IBALLA THËRRET

1563
Gjelosh NIKOLLA

Shkrim i vonuar por i nevojshëm
Jam e lashtë sa vetë lashtësia,
Vij, dhuratë nga perëndia,
Kam rritë breza legjendar’ 
Pa lind Krishti, prodhova ar,
Kam shkri ar, kam shkri argjend,
Para atdheut nuk vunë askënd.
Në veri-lindje të qytetit të Pukës gjendet një oaz i madh, një rrafshnaltë e rrethuar më male të larta që i japin formën e një amfiteatri gjigant natyror. Në brendësi të kësaj rrafshnalte gjendet fshati Iballë, emër shumë i vjetër dhe i banuar mijëra vjet para Krishtit. Në 3-4 shekujt e fundit para Krishtit, Pirustët, xehetarë të shkëlqyer, në këtë vend kanë shkrirë metale, kanë prodhuar arin, argjendin dhe armët e luftës. Pirustët në Iballë kishin kalanë e tyre ku brenda mureve të saj gjenden kisha e fisit Thaç dhe varrezat e këtij fisi. Sa i përket periudhës kohore, Nopça ka vënë re së në vendin që sot quhet kalaja e Skënderbeut gjenden gjurmët e ruajtura mirë të një kampi, që autori thotë së padyshim është romak. Kjo gjendet mbi një bregore të vogël natyrore në një lartësi prej 15 metra e rrethuar më një pengesë gurësh. Rreth e qark janë katër kulla me bastione gjysmë rrethore. Mbi sukën e ograjave janë zbuluar copa tjegullash dhe poçe të punuar me çark si dhe një copë e thyer unaze bronzi. Përveç këtyre, gjatë punimit të tokës, janë zbuluar dhe mbetje të tjera të lashta. Veçantia e kësaj kalaje është së për të garantuar mbrojtjen e saj përveç murit të gurit, që thamë më lartë, ka qenë e rrethuar më një kanal të mbushur më ujë i cili edhe sot nuk është i mbushur (rrafshuar) plotësisht. Ekziston mundësia që kjo kala të ketë qenë para romake, e pirustëve sepse në vitet ’50 pas Krishtit këta banorë vendas ngritën krye kundër romakëve. Këtë kala romakët u detyruan ta përforconin për nevojat e tyre ushtarake dhe ekonomike. Për këtë kala(kështjellë) flet dhe autori(studiuesi) gjerman Dr.Karl Patsch në veprën e tij për pirustët ”Gjendja Ekonomike e Kulturore e Shqipërisë në kohën e kaluar”, fq/58. përkthyer nga Karl Gurakuqi. Brenda rrethimit të kalasë gjendet kisha e ngritur në kohën e romakëve dhe që mendohet se është e shek.V pas Krishtit. Në malin Bale që gjendet në perëndim të fshatit Iballë edhe sot gjenden gurrë, furrë dhe farkë që janë përdorur nga xehetarët pirust për të shkrirë metale. Iballa është e lashtë sa vetë lashtësia. Kjo zonë e thellë ka arkeologji, etnografi të prekshme me dorë dhe na thërret me të madhe: mos heshtni për mua se jam përpjekur shumë,gjithë jetën, për të ruajtur ekzistencën dhe kam derdhur shumë gjak sa që kudo i gjeni gjurmët. Shumë studiues vendas dhe të huaj, të hershëm dhe të vonë, kanë kaluar nëpër Iballë dhe krahinën e saj, ku eksploruan dhe shkruan duke lënë shënimet e tyre. Ipeshkvi Sapës Gjergj Bardhi në dok.nr.24 të datës 24/2/1632 tregon se më dt.22 korrik 1629 kam vizituar vendin e quajtur Iballë. Më parë ka qenë abaci e pasur, tani çdo gjë është e shkatërruar, me prona të grabitura etj. Ata njeri nuk i binden Sulltanit as nuk i paguajnë haraç. Nga kjo rezistencë dëmtohen, rrënohen në njerëz dhe merren skllevër aq sa pothuajse as gjysma e tyre nuk ka mbetur në vendet e veta. Me gjithë ata dhe në ditët e sotme kanë mbetur të krishterë. Po në këtë vit ka vizituar kishën e (Alshiqes, Tebrunës) Berisha e sotme, Gralishtin, Merturin, Arstin, Levoshën dhe Fierzën. Para vitit 1630 Iballa kishte 200 shtëpi. Për qëndresën anti osmane të Iballës shkruan dhe arqipeshkvi i Tivarit Pjetër Mazreku në vitin 1633. Frang Bardhi, Ipeshkv i Sapës, në vizitën që zhvilloi në Iballë, në qershor të vitit 1633, i rendit fshatrat e Iballës si më poshtë:

