Historia e mjeteve të transportit në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

143
Dr. N/Kolonel Hekuran A. RAPAJ
Në vargun e pikave kulmore të historisë luftarake të popullit shqiptar, ngrihet madhështore dhe e lavdishme Lufta Nacionalçlirimtare Shqiptare. Ajo shkëlqen veç të tjerash edhe për shkallën e lartë të organizimit, të funksionimit e të drejtimit të mbështetjes me transport. Nga format e thjeshta të lindjes së shërbimit të transportit, në njësitet guerile, çetat partizane u zgjeruan, u organizuan dhe u forcuan pandërprerë, duke u konsoliduar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, për të marrë më tej frymëmarrje, në Brigadën Sulmuese, Divizion e Korparmatë. Bashkë me lindjen e nevojës së mbështetjes me transport, njësitet gjenin edhe mjetet e transportit. Ku i gjenin ato? Mjetet e transportit duhet t’i siguronin nëpërmjet veprimeve të pandërprera e të vazhdueshme guerile. Objekti i sigurimit të burimeve të mjeteve të transportit ishin sulmet e pandërprera kundër qendrave të milicisë, karabinierisë, SIM-it, kazermave, depove, kolonave në ecje etj. Burim tjetër ishte blerja e mjeteve transportuese, kur ato nevojiteshin urgjent dhe për perspektivën. Burimi tjetër, më i sigurt dhe më i fuqishëm ishte mbështetja tek populli, tek lufta e tyre e vazhdueshme. Për vazhdimësinë e luftës në të gjitha frontet duheshin armë, municione, ushqim, veshmbathje, materiale të tjera, të cilat jo vetëm duheshin siguruar, por duheshin transportuar në destinacionet e nevojshme dhe në kohën e përshtatshme. Kur Atdheu kërcënohej nga rreziku më i madh që mund të kishte parë gjatë shekujve, bijtë më besnikë të popullit, të kualifikuar profesionalisht, shoferë dhe specialistë të shfrytëzimit e transportit u bashkuan me lëvizjen çlirimtare. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur shoferët. Ndërmarrja e tyre ishte aq e guximshme sa edhe e shenjtë, pse luftuan dhe punuan në kushte dhe rrethana krejt të reja e të panjohura, pa përvojë dhe eksperiencë historike në të kaluarën. Automjeti i parë dhe i përhershëm i përdorur nga njësiti gueril i Tiranës dhe i çetës së Pezës ishte makina e Muhamet Qolit, Met Kavajës (Qolit), mjet i tipit “Milençento”. Përveç tipit “Mileçento”, njësitet guerile, sidomos në Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë etj., përdornin vetura të tipit “Topolino”, të vogla, të manovrueshme e të përshtatshme për lëvizje të maskuara guerile. Qyteti i Korçës qe një nga të parët që hodhi hapat e parë në vendosjen në dispozicion të Luftës Nacionalçlirimtare Shqiptare mjetet automobilistike të transportit, së bashku me një personel patriotësh të përgatitur dhe profesionalisht të aftë. Përvoja në këtë qytet e kishte burimin e vet që nga shoqëritë e para të transportit automobilistik, siç mund të përmendim “SATA”, (Shoqëria Anonime e Transportit Automobilistik), si pjellë e firmës automobilistike “Fiat”, që mori përmasa dhe u zgjerua në marsin e vitit 1940. Të tillë zgjerim automobilistik kishte marrë edhe transporti i industrisë minerale në shoqërinë “AMMI”, kryesisht në zonën e Pogradecit, etj. Pra, Tirana, Korça, Elbasani, Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Durrësi etj., kanë qenë qendrat kryesore ku aktiviteti i njësiteve guerile është realizuar nëpërmjet një shtrirjeje të gjerë në organizimin dhe përdorimin e mjeteve të transportit. Gjatë kësaj periudhe, si në Tiranë, Vlorë, Shkodër etj., një përdorim të gjerë kishin motoçikletat, që në përgjithësi ishin të markave italiane, kryesisht motori i markës “Guci”. Gjatë kalimit në fazën e dytë të Luftës Nacionalçlirimtare Shqiptare, Korrik-Maj 1943, u gjykua plotësisht se ishin pjekur kushtet për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, që shënoi fillimin e hapit të parë për organizimin e rregullt të transportit ushtarak, që u shoqëruan me krijimin e njësiteve të vogla të motorizuara transportuese. Pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Labinot, gjendeshin një sasi automobilash, (një togë transporti automobilistik). Shefi i parë i seksionit të transportit u caktua Thanas Gjoka, i ardhur nga rreshtat partizane. Është e qartë se për të përballuar nevojat e kësaj ringritjeje të re duheshin mjetet e transportit. Me qëllim që automjetet që ndodheshin në vend të mund të shfrytëzoheshin më mirë, që mund të plotësoheshin dhe më mirë nevojat e popullit, të ekonomisë dhe të ushtrisë, u bë i domosdoshëm rekuizimi i përgjithshëm i mjeteve të transportit. Në fillim të muajit gusht 1945, komisioni shtetëror i konfiskimeve dhe rekuizimeve, duke zbatuar drejt ligjet e dala për këtë qëllim, vendosi shtetëzimin e degëve të shoqërive italiane në Shqipëri: “Truki”, “Gafuli”, “Simoncini”, “SATA”, “Aureli”, “CIDA” etj., kurse pak më vonë edhe shtetëzimin e degëve të shoqërive shqiptare: “Voskopoja”, “Morava”, “Shkumbini”, “Vjosa”, “Zëmblaku” etj, si dhe një pjesë e mjeteve që dispononin privatët, që nuk bënin pjesë në këto shoqëri. Disa nga tipat dhe markat e mjeteve më kryesore të transportit përdorur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore janë: Lançia “Aprilia”, Fiat “500 A Topolino”, Fiat “500 Topolino”, Fiat “514”, Fiat “Una Topolino”, Fiat “508 Balila”, Fiat “525”, Fiat “521 S Sedan”, Fiat “521”, Fiat “521.c”, Ford “Model 7W”, Ford “Model A”, Ford “Model Y”, “Mileçento”, “Trantokuatro”, Autobuz tip “Fiat” etj.