Ikona e RTSH, Virgjil Kule

1321
Sigal

Si e theva tabunë dhe transmetuam rënien e bustit e Enver Hoxhës në RTSH. Leximi i lajmit të parë në moshën 17-vjeçare, emisionet italiane, dorëheqja nga televizioni dhe kërcënimet si “heretik”

DOSSIER/ Rrugëtimi i  rrallë i  RTSH

 

Në kuadrin  e dosierit  “Historia e rrallë  e RTSH”  tek lexuesi  do përcjellim intervistat e zhvilluara para 8-vitesh me personalitete  që hodhën themelet  e RTSH dhe u rritën bashkë me të. Këto intervista të ruajtura në arkivin e gazetës “Telegraf” dhe përbëjnë një thesar për këtë  historik kaq të rëndësishëm të së vetmes radio dhe televizion deri në vitin 1991.

 

Intervista/ Flet  Virgjil Kule: Që të mësoja rreth televizionit, ndiqja rregullisht emisionet e televizionit italian

– Vdekjen e Enver Hoxhës e kam lajmëruar unë, si spiker në TV, në një atmosferë zije të përgjithshme

02-Si theva tabunë dhe transmetuam rënien e bustit të Enver Hoxhës në RTSH

03- Isha vetëm 17 vjeç kur kam lexuar lajmin e parë dhe paradite shkoja në gjimnaz

 

Albert Z. ZHOLI

 

Shqiptarët ndoshta e ruajnë të freskët në kujtesën e tyre zërin magjik të Virgjil Kules në TVSH gjatë transmetimit të lajmeve. Zë i cili edhe sot i mungon edhe televizioneve më prestigjioz. Sipas folësit dhe regjisorit të talentuar Dhimitër Gjoka, zëri brilant i Virgjil Kules, mbetet si një meteor i rrallë me një ngjyrim të veçantë në radhën apo armatën tashmë të shumtë të folësve shqiptarë.

-Ju keni mbaruar për gazetari, si e gjetët në momentet e para TVSH, dhe a kishit njohuritë e duhura për gazetarinë televizive? Si ishin ambientet e TVSH në momentet e para të punës tuaj dhe puna e përbashkët me kolegët për një TVSH bashkëkohore dhe profesionale?

-Në fillim televizioni m’u ofrua si një hobi. Isha vetëm 17 vjeç kur kam lexuar lajmin e parë dhe paradite shkoja në gjimnaz. S’kishte shumë televizorë në Shqipëri. Audienca qe shumë e pakët. Më dukej sikur më ishte shtuar edhe një version tjetër loje që quhej televizion. Vetë ky televizion ndodhej në ish bufenë e Radio Tiranës, me shumë pak aparatura dhe shumë pak njerëz. U bëra shpejt pjesëtar i një grupi entuziastësh që po fusnin diçka të re në Shqipëri. Kjo më jepte kënaqësi të madhe dhe më bënte të shkoja në atë cep godinë duke fluturuar 3 herë në javë, se aq transmetonte. Pastaj filluan investimet dhe televizioni pati bumin e tij. Unë u bëra dëshmitar dhe pjesëtar aktiv i të gjitha fazave të këtij bumi. Nga thjesht hobi, televizioni u shndërrua për mua në të vetmen pikë referimi për jetën. Aty fillonte dhe aty mbaronte bota ime, veçse ishte një botë shumë e gjerë për kohën sepse ajo bashkëvepronte me ajkën e inteligjencies shqiptare dhe me përvojën e Rai-t që ishte shembulli ynë profesional.

Ofertës së këtij mjedisi interesant unë iu përgjigja në mënyrë praktike. Mbarova studimet për gazetari, u përpoqa të përsos rolin si spiker dhe të realizoj vetë emisione të përjavshme, të cilat, nga sa më thoshin teleshikuesit, pëlqeheshin shumë. Ndiqja rregullisht emisionet e televizionit italian dhe, ashtu si shumë kolegë të mi, mundohesha të aplikoja në emisionet e mia teknikat e tyre krijuese. Nuk hoqa kurrë dorë nga puna praktike e të gjitha fazave të krijimtarisë nëpër të cilat kalon një emision televiziv. Kështu mësuam unë dhe kolegët e mi. Mbaj mend p.sh. kur diskutonim teknikën e montazhit kryq që e kishim parë asokohe në Rai dhe eksperimentet që bënim në maviole me Ismailin, Nadian, Florën, Rezartën, Pranverën, etj.

