Historia e “derbit” Vlora-Tirana në futboll, që nis në 1928-ën

1466
Nga Ergys Alushi
DOSSIER/ Ja si vijnë në “memorien” e gazetës “Telegraf”, dy ekipet shqiptare që kanë krijuar më shumë incidente në fushën e lojës, deri te rivaliteti për tituj e trofe
Vlora dhe Tirana, e në vazhdim “Flamurtari” e “17 Nëntori”. Ndoshta dy ekipet shqiptare që kanë krijuar më shumë incidente në fushën e lojës, më shumë se ekipe të tjera. Ndeshjet midis tyre i kanë pasur të gjitha: lojën e bukur, ndërhyrjet e ashpra, zemërimin, ndërprerjen e lojës, anullime ndeshjes, dënime lojtarësh, goditje arbitrash, pretendime për penallti të dhëna, favorizime nga arbitra,t e deri rivalitetin për titullij kampione Kupa Republike. Në vitin 1928, vlonjatët zhvillojnë nje ndeshje me ekipin e Tiranës, në fushën e këtyre të fundit, të cilën e humbasin 6 me 0. Ishte ndeshja e parë dhe që në ndeshjen e parë filloi historia e problemeve me arbitrit në shumicën e herëve që janë ndeshur këto dy ekipe në historinë e tyre, aq sa në pjesën e dytë, vlonjatët kërkuan largimin e arbitrit. 

“Flamurtari” në kampionatin e dytë kombëtar të futbollit. 
Fillesat e problemeve të ekipit me arbitrimin Viti 1931. Në kampionatin e dytë kombëtar të futbollit krahas ekipeve që ishin pjesëmarrëse në kampionatin e parë mori pjesë edhe ekipi “Bashkimi” i Beratit. Shtatë ekipet u ndanë në dy grupe, ku ekipi i Vlorës bën pjesë në grupin e dytë bashkë me ekipin e Tiranës e të Shkodrës. Ndeshjen e parë të kampionatit ekipi vlonjat e zhvilloi në Vlorë, në datën 26 prill 1931, me ekipin e Shkodrës, takim që u fitua nga vendasit me rezultatin 2 me 1. Pas fitores me shkodranët, vlonjatët humbasin 5 me 1 me ekipin e Tiranës. Kjo ndeshje, shënon edhe fillimin e problematikave që ekipi i Vlorës do t’i ketë në historinë futbollistike me ekipin e Tiranës, për sa i përket arbitrimit të ndeshjeve. Në këtë takim arbitri anglez Hill do të akordojë një 11 metërsh të pa qenë sipas pretendimit të vlonjatëve dhe për pasojë tensioni në fushë do të jetë i madh deri dhe në përdorimin e përplasjes fizike midis lojtarit të Vlorës, Hamdi Zoga dhe arbitrit anglez.
Shtypi i kohës për incidentin
“Një lojtar kishte takue me dorë topin nga area e rigores së derës vlonjate; Vlonjatët mblidhen rreth referit tue protestue se e kishte gabim mbasi hends-i ishte ba nga një lojtar i Tiranës dhe jo i Vlorës: konfuzioni bahet i madh dhe lojtarët nisen të zihen. Referi qëndron në mendimin e tij dhe urdhëron penalty kundër Vlorës skuadra e së cilës përnjeheri len fushën e del plot zemërim-në, shenj protestimi. Ndërkaq Tirana shënon një goal mbi derën e Vlonës….Nji tjetër mungesë mund t’i shënojmë lojtari të Vlonës, H. Zoga, i cili u shpreh në mënyrë jo korrekte kundër Z.Hill me gjithë se jashtë fushës, në barakën e veshjes… Dje skuadra e vlonjate i drejtoi Federatës sportive një reklam të përmbledhun në katër pika…

1-Mbi padrejtësin e një penalty të dhanun kundër saj, mbasi topi ndodhej jashtë area-s të rigores vlonjate. 
2-Mbi sjelljen e një antari të “Sport Club Tirana”, Selman Stërmasi, që prej së jashtmi hynte në fushë dhe puthte lojtarët e Tiranës.
3-Mbi hudhjen e një topi të dytë në fushë, kur dera e Vlonës ndodhej në rrezik. 
