Ilir Hoxha: Sabri Dyli, “Reaksionari” që me futbollin e tij tek “5 shtatori” do të bënte për vete një qytet

249

Ilir J. Hoxha

Futbolli në Skrapar ka qenë një rast tipik i simbiozës perfekt të futbollistëve vendas me ata jabanxhinjtë. Në historinë e futbollit të ekipit të “5 shtatorit” kontributi i të ardhurve ka qenë i rëndësishëm, por jo më pak i rëndësishëm ka qenë edhe e anasjelltë, ku “5 shtatori” ka qenë një shkollë për rritjen e tyre. Futbollistët; Paulin Ndoja, Gëzim Kasmi, Myfit Kurti, Neim Guri, Fatmir Mersini, Mehmet Xhafa, Petrit Brahja, Hazis Çeço etj., etj., përpos se do ta ngrinin futbollin e “5 Shtatorit” nga ana profesionale por do t’i bënin një reklamë ekselente duke e bërë të njohur në tregun futbollistik të kohës. Rasti i Sabri Dylit është një miksim i këtij fenomeni teksa ai do të ishte më shumë “vendas” edhe pse ishte beratas. Përpos talentit ajo që e bënte specifik ishte se ndryshe nga jabanxhinjtë e tjerë Sabriu nuk erdhi në Çorovodë me valixhe në dorë por për të qenë qytetar i këtij qyteti dhe qyteti ja shpërbleu duke e bërë qytetar të parë. Këshilli Bashkiak në unanimitet të plotë i ka akorduar futbollistit të talentuar Medaljen “Qytetar Nderi”. Talenti, grinta dhe thjeshtësia e bëjnë atë një nga futbollistët më të shquar jo vetëm të “5 shtatorit”, por edhe më gjerë. “Reaksionari” arriti që me futbollin e tij, në një vend tejet të ngarkuar, të ndryshonte mendimin për reaksionarët. Edhe pse nuk i “lejohej” të ishte i mirë, ai me thjeshtësinë dhe talentin e tij, diti të bënte për vete një qytet dhe të zbuste militantizmin e drejtuesve të kohës. Një lojtar universal, që i luante të gjitha pozicionet, mbrojtës, organizator, sulmues i shkëlqyer. Mbrojtës dhe njëherazi një nga golashënuesit e kreut të ekipit të “5 shtatorit” Në dialektikën e konflikteve të të kundërtave, të mirësisë, dëshirës, simpatisë, mërisë, xhelozisë, konkurrencës etj etj, si asnjëherë tjetër nuk më ka ndodhur që shumatorja e të gjithë këtyre të kundërtave të ishte kaq unike sa ky për të shquarin e futbollit beratas dhe skraparas Sabri Dylin. Është një opinion absolut që e klasifikon në ranglistën e futbollistëve më të mirë ndër vite. Historia dhe jeta e futbollistit skraparo-beratas Sabri Dyli do të ishte një nga ato që rrallë mund të gjendej në një rast të dytë. Handikapi do tejkalonte vetveten, sepse atëherë kur minori 6 vjeçar edhe pse do të kishte të atin partizan(Çeta Halim Xhelo), një xhaxha që kishte qenë me Ballin Kombëtar dhe pasuria deri në kufijtë e poshtëm të “gulakut” do të bënte që fshati i tij Dronovic, për të pastruar biografinë, ta largonte nga vendlindja. Do të ishte një nga ato rastet fatlume internuese sepse do të rezultonte me “ngritje”.“Degdisja” për në Berat do të ndihmohej edhe nga indiferenca e pushtetit të atëhershëm, që ishte e zënë me problemet e kohës sikur ai i sigurimit të bukës. Me kursimet dhe të ardhurat që morën nga shitja e bagëtive i ati do të ndërtonte shtëpinë në një nga lagjet periferike të Beratit. Kështu viti 1951 familjen Dyli do ta gjente qytetar të Beratit. Jeta do të vazhdonte në normalitetin e një familje punëtore dhe kokulur. Mungesa e informacionit për futbollin nuk është se do ti ngacmonte ndonjë ndjesi për ndonjë nga idhujt e futbollit vendas apo të huaj, gjithsesi kjo nuk do ta pengonte të ëndërronte. Do të ishte prezent në aktivizimet e rrugicave të qytetit të gurtë me “orar” unik që nga mbarimi i shkollës dhe deri në mbrëmjet e errëta. I pasionuar deri në “çmenduri” me topin dhe futbollin, qytetari i “deklasuar” së bashku me shtatin do fillonte të rritej edhe si futbollistë. Thuhet që një talenti i duhet 99% punë, por unë nuk besoj se kjo ka qenë e vlefshme edhe për Sabri Dylin! Kënaqësinë e parë nga futbolli do ta merrte diku nga mosha 12 vjeçare atëherë kur do të shpallej kampion në kampionatin e lagjeve ku një nga liderët e kalamajve të Lagjes “Gorricë” do të ishte vetë Sabri Dyli. Kjo do të shërbente si nxitje dhe CV për futbollistin e ardhshëm, dhe nuk do vononte kur do ti vinte edhe oferta e paret. Një shoku i lagjes më i rritur mbasi do bisedonte me trajnerin e të rinjve të Tomorit do ti bënte ofertën e parë “zyrtare” duke e ftuar të ishte pjesë e të rinjve të Tomorit. – Për mua ishte një ngjarje e shënuar, krahas se do luaja, do të merrja uniform dhe kjo nuk ishte pak për atë kohë. Ka pasur shumë raste që nga mungesa e uniformës janë djegur mjaft futbollistë të talentuar …– e fillon bisedën mbrojtësi . Do ta niste aventurën futbollistike, në vitin 1958 në moshën 14 vjeçare, atëherë kur që në provën e parë trajner i parë Ibrahim Hoxha do të dallonte tek Sabriu cilësitë e një futbollisti të talentuar. Në krahë të Valentin Karajt, Novruz Hados, Fatbardh Buzit, Andon Zahos etj., futbollistëve që do të shkruanin historinë e FK Tomorit, ishte më minori në moshë por jo në kualitet. Grumbullimi me të rinjtë do ta rriste më shpejt, ndërsa “lirimi” i plejadës së futbollistëve mësipërm nga ekipi i të rinjve do t’ia nxirrte më në pah cilësitë e karakterit dhe ato profesionale.

