shuaip Muço Nikollara, Xhelal Koprencka, Ali Lako (Staravecka), Ali Farmaqi (Çepani) etj. Morën pjesë edhe përfaqësues të çetës së Servet Zaloshnjës. Në këtë takim kapedanësh, nga Çerçizi, Laceja dhe Mihali, u diskutua dhe u vendos jo vetëm vazhdimi i luftës pa ndërprerje kundër hordhive turke, por edhe ndihmesa që duhej të jepnin çetat patriotike për hapjen dhe mbrojtjen e shkollave shqipe në këto krahina të zjarrta.

Ishte fryma e këtij takimi që nxiti dukshëm krijimin e çetave të tjera patriotike në rrethin e Skraparit dhe rrethet fqinjë siç qe ajo e Ali Farmaqit (Çepani), ajo e Tajar e Tefik Vendreshës, ajo e Sulejman Spatharës etj., të cilat kishin moton “Ja Vdekje, ja Liri”

Veprimtaria atdhetare dhe lufta me armë e çetave në rrethin e Skraparit tashmë zgjeruar dhe përhapur pothuajse në çdo vendbanim, ishte bërë shqetësim për forcat turke. Turqia dërgoi forca të shumta,dhe mori masa të rrepta,por shpërthimi i furishëm i luftës së popullit të Skraparit nuk mund të ndalej. Skrapari kishte qenë e do të mbetej vatër zjarri dhe fole shqiponjash. Këto i njohu mirë edhe trimi gjirokastrit ndaj e gjeti pikëmbështetje të fortë në këtë trevë.

Pse të mos themi edhe atë që ardhja dhe qëndrimi me muaj të tërë i Çerçiz Topullit në Skrapar (dhe për këtë nevojitet të bëhen hulumtime të tjera sepse ai ka qenë , siç thuhet, edhe në Backë, e gjetkë, deri në Vakëfe), ka ndikuar dukshëm jo vetëm në forcimin e miqësisë dhe ndjenjës së atdhetarizmit midis njerëzve të krahinave ndërluftuese kundër armikut të përbashkët, jo vetëm për përhapjen e diturisë me anë të abetareve të gjuhës shqipe, por edhe të shtimit dhe forcimit të bashkërendimit të veprimeve luftarake të Çetave patriotike të Skraparit, Kolonjës e Përmetit që ishin krijuar ato vite të stuhishme. Të tilla ishin çeta e Lace Backës, Ali Farmaqit, Tajar Vëndreshës, Sulejman Spatharës, Sali Butkës, Qamil Panaritit, Mehmet Pavarit, Zaim Bubësit, Nexhip Bënjës, Mete Topojanit, Arif Rodenjit, Riza Velçishtit, të cilin vetë Çerçizi, sipas një shkrimi të gazetës “Drita” të Sofjes, e quante “kryekomit i Shqipërisë Jugore” etj.

 

Mik te Hasanajt e Zabërzanit

Duhet të ketë qenë po ai vit, kur trimi mashkullorit vizitonte komitin Bektash Hasanajn nga Zabërzani. Siç tregojnë të moçmit, Hasanajt kanë qenë të kamur për kohën. Tani në ditët tona me krenari flet edhe z.Gëzim Hasanaj njëri prej pasardhësve të kësaj peme familjare, i cili është tepër i pasionuar pas historisë së vendlindjes dhe të të parëve të tij.

Ata kishin bagëti, toka, pyll dhe dy mullinj; ai i Mërqinjës dhe i Hambullit. (Më tej ata u quajtën mulliri i Babait dhe mulliri i Fejziut, kurse tani nuk janë më). Pasurinë e patën vënë me punë dhe forcë, me zotësi dhe mençuri apo siç i thonë fjalës, kishin një farë “bollëku që sjell puna dhe kallaballëku.”

Bektashi ishte komit me prirje përparimtare. Hasmi i tij ishin hordhitë turke. Nuk i duronte dot që të shkelnin në trojet e luginës së Osumit. Një akt trimëror të tij së toku me Mete Malindin e sjell kënga e qëmtuar nga studiuesi i folklorit të trevës skraparase, i ndjeri Neim Mustafaraj:

“Po vjen një bimbash

me tabor nizamë

në dorë mban fermanë

po shtrëngon Skraparë

Ja me jepni Meten

 ja u vura zjarrë

Ne Meten s’ta japim

 ty po ta mbajti

digje dhe Skraparë” .

Edhe pasanikët që kishin bërë pasuri pa djersë, me dallavere, me gënjeshtra dhe që shfrytëzonin deri në palcë të tjerët, fshatarët e varfër, Bektashi i kishte zët. Me bëmat e tij kundër forcave turke të bimbashit dhe për të ndihmuar të varfrit duke ua rrëmbyer e plaçkitur të pasurve, ai ish bërë i dëgjuar në fshatrat e Çepanit, Dangëllisë e më tutje. E thënë në mënyrë figurative, Bektashi e “bënte dollinë zabërzançe”.Për trim nuk ia hante qeni shkopin. I çakërdisur qe edhe në jetën bashkëshortore. Ndër gjashtë martesat, vetëm me një grua shkoi mirë, kurse të tjerat i ndau me fjalë e dyfek. Bektashi ishte i biri i Muhametit, një klerik bektashian bamirës i njohur për ndërtimin e një ure mbi Osum, e cila është edhe sot, atje ku ka qenë, njihet si toponim “Ura e Dervish Muhametit’ dhe me kontribut në Mullirin e Mërqinjës. I bredhur nëpër trevat e Shqipërisë jugore, me një zgjuarsi natyrale dhe me trimëri që imponon, ai krijoi një njësit prej 13-14 komitësh nga Zabërzani e fshatrat për rreth me objektiv kryesor luftën kundër zaptuesve turq. Kjo luftë e njohu atë edhe me Çerçiz Topullin.