4-Mbi gabimin e Referit që shënoi penalty-n e fundit kundër Vlonës tue shkaktue daljen e kësaj nga fusha…” 
Edhe referi Hill dorëzoi një raport në Federatë: “Në gjysmën e dytë, Vlona bani një goal kundër Tiranës. Mbas 15 minutash lojë, një lojtar takon topin me dorë nga area e rigores së portës vlojate. N’atë kohë, unë ishja krejt i mendimit se topin e takoi një lojtar i Vlonës dhe dhaçë penalty kundër Vlonës…”
Vendimi për të përsëritur ndeshjen
Në mbledhjen e datës 8 maj 1931, Këshilli Federal i mbledhur në ora 16:30, nën drejtimin e Izedin Beshirit, “mori në bisedim vendimin e dhan më dt 7.5.931 prej komisionit për kampionatet, me të cilin vendosin anulimin e lojës zhvillue më dt 3.5.931, midis sport club Tiranës dhe shoqërisë sport.Vlora në tiranë, dhe dorheqjen e Z. Major Hilli-t si arbitër. Këshilli në mbështetje të vendimit në fjalë, VENDOSI Të dy lojët që i takojnë me ba midis tyre skuadrës së Tiranës dhe Vlonës, do të zhvillohen në fushën e Durrësit më datë 31 maj partita e parë. Dhe më datë 7 Qershor, partita e dytë. …Mos të pranohet dorëheqja e Zotit Major Hilli-t dhe t’i shkruhet tue e lutur qi të qëndroj prap për të dhënë ndihmën e tij djelmnis sportive shqiptare…” Në atë mbledhje, Këshilli Federal përcaktoi edhe në lidhje me shpenzimet e udhëtimit për të dy ekipet, si do të ndaheshin të ardhurat nga ndeshjet, si dhe i kërkoi ministrisë së Punëve të Brendshme që të marr masa për “…çdukjen e çrregullimeve qi ndodhin në fusha ku luhet loja”
Reagimi i Klubit të Vlorës
Këshilli i klubit të Vlorës, për të treguar se nuk kishte asnjë problem me të rinjtë e Tiranës, por vetëm me arbitrin, e kundërshtoi vendimin që ndeshja të luhej në Durrës, duke kërkuar që ndeshja të riluhej në Tiranë dhe në Vlorë. Duke parë insistimin e klubit vlonjat dhe presionet e klubit se nuk do të luante asnjë ndeshje në Durrës, e duke rrezikuar të largohej nga kampionati e prishur skemën e zhvillimit të kampionatit, Këshilli Federal u tërhoq nga vendimi i tij dhe u vendos që ndeshja të luhej në Tiranë e në Vlorë. Ndeshja e parë në Tiranë, u zhvillua normalisht me përjashtim të disa problematikave të vogla, por që nuk e prishën lojën dhe përfundimin e lojës brenda kohës së rregullt, të cilën e fitoi ekipi i Tiranës. Por, ndeshja e zhvilluar në Vlorë, më datën 7 qershor, riktheu problemet.