16 vjeç do të ishte pjesë definitive e formacionit të të rinjve, por do të ishte prezent edhe

në disa të enjte të ndeshjeve të kontrollit të të rriturve. Në vitin 1960 në një miqësore me Flamurtarin, trajneri i shquar beratas Thanas Jançe do ta vinte në të parën provë si “senjor” me të rriturit, ku do të luante një pjesë të dytë brilante, loje. Gjithsesi, kjo nuk ishte pjesë e rastësisë. “I punësuar” me kohë të plotë do të vazhdonte të ishte pjesë e ekipit të të rinjve, por dëshira shikonte lartë. Sadisfaksioni i radhës do të vinte kur do të ishte kampion i të rinjve të Tomorit që në takimin final të Kat.II, Apollonia – Tomorri 0 – 2, përpos se do ishte lider i asaj fitoreje, do të shkelte për herë të parë edhe tapetin e kombëtarit “Qemal Stafa”. Këtë Sabriu e tregon si ngjarje…! Vitet iknin ngadalë, ndërsa Dyli ecte me ritëm tjetër. Viti 1962 dhe takimi miqësor Tomori – Vllaznia do të bënin shkëputjen përfundimtare si futbollist “part-time” me të rriturit sepse trajneri Jançe do ta thërriste “nën armë” me ekipin e madh dhe në krah të të shquarve të kohës Astrit Ziu, Ajet Hoxha, Flamur Kullari etj. Me “mantelin” e futbollistit të Tomorit do t’i bashkohej grumbullimit në malin e Dajtit. Aktivizimet nuk përbënin më “lajm” sepse Dyli me paraqitjet e shkëlqyera ishte bërë idhull i tifozerisë dhe padyshim edhe thjeshtësia ja rrisnin aksionet për të qenë i tillë. Në historinë futbollistike arshivat, statistikat dhe gojëdhënat flasin për një nga “Tomorët” më të mirë, atë të viteve ’63-’67, ku pjesë e padiskutueshme ishte S. Dyli. Si asnjëherë tjetër, bashkë me Dylin, në vitin 1964 ekipi i Tomorit do të shkonte deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, me Partizanin e P. Panos. Vetëm pak kohë më vonë po në Tiranë, për kampionat Tomori do t’i merrte një barazim të rëndësishëm Partizanit dhe S. Dyli do të shkëlqente duke befasuar komentatorin e famshëm Andon Mazreku, që unë në ligjëratë të drejtë po e citoj – “Tomori është skuadër simpatike. Ai sot nuk është në shtëpinë e vet. Ai kërkon t’i marrë revanshin Partizanit, pas humbjes së finales 3 – 0 në Tiranë për Kupën e Shqipërisë. Po më tërheq vëmendjen një djalosh i shkathët, energjik, i cili e ka bllokuar plotësisht sulmin nga e majta. Është Sabri Dyli, futbollist elegant, që pasi u rrëmben topin sulmuesve, bëhet shkëndijë e sulmit nga krahu…” – Ishte më shumë se një sfidë, isha i vogël për të marrë një detyrë të tillë dhe akoma më të vogël më bënte edhe madhështia e Panajotit. Partizani i madh, stadiumi plotë, fama e Panos aq sa e mbushën qenien time me frikë aq edhe me besim dhe optimizëm. Isha koshient se përpara këtyre epërsive unë nuk kisha se çfarë të humbja, por – vazhdon mbrojtësi beratas .- mbaj mend që Panajoti ishte shumë i thjeshtë dhe i sjellshëm, kjo më dha kurajë që të isha i përqendruar dhe pse jo, them se e bëra i mirë atë detyrë edhe pse Panajoti ishte i jashtëzakonshëm – do të shprehej mbrojtësi për atë takim që do ta fuste në listën e futbollistëve të lakmuar.

