Historia e Gardës së Skënderbeut sipas analistëve të huaj dhe Fan Nolit. Si ndërtoheshin repartet elitë

1634
DOSSIER NGA SAFET RAMOLLI

Garda e Skënderbeut sipas analistëve të huaj dhe F. S. Nolit 
Viti 2018 nga qeveria shqiptare është vendosur si Viti i Skënderbeut. Kjo duke marrë shkak nga 17 janari i vitit 1468, kur prijësi i shqiptarëve ndërroi jetë në Lezhë. Fatkeqësisht, Atij dhe disa të tjerëve, të cilët i kanë bërë nder jo vetëm popullit shqiptar por edhe më gjerë, u dimë vetëm ditëvdekjen. Udhëhoqi vendin për gati një çerek shekulli kundër sulmeve osmane, duke u shndërruar në një barrierë të pakapërcyeshme të ushtrisë osmane, nga më të fuqishmet e kohës, drejt Evropës, e cila është deklaruar haptazi dhe me zëplot, mirënjohëse. Skënderbeu mbetet themelues i të parit shtet shqiptar, por sidomos strateg ushtarak me përmasa më tepër se sa rajonale. Ai njihet si ideator, themelues dhe komandues i Gardës së Shtetit, për të cilën, po bëj përpjekje të hedh dritë sadopak përmes këtij punimi. Në lëmin e strategjisë ushtarake mbetet midis të përkorëve, duke zënë vend meritueshëm në kulmin e piramidës drejtuese.

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 562 datë 6.12.1993 si datëlindje të Gardës së Republikës ka përzgjedhur 24 qershorin e vitit 1928. Edhe pse korrigjon një vendim të mëparshëm, i cili si datë krijimi përcaktonte 12 shkurtin e vitit 1944, personalisht mendoj se ka mjaft dokumente që hedhin dritë për praninë e Gardës së Shtetit së paku nga viti 1923, problem që kërkon trajtim të veçantë.
Garda Pretoriane nën gjykimin e analistëve të huaj dhe të Fan S. Nolit
Pas Marin Barletit, janë mjaft historianë e analistë të huaj, të cilët ndriçojnë problemin e pranisë së formacionit të Gardës Pretoriane në Ushtrinë e Skënderbeut. Kryesisht ata janë të trevës italiane, midis të cilëve zënë vend të veçantë, Melkior Mikaeli (Melchior Michaeli) dhe Xhemaria Biemi (Giamaria Biemmi). Mikaeli është nga Venecia, dhe do të ketë pasur mundësinë të njihet me materialet arkivore të Venecias. Njëherësh ai njeh shumë mirë veprën e Marin Barletit. Mbi bazën e këtyre dokumenteve, ai gjykon dhe arrin në përfundimin se, në ushtrinë e Skënderbeut në vijimësi ka qenë edhe një Repart Special, bërthamën e të cilit e bënte kavaleria prej gjashtëqind kalorësish. Mikael hedh një hap të guximshëm, kur pohon se Barleti e nënvizon disa herë praninë e Gardës, por nuk jep shpjegime të hollësishme për organizimin e saj. Megjithatë, e rëndësishme, mbetet të pohojmë se, një autor i huaj, pas një studimi serioz, pas një shoshitjeje të kujdesshme të dokumentacionit të kohës, arrin në përfundimin logjik se, Skënderbeu kishte të organizuar dhe në veprim të përhershëm një formacion, për të ruajtur dhe siguruar jetën e tij dhe të komandantëve të tjerë, të emërtuar “Garda Pretoriane”. Më autoritar e më i besueshëm i Historisë së Skënderbeut na prezantohet Biemmi, i cili në vitin 1742 dhe 1756, boton në Breshia (Brescia) librin “Historia e Gjergj Kastriotit – të quajturit Skënderbe”, ose “Istoria di Giorgio Castrioti, detto: Scanderbegh”. Ai pretendon se, për botimin e “Historisë së Skënderbeut”, ka pasur si bazë një material të titulluar, “Historia e Skënderbeut, e botuar prej një shqiptari”, ose “Historia Scanderbeghi, edita per cuendam Albanesem”, e shtypur në Venedik më 2 prill 1450, prej një shqiptari, i cili në historiografinë shqiptare ka zënë vend me emrin anonim “Tivarasi”. Vetë “Tivarasi”, pohon apo shprehet, se këtë