-Gazetar, folës, drejtues emisionesh, skenarist, ku ndjeheshit më i realizuar në gjithë ato vite pune në të vetmin institucion të medies vizive në Shqipëri?

-Në tërësinë e këtyre elementeve, nuk mund të veçoja asnjërin prej tyre dhe mendoj se koha më dha të drejtë. Sot ky lloj krijuesi televiziv dominon kudo në botë. Njeriu idenë e vet e koncepton dhe mundësisht e realizon deri në hallkën përfundimtare. Sepse në procesin e realizimit të një emisioni, sidomos të dokumentarit, sa më pak transferim mendimi të ketë aq më pak firo ka ideja fillestare. Në televizione ritmi i punës është shumë i shpejtë dhe kalimi nga një hallkë në tjetrën (ide, skenar, xhirim, montazh, postproduksion etj.) është mirë të mbetet në sa më pak duar në kuptimin e ruajtjes së origjinalitetit në konceptim.

-Vjen një moment dhe Virgjili bëhet Drejtor i TVSH. Pra gjithmonë lëvizjet tuaja të karrierës brenda një institucioni kaq të rëndësishëm të asaj kohe. Ky pozicion a e ndryshoi natyrën e punës, kërkesës, komunikimit me vartësit dhe me ish kolegët të Virgjilit?

-Ky pozicion, që mendoj se erdhi natyrshëm, mbi baza profesionale, ndryshonte vetëm një gjë: këndvështrimin ndaj TV-së. Tani duhej të merakosesha jo vetëm për performancën time, por për performancën e gjithë institucionit. Kush ka parë filmin Provë Orkestre të Federiko Felinit, me siguri kujton se sa shumë ndryshojnë këndvështrimet sektoriale nga ato globale. Ju vura punës në këtë drejtim. Më kujtohet që porositëm disa materiale didaktike nga BBC të shoqëruara me video. I përktheva vetë dhe me to u organizuan një sërë kursesh kualifikuese në televizion.  Me kolegët nuk ndryshova asnjë sjellje apo qëndrim, por organigrama e institucionit bëri punën e saj. Ndjeja se fjala dhe mendimi im kishin më tepër “peshë” sidomos tek disa tipa që mendimin e “zgjuar” e presin vetëm nga lart. Sa për profesionistët e vërtetë qe ishin jo pak, me ta shkëmbeja mendime të çiltra në dobi të punës  tonë absolute barazie dhe mirëkuptimi. Asnjëherë s’më është dashur të tregoj se “jam unë drejtori këtu” as para kolegeve dhe as para të tretëve. Bile publiku përgjithësisht nuk e di që unë kam qenë për gati një dekadë drejtor i këtij institucioni. Të gjithë më mbajnë mend nga roli im si krijues në ekran prej të cilit nuk hoqa dorë asnjëherë.
-Disa nga momentet më të vështira dhe më të gëzuara në këtë institucion?

-Kur punën e bën me pasion dhe dashuri, ajo përgjithësisht të jep veç sadisfaksione.