Paraqitja e tij i kishte kaluar të gjitha pritshmëritë dhe tashmë S. Dyli ishte një nga futbollistët e njohur jo vetëm në Berat por më gjerë. Talenti,karakteri, thjeshtësia, grinta dhe serioziteti do ta bënin S. Dylin të njohur dhe idhullin e tifozerisë beratase. Tetori i vitit 1966 do të rezultonte fatal, për yllin në ngjitje. Atëherë kur gjithçka fliste vetëm për sukseset e S. Dylin, diku, fama e një “reaksionari” xhelozoi dhe me një goditje killeri do t’i ndërpriste në kulmin e tij karrierën një futbollisti talent. Përtej çdo logjike “shokët e partisë” nuk do të lejonin që një i deklasuar t’ju rrëmbente famën e “sukseseve”dhe do të shkatërronin gjithçka në karrierën e një futbollisti që për faj kishte se një xhaxha i tij kishte qenë i deklasuar. Pa asnjë shkak, pa asnjë arsye do ta rikthenin familjarisht andej nga kishin ardhur. Çuditë nuk kanë kufi, kur partia e largoi nga fshati si të deklasuar, tashmë do ta internonte Berati me të njëjtin motivacion duke e çuar në Dronovic …! Përjashtimi do të hutonte një qytet të tërë që për detyrë kishin heshtjen dhe pakënaqësinë duhet ta shprehnin vetëm në pëshpërimat e kafeneve. Dyli tregon se, vendimin ma komunikoj magazinier Vangjua teksa me plot lot dhe dhimbje, do të më thoshte përpara se të zhvishesha për stërvitje – Sabri, mos u zhvish, më kanë dhënë urdhër që të dorëzosh teshat.- Nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte, aq tepër që me Vangjon bënim shumë shaka, por nuk ishte aktrim. Ishte e vërtetë. Unë nuk do luaja më futboll…. Nuk po më mjaftonte halli, por më vrau shumë edhe dhimbja e Vangjos, gjithsesi më duhej ti jepja kurajë vehtes.- tregon Sabriu i zhytur në ato kujtime të thella 54 vjeçare – Për hir të së vërtetës më pas mësova se shkaku paska qenë paraqitja e dobët në takimin, Tomori-Vllaznia 0 :1 që ne e zhvilluam në fushën e aviacionit në Kuçovë. Kujtoj se një ngatërresë me portierin Karaj që unë nuk e mendoj se kisha faj na kushtoi golin e vetëm të ndeshjes. Gjithsesi këtë do ta besoja nëse trajneri Jançe do të ma komunikonte në analizën e ndeshjes. Jam i sigurt që përjashtimi im kishte kohë që ishte shkruar sepse nëse do të ishte ky rast, ku e dinin ata që unë do paraqitesha dobët…! Komunikimi m’u bë që të nesërmen dhe menjëherë jemi nisur. Edhe 5 gola të kisha shënuar përsëri do të ishte “gabim” që do vlente për t’u internuar. Jemi shpërngulur si familje për në Dronovic. Ishin momente të vështira por që kërkonin forca për t’u kaluar. Goditja po vinte nga të gjitha krahët, shikoja që edhe njerëzit druheshin të më flisnin, ndërkohë që isha ushtar në Starovë menjëherë më transferuan në xhenio, në Sopot të Librazhdit – tregon 74-vjeçari.

