Ilir BALILI/ Për atdhetarin, luftëtarin e partizanin trim Gole Mërtiri

996
Sigal

Nderim për trimat atdhetarë në kuadër të 9 Majit, ditës së fitores mbi nazifashizmin

Diku anës Vjosës së pagjumë dimër-verë ndodhet Peshtani i dëgjuar, pranë grykës historike të Mezhgoranit, pikërisht atje, ku merr udhë rrjedha e lumit më të njohur në trevat e Jugut të Shqipërisë, Vjosa e lashtë, ky lumë me emër bije që buron thellë maleve të Pindit, bën pjesë në lumenjtë më të krisur e kokëshkretë, fort të rrëmbyeshëm, që popullsia e atyre anëve e dëgjuar me histori të çuditshme patriotike, ja ka dëgjuar këngët e vajet e jetës, por ja ka parë shpesh edhe sherret me përmbytje e dëme, duke dalë jashtë kontrollit këtej e matanë kufirit formal shtetëror me fqinjin Jugor, Greqinë.

Fakt është se Vjosa me malet përreth, me terren fort të thepisur, ka lënë gjurmët më epike, me historitë e ngjara të shkruara, por edhe për të tjera ende të pathëna. Me sa duket, këto episode epike legjendare, të njerëzve të atyre anëve, përbëjnë edhe krenarinë më të dukur kombëtare, ku u ndez zjarri dhe u përkund ëndrra e rilindjes sonë, e cila ka mbetur e do të mbetet në piedestalet e kujtesës më të vyer të kombit tonë, me fat gjithherë dramatik. Faktet flasin me gjuhën e zemrës, se grykat e Vjosës kanë parë e dëgjuar shumë gjëma e zgjime të vetëdijes kombëtare kryengritëse me ndriçime kurdoherë në ballë të historisë. Breza të tërë stafetë, nëpër shekuj faqendritur kanë ideuar e ndezur zjarre kryengritjesh për liri, ku u shquan dëshmorë të mëdhenj, që me vëllezërit Frashëri e të tjerë apostuj të shqiptarizmit. Vjosa dhe  njerëzit e kësaj treve krenare, si dëshmitarë, kanë gdhendur në kujtesë dhe kanë qarë e kënduar me Laver Bariun me shokë, hallet e dertet dhe kanë kënduar plot elegji për fatet e Atdheut, që dëgjohen edhe sot e kësaj dite për vetëdijen e rezistencën, për trimëritë e bijve e për hiret e virtytet e bijave, që ishin bërë njësh për mëmëdheun aty e kudo që ishin në mërgim

Pikërisht në këtë terren të ndezur patriotik e djep të rilindjes kombëtare, lindi e u rrit edhe një bir i atyre anëve me emrin Gole Mërtiri, i cili do të shquhej në periudhën e zaptimit të vendit nga okupatori nazifashist. Ai rridhte nga një sua me tradita të lashta atdhetare ortodokse, që nuk e ndërroi fenë gjatë pushtimit otoman. Dhe lutjet ndaj Zotit i bënte vetëm në gjuhën e nënës, me shqipen e kulluar. Gole Mërtiri me shokë, është ndër të parët djem që kuptuan gremisjen e fatit të Shqipërisë më 7 prillin e vitit 1939, atëherë kur mbreti dhe mbretëria në vend që t’i dilnin zot Atdheut e të mbathnin opingat për të dalë në mal, i kthyen krahët duke e braktisur pikërisht atëherë kur Atdheu kishte nevojë për bijtë, kur ishte në zgrip të copëtimit. Ndaj Gole Mërtiri në krye të punëtorëve të ndërtimit, vendosi të bënte atë që kishte në shpirt, të protestonte hapur kundër fashizmit italian. Mbahet e do të mbahet mend përherë, gjesti i tij i shquar patriotik, kur ngriti zërin tek ura e Bënçës në Tepelenë në prezencë të autoriteteve fashiste, ku do të protestonte: – Ta dini se shqiptarët nuk shiten për 5 lekë. Poshtë fashizmi që na ka zaptuar e na kanë zënë frymën!… Në këto rrethana këmishëzinjtë e kapën dhe e prangosën xha Golen, por jo shpirtin e tij, duke e shpurë tek vendi, ku syrgjynosej trimëria e kohës, në burgun kala të Gjirokastrës. Që nga ky çast familja e tij me tradita të hershme patriotike, do të vihej  në rreth të kuq nga italianët e më pas edhe nga nazistët gjermanë. Kështu do të vijonte përndjekja e tyre me vite, kur në operacionin e dimrit 1943-1944, do të masakronin edhe të atin e tij Kiço Mërtiri, duke e vrarë e hedhur në një greminë Buzës së Savës. Dukej sheshit egërsia e bishës  së gjakosur naziste, kur këtë njeri e veçuan përpara fshatarëve për ta bërë shembull terrori ndaj të tjerëve. Kështu Kiço do të mbetej ndër dëshmorët e parë në Tepelenë dhe do të dergjej i pajetë, diku anë Vjosës, për të dëgjuar rënkimet e pëshpërimat e lumit.