Në Vlorë rrahin arbitrin
Ndeshja e zhvilluar në Vlorë, më 7 qershor 1931, midis skuadrës së Vlorës dhe Sport Klub Tiranës, e cila filloi në ora 3:55, u karakterizua nga incidente të mëdha. “Lodra filloi me 3.55. Që në fillim lojtarët vlonjatë nisën të zhvillojnë një lojë pothuaj materiale. Në orën 4.20 një grup prej popullit fillon të gjuajë me gurë, një nga të cilët afër portierit të Tiranës. Në orën 5.25 referi z. Andon Fekeci ndryshon dy ruajtës të vijave me qenë se të parët, siç duket, nuk e përmbushën mirë detyrën e tyre. Kjo sjellje e referit i zemëroi tepër vlonjatët, të cilët ngritën protesta të mëdha. Në orën 5.55 filloi pjesa e dytë e lojës, e cila u zhvillua tepër e rreptë midis bërtitjeve dhe fishkëllimeve të publikut. Në orën 6.15 plagoset një prej lojtarëve të Vlorës, z.Kudret Kokoshi me një top që i bie në bark. Por, pas një inxheksioni të doktorit, hyn përsëri në lodër. Edhe kjo gjë e shtoi zemërimin e vlonjateve, të cilët pretendojnë se është bërë me qëllim prej lojtarëve të Tiranës dhe kapiteni i skuadrës vlonjate, duke e kundërshtuar referin, i drejton këtij fjalë ofenduese. Me gjithë këtë referi, me qëllim që mos të shkaktojë asnjë incident, nuk merr asnjë masë. Në orën 7.30 lojtari i skuadrës së Vlorës, Z. Hamdi Zoga, kapi prej krahu lojtarin e Tiranës dhe i dha një të shtytur, gjë që shkaktoi një penalti kundër Vlonës, duke përfunduar në gol. Lojtarët vlonjatë zemërohen dhe më tepër dhe këtë zemërim e shfaqën me klithma të forta. Pasi z. Gurashi, lojtari i Tiranës, shënon golin e dytë, populli hyn në fushë dhe, së bashku me lojtarët, proteston dhe në këtë kohë e sipër lojtari Hamdi Zoga mbajti një sjellje jo korrekte duke qëlluar referin, i cili nuk ndenji edhe ky me duart në xhepa. Loja vazhdoi gjeri në mbarim dhe referi u shtrëngua të përcillet gjer në fushën e aerodromit prej policisë dhe gjindarmërisë.”
Ecuria e Vlorës në kampionat
Në fazën e parë, ekipi i Vlorës grumbulloi dy pikë, ndërkohë që në fazën e dytë i humbi të dyja takimet, 4 me 1 me Shkodrën, dhe 2 me 0 me Tiranën. Gjatë ndeshjeve të kampionatit, vlonjatët kundërshtuan shumë herë arbitrimet kundër tyre, aq sa e detyruan Federatën e futbollit që të merrte masa të rënda për disa lojtarë të ekipit vlonjat, ku Hamdi Zoga u përjashtua përgjithmonë nga futbolli dhe Jani Sallata, kapiteni i skuadrës, u përjashtua për një vit. Dënime u dhanë edhe për futbollistin tjetër, Kudret Kokoshi, i cili pas çlirimit në 1944, vuajti dënime të rënda në burgjet komuniste si nacionalist dhe filoitalian.
Tirana-Vlora 8-0
Në fushën e Shallvareve u luajt në prill të vitit 1934, ndeshja e vlefshme për javën e tretë të kampionatit kombëtar të futbollit. Vlora paraqitej në këtë takim me shumë mungesa në formacionin bazë, ndërkohë që tiranasit, nuk toleruan dhe arritën kështu fitoren e parë më të thellë ndaj ekipit të Vlorës, dhe ndoshta nga më të thellat në historinë e takimeve midis dy skuadrave, të cilat që në ndeshjen e parë të tyre, shkaktuan shumë incidente në fushën e lojës. Duke ditur pikërisht situatën e krijuar midis dy ekipeve, një nga gazetat e kohës, do ta përshkruante kështu ndër të tjera zhvillimin e ndeshjes “Qysh prej fillimit të lojës e deri në mbarim, nuk u dëgjua ndonjë fjalë e keqe, si ndër vedi, ashtu dhe kundër lojtarëve të Tiranës, të cilët, në anë tjetër u treguan mjaft korrektë…” Për Tiranën, serinë e golave do ta hapë Riza Lustra në minutën e 15-të, për të vazhduar me Korçën në minutën e 20-të, Gurashi, e Petrela, për të shënuar përsëri Gurashi, dhe pjesa e parë përfundon 5 me 0. Në pjesën e dytë, Begeja do të shënojë edhe tre gola të tjerë. Me gjithë rezultatin e thellë, ndeshja mbyllet pa incidente.
Flamurtari-17 Nëntori: 5-1, 6 prill 1947
Kur kompozitori Tish Daija shënonte dy gola për “Flamurtarin” “Flamurtari” i Vlorës do të arrinte një fitore të bujshme për kohën. Do të mundte ekipin e Tiranës me rezultatin 5-1. Mësuesi i muzikës, shkodrani, që në vitet më vonë, do të bëhej një nga kompozitorët më të mirë të muzikës shqiptare, Tish Daija, do të ishte autori i dy golave për “Flamurtarin”. Golin e parë në minutën e 7-të dhe të dytin në minutën e 73-të. Për “Flamurtarin’ do të shënonim edhe Çili, Çela dhe Shamo. 
