Historia dhe Gjeneza e Elezëve. Fisi mes dy Drinave në Kukës

533

Nga Dr. Ardian Elezi

Babai im, Daut Elezi, përmes rithirrjes për t’u rimarrë, rishkruar e ripërtërirë të kujtesës së humbur (për shkak të persekutimit komunist, internimit), na sjell si amanet një libër quasi autobiografik, për gjenezën e historinë e Elezëve, e fisit mes dy Drinave të Kukësit. Duke i përmbledhur me një stil të thjeshtë narrativ, jep të dhëna të besueshme dhe madje të konsultuar nga burime të drejtpërdrejta, dëshmitar të dorës parë, përjetimet e kujtimet e të cilëve janë testuar dhe ballafaquar në realitetin e përditshmërinë e tyre. Si të tilla ato qëndrojnë si themele të forta e të pakundërshtueshme, për sa i përket autoktonisë dhe  seriozitetit burimor. Është gjeneza dhe historia e shkurtër e një fisi, që më tepër ka prodhuar histori e dhënë shembuj historikë sesa ka konsumuar apo shkruar atë. Prandaj, edhe si amanet apo shtysë për të gjitha brezat e sotëm dhe të ardhshëm që të ruajnë këtë trashëgimi, ta çojnë përpara si dhe përmirësojnë me të tjera kontribute dhe modele pozitive jetësore. Historia sa ilirike për lashtësinë lokale e të pashkruar ende të tij/tyre, po ashtu edhe biblike për sakrificat, vuajtjet, përpjekjet për mbijetesë, të luftës e kontributit për liri dhe çlirim kombëtar, si dhe i shembujve unike të lidershipit lokal, rezistencës e disidencës antikomuniste, si dhe kontributit për ardhjen e demokracisë, të jetësimit të pluralizmit politik e në vijim janë paraqitur në këtë përsiatje. Jepet historia e një fisi ku nga gjiri i të cilit, nxori dhe provoi gjithë hierarkinë e racës njerëzore, pashallarë si: “Bislim Pashë Kërrnjani”, kryegjyqsi kanunor si Xhem Elezi, patriot i pavarësisë dhe i qeverisjes lokale Albaneis Fetah Elezi, kryetrim si Sul Elezi, disidentët të dorës parë e antikomunist si Raif Elezi, martirin e demokracisë Isa Elezi, përfaqësues lokal qeveritar, kryetar Bashkie, si Xhafer Bislimi, drejtues,  njerëz trima, të sinqertë, bujarë dhe punëtorë, profesionistë të fushës, mjekë, ekonomistë, agronomë, mësues, inxhinierë, sportistë, muzikantë, këngëtarë, piktorë, biznesmenë, punëtorë e mjeshtra të punës e profesionistë duarartë. Një statistikë e tërthortë e gjithë këtyre profileve njerëzore përgjatë rrjedhave të kohës  dhe proceseve historike vjen përmes këtij libri, gjë e cila e bën interesant si dhe me vlerë këtë prurje.Autori na tregon se Elezët janë vëne në sprovë, testuar, si dhe provokuar në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme,  ku përgjatë Luftës së  II Botërore, në Kukës nuk njihej apo zhvillohej ndonjë luftë kundër kujt dhe nga kush, u dhanë shenjat e luftës civile mes shqiptarëve, ndaj çdo nacionalisti patriot, antikomunist dhe antiserb siç ishte Xhafer Bislimi. Përkundër çdo papajtueshmërie me ideologjitë e regjimet pushtuese të kohës apo sllavo-komunizmit në prag ardhje, si patriot, trim, lider lokal e me autoritet Xhafer Bislimi pranoi filozofinë e qeverisjes administrative, për hir të interesit kombëtar, të Shqipërise etinike e ruajtjes së ekuilibrit social. Duke hulumtuar në mënyrë sa diakronike për gjetjen e gjenezës e të rrënjëve të thella historikë të veta, e të fisit të Elezëve, autori paraqet në mënyre sinkronike tiparet e karakteristikat e personazheve kryesore të fisit, që vlerësoheshin për cilësitë e tyre dhe respektin që gëzonin. Fisi dhe anëtarë të tij, vlersoheshin për zgjuarësi, trimëri, bujari e mikpritje dhe gëzonte respektin jo vetëm të krahinës së Lumës por dhe të Hasit, Mirditës dhe Prizrenit, njiheshin  si familje me autoritet, trimëri të madhe e patriotike, me fuqi ekonomike dhe njerëzore, e dashur dhe e respektuar nga miqtë dhe dashamirësit po nga ana tjetër e ashpër me kundërshtarët dhe armiqtë.[1]Përmes jetëshkrimeve të thukta të personazheve, autori rreket të paraqesë një panoramë dhe histori përfaqësuese të një fisi që më shumë se çdo kush tjetër punoi, luftoi, u përpoq, i mbijetoi çdo furtune nga të gjitha regjimet që kaluan nëpër këto treva.

Kjo qasje analitike e studimore zbulon që gjithë trashëgimia e kontributi i tyre gjatë rrjedhave dhe proceseve historike në çdo kohë ka ndjekur dhe është e lidhur gjenetikisht me fatin e kombit, duke qenë gjithnjë në avangardë të tyre, përkrah dhe mbështetje të burrave të kohës, Avdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, etj. Nga përshkrimi i personazheve kryesore te kohës, jepen të dhëna mbi kulturën shpirtërore dhe materiale të fisit mes dy Drinave, të mënyrës së tyre të jetës, veshjeve, ushqimit, pasurisë, trashëgimisë, etj. Të parët tanë përmes këtyre sakrificave dhe përpjekjeve përjetuan margjinat e jetës, por nuk u nënshtruan dhe arritën të mbijetojnë me dinjitet. Aty do të gjenden, shpirti luftarak rebel e kryengritës për pavarësinë e vendit, e trojeve të tyre, me kontribute që nga kohët e hershme të kryengritjeve anti-turke, anti-serbe, të luftës e të përpjekjeve për çlirim kombëtar, disidencën  e dorës së parë e të drejtpërdrejtë antikomuniste, si dhe protagonizmit për jetësimin e pluralizmit politik në fillim të viteve 90-të e më pas përgjatë proceseve  demokratike në ruajtjen e paqes demokratike e stabilitetit lokal e kombëtar.

