Homazh për “Artistin e Popullit” në 25- vjetorin e ndarjes nga jeta të Demir Zykos

907
Nga Bashkim KOÇI

Kanë qenë vite fatlumë, ndoshta nga më mbresëlënësit të jetës time, kur punoja në zonën e thellë të Tomorricës, në Skrapar. Nuk di pse, që edhe pas katër dekadash, mendja më shkon shpesh në ato anë, duke “më gjezdisur” fshat më fshat të asaj lugine fantastike me kontraste të çuditshme. Por, për të gjitha herët që “shkoj” në Tomorricë, me mendje e me zemër, sepse më çfaqet, ashtu si në mugëtirë, aty në sheshin përpara shkollës së Gjerbësit, silueta e këngëtarit të madh, “Artistit të Popullit” Demir Zyko. Nuk di pse, por kjo është shumë e vërtetë. Unë them që e gjitha kjo çka po e tregoj si të ishte ëndërr, më ka mbetur fiksim ngaqë në atë shesh, të ulur në një gur-“karrige”, kam takuar për herë të parë xha Demirin, atë që është dhe do të mbetet kurorë për këngën toskërishte.

Demir Zykos në ato mote sapo i ish dëgjuar emri që këndonte bukur, që, ashtu siç thotë edhe kënga “…ndalte dielli ta dëgjonte”. Madje zëri i tij, këngët me të cilat u jepte zjarr ahengjeve dhe gëzimeve familjare, kishte për herë të parë pati si “salla shfaqjeje” pllajat ku kulloste bagëtitë, arat ku punonte në punë të rëndomta bujqësore dhe odat e familjeve të Gjerbësit, sa herë që e thërrisnin për të kënduar me “oi”, ashtu si ua kërkonte zemra miqve dhe e të zotit të shtëpisë.

Por Plaku i Këngës shumë shpejtë, rrufeshëm, do ta zgjeronte e shumëfishonte “gjeografinë” nga ku zëri i tij, më pas, u bë pjesë e festivaleve lokalë e atyre Kombëtarë. Eshtë një rast i veçantë, në mos i vetmi, ku një këngëtar popullor si Demir Zyko, të bënte që shumë studiues seriozë të folklorit të gjendeshin të papërgatitur për të shpjeguar fenomenin “Demir Zyko”. Ai, për hir të së vërtetës, i la studiuesit “gojëhapur”, i shushati si t’u kish bërë magji, duke iu hapur punë të madhe në aspektin për të gërmuar e për të gjetur “muret shekullorë” të konservatorit origjinal të këtij këngëtari të dalë nga gjiri i popullit. Mua, autorin e këtyre radhëve, më vuri në mendim thënia e studiuesit Shaban Sinani, sipas të cilit ‘Polifonia e Demir Zykos është një “argument i rrezikshëm” për të gjithë ata që janë mbajtur e mbahen se polifonia shqiptare, mund të jetë një mbizhvillim i mbështetur në polifoninë bizantine kishtare”. Ndoshta nuk kemi informacionin e duhur rreth punës që mund të jetë bërë për të shpjeguar me baza shkencore fenomenin “Demir Zyko”, por sido e sado që të jetë bërë, kam mendimin se kërkimet për të shpjeguar fuqinë e papërmbajtur të ligjërimit të këtij këngëtari virtuoz, janë ende në sipërfaqe, ashtu si për punën gjysmake që është bërë për paraardhësit tanë të moçëm.

Një këngëtar i pashembullt si Demir Zyko, i cili na solli ligjërime të pastra dhe më burimore të polifonisë toske të Skraparit, duhet të ketë vepruar si reja mbi det, që pi ujë të mjellmët

dhe lëshon shiun me ujë të ëmbël. Këngët e repertorit të tij na vijnë si të konservuara, si të nxjerra nga defterë të ruajtur me kujdes nga e shkuara e largët, nga shekujt, por që Xha Demiri i këndoi si të ishte vetë burimi nga kanë dalë.

Kënga e Xha Demirit, siç e dimë të gjithë, ka pushtuar radio, televizione, faqe gazetash e librash, e kërkuar nga qindra e mijëra artdashës brenda vendit e në mbarë botën. Në këtë kënd vështrimi na duhet të dëshmojmë se nuk është Demir Zyko që ka kërkuar të bëhet njëri me famë, por fama i ka caktuar një vend të lakmuar Demir Zykos. Fare pa dashje, si një “njeri i Zotit”, zëri dhe kënga ia sollën lavdinë si të ishte fshehur e ruajtur vetëm për të. E ku ta dinte çobani që ruante një tufë dele se një ditë këngët e tij të dashura, që i këndonte në qejf të tij ku dhe si t’ia sillte rasti; tek Lisi i Fejziut, vendi nga ku nënat nisnin djemtë nizamë, apo tek Shkëmbi i Tundur, ku ruante bagëtitë; në ahengje e gosti apo kur ia kërkonin një këngë për “të ndezur dasmën”, me përmbajtje që të shponin shpirtin, drithëruese, do ta bënin e jepnin kurorën e polifonisë toske?