1961: Eklipsi diellor 
Në verën e vitit 1961, një miqësore midis ekipeve të “Flamurtarit” dhe “17 Nëntorit”, do të ndërpritej për shkak të një eklipsi diellor që ndodhi, duke shkaktuar një errësirë, edhe pse ishte ende pasdite. Ndeshja u ndërpre para kohe dhe në stadium u krijua një situatë paniku te sportdashësit e shumtë që ndiqnin ndeshjen. Në këtë ndeshje do të aktivizohej për herë të parë me të rriturit futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave të “Flamurtarit”, Mexhit Haxhiu 1963-Tiranë, “17 Nëntori”-“Flamurtari”. Tirana ka festën e Çlirimit, të qytetit dhe “Flamurtari” mendohej se do të ishte “kurbani” për “gostinë” e festës. Ishte bërë pak a shumë zakon që kur barazonte, apo humbiste ndonjë nga ekipet e kryeqytetit, kjo i atribuohej lojës së dobët të kryeqytetasve, dhe aspak faktit se ekipi kundërshtarë kishte luajtur më mirë. Por në këtë ndeshje, nuk ishte kështu. “Flamurtari” luajti me dinjitet dhe e kërkoi fitoren nga minuta e parë e deri në të 90-tën. “Flamurtari’ bënte përjashtim. Atë ndeshje Gjyli, Seferaj, Haxhiu, Elmazi, Bejkosala e Thomaj, do të jenë më të mirët në fushë dhe të papërmbajtshëm për sulmuesit e mbrojtësit e “17 Nëntorit”. Të parët shënojnë kryeqytetasit në pjesën e dytë me anë të Ishkës. Kundërpërgjigjen vlonjatët, teksa barazojnë pas një kombinimi të bukur Gjyli-Seferaj, ky i fundit shënon dhe barazon. I barabartë rezultati, e barabartë edhe renditja, pikët, fitoret, humbjet dhe barazimet, që kanë ekipet në ndeshjet e zhvilluara në kampionat.
1984-10 qershor–Shkodër, “Flamurtari” finalist në Kupën e Republikës
Humbi me “17 Nëntorin” në Shkodër me rezultatin 2 me 1. Shënon Vasil Ruci i pari në minutën e 12-të, barazon Arben Minga në minutën e 14-të dhe kalon në avantazh “17 Nëntorin”, në minutën e 44-t, Muça. Në prag të ndeshjes, urdhri i një prej udhëheqësve komunist, Foto Çami, që Afred Ziaji dhe Alfred Ferko të mos hynin në fushën e lojës, që nuk gjeti zbatim nga lojtarët, krijoi tension të madh te lojtarët, të cilët nuk ishin të qetë psikologjikisht në fushën e lojës. Ishte koha kur “Flamurtari’ gëzonte një formë të mirë sportive, por edhe koha kur “komisarët e partisë” ndërhynin deri edhe në formacion e në platformën taktike të ekipit. Në finalen e Shkodrës la për të dëshiruar shumë edhe gjykimi i ndeshjes nga Tef Prela, i cili vite më vonë, në një rrëfim të tij mediatik, do të pranonte golin e parregullt të Muçës, që do t’i jepte fitoren dhe Kupën “17 Nëntorit”.
1986 Kur “Flamurtari” humbiste titullin kampion për shkak të golavarazhit
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, “Flamurtari” do të udhëtonte drejt Tiranës, për t’u ndeshur me “17 Nëntorin”. “Flamurtari” ishte në vendin e parë, një pikë më shumë se “17 Nëntori” e “Dinano”, që e ndiqnin. Kurrë më parë “Flamurtari”, nuk kishte qenë aq pranë titullit kampion, aq i pjekur teknikisht e taktikisht. Në fazën e dytë kishte humbur vetëm një ndeshje, barazoi tre dhe i fitoi të gjitha të tjerat. Por, ndeshja përfundoi në barazim edhe pse rastet për gol nuk munguan. Ndërkohë, “Dinamo” fiton lehtësisht në Gjirokastër 3-0 me “Luftëtarin” vendas. “Dinamo” e “Flamurtari” e mbyllin me 38 pikë, por golavarazhi më i mirë shpall kampione, “Dinamon”. Atë ditë, një qytet i tërë priste titullin kampion. Një Shqipëri e tërë ishte e vetëdijshme për “Flamurtarin” e madh të atij viti, të atyre viteve. Ishim aq pranë titullit kampion, por në Gjirokastër ishte toleruar. Shumë vite më vonë, u deklarua nga trajneri i “Dinamos” të atij viti, se gjirokastritët kishin toleruar për një bluzë sporti.

