Historiku zyrtar i shkollës “Skënderbej”

1972
Ceremonia e hapjes së shkollës, komandanti i parë Thoma Frashëri, prerja e shiritit nga Spiro Moisiu, parada e parë ushtarake e pasluftës, sportistët elitarë dhe kontributi i tyre
Në historikun e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, përveç dokumenteve të shumta arkivorë që gjenden në Arkivin Qendror të Ushtrisë dhe në Arkivin Qendror të Shtetit, që janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen nga autorët e librit “Skënderbegasit ndër vite….”, një rol të rëndësishëm kanë dhe kujtimet e protagonistëve, brezave të skënderbegasve, mësuesve, komanduesve e punonjësve që punuan disa dekada në këtë institucion. Por krahas tyre, kjo shkollë elitare, ka dhe një historik zyrtar të shkruar, që hedh dritë në këtë periudhë të ekzistencës së saj. Pas vitit 1992, kohë në të cilën u mbyll ky institucion, në disa shkrime, kujtime apo botime informuese, janë përdorur diku dhe fragmente të shkëputura nga ky historik i shkruar. Por ky historiku zyrtar voluminoz i shkruar, i kësaj shkolle, sigurisht i hartuar sipas metodologjisë së politizuar të kohës, nuk është publikuar asnjëherë i plotë. Pas dilemash dhe disa konsultave me specialistë të fushës, historianë e intelektualë të njohur, ramë në një mëndje dhe vendosëm që në pjesën e tretë të “Skënderbegasit ndër vite….”, ta botojmë të plotë, ashtu siç është në dosjen përkatëse të Arkivit Qendror të Ushtrisë. Nga ky material, ndonëse ne thelb i politizuar si të gjithë dokumentet e monizmit, sigurisht që ka dhe vlera njohëse për atë kohë dhe për kohën e sotme dhe atë që do të vijë… Në këtë historik, ka ngjarje reale të dokumentuara në kohë, ka emra mësuesish, pedagogësh që kanë kontribuar me punën e dijet e tyre në edukimin e brezave të skënderbegasve, ka dëshmi nga aksionet që kanë bërë skënderbegasit në ndërtimin e veprave madhore të vendit, ka dokumentim në kohë të arritjeve, por dhe të tragjedive të ndodhura… E të gjitha këto kanë lënë gjurmë e janë pjesë e historisë së shkollës. Mendojmë se duke ‘mënjanuar’ politizimin, historiku sjell diçka me vlerë që duhet të njihet nga të interesuarit. Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan në këtë aspekt, përfshi drejtuesit dhe punonjësit e Arkivit Qendror të Ushtrisë, në vazhdim po japim të plotë historikun zyrtar të shkollës “Skënderbej”.
Autorët 

Etapa e parë, formimi i shkollës së pionierëve të luftës 1945-1946
Populli shqiptar i organizuar e i drejtuar nga PKSH filloi Luftën e ashpër Nacionalçlirimtare kundër okupatorëve italo-gjerman dhe tradhtarëve të vendit. Gjatë kësaj lufte heroike, Partia krijoi Ushtrinë Nacionalçlirimtare, me bijtë dhe bijat më të mira të popullit, të cilët, duke sakrifikuar dhe jetën, u ngritën me urrejtje ndaj armikut në një luftë të pabarabartë. Ushtria Nacionalçlirimtare kaloi nga një fazë në tjetrën, gjithmonë në rritje. Ajo kishte si bazë të sajën traditën luftarake të popullit shqiptar, urrejtjen ndaj pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit si dhe idealin komunist, që qe arma më e fuqishme e ushtrisë partizane dhe siguronte prioritetin ndaj armiqve të shumtë dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Repartet edhe nënrepartet partizane drejtoheshin nga bijtë më të mirë e më besnikë, më të vendosur në çështjen e tyre të drejtë. Këto kuadro, nuk kishin kryer shkollë dhe akademira ushtarake, nuk kishin njohuri mbi artin e ushtrive moderne, por u përgatitën në zjarrin e luftës partizane. Praktika e luftës partizane nuk përvetësohej në mënyrë të thatë nga kuadrot e partizanët, por ajo ndriçohej vazhdimisht nga teoria marksiste-leniniste, që PKSH me në krye shokun Enver Hoxha, diti ta aplikonte atë në kushte konkrete të vendit tonë. Prandaj themi se në kuadrin e Luftës Nacionalçlirimtare, u krijua