Sigurisht ajo që lartësoi këngëtarin e madh është Ura e Qabesë, këngë që Ismail Kadare e quajti Perandoria e Katërt, pas asaj romake, bizantine dhe otomane. Me një ndryshim të madh: është Perandoria që përcjell mesazhe miqësie për të gjithë popujt. Ura e Qabesë është këngë-kujë dhe, çuditërisht, ka dymbëdhjetë rreshta si të ishin dymbëdhjetë apostuj.

Ura e Qabesë është një volum në aq pak fjalë, është oqean në një pikë loti, janë shekuj të sjellë për disa minuta vetëm duke e dëgjuar nga zëri i të paarririt Demir Zyko. Vetëm nga ai, sepse është i vetëm, pa një të dytë, që ka arritur të jetë këngëtari më i shquar i iso-polifonisë të sintetizuar magjishëm tek kjo këngë për ushtarin nizam.

Demir Zyko tashmë është bërë “mish e thua” me këngën skraparase, është bërë simboli i bukurisë të zërit njerëzor, magjia që arriti të krahasohet me këngëtarin e rrallë të natyrës, bilbilin. Këngët e kënduara nga ai janë bërë shërim për mijëra zemra të lënduara nga plagët e kurbetit, janë melhem ngushëllues për qindra e qindra nëna të cilave, ashtu si para shumë shekujsh, kur djemtë niseshin nizamë e nuk ktheheshin kurrë, u kanë mbetur fëmijët “Përtej Urës së Qabesë” me shpresën se një ditë do të kthehen pranë vatrave të tyre. 

Duhet dashuruar, duhet urryer, duhet luftuar, duhet që njeriu të vlojë përbrenda. Pa këtë bota do të ishte një kotësi. Këngët e Demir Zykos i kanë të gjitha: dashurinë, vuajtjet, shpresën, luftën, të gjitha çka njeriu përjeton e përpiqet për ta bërë jetën ashtu si ia ka falur zoti. Repertori i këngëve të kënduara nga zëri i magjishëm i xha Demirit është i veçantë, interpretim origjinal, “një tingull që buron nga kroi”, siç do ta vlerësonte këngëtarja, po kaq brilante, Eli Fara, në festivalin Kombëtar në qytetin e Lezhës në vitin 1973. Kanë shkruar studiues e gazetarë të ndryshëm, kanë bërë vlerësime specialistë nga më kompetentë të fushës së folklorit, kanë dhënë opinionet e tyre figura nga më të shquarat të vendit si Dritëro Agolli e Ismail Kadare, por përsëri e përsëri Demir Zyko mbetet ende i “virgjër”, ligjëruesi më enigmatik i këngës të polifonisë toskërishte, asaj të Skraparit. Ura e Qabesë është ndoshta ajo që mban e përcjell përmasat e gjëra të brendshme të një populli si ky i yni.


Galaktika e këngëve të këtij artisti brilant është e pazakontë, të çudit. Janë që të gjitha të tijat, prona të certifikuara falë dhuntisë që ka ditur të përzgjedhë ato këngë që mund t’i përballonte vetëm ai zë, ai që nxirrte nga shpirti një këngëtar e interpretues si ai, që “ndalej dielli ta dëgjonte”. Jo vetëm “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, “Një mëngjes, me natë u ngriçë”, “Më rrite nëne, më rrite”, “Shtira sytë në atë mal”, “Moj syzezë, symëshqerrë” etj, etj, por i gjithë repertori prej më shumë se njëqind këngësh, Demir Zyko arriti t’i ngjiste në podiumet e polifonisë toske, ato skraparase.
E veçanta e Demir Zykos ishte varësia nga kënga. Ai e dashuronte tmerrësisht këngën. Kur ndjehej i trishtuar i hidhte sytë tek “ku mërzen cjapi me zile”, tek vargjet e meloditë të cila i jepnin forcë jo vetëm për mundur hallet e dertet, por edhe ku mund të gjente forcë, të gjente pakëz buzëqeshje. Nëse atij mund t’i hiqje nga zemra dashurinë për këngën nuk kishe bërë gjë tjetër por i kishe hequr kënaqësinë për të jetuar.

