Ibrahim D. Hoxha/ 27- qershori i përgjakur

461
Mëngjesi gri
Në mëngjesin e së martës së 27 qershorit 1944, nëpërmjet shtegut shkëmbor të malit Kurrílë (1658 m.) – e quajtur «Shkàlla e Paramithísë»- në qytetin Paramithi vërshoi si re e zezë sintagma (regjimenti) XVI, njëra nga të tri njësitë e merarhjísë (divizionit) «jeniqì sfaí» (tërëtherëse), përbërës i stratisë (armatës) EDHES-ite greke. Në krye të qytetit u prit dhe u mirëseardh përzemërsisht nga Dorothéu, kryeprifti (dhespoti) i kishës greke në atë qytet, i shoqëruar nga një grupth pasuesish. Popullata shqiptare e befasuar dhe kryekëput e papërgatitur për përballim me të, doemos që s’kishte se si ta pengonte. Në rrethana të tilla regjimenti EDHES-it grek, duke mos hasur kurrkund në fuqi penguese, pa «çak», pa «bam» vërshoi nëpër tërë qytetin dhe zuri qendrën. Përnjëherë urdhëroi dorëzimin ngutësisht të çdo lloj arme dhe sapo i shturi ato në dorë -doemos siç ishte paracaktuar nga kryebishat e veta- bllokoi hyrje-daljet nga qyteti dhe u vërsul bishërisht mbi banorët shqiptarë të besimit islam. Rreth orës 12.30-13.00 në ndërtesën e n/prefekturës dhe atë të horofillakkomandës –ku ishin vendosur komandanti, Vasil Kamara dhe vartësit e tij- u dëgjuan disa të shtëna pushkësh. Nga sa ndodhi, u kuptua se kjo ishte shenja e paracaktuar për shpërthimin masiv të gjëmës. Menjëherë EDHES-itët, në ngjashmëri me një lukuni hijenash të uritura, me thika, kàma, hanxharë dhe revolverë e pushkë në duar vërshuan gjithandej dhe në vrap e sipër shtrinin për tokë të vdekur cilëndo e cilindo që gjenin përpara. Sakaq kufomat, kush me bark të çarë e kush me kokë të prerë, veshën anët e udhëve, sheshet etj. Britma e kuje në të katër anët. 
Tmerri, sheshi si thertore
Të tmerruar nga kjo thertore njerëzish, shumëkush la gjithçka kishte dhe duke vrapuar «nga sytë, këmbët» bëri çmos të mërgohej jashtë qytetit. Një numër i pakët arriti të dilte, kurse shumica ngeli brenda guvës polifemíke. Pati dhe raste të tilla: duke vrapuar njëri pas tjetrit, disa pjesëtarë të së njëjtës familje mundën të dilnin prej grackës EDHES-ite, të tjerët u kapën. Njëri nga këto raste ishte edhe ai që ndodhi me familjen e Çafà Mìles (Mustafa Qamilit); ndërsa Çafai me të birin e vogël, Sadin dhe dy vocërrakët e djalit të madh, Hakiut arritën t’u rrëshqisnin gati nëpër duar pritëzënësve, Hakiu me të ëmën, Salon u kapën. Në sy të së ëmës 25-vjeçarin e bëshëm dhe të fuqishëm, Haki Milen e kapën 4-5 EDHES-itë dhe pasi e shtrinë për tokë, i lëshuan mbi krye një pllakë të madhe guri, e cila ia bëri kryet baltë. Ndërkaq nëpër qytet shqiptarët islamikë, të ndjekur pa ndërprerje nga breshëri të vazhdueshme plumbash, kur tek e tek e kur grupe-grupe po vraponin pa ditur se ku për të shpëtuar kokën. Për ndaljen e këtij tmerri, myftiu i qytetit, Hasan Abdullah Seit Mulazìmi, me anën e një të dërguari, i kërkoi Dhorotheut të ndërhynte, meqë fjala e tij s’mund të bëhej dy nga asnjë i krishterë. Mirëpo Dhorotheu që, me festen mënjanë dhe këmbën mbi këmbë po kundronte me kënaqësi gjëmën, «s’deshi ta vinte fare ujët në zjarr». Madje –doemos me urdhrin a lejen e tij- të dërguarin në fjalë dhe vet myftiun familjarisht: të shoqen, të bijën e madhe dhe të birin e vetëm- Taq Shtrungari e Koço Nikolla (ish horofillak) me 7-8 shoqëruesit e tyre, i dërguan në «jetën e përtejme», të pambarim dhe të pakthyeshme; myftesha e ngratë e pësoi edhe më keq; para se t’i merrnin shpirtin, EDHES-itët i prenë gishtat dhe veshët nga i shkulën unazat dhe vathët prej ari. Një gjëmë tjetër e tillë ndodhi edhe në shtëpi të Sali hafuz Muhedin Mulazìmit, më të rëndësishmit jo vetëm të shqiptarëve islamikë -që po se po- por edhe të shumë të krishterëve. Në shtëpinë e tij kishte shkuar av. Lefter Shtrungari –atëherë kapiten- me 5-6 oficerë të tjerë EDHES-itë. Sapo dëgjuan krismat e para të pushkëve, Lefteri u ngrit nga tavolina ku kishte ngrënë e pirë ç’kishte dashur, qiti nagantin prej brezi dhe tytën e saj shkoi e ia nguli në ballë të zotit të shtëpisë, Sali Hafuzit. I befasuar nga një krisurí e tillë, S. H. i bërtiti: «Ç’bën kështu, more, të ka zënë rakia a të ka ikur mëndja? Vura në rrezik kokën time e të familjes dhe të shpëtova nga pushkatimi prej gjermanëve. E harrove?!». Lefter Shtrungari qetë-qetë iu përgjigj: «Jo, s’e kam harruar hiç të mirën që më bëre, andaj unë po ta shpërblej me një të mirë. Të vras që të mos të të therin e coptojnë të tjerët!»; dhe me të mbaruar fjalën, tërhoqi këmbëzën e shkrepjes dhe shprazi të 7 fishekët e «mullirit» të nagantit. 