-Apërripa e Epërme, ku duhet të ketë përfshi dhe Poravin, sepse ka numër të madh banoresh e shtëpish por që janë edhe fis, Berishë. -Apërripa e Poshtme, që sot është e mbuluar nga liqeni i Fierzës, ka qenë va kalimi që në kohën e romakëve. –Arsti (Astea), Gralishti që sot është lagje e Bugjonit, Fierza, Dodaj, Lëvosha, Kogjeni, Merturi, Belshina, Tëbruna, Alshiqja. Këto tre katundet fundit (Tëbruna, Belshina dhe Alshiqja) janë berishajt e sotëm dhe këto kanë mbetë toponime ose lagje të vogla. Frang Bardhi në relacionin e tij dërguar Kongregacionit të Propogndës Fide, në qershor të vitit 1638, shkruan:

”Në vitin 1610 Ahmet Bej Kuka në muajin tetor mblodhi 1500 burra me vullnet për të sulmuar fshatrat e Iballës. Por këta të Iballës u mblodhën nja 500 burra dhe e lejuan armikun që të hynte në vende të ngushta e të vështira ku nuk mundet as ikte, as të luftonte. Armiku, pra, mbeti në mes të atyre që mendonte pjesërisht t’i vriste dhe pjesërisht t’i merrte në triumf. Kaq vrasje bënë iballësit e guximshëm duke plagosur për së largu me shigjeta deri sa u përleshen fyta-fyt me ata ushtarë të shtangur e të mundur sa që mbeti i vdekur vetë Sanxhak-beu dhe shumica e ushtrisë duke shpëtuar shumë pak. Këto pak katunde të Iballës kurrë nuk ka mund t’i nënshtrojë nën furinë e vet, megjithësë pothuaj vit për vit ka dërguar sanxhak-bejt dhe vezirët e vetë herë me 5 mijë, herë me 8 mijë, herë me 10 mijë ushtarë për të arritur t’ia shtrojë furisë së vet dhe kurrë nuk ka arritur t’iu bë atyre ndonjë dëm, veçse duke iu shkatërruar ato kishat e tyre dhe djegur shtëpitë, të cilat me qëllim ata i kanë ndërtuar me pak vleftë, d.m.th. të mbuluara më kashtë, pa mur, pa pullaz dhe pa asnjë stoli. Gjërat me vlerë dhe të nevojës i vendosnin nën tokë dhe i fshihnin nëpër shpella. Në anën tjetër ata të Iballës i prisnin turqit që shkojnë kundra tyre në rrugët dhe vendet fort të ngushta dhe i vrasin e i plagosnin, kështu turqit të thyer e të shkatërruar i mbulonte frika e viheshin në ikje dhe kundërshtari duke iu vënë në shpinë i zhveshtë rrobash, armësh, kuajsh dhe çdo gjëje. Me një fjalë deri në kohët tona janë mbajtur mirë dhe mbahen dhe përjetë nuk duan t’iu nënshtruar zgjedhës turke. Vetëm këtë vit kanë bërë paqe me zyrtarët e Sulltanit që mund të kalojnë njëra palë te tjetra pa frikë. Më qenë se vendet ku banojnë këta i kanë shumë të forta, shumë të ashpra, kështu edhe ata janë shumë të fortë prej natyre, e shumë të shpejtë, fluturojnë nëpër male sikur të ishin kaproj, e durojnë urinë, etjen, të ftohtit, të nxehtit dhe të gjitha vuajtjet. Nën zotërimin e turkut në Evropë nuk gjenden as nuk janë burra si këta që kaq trazim dhe kaq rrënim t’u kenë sjellë turqve sa këta popuj të Dukagjinit dhe prandaj besohet së në Evropë nuk mund të gjenden burra armësh më të mirë se këta kundër turkut, sepse 100 (kësish) të tillë vlejnë 1000 turq dhe jo fshehtas ose për së largu me zjarr, por ballë për ballë dhe shpatë për shpatë një i vetëm shkon me guxim e futet në mes të 15-20 vetave. Janë krejt të pa ditur në kultin e zotit, sa që nuk dijnë të bëjnë as kryq, më gjithë këtë tregohen të përshpirtshëm e të bindur dhe i mbajnë festat dhe vigjiljet”. Me interes ka folur dhe Pjetër Mazreku për këtë fushatë të Ahmet- Bej- Kukës kundër Iballës… Në shtojcë të relacionit të vitit 1637 për kongregaionin Fide Frang Bardhi shkruan: 

“Një turk i quajtur Mehmet Çaush nga Zadrima mblodhi një ditë 500 pushkatarë gati të gjithë të krishetërë shqiptarë dhe bëri sikur do të shkonte në një vend tjetër dhe shkoi gjatë natës në (Tëbrunë) Berishë katund i Iballës dhe dogji shtëpitë, mori 5 skllevër meshkuj e femra dhe vrau 6 burra, 3 prej të cilëve ushtarë shumë të zotët. E bënë këtë se i gjeti të pa pregatitur Iballasit se për ndryshe 100 burra të pregatitur do t’ua kishin dalë atyre 500 vetave…”. 