arti i ri luftarak, u krijua ushtria e tipit të ri, që organizohej e drejtohej nga kuadro të reja. Armiku u mund, vendi u çlirua, populli korri fitoren e ëndërruar prej shekujsh, por armiqtë e tij nuk hoqën dorë për asnjë moment nga synimet e tyre shoviniste për t’i grabitur atij lirinë dhe t’i kthenin robërinë kombëtare e shtypjen shoqërore. Në këto kushte, garanci për fitoren e arritur, ishte formimi i gjithanshëm i diktaturës së proletariatit dhe në veçanti formimi i teknikës së ushtrisë popullore. Partia jonë, me largpamësi, duke vlerësuar drejt aktualen me perspektivën, çështjen e formimit e të modernizimit të ushtrisë e ka pasur gjithmonë parasysh dhe ka marrë masat e nevojshme në momentin e duhur. Në këtë drejtim, një rëndësi të veçantë merrte përgatitjen e kuadrove të aftë për të drejtuar ushtrinë, besnikë deri në vdekje ndaj Atdheut, popullit e Partisë. Këto kuadro duhej të përgatiteshin në shkollën e kurse të ndryshme kualifikimi, ku të përvetësonin artin e ri luftarak, atë art që ishte rezultati i shkrirjes së praktikës partizane me atë luftarake. Prandaj që në kohën kur akoma ndihej jehona e luftës, kur brigadat partizane zhvillonin luftime të përgjakshme me gjermanët duke kryer detyrën internacionale në ndihmë të popullit të Jugosllavisë, kur ato po kryenin operacione spastrimi ndaj bandave të kriminelëve të mbetura në malet tona, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, shoku Enver Hoxha, dha urdhër në tetor 1944, për organizimin e kurseve të kualifikimit të oficerëve. Në këto kurse kualifikimi, oficerët pajiseshin me njohuri elementare të nevojshme për të drejtuar repartet dhe nënrepartet e Ushtrisë sonë Popullore, si dhe i nënshtroheshin një përgatitje politike dhe ideo-taktike në ushtri. Të tilla kurse 1-2mujore u organizuan disa. Por eksperienca tregoi se përvetësimi i njohurive që dispononte ushtria jonë, kërkonte një përgatitje më të thellë me kulturë të përgjithshme, një horizont më të gjerë mbi ligjet e zhvillimit të natyrës dhe shoqërisë. Nga ana tjetër, shërbimi ushtarak kërkonte vullnet të fortë, qëndrueshmëri para vështirësive, përgatitje të lartë fizike, shpirtin e sakrificës, guxim e trimëri, kërkonte përgatitje të lartë ideologjike dhe politike, dashuri e besnikëri deri në vdekje ndaj atdheut, popullit e Partisë, ndaj marksizëm-leninizmit. Të gjitha këto kultivohen tek ushtaraku ndërmjet një procesi të gjatë edukimi të gjithanshëm e të vazhdueshëm. Prandaj doli nevoja e krijimit të një shkolle ushtarake, qëllimi i së cilës ishte përgatitja e kuadrove të ardhshëm, elementëve të zot e të denjë për ushtrinë tonë popullore. Nga e kaluara ne nuk trashëguam asnjë shkollë luftarake, prandaj ajo do të ishte një organizim i ri, si në formë, ashtu dhe në brendinë e qëllimin e saj. Pikënisja për krijimin e Shkollës Ushtarake u krijua me urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shokut Enver. Ky urdhër u përhap në të gjitha brigadat partizane dhe aty, nga fillimi i marsit 1945, erdhën pranë shkollës ku kryhej kursi i perfeksionimit të oficerëve, pionierët e parë partizanë. Ne fillim numri i tyre ishte 200 vetë. Midis tyre merrnin pjesë dhe 5 shoqe partizane të vogla, si Veronika Murzaku, Katerina Prifti, Xhevrije Golemi e Bukurie Malo. Hapja e shkollës së pionierëve të Luftës ishte një gëzim i madh për partizanët e vegjël, sepse po realizohej ëndrra e tyre dhe e brezave paraardhës për të mësuar, për të përvetësuar dije e kulturë, për t’u bërë zot të vetes e të atdheut. Por largimi nga radhët e reparteve partizane, nga gjiri i shokëve me të cilët ata kishin kaluar vitet më të ashpra, por edhe më të lavdishme të jetës së tyre, ishte një moment tepër i vështirë, prandaj komisarët e komandantët e tyre, partizanët më të mëdhenj, (që për një kohë të gjatë kishin qenë gjithçka për