Një tentativë e frikshme e trajnerit të famshëm Sabri Peqini, që në atë kohë trajnonte Labinotin e Elbasanit do t’i ngjallte një shpresë, por…., askush nuk guxonte . I deklasuari duhet të merrte dënimin e merituar… Lirimi nga ushtria në prill të ’68 do ta gjenin në fshatin e lindjes në përpjekje për të gjetur mundësi jetese. Pranvera e këtij viti do t’i jepte shpresën se jo gjithçka ishte mbyllur. Një nga të njohurit e tij Rakip Kërri tifoz i “5 shtatorit”, do të raportonte tek “menaxheri” i ekipit z Hekuran Hajdini se futbollsti ishte i lirë. Menjëherë do ti çonin lajmin dhe Sabriu do të nisej për në Skrapar në qershor të vitit 1968. Lajmi kishte mbërritur më shpejt se Sabriu në Çorrovodë dhe atje do të ishte nën mikpritjen befasuese të një populli të tërë që do i duhej të dilte nga parimet për të respektuar një “reaksionar” kaq të mirë ! Të gjitha strukturat ishin në këmbë dhe Dyli do t’i falte të gjitha peripecitë e jetës përballë kësaj mikëpritje.

Në Çorrovodë vija për herë të dytë –tregon Sabriu. – Kam qenë diku nga shtator i vitit 1966 atëher kur isha ushtar në Starovë dhe reparti ku bëja ushtrinë erdhi për të bërë një miqësore me ekipin e “5 shtatorit” 1 – 1. Të them të drejtën nuk pata ndonjë ndjesi atë radhë, sepse duhet të kuptoni që erdha dhe ika flash se duhet të nisesha për në stërvitje me ekipin. Mikpritja më vuri para përgjegjësisë, çka do më duhej të jepja përtej vetes për të justifikuar atë vlerësim. “Sekretari i parë”, sikur i thoshim ne Hekuran Hajdinit do më gjendej pranë dhe jam sistemuar aq mirë dhe shpejtë sa nuk gjej fjalë. Ishte fat për “5 shtatorin”, por më shumë për ne jabanxhinjtë që kishim një person kaq të gjendur. Ishte një dashamirës i futbollit person pozitiv i drejtë dhe i fuqishëm.. Futej kudo për të bërë mirë. ..Në Çorovodë ne futbollistët ishim figura publike, dhe kishim një interesim nga drejtuesit e lartë të rrethit. Kur po sistemohesha me H. Hajdinin, për t’ju mburrur, më çoi te një drejtues i lartë D. Nuellari. Ky kishte dëgjuar për mua dhe priste të isha ndonjë trup madh dhe sa e prezantoi Hekurani tha