histori e ka shkruar vetëm dymbëdhjetë vjet e tre muaj pas vdekjes së Skënderbeut. Do të ishte në nderin e Historiografisë Shqiptare, që kjo vepër të disponohej, por gjithsesi mbizotëron pohimi se, kjo vepër nuk ruhet. Biemmi, ndoshta mund të jetë i pari autor autoritar, i cili shprehet për prezencën e formacionit të Gardës Mbretërore në shekullin XV. Pa asnjë ekuivok pohon se, “…ky shqiptari ishte nga Tivari dhe e shkroi Historinë e Skënderbeut pas raporteve që i jepte i vëllai, i cili ishte oficer në Gardën Mbretnore…”. Biemmi duke iu referuar zhvillimit të Betejës së Torviollit, të cilën e kemi cituar më lart, pranon se, Skënderbeu bashkë me Ajdin Muzakën ishin të siguruar nga një batalion këmbësorie të përbërë kryesisht nga krutanë dhe këtë përzgjedhje Prijësi i Arbërorëve e kishte bërë si një detyrim që kishte ndaj Krujës, e cila e priti me bujari, si dhe e mbështeti me gjithçka. Ai nënvizon se, këtë batalion do ta përdorte si Roje Personale, pasi koha ishte e mbushur me rreziqe, dhe marrja e masave kundër tyre ishte sa emergjente. Fan S. Noli, në vlerësim të veprës së Biemmit, sqaron edhe sa vijon. Po të mbajmë parasysh që kjo histori është shkruar vetëm 12 vjet e tre muaj pas vdekjes së Skënderbeut, duhet të pranojmë që është shumë më pranë së vërtetës, sepse, memoria e popullit, por sidomos e një krijuesi, i cili disponon raporte nga i vëllai, që ishte pjesëmarrës dhe dëshmitar okular në Gardën Pretoriane të Skënderbeut, duhet të rezultojnë konkrete për sa i përket formësimit të ngjarjeve edhe episodeve. Nga hulumtimi i veprës së Biemmit, mësojmë se Tivarasi, rezulton të jetë tepër i sinqertë, pra edhe i besueshëm, për ato që na ve në dispozicion; megjithatë pohon se të dhënat për veprimtarinë ushtarake të Skënderbeut në ekspeditën në ndihmë të Ferdinandit të Napolit në vitet 1460 -1462, mund të ketë ndonjë shmangie nga të vërtetat, sepse i vëllai i tij oficer në Gardën Mbretnore, për shkaqe shëndetësore nuk ka qenë i pranishëm në Itali. “Tivarasi” i Biemmit është lakonik: “i vëllai i tij, oficer në Batalionin e Gardës, nuk e shoqëroi Skënderbeun në ekspeditën italiane….”.Në trajtimin e këtij problemi, autoritar dhe i besueshëm mbetet Fan S. Noli, i cili dy herë (më 1921 dhe 1949 S.R), botoi “Historinë e Skënderbeut”. Pas një pune studimore serioze, duke iu referuar mjaft historishkruesve dhe analistëve për Skënderbeun, si dhe duke shfletuar, studiuar e nënvizuar mjaft literaturë bashkëkohore, arrin në përfundimin se, Skënderbeu, që në fillimet e karrierës si Kryekomandant i FA-ve të Arbërisë, krijoi një trupë të zgjedhur të quajtur“Garda Pretoriane”. Për krijimin jo vetëm të një ushtrie të rregullt e të përhershme, por sidomos të një bërthame të përzgjedhur, e gatshme të sakrifikonte gjithçka dhe kurdoherë në radhë të parë për ruajtjen e drejtuesve, princërve dhe kapedanëve, e pastaj edhe si një forcë ushtarake, Ai mbajti parasysh edhe përvojën turke. Një trupë të tillë të përbërë prej jeniçerëve, e pati themeluar sulltan Orhani, prandaj këtë sistem organizimi, e integroi edhe në Shqipëri, duke formësuar një trupë të zgjedhur prej nja tremijë vetash, të cilët për nga disiplina, trimëria dhe besnikëria ishin të matshëm vetëm me vetveten. Këtë efektiv e njihte shumë mirë; kishte krijuar marrëdhënie besimi reciproke; i trajtonte më shumë si shokë; kalonte mjaft kohë të përbashkët me ata, përfshi edhe drekimin në një tryezë të përbashkët apo edhe servirien e pijes me gotën e vet. Ky formacion