Asnjë moment veçanërisht të vështirë nuk kam pasur në TVSH.  Edhe kur u largova teknikisht përjetova disa momente normale pasigurie të një njeriu që s’e kishte imagjinuar ndonjëherë veten jashtë asaj çatie dhe që nuk e kuptonte dot sidomos krijimtarinë e tij pa veglat e kushtueshme të televizionit. Nuk kisha më as studio, as kamera, as ekran, as pajisje montazhi, asgjë. Unë isha mësuar e krijoja vetëm nëpërmjet tyre.  Më dukej vetja si ushtar i çarmatosur para një beteje të madhe. Nuk ma zinte syrin asnjë lloj pune tjetër nga ato që bëra si punonjës i organizatës humanitare “Mjeku pa kufi” (përkthyes, ekonomist deri edhe drejtor administrativ misioni).  Kjo ndjesi më ndoqi deri në mes të viteve ’90 kur të gjitha këto pajisje m’i vuri në dispozicion organizata në fjalë për të cilën pastaj punova disa vjet me radhë në shumë vende të botës si dokumentarist. Nuk e harroj kurrë gëzimin që ndjeva kur po zbërtheja ambalazhet e kamerës  Sony VX1000 dhe të pikës së montazhit jo linear FAST. Më dukej sikur po hapja thesarin e mbretit  Mida. Kisha rilindur.

-Në ç’kuptim..?

-Por, duke iu kthyer përsëri pyetjes tuaj do të zbuloj një sekret të vogël që nuk e kam thënë ndonjëherë. Në procesin e largimit nga TVSH, kishte edhe diçka të fshehtë, të pakuptueshme, por që më gëzonte. Vonë e kam kuptuar se çfarë ishte. Tani them se ishte ndjesia e çlirimit nga “kthetrat” e një institucioni që, pa kuptuar më kishte marrë rininë, pjesën më të bukur të jetës. Duke hyrë aty që në moshën 17 -vjeçare dhe duke u marrë vetëm me punë, ndjeja se isha larguar shumë nga moshatarët e mi, nga stili i jetës së tyre, nga aventurizmi tyre i këndshëm. Isha bërë burrë para kohe dhe, sidomos emërimi drejtor në moshë fare të re  i kishte vënë vulën kësaj pune. Nuk është mirë që njerëzit të mos e jetojnë rininë e tyre si të rinj. Ritmi biologjik i jetës duhet respektuar sepse gjithçka që lë mangët në rini përbën një borxh ndaj jetës që duhet shlyer. Mbase vrulli me të cilin u angazhova në punë humanitare dhe pastaj rikthimi tek kamera dhe lloji i jetës që ajo të imponon ishte pikërisht ajo shlyerje e borxhit të jetës… (Sot mendoj se nuk është as e këndshme dhe as e shëndetshme ta fillosh e ta përfundosh jetën aktive në të njëjtin institucion sado prestigjioz qoftë ai)…. Nejse. Ishte pra një çlirim pak i dhimbshëm, por sidoqoftë ishte një çlirim.  Unë kështu e perceptoja në subkoshiencë. Ndoshta sepse parandieja që TVSH nuk do ta kishte më atë rol ekskluziv që kishte patur deri atëhere, ndoshta sepse tashmë shikoja që para meje ndodhej një botë e tërë, disi e turbullt dhe mua më duhej të filloja zbulimin e saj në moshën 39 vjeç. Ky ishte procesi më interesant sepse fillova një jetë të dytë krejt ndryshe nga e para. Sistemi i ri që u vendos, jepte mundësi për të provuar forcat edhe gjetkë. Si disa të tjerë që u hodhën në fushën e politikës etj., edhe unë i kisha rezistuar ndjenjës se autoizolimit, isha vetpërgatitur për t’u përballur dikur me botën e madhe. Ndërkohë flisja lirshëm në 4-5 gjuhë të huaja. Cikli me TVSH ishte tashmë mbyllur. Kishim marrë dhe dhënë reciprokisht për 22 vjet me radhë…
-Ju ishit Drejtor i TVSH kur është vetvrarë Mehmet Shehu dhe kur ka vdekur Enver Hoxha. Si janë përcjellë tek shikuesi këto dy lajme të vështira për kohën e atëhershme, a keni dhënë udhëzime të posaçme për folësit dhe cilat ishin ato?