pionierët luftëtarë), i përqafuan me dashuri prindërore dhe duke i përcjellë, i këshillonin dhe u uronin suksese në frontin tjetër, në atë të edukimit arsimor e ushtarak. Për ditë me radhë, nga të gjitha anët e vendit tonë, vazhdoi grumbullimi i pionierëve partizanë. Ata vinin nga beteja e luftës kundër mbeturinave të armikut e bandave te kriminelëve të luftës. Vinin nga malet, që për një kohë të gjatë i kishin strehuar në gjirin e tyre e i kishin mbrojtur nga armiku. Prandaj, ata i karakterizonte një krenari e ligjshme, e cila shprehej në sytë, në fjalët ne lëvizjet e në të gjitha veprimet e tyre, e bashkë me të, shprehnin dashurinë e madhe për atdheun, për partinë e për shokun Enver Hoxha. Rregulloret bazë nuk kishin dalë akoma, prandaj jeta e brendshme organizohej sipas kushteve dhe sipas disiplinës partizane. Në këtë mënyrë, ish-partizanët e vegjël, filluan një jetë të re e me regjim të rregullt e të organizuar. Për pionierët e parë do të jetë e paharruar dita e 28 marsit 1945. Atë ditë, të gjithë pionierët, rreth 300 të rreshtuar sipas kompanive, përjetuan me emocion atë ceremoni të thjeshtë dhe të bukur që la gjurmët e para në historinë e re të shkollës. Thoma Frashëri i paraqiti forcën shokut Spiro Moisiu, i cili përshëndeti. Pionierët filluan parakalimin ceremonial. Hapi i pionierëve ishte i fortë e i sigurt. Pamja e gëzuar dhe burrërore tregonte për organizimin e tyre, besimin në vetvete, për suksese të reja në përvetësimin e dijeve dhe AUP. Ata i premtuan udhëheqësit te Partisë se detyrën që po fillonin tani, do ta plotësonin më së miri. Pas parakalimit organizuan në sheshin e shkollës një manovër “luftarake” me anën e së cilës shpreheshin se ishin gjithmonë të gatshëm për luftë kundër çdo lloj armiku, se do të ishin vigjilentë, se do të bëheshin kuadro të luftës, ashtu si i kërkonte Partia e shokut Enver. Kështu, dita e 28 marsit 1945, u quajt dita e krijimit të shkollës luftarake, të pionierëve të luftës. Përpara pionierëve dilnin një sërë detyrash të vështira. Atyre u duhej shumë punë për normalizimin e jetës. Vendi ku vendoseshin klasat e fjetoret ishin të shkatërruara, gjurmët e luftës për çlirimin e Tiranës ishin të freskëta. Ndërtimet kishin qenë të minuara, sheshi midis tyre ishte i mbushur me pengesa prej teli , ishin hapur llogore e transhe. Në mjedisin e shkollës ishin grumbulluar mbeturinat e teknikës dhe armatimit të ushtrisë gjermane. Ishte koha sapo populli kishte dalë nga lufta dhe ajo i kishte shkaktuar atij një plage të rëndë. Ekonomia e vendit ishte shkatërruar shumë. Në këtë situatë, mënyra e jetesës, fjetjes, ushqimit i pionierëve nuk mund të ishte i mirë. Edhe pas 28 marsit vazhdonin të vinin pionierë, jo vetëm nga brigada partizane, por edhe nga fshatrat dhe qytetet. Këta ishin bijtë e dëshmorëve të luftës Nacionalçlirimtare, bijtë e familjeve fshatare dhe punëtorëve që nuk kishin kursyer asgjë për luftën Nacionalçlirimtare. Vinin dhe fëmijë nga jetimorja që kishin humbur prindërit në luftë. Siç shihet, në shkollë vinin fëmijë nga drejtime të ndryshme, me moshë e me nivel kulturor-arsimor të ndryshëm. Shumë prej tyre që ishin dhe në male të mitur, ishin analfabetë, të tjerët që vinin nga lufta kishin mundur të mësonin vetëm shkrim e këndim, aq sa u lejonin kushtet e rrethanat e jetës partizane. Midis tyre kishte dhe disa që kishin arsimin fillor ose 7-vjeçar. Ndërsa ato me një ose dy klasë të mesme, ishin shumë të pakët. Kuadri oficer nuk kishte ardhur akoma në ditët e para, mungonte pothuajse fare dhe kuadri pedagogjik. Ishte koha e paraçlirimit dhe armiku i klasës së parë mundohej në të gjitha drejtimet për të dobësuar pushtetin popullor dhe në veçanti Ushtrinë Popullore. Ai mundohej të fuste në ushtri elemente të padëshiruara. Kështu, nën maskën e fëmijëve të “strehës varfërore” të