Hysen Tabaku/ Hamit Dollani, dëshmori i parë i Luftës së dytë Botërore në Europën Juglindore

446
Hamit Liko Dollani u lind më 1905 në fshatin Jançë të rrethit Gramsh. Që në moshë të njomë njohu varfërinë e thellë. Pa mbushur ende shtatë vjeç, mbeti jetim, pa nënë. Djaloshi u rrit në mjerim. Që nga mosha dymbëdhjetë vjeç shkoi për punë krahu në fshatrat e Korçës. Punoi tek një sipërmarrës në furrat e gëlqeres. Kudo ndjente peshën e rëndë të shtypjes, të shfrytëzimit e te mjerimit. Për 6 vite rresht punoi në furrat e gëlqeres së këtij qyteti. Aty mësoi shkrim e këndim, të këndojë e t’i bjerë fizarmunikës, asaj fizarmonike, e cila është në Muzeun e qytetit të Gramshit. Revolucioni i Qershorit 1924 e gjeti ushtar në Shkodër. Bashkë me shokët e tjerë ushtarë të garnizonit të Shkodrës, mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e Qershorit, duke marshuar drejt Tiranës për të përmbysur regjimin e feudo-borgjez të Ahmet Zogut. Pas dy vitesh shërbimi të detyrueshëm ushtarak, ai merr të drejtën për të studjuar në një shkollë ushtarake të qytetit të Vlorës. Aty njihet dhe miqësohet me Mujo Ulqinakun. Pas mbarimit të shkollës, Mujo Ulqinaku emërohet në Durrës, me forcat e Marinës. Ndërsa Hamit Dollani në postën e Mifolit, pranë Vlorës. Më pas ai transferohet në burgun e Tiranës. Këtu ai lidhet me të burgosurit, ku një pjesë e të cilëve ishin për arsye politike. Kjo e çoi Hamitin të lidhet qysh më 1935, në kohën e lëvizjes së Fierit, me një grup antizogistësh, që përgatitej të hapte burgun e Tiranës. Shpëtoi nga burgosja për mungesë provash. Pas kësaj ngjarje Hamit Dollani transferohet në postën e Bërzhitës, ku emërohet si nënkomandant i kësaj poste. Në fillim të prillit, ai (nënkomandanti i postës) së Bërzhitës, niset me leje të gjatë për në shtëpinë e tij në Jançë të Gramshit. Në këtë situatë të turbullt, Hamiti merr nga armatura e postkomandës dy pushkë dhe i çon në shtëpin e tij në fshat, kur i ati e pyet ai përgjigjet: “Këto do të na duhen, baba, se kohë të vështira presim“. Kur Italia fashiste e Musolinit po përgatitej për pushtimin e Shqipërisë, populli i Gramshit e tregoi patriotizmin e tij, duke qënë të gatshëm për të luftuar, shpalosi mësëmiri vlerat patriotike duke nxjerrë edhe heronjtë e kohës. Në prag të 7 Prillit 1939, mbarë populli i Gramshit, ashtu si gjithë vendi, ishte ngritur në këmbë. Kërkonte armë të luftonte pushtuesin që po vinte nga deti. Tradhëtarët që përgatitën pushtimin e vendit nga Italia fashiste, nxitonin si kusarët të dilnin jashtë vendit. Ndërsa nëpunësit e mbretërisë bënin thirrje për të ruajtur “qetësinë” dhe “patriotizmin”. Ata trumbetonin me të madhe se mbreti kishte mbathur opingat e po përgatitej për të luftuar kundër Italisë fashiste. Në realitet, mbreti “veshi opingat”, përgatiti karvanët dhe eskortën, mbushi valiçet me florinjë e iku fshehurazi, hajdutçe në Greqi, si tradhëtar i paturpshëm!. E kundërta ndodhi me birin e thjeshtë të popullit, patriotin dhe antifashistin Hamit Dollani. Ai në 5 prill, që në mëngjes, ndërpreu lejën e zakonëshme, veshi opingat dhe ndahet nga familja. Tek pragu i shtëpisë, tre fëmijët e tij po e shihnin me mallëngjim, ndoshta….mos po e shinin për herë të fundit?… Ku ta dinin fëmijtë gjorë se kjo do të ishte përkëdhelja dhe puthja e fundit nga babai i tyre?! ”Mos u mërzitni. Lalai do të kthehet përsëri” u tha ai fëmijëve duke i puthur e përqafuar” . 