ishte plotësisht i organizuar dhe i epitetuar krejt qartë “Gardë Pretoriane“. M. Mikaeli këtë fakt e evidenton që në Betejën e Torviollit (29 qershor 1444 S.R), por nuk jep ndonjë informacion shkoqitës për organizimin e saj. Megjithatë ai nënvizon faktin se, pjesa e kalorisë së Gardës përbëhej nga një batalion i veçantë prej 600 krutanësh të zgjedhur me shumë kujdes.. Për më tej jep informacion At Dhimitër Frangu, i cili evidenton një listë të gjatë të shpërblimeve që i sillnin Skënderbeut besnikët e tij si dhuratë për Gardën Pretoriane. Vlerësimin për këtë formacion dhe aktivitetin praktik të tij, Noli e evidenton disa herë, duke sjellë dokumente të besueshme. Kështu p.sh. nga Beteja e Nishit më 1443, Skënderbeu do të nisej drejt atdheut të tij nën shoqërinë e 300 matjanëve. Pra, as më shumë dhe as më pak, por evidentohet ideja e domosdoshmërisë së një bërthame ushtarake, të gatshme të bëjë sakrificën supreme. Këtë mendim autori e përforcon, kur nënvizon se Skënderbeu në vijimësi, pas përfundimit të çdo beteje, i shpërndante vullnetarët, pasi t’i kishte shpërblyer për kontributin e dhënë; sistemonte forcat e tjera nëpër fortesa, ndërsa një pjesë e mbante kurdoherë në gjendje gatishmërie të përhershme. Këtyre ushtarëve kryekomandanti ua dinte emrat, u njihte trimëritë dhe bëmat, u vlerësonte sakrificat, u rriste moralin dhe dinjitetin, etj. pa dallim shkalle dhe ofiqi. 

Më tej Noli pasqyron pjesëmarrjen e Gardës Pretoriane në beteja të ndryshme, si dhe evidenton rolin e saj në ‘to. Në argumentim të mendimit të mësipërm, le të pasqyrojmë disa theksime. Përpos, sa na jep M. Barleti për Betejën e Torviollit, autori evidenton rolin e saj të drejtpërdrejtë në funksion të misionit të mirëfilltë. Kështu, shenjën e fillimit të betejës e japin trumbetat e Gardës, çka do të thotë se, Skënderbeu komandonte i ndodhur në mes të këtij efektivi. Po ashtu, në momentin kur kryekomandanti rrezikohej nga osmanët e panumërt, Garda me Ajdin Muzakën në krye, e motivuar atdhetarisht thellësisht pozitivisht, do të vërsulej mbi qendrën e formacionit turk për ta tronditur dhe shpartalluar atë. Pra, efektivi i Gardës në këtë rast, jo vetëm që siguron jetën e Prijësit Arbëror, por është përcaktuese e suksesit të luftimit. Beteja e Torviollit, mbetet nga më të ashprat, ku humbjet por edhe lavdia dhe humanizmi ishin të pashoqe. Si zakonisht, spikatën cilësitë si strateg ushtarak të Skënderbeut, por edhe të oficerëve dhe ushtarëve. Është me rëndësi të theksojmë se, komandanti i Gardës Pretoriane, Ajdin Muzaka, u çmua dhe vlerësua mjaft pozitivisht për sa i përket profesionalizmit ushtarak, trimërisë dhe heroizmit që shpalosi, menjëherë pas Skënderbeut. Pas atij u kualifikuan si heronj të betejës: Vrana Konti, Moisiu i Dibrës, Tanush Topia. Por populli, i cili e përjetoi, me emocione të thella ngjarjen nga afër, nuk la pa evidentuar trimërinë e Hamza Kastriotit, Muzhaqit të Angjelinës, pastaj edhe të Pjetër Emanuelit, Gjon Muzhaqit dhe Zaharia Gropa. E njëjta ide del në pah edhe në Betejën e Mokrenës (10 tetor 1445 S.R), kur në pamundësi që të futej në veprim luftarak ushtria, do të vihej në luftim formacioni i Gardës Pretoriane i përbërë prej 3500 vetësh nga të cilët 2000 ishin kalorës. Më 23 korrik 1448 trojet arbërore u sulmuan prej venecianëve. Si shkak u gjet vdekja e Lek Zaharisë, zotërimet e të cilit mbetën pa trashëgimtar. Në këtë betejë Skënderbeu, në krye të Gardës Pretoriane u vendos në krahun e majtë të rendimit luftarak, pasi