Për nga tabiatet ai ishte pus, pus i thellë. Nuk kishte mundësi t’i nxirrje, qoftë edhe një gjë të vogël, nga ato që dikujt i dukej pa rëndësi. Pra nuk hapej dhe, për të të sajuar “bllokadën” në vazhdim të një muhabeti të nisur, qëndronte i ngrysur. Ndihmësve të tij xha Demiri ua “pëlciste buzën”, u kërkonte të pamundurën për mbajtjen apo ison gjatë interpretimit të këngës. “Mirë, mirë, por duhet më…”, u thoshte Medi Kushes, Neshat Hebipasit e Agim Carkanjit, duke ua lënë shtegun të hapur për punë e seriozitet të vazhdueshëm në interpretimin e këngës.

Ndoshta kanë pasur të drejtë që e kanë vënë këngën, ashtu si dashurinë, nëpër libra. Ato, pra kënga dhe dashuria, nuk mund të jetojë askund tjetër. Sepse një këngë është histori për shpirtin dhe se në fund të fundit, po kënga, është forma më e fortë e magjisë. “Artisti i Popullit” Demir Zyko na e ka lënë këtë pasuri tek këngët që na përcolli në vite: historinë e shpirtit dhe forcën e magjisë së këngës. Shumë prej tyre janë sfiduese dhe frymëzuese, janë optimiste dhe që u rezistuan kohërave për t’i bërë të vlefshme për brezat. Kanë kaluar plot një çerek shekulli nga dita që ai është larguar nga kjo botë. Po, ka vdekur vërtet Demir Zyko? Kjo pyetje është disi abstrakte, e pakuptimtë nëse kemi pranuar që shpirti i këtij këngëtari zë bilbil jeton në këngët që dëgjojmë përditë, në mijëra e mijëra kërkesa në You Tube, të cilat na e ngjallin, na e sjellin në jetë Demir Zykon. Ashtu si e përdori jetën ky njeri i thjeshtë nga fshati i thellë i Tomorricës, Gjerbësi, i cili diti të përciellë për kohërat, këto që jemi e ato që do të vijnë më pas, trashëgiminë më të çmuar të polifonisë skraparase dhe asaj toske në tërësi, do të mbetet i pavdekshëm, hyjnor. Shkrimtari i madh dhe miku i Demir Zykos, Dritero Agolli e la që në gjallje që ai e meritonte të mbetej në këngë. Sot Plakun e Këngës e gjejmë në këngë e në libra. I kanë realizuar djemtë e asaj krahine. Një nër ta, Dule Malindi, këngëtari virtuoz i kohës, i ditëve të sotme për këngën polifonike toskërishte, është nxënës i denjë i shkollës dhe traditës që ai la. 

Njeriun nuk e nderojnë titujt. Përkundrazi, njeriu nderon titujt, gjë të cilën mund ta themi me plot gojën për “Artistin e Popullit”, Demir Këngën e Skraparit.
Përjetë mirënjohës këtij artisti të madh!
Kanë thënë për Demir Zykon
Ismail Kadare
“Është një enciklopedi e tërë dhimbjeje, që kurorëzohet me këngën e Urës së Qabesë, pa dyshim më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë, jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë popullore botërore në përgjithësi.”

Dritero Agolli
“Demiri këndoi dhe i mban iso një popull i tërë. Këtu qëndron madhështia e tij, që i përvetësojnë brezat, si energjia elektrike në fill të telit. Kjo u intereson njerëzve. Është një kënaqësi e zërit të bukur dhe një dhimbje ndaj tij. Kënga e Demirit shkon larg tek refugjatët, atje jashtë njëqind herë shumëfishohet, bëhet më e madhe seç është këtu. Këtu qëndron bukuria e këtij njeriu. Një Demir bëhet mijëra Demirë.”

Xhevahir Spahiu
“Kur e shihje duke kënduar, të shfaqej përpara një bukuri e harmonizuar, diçka vërtet e madhërishme. Jo më kot, në festivalet kombëtare të Gjirokastrës, piktorët e skiconin. Dhe, vërtet, Demiri i dha këngës shpirt e trup. Do të ishte privilegj i veçantë për këdo që do të dëgjonte aq pranë atë zë magjik.”

Prof. Shaban Sinani
“Demir Zykua e bëri polifonisë toske të njëjtin shërbim që i bëri mjeshtri himariot Nestor Muka polifonisë së Bregdetit në vitet ’20. Në ligjërimin e Demir Zykos polifonia toske u shëmbëllye në formë të përkryer spektakolare.”
Sigal