– Po ti qenke S. Dyli, po unë të mendoja ndonjë kolos, po ti qenke i vogël fare. Ashtu si kudo por veçmas në Skrapar gjithçka lidhej me futbollin dhe unë e pata këtë fat që të isha pjesë e futbollit. Më kanë bërë shumë ndere më dhanë shtëpi, që nuk ishte pak, kategoritë e punës etj etj. Kam vajtur në Çorovodë në atë kohë kur Skrapari sapo kishte filluar të bëhej faktor në futbollin e kategorisë së II. Aktivizimi i G. Kasmit, P. Ndojës,në fillim dhe më pas e futbollistëve Xhafa, Brahja, Mersini et.,j ishte një bonus i madh për futbollin e këtij qyteti. Kemi qenë një ekip solid ku ndërthurja e futbollistëve vendas me ata jabanxhi u natyralizua në mënyrë harmonike. Nga Skrapari unë kam përjetuar të dy anët e medaljes atë të kënaqësisë së pamasë, por edhe të kundërtën, por nuk di që të ketë ndonjë futbollistë që të ketë luajtur futboll në Skrapar dhe mos të ketë mbresat më të mira të jetës së tij. Ishim aq të vlerësuar sa nuk mund ta shpreh dot..- do të përfundonte S. Dyli

Ardhja e S Dylit do t’i jepte një ritëm tjetër zhvillimit të futbollit jo se nuk e kishin dhënë apo se jepnin jabanxhinjtë e tjerë, por sepse Sabriu kualiteti dhe thjeshtësia e tij u shkri lehtas me tifozerinë vendase. Në vitet 1970- 73 kishim në ekip një grup futbollistësh vendas dhe të ardhur shumë të talentuar kështu F. Hasko, M. Baze, R. Idërshaj, M, Xhafa, H. Ibro, A.Korçari, A.Qafa, G.Sulçen, H.Koprëncka, F. Mersini, P. Brahja, M.Bregu etj., mund të luanin në cilindo ekip të kategorisë së I. Mundësia më ka dhënë rastin të përjetoj shumë emocione futbolli, por takimet me super Shkëndinë e V. Zërit, A. Bulku, P. Gjoni. M. Gurma, A. Sula etj., etj., të viteve 1970-’71 është vështirë për t’i harruar. Kemi qenë të barabartë 0 : 0 në Çorovodë dhe 1:1 në Tiranë, jo vetëm në rezultat por në të gjitha komponentët. Ndoshta mund të kemi qenë ndër të pakta ekipe që I kemi bërë rezistencë dinjitoze Shkëndisë. Ashtu sikundër “derby”_et kanë ngarkesat e tyre, për ne kanë qenë të vështira por “vëllait” të vogël Poliçanit ia kishim marrë dorën edhe pse ai ka qenë një Partizanë B në përbërje. Fillim i kampionatit ’71-’72 do të na gjente “mysafir” në shtëpinë tonë në Poliçan, më shumë se përmbysja e rezultatit sikur thuhet tani 1-2 dhe rezultatit (1:0; 1 : 2) ajo që nuk më shqitet nga mendja ka qenë ajo mbështetje e jashtëzakonshme e tifozerisë tonë që kishte ardhur me mjete dhe në këmbë 30 km për të na mbështetur. Fitorja na dhuroi “statusin” e heronjve në një pritje të jashtëzakonshme në Çorovodë. Ky kampionat na gjeti nga kreu I klasifikimit, por jo përpara Naftëtarit, të Kuçovës kryesues dhe Shkëndisë. Mbas një viti ’72- ’ 73 këtë “resto” do t’ia jepnim edhe Tomorit në një stadium të mbushur me vendas por jo më pak ishin nga “tanët” .Kemi qenë shumë në formë dhe me besim. Barazimi 4 : 4 ka qenë më se i merituar. Për paraqitjen dinjitoze si rrallë herë në Berat kemi marrë duartrokitjet e publikut beratas. Më kujtohet kur gjyqtari korçar F. Pupa, na ka përgëzuar në fund të ndeshjes dhe do të na thoshte – Unë mendova se si Skrapar do rriheshit 4 :0, por ju luajtët shumë bukur. Bravo ju qoftë! Në fazën e dytë në Skrapar takimi ka qenë edhe më i bukur, sepse Tomorit i duhej fitorja. Fati e desh që ekipin e Tomorit ta ndëshkoja unë me një gjuajtje gol që do ti shkarkonte nervat portierit Shefa. Përsëri 1 : 1 …