Brenda ndërtesave
Kur nëpër qytet nuk llalliste askund më këmbë njeriu, bishat EDHES-ite u vërsulën brenda ndërtesave; në to ishin strukur gra, fëmijë, plaka dhe pleq që s’u punonin më gjunjët. Lemerítë e atyre të brenda ndërtesave u bënë shumë më të llahtarshme edhe se ato në Aushvíc, Dakàu, Majdanik dhe kampet e tjera naziste. Pati raste që gratë të digjeshin me vajguri, të liheshin gjysmë të vdekura dhe, të mbuluara nga krimbat, të vdisnin me britma rrënqethëse; njëra prej tyre ishte edhe nusja Sanie Bollati. Gjëmën e asaj dite Jan G. Sharra në librin e tij «Istoria tis periohjìs Igumunicas 1500-1950», fq. 667, e ka përshkruar kështu: «Urrejtja dhe àhet shpërthyen me egërsi mbi gratë, fëmijët, pleqtë dhe të pafajshmit e tjerë». Mirëpo ngjarjet e hidhura dhe pamjet e shëmtuara të asaj dite nuk mbaruan me aq; ato ishin vetëm fillimi i atyre që vazhduan e vazhduan. Tërë ata dhe ato që ditën e parë mundën të shpëtonin të fshehur nëpër tavane, tunele lashtësie e grava të ndryshme, u kapën ditët në vijim dhe pas zvarritjeve nëpër udhë, u ngjeshën gati një mbi një si thasë me kripë në disa ndërtesa, sidomos në atë të Sali Hafuzit, më të madhen e qytetit. Egërsinë e burgosësve dhe poshtërimin prej tyre të të burgosurave dhe të të burgosurve s’u gjen dot as gojë për ta treguar e as penë për ta përshkruar, sepse të tilla ndërmjet njerëzve as që mund të gjenden. Për ç’ka ndodhi «ditët që vijuan, historia fsheh fytyrën e vet prej turpit», shkruan Niko Zhangua; dhe më tej thekson: «Érë kundërmuese në shtëpinë e Sali Hafuzit ku mbaheshin mbyllur gra e fëmijë. Vdekje fëmijësh, pamje rrëqethëse e grave myslimane që hiqeshin zvarrë dhe që përdhunoheshin gjysmë të vdekura». (J. G. SH., «I.tis p. Ig. 1500-1950», fq. 668 e 667). Të 3-tën e asaj dite dhe ditët në vijim të dy regjimentet e tjerë të divizionit «Jeniqí sfaí» zunë njërin pas tjetrit Karbunarin, Margëllëçin, Luaratin, Pargën e së fundi krejt Çamërinë e përtej kufirit. Qindra njerëzve të tjerë –sidomos fëmijëve, të mosmundurve e grave- EDHES-itët u shkurtuan jetë me thika e plumba; kufomat e tyre i hodhën hendeqeve, ku u qelbën deri sa u tretën. «Gjakësitë në Paramithi dhe ngjarjet që rrodhën në vijim, s’lanë pikë dyshimi se kush donte të jetonte, duhej të linte truallin e shenjtë të atdheut të vet, shtëpinë e pasurinë dhe të merrte rrugën e mërgimit». (J. G. SH. «I. tis P. I. 1500-1950», fq. 660 e 670). Kjo, në kushtet e atëhershme ushtarake dhe politike kombëtare dhe ndërkombëtare, kurrsesi nuk mund të shmangej. Historiani dëshmitar, J. G. SH. në fq.665 të veprës së tij të përmendur, shkruan: «Tabloja që paraqitnin ishte rrënqethëse dhe e vajtueshme…mijëra vetë: burra, gra, fëmijë, pleq e plaka në një vargan kilometrash të ngjashëm me një gjarpër në lëvizje e arixhinj në pamje, me dhimbje dhe keqardhje në fytyrat e tyre, të ngarkuar me çka kishin mundur të merrnin me vete, ecnin nëpër udhën që konjukturat fatkeqe me veprime të paramenduara u krijuan kaq pësime çnjerëzore dhe të ashpra»