Më 27 mars 1638 Fra. Kerubini, n/prefekt i misioneve françeskane në Shqipëri, në relacionin e tij shkruan se: 

“Edhe këta banorë të Iballës janë po ashtu si ata të Mirditës, por që të gjithë janë shumë të varfër qoftë nga plaçkitjet që kanë pësuar, qoftë se edhe janë vënde shterpë ku nuk bëhet tjetër veç se thekra dhe pas shumë mundimesh…”. 

Më 5 gusht 1699 Gjergj Theodhri, peshkopi i Zadrimës, i bën një paraqitje të hollësishme Kongregacionit Fide mbi gjendjen e dioqezës së vet. Duke folur për krahinën e Pukës, lajmëron se në Iballe, 8 katunde nga 10 që ka ajo krahinë janë boshatisur dhe banorët janë shprëngulur në vendet e tjera. I vlen të shkruhet i plotë informacioni i Frang Bardhit për betejën e vitit 1610, sepse është përballuar plotësisht nga luftëtarët e Iballës (zonës së Iballës). Kuptohet se 500 burra armësh nuk i kishte një fshat. Duke iu referuar rrugës që ishte më e mundshmja nga Qafë-Mali e forcave turke dhe duke kaluar nëpër Kryezi, kjo betejë është zhvilluar në mes të qafë- Ballçit dhe qafë- Sharit, pra në luginën e Sapaçit, në vendin e quajtur Nërlymna. Me të vërtetë në këtë zonë tepër të ngushtë, ushtria turke as nuk mund të luftonte as nuk mund të ikte. Një fakt tjetër që tregon se këta trima luftuan vetëm kunder kësaj ushtrie është se në Kabash dhe në kalanë e Micojit kishte një garnizon turk me 200 ushtarë dhe se Kabashi administronte deri në Kryezi dhe detyrimisht nuk do të luftonte kundër kësaj ushtrie. Një argument tjetër se iballasit ishin vetëm në këtë bëtejë është se karvanet e ushtrisë turke mbroheshin nga forcat e ushtrisë mirditore në zonën e Bardhetit e të Qafë-Malit, sepse kishte një kontrat-marrëveshje me shtetin turk për të mbrojtur karvanet në këtë territor të rrugës Prizëren-Shkodër. Në Etnografia shqiptare Rrok Zojsi citon Frang Bardhin që në relacionin e tij të vitit 1638 e quan këtë si pjesë të malësisë. Po kështu fisi i Thaçit kapërceu Drinin dhe u vendos në Iballë. Mirëpo nuk arriti ta bënte këtë vend pjesë të malësisë, por u bë vetë pjesë e Dukagjinit. Këtë e vëmë re edhe te Gjergj Bardhi në relacionin e tij të vitit 1632 ku thotë: “Vizitova Dukagjinin, vendin e quajtur Iballia duke e konsideruar këtë popullësi si të veçantë nga ajo e Dukagjinit”. Më poshtë po në këtë relacion Bardhi quan Dukagjin vendin, por jo dukagjinas popullin, pikërisht siç e thotë edhe sot populli dhe e dëshmon me traditat e tija. Pra popujt e Iballës nuk janë dukagjin. Territoret e Sanxhakut të Dukagjinit u zgjeruan pas pushtimit turk që do thotë se pati një rritje artificiale me dëshirën dhe qëllimin e mirë për të patur një mbeshtetje nga principata. Në zgjerimin e Sanxhakut të Dukagjinit ndihmoi dhe zbatimi i kanunit të Lekë Dukagjinit sepse pushtimi turk e njohu si ligj, prandaj shumë krahina u quajtën Dukagjin. Është e vërtetë se edhe sot në krahinat tona kanë mbetë shumë toponime Dukagjin sa që as pushtimi turk nuk mundi t’i heqë, por Sulltan Sulejmani e krijoi sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë. Njëkohësisht edhe Koloneli Van Pejen si qender të Dukagjinit. Ky emër la gjurmë të shumta si toponime të vogla vendesh e fshatrash, por me një kuptim shumë të gjerë krahinor mbeti në krahinën e Pukës si një emërtim i së kaluarës dhe që sot nuk ekziston më. Duhet thënë se asnjëherë kur pati nevojë krahina e Pukës dhe Iballës për t’u ndihmuar në luftë kundër pushtuesit turk, ushtria e Lekë Dukagjinit kurrë nuk e ndihmoi, vetëm ka kërkuar ushtarë nga ky popull që nuk është dukagjinas. Puka i përket kulturës së Komanit, janë zonë dalmate. Në sesionin shkecor ”PUKA dhe SHKOLLA” i mbajtur në vitin 1978 për kryengritjen e malësorve kundër pushtuesit turk në vitet 1876-1877 në kumtesën e tij një pseudo – historian për rezistencën e popullit të Iballës nuk flet asnjë fjalë, por në fund harron dhe thotë: “Edhe në shumë fshatra të Pukës u kryen operacione ndëshkimore, veçanarisht në Iballë turqit dogjën shtëpitë e kryengritësve, grabitën e shkatërruan pa masë”. Pse të bënte pushtuesi këtë shkatërrim, po qe se Iballja nuk kishte marrë pjesë në kryengritje?!. Mos vallë është harresë e porositur?!. Në arshivin e shtetit gjëndet një nga dokumentët e shumtë, të cilin po e citojmë: ”Thirrje e krahinës së Iballës drejtuar krahinës së Berishës për veprime të përbashkëta luftarake kundër pushtuesit ottoman.” 