U nisë e udhëtoi në këmbë gjithë ditën e gjithë natën nga mali i Jançës në Bërzhitë të Tiranës, atje ku shërbente si ushtarak. Me të mbritur në Bërzhitë ai përgatiti mitrolozin dhe pajimet e tija, e jo karvanin; mbushi kasetat me fishekë, dhe jo valiçet me florinjë e të fshihej siç bëri monarku tradhëtar. Ashtu i armatosur me armë dhe me urrejten ndaj pushtimit fashist të vëndit, iu drejtua ushtarakëve të postës ; “Kush është i gatshëm le të më ndjekë pasë” dhe u nis në këmbë për në Durrës, për t’i dalë zot vatanit dhe për të mbrojtur atdheun nga bisha fashiste. Kur zbret në Tiranë në rrugën e Elbasanit,takohen me komandantin e postës.Ku shkon kështu i armatosur. Duhet të qëndrojmë në gadishmëri në postë, i thotë komandanti. Hamiti ia kthen: ”Armiku nuk po na vjen nga Elbasani, por nga deti, prandaj kam marrë dhe mitrolozin sepse vetëm ky bënë punë atje”. Në Durrës, Hamiti takoi shokun e tij Mujo Ulqinakun dhe bashkë me të, organizuan rezistencën me armë kundër zbarkimit të pushtuesit edhe pse ai ishte disa here më i madh në numër e i armatosur gjer në dhëmbë, ku nxiu detin me anije, qiellin me aeroplanë luftarakë dhe tokën e mbuloi me autoblinda, tanke dhe topa. Hamit Dollani zë pazicion në katin e parë të pjesës së kalasë së Durrësit, të njohur thjesht si Tora, ndërsa Mujo Ulqinaku në katin e dytë të saj. Anija e parë që i është afruar bankinës, ishte kaçiatorpedinieri “Lupo”. Të parët zbritën këmbësorët e kësaj anije. Më pas zbritën dhe forca të tjera. Kur kompania pararojë italiane u afrua 250-300 metra nga Kulla e Durrësit, jepet urdhëri zjarr. Ishte një luftë që vazhdoi pa ndërprerje për disa orë. Zjarri i mëtejshëm i ushtrisë italiane u përqëndrua tek Kull e Marinës dhe vija e mbrojtësve në të dy krahët e saj. Vullnetarët e rezistencës filluan të binin njëri pas tjetrit në fushën e nderit. I pari që ra në fushën e betejës kundër fashizmit Italian ishte Hamit Dollani e pas një orë bie dhe shoku i tij i llogores, Mujo Ulqinaku. Hamit Dollanit një plumb i përshkon fytyrën duke i dëmtuar rëndë dhe pamjen e jaqshtëme, aq sa nuk njihej. Pasi rezistenca e forcave vullnetare shqiptare ka rënë, forcat italiane marrin trupat e dy të vrarëve, Hamit Dollanit dhe Mujo Ulqinakut dhe i çojnë në vorrezat e qytetit. Një burrë plak që merrej me hapjen e varreve, kujton që ushtarakët italianë, pasi kanë hedhur nga makina trupat e të vrarëve, kanë urdhëruar që ti varrosin, por varret të mos u njihen. Mujo Ulqinakun , varrmihësi e ka njohur, ndërsa të vrarin tjetër jo, për shkak të dëmtimit të fytyrës. Kur e ka ngritur për ta futur në gropën e hapur, një kuti duhani bie nga xhepi i të vrarit. Varmihësi e hap kutinë e cigares me stemën e shqiponjës gëdhendur mbi ‘të dhe brenda gjen një letër: “Hamit Dollani, Jançë-Gramsh”. Ishte fleta e lejes, lëshuar nga postkomanda. Hamit Dollani është dëshmori i parë, që ra në fushën e betejës kundër fashizmit dhe me të drejtë është cilësuar si “Dëshmori i parë i Europës Jugelindore në Luftën e Dytë Botërore”. Ai e meritonte të shpallej dhe “Hero i Popullit” për të nderuar e vlerësuar aktin heroik të tij. A nuk ishte ky një heroizëm? Në vitin 1960, Hamit Dollanit ju dha titulli “Dëshmor i Atdheut”, dhe Medalja e Trimërisë. Një rrugë mban emërin e tij në qytetin e Gramshit,dhe është shpallur “Qytetar Nderi i Durrësit dhe i Gramshit”.Ndërsa kohë më parë Këshilli Bashkiak po i Gramshit, miratoi ngritjen e një busti për ‘të, shumë mirë bënë e meriton, po kur do të ngrihet…?! Të shpresojmë….! Hamiti ishte një nga bijtë e thjeshtë të këtij vendi, të mëmës Shqiperi, të cilin ndergjegja e atdhedashuria e dërgoi në llogoren e pare të luftës. Dhe populli në shënjë respekti i këndon: “Re deshmor i orës së parë/ O Hamit, o legjendar! /Të nderon Sulova trime,/ Që të rriti me thërrime”.