Ishte java e dytë e kampionatit 1987-6 shtator-Vlorë
Një javë më parë “Flamurtari”, nënkampion në fuqi, kishte humbur në Elbasan. Në Vlorë vinte “17 Nëntori”. Dhe kur vinte “17 Nëntori”, qyteti elektrizohej, jetonte gjatë gjithë javës me futbollin, emocionet, kujtimet. Ishte si të vinte një “armik”që duhej mundur me patjetër. Në stadium ndihej pikërisht një atmosferë e tillë. Biletat ishin çështja e ditës, kush e siguronte, ishte më i lumturi. Me miq të fortë, mund të siguroje bileta për në tribunat më të mira. Para ndeshjes në intervistat e tyre, Kreshnik Çipi, kapiten i “Flamurtarit” dhe Mirel Josa, kapiten i “17 Nëntorit”, e kishin ndezur edhe më shumë derbin, kur deklaroheshin për fitore. Sapo shkelmohet topi i parë, sekonda e 50-të dhe “Flamurtari” është i gjithi në sulm. Portieri i “17 Nëntorit”, Mersini, kthehet në njeriun më të padëshiruar në stadiumin që ziente. Goli do të vinte në pjesën e dytë. Alfred Freko gjuan fort, Mersini grushton, por aty është Agim Bubeqi që shënon. 1-0 për “Flamurtarin”. Brohoritjet për golin e shënuar dëgjohen në të gjithë qytetin. “17 Nëntori” e ka ulur kokën dhe largohet me humbje nga Vlora. Taho ishte në ditën e tij më të mirë, Çipi i pagabueshëm, Ziaji këmbëngulës e i rreptë, Iliadhi energjik dhe Arapi i gatshëm për të mos lejuar barazimin. Vetëm pak ditë më vonë, në Vlorë do të vinte “Partizani” i Beogradit.

Kujt i kujtohet 1 maj 1988?
Në Vlorë do të vinte “17 Nëntori” i Tiranës “17 Nëntori” 39 pikë-“Flamurtari” 37 pikë. I gjithë qyteti ishte në festën e 1 Majit. Pas festës, meshkujt e qytetit, u kthyen në stadium. 10 mijë vetë. Pritej një fitore e madhe për të kaluar në vendin e parë. Askush nuk e diskutonte fitoren. Por, ndeshja përfundoi 0-0. Zhgënjimi ishte i madh. Ajo ndeshje përcaktoi ecurinë e javëve në vazhdim. “17 Nëntori” kampion, “Flamurtari” nënkampion. Pas ndeshjes, të zemëruar nga barazimi dhe loja e mirë e lojtarëve të Vlorës, tifozë vlonjatë, do të hunin natën në stadium e do të prisnin dy shtyllat anësore e do të dëmtonin tokën brenda zonës. Ngjarja bëri bujë në qytet, por autorët nuk u gjetën asnjëherë, ndërkohë që të gjithë e kuptuan arsyen e veprimit.
1961 Eklipsi diellor Në verën e vitit 1961, një miqësore midis ekipeve të “Flamurtarit” dhe “17 Nëntorit”, do të ndërpritej për shkak të një eklipsi diellor që ndodhi, duke shkaktuar një errësirë, edhe pse ishte ende pasdite. Ndeshja u ndërpre para kohe, në stadium u krijua një situatë paniku 
1963-Tiranë, “17 Nëntori”-“Flamurtari”. Tirana ka festën e Çlirimit të qytetit, dhe “Flamurtari” mendohej se do të ishte “kurbani” për “gostinë” e festës. Por në këtë ndeshje, nuk ishte kështu. “Flamurtari” luajti me dinjitet dhe e kërkoi fitoren nga minuta e parë e deri në të 90-ën 
Sigal