-Në të parin nuk isha drejtor, por në të dytin po. Ka shumë ndryshim midis këtyre dy ngjarjeve përsa i takon ngarkesës emocionale të folsave që i përcollën ato në radio dhe TV. Megjithatë nuk mbaj mend të kem dhënë ndonjë udhëzim të veçantë për mënyrën e leximit. S’kishte nevojë. Mbaj mend që vdekjen e Enver Hoxhës e kam lajmëruar unë, si spiker në TV, në një atmosferë zije të përgjithshme. E lexova lajmin brenda kësaj atmosfere. Nuk ishte e vështirë sepse një nga sekretet e profesionit të folësit është t’i përshtatet atmosferës së përgjithshme dhe sidomos përmbajtjes së lajmit. Edhe kolegët e mi në radio e TV të njëjtën gjë kanë bërë. Ishin të gjithë me përvojë në këtë profesion.
-Momenti më delikat i karrierës tuaj ka qenë dita kur është rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Thuhet se pa asnjë autorizim të posaçëm nga Ramiz Alia, ju e keni transmetuar rrëzimin  e bustit. Nuk përbënte një rrezik për ju ky vendim i atëhershëm kur dihej se në Shqipëri ende respekti ndaj figurës së Enver Hoxhës nuk ishte zbehur si sot?

-Deri tani folëm për profesion e profesionalizëm. Në këtë këndvështrim duhet parë edhe ky moment që shënoi ndryshime historike, por që nuk mund të ndryshonte ndërgjegjen profesionale të individit. Transmetimi i kronikës së rrëzimit të monumentit kishte të bënte me minimumin e përgjegjësisë profesionale të gazetarit për të pasqyruar një ngjarje. Një ngjarje mund ta pasqyrosh nga këndvështrime të ndryshme, por nuk mund ta mohosh apo ta fshehësh ndodhjen e saj, siç më “këshilloi” të bëja ndonjë.

Kronika u përgatit  rreth orës 16.30, në bazë të saj xhirimet ekskluzive të Fatmir Cepanit, megjithëse unë atë ditë kisha nxjerre jo pak, por 6 grupe xhirimi në zonat e kryengritjes. Pesë prej tyre u kthyen pa pamjet nga rrëzimi i monumentit. Pa ardhur ende Fatmiri, mua më kishte hipur meraku se mos kishim dështuar në kapjen e faktit kryesor. Ky, jo vetëm që do ishte një dështim i mirëfillte profesional, por edhe do të interpretohej si mosdashje nga ana e televizionit për të dhënë një të vërtetë që ndodhi. E tillë ishte atmosfera në atë kohë, as prej mishi as prej peshku.  Nejse, isha i qetë se esenca e ngjarjes përfundimisht ishte kapur.

-Urdhri i transmetimit të rënies së bustit….

-Instinkti profesional më dominoi plotësisht dhe dhashë menjëherë urdhër për transmetim që në edicionin më të parë të lajmeve që ishte në orën 18.00. Nuk isha naiv, i dija rreziqet, por ky mendim më bëri edhe më të vendosur akoma.  Dhe vërtet. Nuk kaluan as 20 minuta nga mbarimi i transmetimit dhe dy strategji u vunë në veprim. Strategjia e një pale, që mendonte ende se regjimi do të zgjaste (në fakt, ai e shtyu edhe ca kohë), ishte të më kritikonin e kërcënonin rëndë si “heretik”, ndërsa i palës tjetër, që e ndjente fundin iminent të regjimit dhe mendonte të mbante vendin e punës, ishte të rrëmbente “meritën” duke vrapuar para militantëve opozitarë të kohës për të treguar atje me këmbë e me duar “heroizmin”  e tyre në dhënien e kësaj kronike dhe bile duke sajuar edhe skena dramatike për t’u bërë të besueshëm.  Dhe midis tyre kampionin e mbanin ndonjë a dy që atë paradite kishin dalë në terren dhe ishin kthyer duarbosh, pjesërisht nga frika dhe pjesërisht nga taktika që kishin ndjekur tërë jetën e tyre duke i bishtnuar përgjegjësisë. (Sepse, po të kishe filmuar rënien e monumentit, duhej të mbaje edhe përgjegjësinë se ç’do ndodhte më tutje me materialin tënd. Dhe dihet, që jo të gjithë kanë këllqe për të përballuar situata të tilla kaq vendimtare…).