Iballe më 25/7/1912. 
I dashuri fis i Berishës. 
Krenët e Iballës po ju çojnë falë më shëndet. Haber po ju çojmë që Mali i Zi e Udha e Madhe herët në mëgjes që të vijnë njerëzit në Kabash. Ne Iballja me brigje kena me qenë herët në mëngjes në Qafë-Mungut. Pra dhe ju Berisha të gjithë, me pushkë e pa pushkë, me u gjetë herët në mengjës në Qafë-Mungut, pa derman. Për ju që keni me u gjetë herët në mëngjes në Qafë- Mungut është lidhë të Mali- Zi Frrok Kola (Pemati), Palush Pjetra dhe Zenel Aga. (Që të tre veprimtarë të dalluar të Levizjës Kombëtare Shqipëtare në Iballë zonë e Pukës). Pra bëhuni gati e shtrengohuni…. Bën vaki me ardhë zabiti para herët, rrini gati në Qafë- Mungut me poterë e me pushkë. 

I dashtuni i juaj fisi i Iballës”.(AQSH i RSH F.58,D.91,f.3).
Burrat e Iballës dhe të kësaj krahine janë nga ata burra që: Qeshin sinqerisht, qajnë sinqerisht dhe të besojnë sinqerisht, janë nga ata burra që të japin dorën në këmbë dhe flasin ulur këmbë kryq, ata të shikojnë drejt në sy sa që të duket sikur po të marrin mendimet që ke në kokë prandaj sot nga kjo zgjuarrsi burrërore nuk ka asnjë familje të ngujuar për gjakmarrje në zonën e Iballës e as jashtë saj dhe për ta mbrojtur lirinë ata kanë qenë gjithëmonë së bashku dhe kurrë nuk e kursyen jetën. Ky popull ka shumë patriotizëm, shumë bujari, shumë fisnikëri, shumë histori, atëherë pse të ketë kaq pak histori të shkruar? Sa do e largët, e thellë, apo e vogël të jetë një krahinë, ajo ka pjesën e vet në historinë kombëtare prandaj, vlerat patriotike të banorëve të saj nuk ka të drejtë askush që t’i transferojë tek banorët e një krahinë tjetër brenda as jashtë rrethit të Pukës. Historia nuk mund të bëhet me arnime, merr këtu e jep atje. Ky tjetërsim është i dëmshëm dhe fyes. Iballasit dhe historia e tyre janë ende objekt i dhimbshëm i nënvleftësimëve, ndoshta dhe të qëllimshme. Studiohet dhe shkruhet për kalanë e Zhupit në Berishë, për kalanë e Gralishtit në Bugjon etj. Shumë mirë që shkruhet, por në të vërtetë janë pika satelite të kalasë së Iballës. Po për këtë pse heshtet!? Pra tentohet përvehtësimi i një pjese të historisë duke përdorur heshtjen për vlerat e kontributet mijëra-vjeçare të Iballës dhe të krahinës së saj. Kështu pra, punohet duke përdorur receta të pregatitura në mënyrë që historia t’iu vijnë përshtat dëshirës për të mohuar dhe tjetërsuar. Të shkruhet historia në mënyrë horizontale është baras me mohimin dhe shkatërrimin i saj, nuk paraqet realitetin dhe e shëmton atë, historinë. Vertikalizimi i të shkruajturit të historisë është domosdoshmëri e pasqyrimit të vlerave dhe të realitetit jo vetëm të një krahine, por edhe të mbarë kombit.
Sigal