Peripecitë për Sabriun do të kishin “llogaritur” edhe një seri të dytë, teksa ashtu sikur në persekucionin e parë, edhe këtu do të goditej kur ishte në kulmin e karrierës dhe suksesit, kur gjithçka në Çorovodë lidhej dhe dridhej rreth Dylit, do të vinte goditja fatale për karrierën dhe jetën e futbollistit trajner. Klanet e brendshme të kupolës dhe përplasjet personale për t’u bërë më të besueshëm, ju duhej ta ngjyrosnin edhe me pak të deklasuar, goditjen e planifikuar. “Klani” kishte llogaritur që për të arritur qëllimin personal të godiste edhe një “grupi armiqësor të deklasuar” pjesë me patjetër e këtij grupi duhet të ishte edhe një “reaksionar”. Shkelja prej 4150 lekësh, kur të tjerë kolegë e kishin bërë këtë shkelje me 10.000, apo 15.000 lekë me kuponët e ushqimit do të përzgjidhnin vetëm Sabriun si shkelës. Mosha më ka dhënë mundësinë të isha dëshmitarë i atij tmerri. Ndonëse nuk e kuptoja atëherë se për çfarë flitej por “gijotina” ishte më e tmerrshme se ekzekutimi në stivën e druve. “Tradhtarët” duhet të bëheshin shembull dhe në një “paradë” përpara një “stadiumi” me njerëz duhej të demaskoheshin…Ka qenë një nga ato raste që ka frikur të gjithë. Nuk mund ta kuptoj tani atë heshtje të Sekretarit të Parë, të Kryetarit të Komitetit … edhe sot mbetet një enigmë pa zgjidhje…. Do dënohej nga absurdi, 1 vit ku një ndihmë të jashtëzakonshme i dha gjyqtari liberal, Refat Aliaj. Bulqiza do të ishte “ekipi” i radhës, fama e futbollistit kishte shkuar edhe në galeritë e saj. Burgu është burg dhe nuk ka të mirë, por robi bënë si të gjej- tregon Sabriu, por aty pashë një të burgosur me 3 vjet sepse kishte imituar një nga udhëheqësit e kohës (K Hazbiun), kjo më “qetësoi” pak. Paska më keq- thashë. Në fund vitin e vitit 1974 do të rikthehej sërishmi në Skrapar ku do të gjente të njëjtin respekt dhe vlerësim nga populli i thjesht i Skraparit por jo vetëm. Edhe pse i shkëputur talenti i tij do ta bënte të barabartë në ekip ku do të jepte kontribut edhe për disa vite me ekipin si futbollist dhe si trajner i ekipit “5 Shtatori”.

Prononcime

Mehmet Xhafa: Jeta futbollistike të fal dhe të merr shumë sadisfaksione, por për mua të trajnuarit, të luajturit pranë një personaliteti kaq të lart si S. Dyli ka qenë një fat që më dha forcë dhe shtysë për karrierën e mëtejshme. .

Fatmir Mersini : Një trajner që nuk u krijonte presion futbollistëve, nuk krijonte grupazh ishte i drejtpërdrejtë, ishte harmonik me grupin por mbi të gjitha një njeri i shkëlqyeshëm.

Avdyl Korçari : Nuk ka diskutim që S. Dyli është një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave. Ishte një lojtar universal, aq sa i mirë ishte si mbrojtës, po kaq bukur e bënte organizatorin dhe akoma më shumë ishte sulmues dhe golashënues i shkëlqyer. Respektin nuk ta diktonte vetëm si njeri i mirë, por edhe si profesionist i shkëlqyer. Unë jam mik i vjetër me Sabrinë, po me gjithë ato peripeci që kaloi si nuk shfryu njëherë mllef ai njeri…! ? Njeri i jashtëzakonshëm. Faleminderit Sabri Dyli, për gjithçka që ke dhënë për ne.

Aurora Ajdini (USA): Faleminderit që na risillni këto legjenda të futbollit që mbartin kujtime dhe emocione shumë të bukura. Në qytetin tonë e diela pas dreke mbushej me meshkuj dhe femra që drejtoheshin tek fusha për të ndjekur “5 shtatorin”, skuadrën tonë të zemrës. Rruga për te konvikti ishte edhe “tribuna” jonë, e femrave aq të emacipuara si askund në qytete e tjera të Shqipërisë. Sabri Dyli ma i miri që së bashku me të tjerë na bashkonin të kalonim një të diel ndryshe në qytetin tonë.