aty ndodhej komandanti kundërshtar, Daniel Juriç. Të tilla fakte ka mjaft. Ato gati i hasim gjatë gjithë harkut kohor dhe në gjithë betejat, prandaj edhe nuk është e nevojshme të serviren për ilustrim apo për argumentim. Garda Pretoriane, si formacion elitë i FA-ve, edhe luftëtarët e thjeshtë i kishte nga radhët e shtetasve më besnikë, më trima dhe më të gatshëm edhe kur lypsej vetësakrifikimi. Historishkruesit e Skënderbeut veçojnë njërën nga betejat, atë të Torviollit, kur ushtarët e Gardës Pretoriane për nga besnikëria, mjeshtëria dhe shpirti i sakrificës, u radhitën me dinjitet krahas komandantëve të tjerë. Më shumë ranë në sy veprimet e vendosura dhe këmbëngulëse të tre ushtarëve të Gardës, të cilët shpalosën trimëri cilësisht të dallueshme e të dukshme nga të tjerët. Kontributi i tyre u vlerësua dhe u çmua, si pjesë e rëndësishme e lavdisë së fitores. Sipas zakonit të një komandanti të shquar, i cili di të prekë atje ku duhet, Skënderbeu, jo vetëm që i ngarkoi me dhurata, por sidomos “korracoi” gjendjen e tyre morale, kur në darkën e kremtimit të fitores u dha atyre të pinin me gotën e vet; ndërkohë efektivi gardist, i entuziazmuar, duartrokiste dhe brohoriste për shokët e tyre trima. Por krejt interesant mbetet edhe fakti, që Garda Pretoriane e ka pasur të qartë dhe të plotë misionin e vet. Përveç detyrës thelbësore, ajo kryente edhe detyrën e ruajtjes e të shoqërimit të personaliteteve të huaja, që vinin në vendin e të parëve tanë me detyra të ndryshme, apo edhe të personave diplomatë, që Skënderbeu dërgonte me mision jashtë vendit. Janë disa rastet, por po i referohemi vetëm njërit prej tyre. Në fillim të vitit 1446, vetëm dy vjet pasi Skënderbeu pati ardhur në Mëmëdheun e vet, një komision i përbërë prej peshkopëve të Tivarit, Durrësit dhe disa përfaqësues të tjerë, u ngarkua me detyrë që të shkonte në Durrës për t’u bërë nderimet protokollare të merituara ambasadorit të Papës dhe të mbretit Alfons të Napolit. Në rrugëkalimin për në Durrës dhe kthim në Krujë, ata u shoqëruan nga një Eskortë Kavalerie, e cila kishte marrë detyrë që të siguronte dhe garantonte me çdo kusht dhe me çdo sakrificë jetën e diplomatëve, që vinin për të përshëndetur Skënderbeun, i cili në këtë kohë ishte epitetuar, krejt me meritë natyrisht, “Ylli i Ri i Krishterimit Evropian”. Në vitin 1452 ballafaqohemi me një moment, përmes të cilit gjykohet se Garda Pretoriane të ketë kryer një detyrë krejt specifike. Skënderbeu prej disa kohësh ndiqte punimet për ndërtimin e Kalasë së Rodonit në bregdetin Adriatik, në afërsi të Gjirit të Lalëzit, për ta pasur atë një objekt strehimi në rast të një invazioni të turqve në atë territor. Por një njeri krejt i panjohur e informon se, i ishte kurdisur një kurth për ta vrarë në malet e Kërrabës. Me ndjesinë e një strategu ushtarak, e vlerësoi këtë të dhënë, prandaj këtë detyrë ia besoi strukturës së Gardës Pretoriane. Ai dërgoi kapedan Balshën, oficer në Gardën Pretoriane, i cili me një ekip specialistësh, pasi kontrolloi vendin, zbuloi tetë veta të armatosur të fshehur në një shpellë. Meqenëse këta nuk u dorëzuan, përkundrazi u vërsulën që të çanin rrethimin me dhunë, pesë prej tyre u vranë, ndërsa tre të tjerët u zunë rob. Informacioni i marrë ishte krejt real: ata ishin të dërguar nga sulltani me mision special për të eliminuar fizikisht Skënderbeun; për më tepër, kishin pasur edhe udhërrëfyes dy shqiptarë, të cilët ishin vënë në shërbim të armikut po nga kapedanë shqiptarë. 