Hodo Hasanaj (Zabërzani), (1895-1990), që kish lindur në Zabërzan dhe pjesën më të madhe të jetës e pat kaluar emigrant ekonomik në tre qytete të Francës, tregonte: “…Atë ditë erdhën disa burra, lart në konak, që unë nuk i kisha parë ndonjëherë. Kam qenë 10-12 vjeç por shumë i vockël nga trupi. Njëri nga ata më mori në prehër. Ai mbante një qylaf të zi dhe kishte mustaqe të fisshme… llafosej me babanë dhe pastaj u shtrua sofra me mish të pjekur e plot të mira…Shumë kohë më vonë e mora vesh se ai kishte qenë Bajo Topulli…”

“Herën e dytë, pas ca kohësh, ndoshta edhe muajsh, erdhën Çerçizi dhe Bajo prapë. Shoqëruesit e miqve thirrën para se të vinin te (stani) vatha e dhive, aty nga Hija e Rogut, mbi Hambull: “O çoban, hajde se ka pjellë një dhi dy kecër”. Përgjigja e çobanit ishte: ”Sille, o sille këtu me gjithë kecër”. Ky kod bisedimi donte të thoshte “Thuaji Bektashit se ka ardhur Çerçizi vet i tretë”. Përgjigja e çobanit do të thoshte: ”Hajdeni, bujrëm, se Bektashi po u pret”.

Nga biseda me të ndjerin Hodo, kuptojmë se lëvizjet e Çerçizit bëheshin me masa të forta sigurie e ruajtjeje, paçka se ai e ndjente veten si në shtëpinë e tij. “Në shtëpi, atë natë u bë muhabet i gjatë e i shtruar, për…prita, abrashë, hajdutë, libra, mblesërira,…Për të garantuar Çerçizin se asnjë nga muhabetet nuk do të delte nga konaku”, gjyshi im,-vazhdon tregimin Hodoja, tha: “Kur të heq festen e kuqe unë, atëherë del llafi që këtej”. Kjo do të thoshte “kur të vdes unë”. Por hafijet e kishin bërë punën e tyre. Iu desh Bektashit që të nesërmen pa u feksur mirë, të bënte dyfekun që të kollitej dy herë për të shtënë përdhe atë që desh të spiunonte ardhjen e Çerçizit në Zabërzan.

Çerçizi në librin e Kajmak Rogut

Është tepër interesant dhe me vlera shumëplanëshe fakti që vjershëtori atdhetar Kajmak Xhemal Dingo nga fshati Rog, komuna e Çepanit, vëllai i Tefik Efendi Rogut, në një vjershë të tij në gusht të 1920-s, ku vajtohet vrasja e pabesë e Çerçizit dhe shokut të tij Muço Qulli, botuar në librin e vet “Prapësia, Mbarësia”, evokon një të vërtetë historike që trimi legjendar gjirokastrit Çerçiz Topulli me shokë të çetës që komandonte, ka qenë edhe në Skrapar.  Pa e ngarkuar shkrimin, le të përmendim vetëm dy nga shtatë strofat e asaj vjershe:

”Qajnë malet e Skraparit

Qajnë malet me burime

Motin 907 kujtojnë me rënkime

Kur shëtinte trimi i nderçim

 Çerçiz Topulli me shokë

Ndër malet me gjethe veshur

Duke pirë ujë të ftohtë

Këto mejtojmë e qajmë…”

***

Çerçiz Topulli luftëtar i mirënjohur shqiptar, Hero i Popullit, lindur në Gjirokastër, më 20 shtator 1880 i përket gjithë Shqipërisë. Ai ishte një ndër udhëheqësit më të përmendur të çetave të para atdhetare që luftuan kundër pushtimit turk, në fillim të shekullit XX. Ai ishte një komandant pa shkollë e akademi, pa grada e pa uniformë, por që fliste madhërisht me gjuhën e një luftëtari të paepur për liri e pavarësi të atdheut. Zotëronte aftësi organizative dhe mjeshtëri taktike të atillë që sillte forma e metoda të reja luftimi, të cilat shpinin në fitore, në kushtet e terrenit shqiptar, çka përbën një kontribut të veçantë në historinë e luftës popullore dhe në fushën e historisë ushtarake shqiptare. Ai u vu me zell, dëshirë e pa rezerva në shërbim e në mbrojtje të të parës qeveri shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Vlora dhe luftoi për tërësinë territoriale të Shqipërisë. I spiunuar, bashkë me shokun e vet Muço Qulli kapen nga forcat malazeze dhe pushkatohen në Fushë-Shtoi në afërsi të qytetit të Shkodrës, më 15 korrik 1915, në moshën 35 vjeçare. Për të përjetësuar kujtimin e tyre aty,qysh prej më se 60 vjetësh është vendosur një monument origjinal, një gur monolit shkëmbi i madh me emrat e dy heronjve, që dikur, para një shekulli kanë jetuar e organizuar plane luftimesh edhe në disa fshatra të Skraparit, si në Rovicë, Zabërzan, e gjetiu.

Ilmi S.Qazimi