Tiranës, u futën në shkollë vëllai i armikut të Partisë, Sadik Premtes, i biri i kapitenit të ballit, Ibrahim Çelës etj, që më vonë të bëheshin vegël e reaksionit të brendshëm e të jashtëm. Nga mesi i prillit 1945 erdhi komisar dhe drejtor shkolle, Dule Pashai, erdhën gjithashtu dhe 5 komandantë kompanie, përkatësisht Isuf Bobaj, Shuaip Llaze, Filip Stefani, Kadri Mulleti dhe Miço Kola. Si komandant shkolle ngeli Thoma Frashëri. Po në këtë kohë, erdhën dhe mësonjësit e parë si Pavlina Grabocka, Kadrie Kopliku, Selman Tafa, Hamdi Cani, Arqile Kondi etj…Para kuadrit oficerë dhe mësonjës, dilnin detyra që kërkonin zgjidhje të drejta në kushtet e mungesave të theksuara e të një kolektivi nxënësish heterogjen. Por nën drejtimin e organizatës së Partisë, me udhëzimet dhe këshillat e udhëheqësve të Partisë e Ushtrisë, që e vizitonin shkollën pothuajse çdo javë, me punën e palodhur të komunistëve, me shpirtin e sakrificës dhe hovin revolucionar të pionierëve, nuk kishin pengesë që mos të kalohej. Edukimi arsimor e politiko-ushtarak filloi sipas një progresi të caktuar. Në drejtim të mësimit, duhej filluar puna me luftën kundër analfabetizmit. Pastaj nxënësit fitonin të drejtën të regjistroheshin në një nga klasat e fillores, ose të 7-vjeçares, sipas dijes që kishin fituar. Një rëndësi të madhe në procesin e edukimit të pionierëve zinte edukimi politik, që kryhej çdo ditë 1 deri 1. 5 ore. Objekti i tij ishte situata e brendshme dhe e jashtme, ku rëndësi i kushtohej rritjes së vigjilencës. Traditat luftarake të popullit studioheshin ndërmjet lëndës së historisë, e cila pasurohej dhe nga tregimet e pionierëve, nga letra e dëshmorëve dhe aksionet luftarake të reparteve dhe nënreparteve ku ata kishin marrë pjesë. Njohja e vendit tonë bëhej nëpërmjet lëndës së gjeografisë. Te rëndësishme ishin dhe mësimi i gjuhës dhe matematikës. Në përgatitje ushtarake, rëndësi kishte renditja rreshtore e taktike dhe përgatitjet fizike. Tekstet arsimore, fletoret dhe lapsat mungonin, prandaj kërkohej nga mësuesit te gjenin forma dhe metoda të reja të mësimdhënies. Ata i bënin të gjitha përpjekjet që mësimi të ishte sa më i plotë. Disa nga nxënësit i merrnin mësimet me shënime, shfrytëzoheshin ato pak dispenca që ekzistonin. Por ata kishin shumë të meta, se i përkisnin botës së vjetër, prandaj ishte detyrë e mësuesve t’u fusnin partishmërinë dhe t’u jepnin karakterin shkencor. Për mungesë të klasave mësimi zhvillohej paradite e pasdite. Fronti i punës për rregullimin, sistemimin, zbukurimin dhe pajisjen e shkollës me terrene sportive, ishte një drejtim tjetër i veprimtarisë së pionierëve.. Mosha e re, dëshirat e tyre fëmijërore, nuk pengonin zbatimin e kërkesave të forta të disiplinës ushtarake. Vetë pionierët aktivizoheshin dhe merrnin pjesë gjallërisht në vendosjen e rregullit dhe disiplinës.“Ne thoshte pionierja e vogël-kemi krijuar një grup disipline të përbërë prej tre shokësh dhe dy shoqesh, të cilët kanë detyra të vazhdojnë e të edukojnë me disiplinë 400 pionierët e batalionit të shkollës. Kemi zgjedhur gjithashtu presidentin e sportit. Çdo mbrëmje grupi teatral koral na zbavit me këngë e shfaqje të thjeshta, por të bukura”. Më tepër nga çdo gjë, pionierët i gëzonte qenia e tyre nxënës, që iu dha mundësia për të mësuar e për t’u bërë kuadro të Ushtrisë Popullore.