Garda Pretoriane – Repart Elitë i Ushtrisë së Skënderbeut
Është i pohuar dhe i pranuar fakti, që Skënderbeu kishte një ushtri të organizuar mirë, të aftësuar po ashtu mirë, dhe të komanduar dhe drejtuar nga oficerë të zotë e të aftë. Në sistemin e drejtimit të FA-ve, Garda Pretoriane zë vend në pjesën e sipërme të piramidës së drejtimit dhe të komandimit. Fill pas kryekomandantit, i cili njëherësh ishte edhe kryetar i Këshillit të Luftës, vinte i ngarkuari i arkës për shpenzimet e luftës; i ngarkuari për informacionin; komandantët e Grupeve të Këmbësorisë dhe të Artilerisë, dhe menjëherë pas tyre, do të ndodhej komandanti i Gardës Pretoriane. k y komandant kishte në vartësi reparte dhe nënreparte speciale, privilegj që nuk e gëzonin Komandat e tjera. Në këtë kuptim, mund të pranojmë se, Garda Pretoriane ishte Repart Parësor, si mund të shprehemi, ishte Elita e Forcave të tjera Ushtarake. Këtë përfundim e përforcon fakti, që efektivi i këtij Reparti Special ishte i përzgjedhur me kujdes; gjykimi për ata bëhej mbi bazën e disa parametrave konkretë të domosdoshëm si: intelekti i domosdoshëm, aftësia fizike, cilësitë e karakterit etj. Ky efektiv përdorej sidomos kur nevoja ishte më se e domosdoshme dhe emergjente. Gardën Pretoriane, Skënderbeu në përgjithësi e trajtonte dhe e vlerësonte ashtu sikurse ajo e meritonte, i çmonte misionin, i vlerësonte sakrificat, i shpërblente mundin, e të tjera si këto. Në krye të saj vendoseshin kuadrot më të aftë, por edhe më të besueshëm. Më së shumti rolin e komandantit të kësaj Force Speciale e ka kryer Ajdin Muzaka, një nga gjeneralët më në zë të Skënderbeut, por njëherësh edhe një nga më të besuarit dhe më me reputacion midis luftëtarëve. Edhe pse nocionin “Gardë“ e gjejmë shpesh herë që në Shek. XV, gjykuar që këto emërtime në mungesë të dokumenteve autentike, mund të kenë edhe karakter subjektiv dhe të mbingarkuara me qëndrime emocionale të nxitura nga ndjenja nacionale, por edhe nga fakti që kjo forcë përdorej pothuajse rëndom në të gjitha veprimet luftarake dhe jo vetëm në funksion të përmbushjes së misionit të mirëfilltë: si Roje Personale, mund të arrijmë në përfundimin që, edhe pse këto elementë i gjejmë mjaft qartë që në Shek. XV, nuk mund të pretendohet që “rrënjët“ e Gardës të kërkohen në këtë periudhë, dhe për më tepër të pretendohet që data e Krijimit të Gardës së Republikës t’i përkasë kësaj periudhe të largët. Vdekja e Prijësit të Arbërve, Skënderbeut më 17 janar 1468, u pasua nga një periudhë historike e rëndë për Arbërinë. Populli u detyrua t’i nënshtrohej sundimit të egër mesjetar osman, i cili, për fat të keq, do të vijonte deri në dhjetëvjeçarin e parë të Shek. XX. Kështu që, zhvillimi i vendit në përgjithësi, do të kushtëzonte edhe organizimin dhe veprimin e strukturave shtetërore, ekonomike, sociale, ushtarake, e të tjera Shekulli XV bën pjesë ndër periudhat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Ndër elementët, me të cilët ai lë gjurmë të pashlyeshme janë edhe prania e FA-ve në nivele bashkëkohore, ndërsa për nga predispozicioni dhe përkushtimi, do të jenë në nivele të lakmueshme edhe nga vendet me traditë në këtë fushë. Elitën e këtyre forcave padyshim që e bënte efektivi i Gardës Pretoriane, një krenari e ligjshme dhe obligim moral për pasardhësit e tyre në të gjithë kohërat, që do të pasojnë.
Sigal