-Institucioni i parë i dorëheqjes, si erdhi tek ju?

-Nejse, pas këtij episodi, mbaroi karriera ime si drejtor sepse pak ditë më vonë, absolutisht me kërkesën time, dhashë dorëheqjen pa dhënë dhe pa kërkuar asnjë sqarim në lidhje me pozicionin tim në ngjarjet e fundit.  Isha i vetëdijshëm se, në valët e mëdha militantiste, siç qenë ato të asaj kohe, nuk ka vend për shqyrtimin e dramave personale. Nga ana tjetër, në pozicionin që mbaja, (këtë e kisha menduar edhe më parë), desha të jap edhe unë kontributin tim modest, por shumë domethënës në atë kohë, për zbatimin në praktikë të principeve të demokracisë.  Ndoshta, ndër njerëzit publike, jam i pari që aplikova institucionin dinjitoz të dorëheqjes, me mendimin se në demokraci (se flitej shumë për demokratizim …) një karrierë e vërtetë profesionisti duhej të mbyllej me profesionalizëm.  Fatkeqësisht shumë pak kuadro të asaj kohe më pasuan në lirimin e karrigeve. Shumica vrapuan të dorëzojnë sa më publikisht teserat e Partisë së Punës (kjo u bë mode se s’të gjente gjë sepse vetë partia ishte shpërfytyruar keq) duke shpresuar që me këtë të vazhdonin të ruanin karriget e zyrave si “njerëz të rinovuar”. Dhe ca arritën ose t’i ruanin ose t’i ndryshonin. Punë e tyre, por unë nuk kam besuar kurrë as tek “njeriu i ri” i socializmit dhe as tek “njeriu i rinovuar” i periudhës post komuniste. Kam besuar dhe besoj tek njeriu me aftësi të lindura e pastaj të kultivuara, tek profesionisti i vërtetë qofte ky politikan, shkrimtar, llogaritar, mjek apo hidraulik. Këta njerëz  janë përgjithësisht imunë ndaj ideologjive dhe, kur ideologjitë për shkaqe të ndryshme u imponohen, ata gjejnë shtigje për t’i sfiduar ato nëpërmjet përkryerjes së pjesës profesionale të punës së tyre. I ashtuquajturi rinovim thjesht ideologjik, jashtë kompetencës profesionale, që u aplikua ca kohë tek ne si kriter ekzistence, është eufemizëm i përdorur me sukses në shoqëritë e traumatizuara për të siguruar vazhdimësinë e dominimit të mediokritetit, i cili, nga ana e vet, është një strehë e pazëvendësueshme për gjithë komunitetin e të mençurve shejtanë që nuk janë kompetentë të mirëfilltë për asgjë. Këta specialistë të ideologjive “të demokracisë” të kujtojnë ardhjen masive të ”kuadrove” nga klasa punëtore në fund të viteve ‘70 që, si kudo, na e bënë çorbë edhe TVSH-në për një farë kohe. Fatmirësisht një pjesë e tyre u larguan shpejt se e panë që aty s’ishte vend llafesh, por pune të specializuar. Së fundi, me që pyetja ka të bëjë me monumentin, me dashamirësi për historinë them se nuk do desha që të bëhet më kjo pyetje kaq e personalizuar sepse nuk është mirë të personalizohen ngjarjet historike. Kjo nxit spekulimet. Fakt është që TVSH e transmetoi kronikën, e kreu detyrën në një kohë të rrezikshme. Kaq mjafton për historinë, nëse ky fakt i hyn asaj në punë.

-Çfarë përfitove dhe çfarë u mundove të japësh me gjithë shpirt në TVSH?

-Përfitova shumë. Mora një drejtim në jetë që, në kushtet e një vendi të mbyllur, siguronte një dritare për t’u njohur me botën. Gjithashtu mu dha mundësia të shpreh cilësitë e mia intelektuale dhe artistike para një publiku shumë të gjerë. Po kështu edhe përvojë të madhe në fushën

***

-Nesër do të lexoni intervistën me mjeshtrin e gazetarisë shqiptare Ahmet Shqari