“Jemi shumë të kënaqur, – thotë pionierja nga Erseka, – sepse këtu marrin frymën e re, jemi të lirë si nuk kemi qenë kurrë dhe rritemi me të gjitha të mirat. Edhe disiplina nuk na mërzit. Ajo duket si një nevojë, si një ushqim i përditshëm i joni. Jeta e këtushme, është fare e ndryshme nga ajo që kanë bërë nëna tona të vuajtura. Këtu në këtë shkollë ne jemi vetëm pesë pioniere, megjithatë ne e kemi për mburrje, sepse shpirtërisht përfaqësojmë të gjitha shoqet tona të vogla”. Ndryshime të dukshme u bënë edhe në uniformën e pionierëve. Në fillim nuk kishte një uniformë unike. Disa ishin me uniformë partizane, pjesa tjetër kishin veshje të ndryshme, por kjo gjendje nuk vazhdoi gjatë. Në ditën e 1 majit 1945, pjesërisht me uniformë të rregullt, parakaluan krahas klasës punëtore. Ata mbanin në duar portrete të shokut Enver dhe të Stalinit. Pionierët partizanë erdhën nga malet bashkë me armët e tyre që për një kohë të gjatë i kishin pasur shokët e tyre më të ngushtë. Me armët kishin lidhur kujtime të pabarabarta të jetës së tyre. Ato armë pionierët ua kishin marrë gjermanëve dhe tradhtarëve dhe me to kishin kryer betejat kundër tyre. Arma ishte bërë pjesë e pandarë e trupit të tyre dhe tregonin një kujdes të madh për to, prandaj ndarja nga armët për pionierët ishte një gjë e pamundur. “Nuk i dorëzojmë armët, – thoshin pionierët, – sepse ua kemi rrëmbyer në luftë armiqve, fashistëve, ballistëve. Duhet t’i ruajmë pasi lufta nuk ka mbaruar akoma. ” Me gjithë punën e madhe që bënin oficerët me pionierët për një kohë të gjatë, ata i mbajtën armët me vete dhe vetëm më 9 maj 1945, ditën kur gjermanët fashistë kapitulluan pa kushte, pasi u bindën se fitorja ishte korrur plotësisht, pionierët pranuan t’i dorëzonin armët. Gëzimi i fitores qe i papërshkrueshëm. Nga të gjitha anët filluan brohoritjet e gëzuara. Në mbrëmje, pionierët i lanë armët në një vend ku ruheshin mirë e kishin mundësi t’i shikonin dhe herë pas here t’i pastronin. Pas dy muaj e gjysmë u mbyll viti shkollor. Rezultatet ishin të kënaqshme. U eliminua pothuajse plotësisht analfabetizmi. Shumë pionierë mbaruan me sukses programin e shkollës fillore dhe kaluan në shkollën 7-vjeçare. Mosha e tyre ishte e madhe në krahasim me klasën që ishin ata. Për të zhdukur këto përpjestime, shumë pionierë, me vullnetin e tyre të madh, me etjen për dije e mësim, si me ndihmën e pakursyer e të palodhur të mësonjësve, mundën që të marrin një deri dy klasë në një vit. Me 10 korrik 1945, në përvjetorin e dytë të krijimit të ushtrisë popullore, shkolla ushtarake e pionierëve e inkuadruar në një kuadrat, parakaloi para Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shokut Enver Hoxha. Në këtë parakalim tregoi përgatitje të lartë fizike e ushtarake dhe mori flamurin. Gjatë vitit shkollor 1945-46 shkolla ishte pajisur me mjetet e nevojshme për mësim dhe jetesë. Programet këtë vit ishin më të studiuara dhe mësimi zhvillohej në rregull. Nxënësit kishin në përdorim tekstet e para. Kultura e përgjithshme jepej sipas programit të aprovuar nga Ministria e Arsimit. Zhvilloheshin dhe dy gjuhë të huaja, jugosllavishtja dhe rusishtja. Më shumë pionierë kishte në klasat e fillores dhe 7-vjeçares. Këtë vit u krijua dhe një klasë me nxënës që vazhdonin mësimet në shkollën e mesme “Qemal Stafa”. Efektivi i saj ishte Agron Sterova, Ylber Stavo, Tahir Hoxha, Jorgji Kodra, Pavllo Dede, Elmas Hasanmataj, Thimi Dhamo, Myfit Guxholli, Bardhyl Cinxi dhe Sotir Tiko. Këta nxënës që vinin në shkollën “Qemal Stafa” ishin për nxënësit e tjerë si simbol i rregullit e disiplinës, i edukatë dhe përgatitjes në mësim. Ata përfaqësonin denjësisht figurën e oficerit të ardhshëm të ushtrisë sonë popullore. Gjithashtu lëvizja kulturore dhe sportive po rritej më tepër. Ekipet e shkollës në garat e atletikës zinin vende të mira. Nga efektivi i saj filluan të dilnin sportistë të talentuar, që në vitet e mëvonshme i shohim të përfaqësojnë ushtrinë në aktivitetet sportive kombëtare dhe shpeshherë dhe vendin tonë në aktivitetet ndërkombëtare. Të tillë sportistë të gjithandejshëm që i përkisnin kësaj periudhe kanë qenë Petrit Murzaku, Petrit Caslli, etj. ..Në vitet 1945-46 u vunë në dispozicion të shkollës edhe 25 arsimtarë të tjerë, midis së cilëve ishte Mellani Hanxhari, Vlash Çepiku, Dervish Bejleri etj. 