Vite e vite më vonë, Gole Mërtiri do të kujtonte plot brengë ikjen nga jeta të babait me sy të përlotur: – Me këto duar, bashkë me Katerinën, time kunatë, e varrosëm babanë, që nazistët ma torturuan në fillim, pastaj ma vranë. Ja, kështu ja bënë nazistët këtij mëmëdhetari të çartë, këtij antifashisti të zjarrtë. Po lufta ishte ende në kulm, kur i dogjën edhe shtëpinë që ishte ndër bazat e lëvizjes çlirimtare, çka i ndezën më tej zjarrin e urrejtjes ndaj tyre dhe kësaj të lige që i vuri zjarrin e flakën gjithë Europës. Nëpër tmerre lufte Gole Mërtiri dha të tjera kontribute të shquara patriotike, por kurdoherë ai mbeti i thjeshtë, njeriu idealist, me filozofinë e mirësisë zinxhir, pa kërkuar merita e grada si një pasonjës i denjë i rilindjes tonë. Edhe pas çlirimit ai do të ishte Golja i parë, pse ai e brezi i tij besonte se ishin lajmëtar të një erë të re, ku do të modelohej një Shqipëri demokratike, pa shtypje e shfrytëzim, me një drejtësi të kulluar, me breza të shkolluar, me jetë gjithnjë e më të mirë…

Dhe për këtë ëndërrim, ai si plot të tjerë do të sakrifikonte, duke bërë gjithçka mundi për mirësinë e vendit hallemadh. Por vendi shpëtoi nga pushtimi. Erdhi liria. Kjo ishte e para. Po ashtu siç vjen jeta plot dallgë, xha Gole pati prapë helme të tjera, që s’mundi të ngushëllohej aq lehtë. Bija e tij, fëmija e parë do të këputej nga jeta fare aksidentalisht, duke mbledhur fletë dafine buzë një shkëmbi, ku rrëshqiti e ra hë humnerë, për të mbetur vetëm rënkimi i saj prej filize. Dhimbja për bijën, Frosinën engjëllore, ia çau qiellin e zemrës së tij qaro. Edhe vite më vonë ky njeri, shok i luftës i heroit vlonjat Teli Ndini, do të pësonte telashe e dëshpërime, nga ca palo “pashallarë” e shpirtserë, duke e hequr nga puna veteranin e dëgjuar, por përsëri Gole Mërtiri nuk e dha veten, nuk e uli krenarinë e dinjitetin e formuar e vënë në provë kaq e kaq herë. Vlerën dhe peshën e diturisë së tij, ky burrë me shpirt filozofi, i rrahur e argasur fort nga jeta, do ta dëftonte për të mbetur në kujtesë të atyre që e njohën së afërmi, por edhe për të tjerë që dëgjuan vasijet e diturisë së tij. – Vetëm burimit nuk i mbahet mëri, more djem.  Edhe Vjosa do të mbetej përrua pa gurra e burime; apo: mos u vini re njerëzve që mburren e gënjejnë, se ata korrin mbi kalli; nderi është si qelqi, që thyhet e nuk qepet me penj. E plot të tjera… Ky antifashist i bindur, me sedër të përveçme, që e kishte merak shkollimin, i dërgoi të bijtë në shkollë, ku ata bënë vetë përpjetë me meritë, gazetarë të shquar e diplomatë, duke përfaqësuar atë denjësisht, duke marrë prej xha Goles diturinë, guximin atdhetar e mirësinë, duke u bërë mjaft të dobishëm për Atdheun, pse ata ishin degë nga trung me tradita të  përmendura. Ashtu i thjeshtë xha Golja erdhi e banoi për ca kohë në Tiranë, por mendjen e kishte atje në Peshtan në Tepelenë, sa të shprehej i kursyer: – Kot më sollët në Tiranë, u mbylla  në kafaz. Me del në ëndërr Vjosa, Tepelena, miqtë e shokët, më del Goliku, gryka e Këlcyrës flas shpesh me erën që fryn me ulërimë…

Gole Mërtiri në maj të vitit 1983 mbylli sytë i qetë e i qartë, por përbrenda shpirtit të këtij antifashisti llagar, pati edhe plot pengje e mërzi. Pse njeriu sidoqoftë në jetë edhe vuan kur ndodhet i rrethuar nga halle, drama e hilera, me zilitë e kuçedrës syjeshile, që shpesh siç thotë diku Shekspiri, të hanë mësysh. Por ky njeri, modeli i veteranit shembullor, asnjëherë nuk mbajti mëri. Do të qëllonte vite më pas, që i biri i tij, gazetari i  mirënjohur Kristo Mërtiri, të shkonte në mërgim, i cili kurrë nuk do ta harronte babanë, por do të derdhte mbresa e vargje të stolisura: Endem tej në breg tek deti,

kush ja shkurtoi jetën tim eti/ apo: Kush më pret në grykë të Vjosës/

kush më pret në Shqipëri/, Dhe kush në përcjell i fundit/,

Vetëm shpirti im e di …

       * * *

Jeta dhe veprimtaria e këtij antifashisti, ishte pa qibër, e artë, e  panjollë, dinjitoze e kurdoherë e sakrificës, do të mbetet gjallë, si një figurë me vlera për t’u krenuar brezat që vinë, për ata që i ndryshuan faqen feudale Shqipërisë dhe ruajtën atë nga copëtimi i fqinjëve. Për veprimtarinë e gjerë e të gjatë të këtij patrioti,  Tepelena e traditave më të mira atdhetare  nuk do ta harronte  Gole Mërtirin, duke vlerësuar” Qytetar Nderi “ (pas vdekjes) përkrah figurave të tjera të ndritura të kombit…