“Në fillim numri i tyre ishte 200 vetë. Midis tyre merrnin pjesë dhe 5 shoqe partizane të vogla, si Veronika Murzaku, Katerina Prifti, Xhevrije Golemi e Bukurie Malo. Hapja e shkollës së pionierëve të luftës ishte një gëzim i madh për partizanët e vegjël… Por largimi nga radhët e reparteve partizane, nga gjiri i shokëve me të cilët ata kishin kaluar vitet më të ashpra, por edhe më të lavdishme të jetës së tyre, ishte një moment tepër i vështirë, prandaj komisarët e komandantët e tyre, partizanët më të mëdhenj, (që për një kohë të gjatë kishin qenë gjithçka për pionierët luftëtarë), i përqafuan me dashuri prindërore dhe duke i përcjellë, i këshillonin dhe u uronin suksese në frontin tjetër, në atë të edukimit arsimor e ushtarak”. 

“Ishte koha e paraçlirimit dhe armiku i klasës së pari mundohej në të gjitha drejtimet për të dobësuar pushtetin popullor dhe në veçanti Ushtrinë Popullore. Ai mundohej të fuste në ushtri elemente të padëshiruara. Kështu, nën maskën e fëmijëve të “strehës varfërore” të Tiranës, u futën në shkollë vëllai i armikut të Partisë, Sadik Premtes, i biri i kapitenit të Ballit, Ibrahim Çelës etj, që më vonë të bëheshin vegël e reaksionit të brendshëm e të jashtëm. Nga mesi i prillit 1945 erdhi komisar dhe drejtor shkolle, Dule Pashai, erdhën gjithashtu dhe 5 komandantë kompanie, përkatësisht Isuf Bobaj, Shuaip Llaze, Filip Stefani, Kadri Mulleti dhe Miço Kola. Si komandant shkolle ngeli Thoma Frashëri”
Njoftim: Nisur nga telefonatat e shumta dhe pyetjet në rrjetet sociale, nga vendi e jashtë tij, lidhur me promovimin e librit “Skënderbegasit” ndër vite, njoftojmë skënderbegasit dhe të interesuarit e tjerë se një aktivitet që bëhet më 28 mars në Muzeun Historik Kombëtar, nuk ka asnjë lidhje me promovimin e librit që bëhet në kuadër të aktiviteteve zyrtare të ‘Vitit të Skëderveut-2018” dhe 28 marsit, 73 vjetorit të çeljes së shkollës “Skënderbej”. Koha dhe vendi i promovimit do të lajmërohet dhe mediatikisht.
Nesër do të lexoni:
-Vizita e Enver Hoxhës në pranverë të vitit 1946 në shkollën e kadetëve dhe porositë që ai dha për skënderbegasit.
-Shkurti i vitit 1947, moment i rëndësishëm për shkollën e ushtarakëve. Shkollës së kadetëve i jepet emri shkolla “Skënderbej”. Ceremonia që u zhvillua.
-Iniciativa e vitit 1947 për të marrë dy vite njëherësh në një vit kalendarik mësimor. Kush janë 40 skënderbegasit që morën në një vit, dy vite shkollë dhe karriera e tyre. 
Sigal