Është qyteti i dytë në rang kombëtar, kur fati i tij ishte në udhëkryq, ku çdo sekondë, minutë dhe orë në ato momente bënte historinë, falë protagonizmit të tyre, Elezët që më 26 dhjetor 1990 (qyteti i dytë mbas Tiranës që krijoi PD-në, ndonëse shumë më herët kishin kërkuar dhe apeluar për revoltë popullore e kryengritje të armatosur për rrëzimin e sistemit), në përballje direkte me strukturat e policisë sekrete e komunizmit, trokitën e hynë në historinë e Shqipërisë, bënë të parët aktin duke iniciuar, prezantuar dhe shpallur në mënyrë publike, mu te bashi i vendit në një nga rrugët e sheshet kryesore te qytetit, krijimin e Partisë Demokratike. Bashkë me prezantimin, uruan e ftuan njëherazi gjithë popullin e Kukësit që të bashkëngjiteshin dhe anëtarësoheshin në Partinë Demokratike, nismëtarëve të saj. Në atë ditë dhjetori  ’90, situatash e episodesh dramatike për historinë e Shqipërisë e për fatin njerëzor, në mbrojtje të kauzës së nisur e në  përballje me strukturat e kohës, patriarku i asaj lëvizjeje, figura më e përkortë e saj, xhaxhai im, Isa Elezi, më inkurajon: “Lalë qënro, mos u tut, deri gje(dje) t’konte(qante) nana e shpija e jote, mbas sotit çdo gja me t’ndodh t’kon krejt Kukësi e Shqipnia, mos u tut lalë“. Më pas në forma më të maturuara të organizimit që atëhere dhe në vijim, nismës dhe apelit të Elezëve iu bashkëngjitën dhe përfaqësues e shtresa të tjera të shoqërisë, të rinj, të reja, intelektualë, ish të përndjekur e të persekutuar politikë, të  cilët kontribuuan në jetësimin e pluralizmit politik dhe përshpejtimin e  rrëzimit të diktaturës komuniste në vendin tonë.Këto përpjekje të tyre për kombin, shqiptarizmin, flamurin, lirinë, drejtësinë sociale, dinjitetin njerëzor, shpirtin e lirë dhe demokracinë, që nga kohët e hershme e deri në ditët e sotme, i sollën fisit të Elezëve shumë sfida, plagë e dëme të parikuperueshme, por që në finalitet përballja me to nuk i nënshtroi,  por veç i lartësoi dhe i forcoi më tepër në koracën e vlerave të tyre dinjitoze. Përmes tyre ato skalitën dhe lartësuan vlerat e cilësitë më të mira të bujarisë, kurajës, lidershipit si dhe krijuan paradigmën e qëndresës, pathyeshmërisë dhe kurajës civile e patriotike në të mirë të atdheut e kombit mbarë. Ato janë shembuj modelesh paradigmatike të pozitivitetit, bujarisë njerëzore, të qëndresës, trimërisë, antikonformizmit dhe kurajës për t’u përballë dhe thënë ndal të keqes, si dhe prirë sfidave të kohës në çdo kohë dhe regjim.Një gjë e tillë përbën një bazë të mirë edhe për më tej, që brezat e ardhshëm dhe sekush i interesuar të kontribuojë në këtë drejtim dhe këtë mos ta shohim si mburrje por; si përgjegjësi dhe admirim për to e veprën  e tyre. Sot, ne brezat e trashëgimtarët e tyre që i pasojmë, si kopje të atyre modeleve qëndrese, të kemi si motiv e peng në vetvete që të bashkuar e duke promovuar njeri-tjetrin larg çdo paragjykimi apo ndasie a ngjyrimi politiko-partiak, të çojmë më lart imazhin e të parëve tanë patriotë e  të ndriçuar.

Kjo për të ditur ashtu siç autori mëton, që brezat e më pastajmë të njohin të gjithë figurat e fisit që kanë lënë emër të mirë asokohe, të cilët ishin patriot të atdheut të vet. Autori, jep raportin e tij me diktaturën e pushtetit të asaj kohe, duke stigmatizuar nominalisht të keqen njerëzore që ndoqi e zbatoi deri “në gjur shpumë luftën e klasave“, qoftë ndaj tyre po ashtu dhe të paslindurve. Kjo marrëdhënie si një universale e përjetshme me çdo kohë e regjim, e aktualizuar në ditët e sotme,  si përvojë e kujtesë e hidhur historike duhet që të njihet, të mos harrohet, që të mos përsëritet më ndaj nesh. Nuk duhet lejuar që biografitë, historitë e patriotizmi i familjeve tona, kontributi kombëtar në kohë të vjetra, të reja e moderne, mos të nëpërkëmbet apo të vlerësohet nga modele përfaqësimi të dalë boje të aktualitetit  politik “si  i  vogli mi spiunë i rrehëm e mistrec i politikës, dashakeqës për cdo familje të Elezëve dhe të kuksianëve, apo azdrakët e radhës, anonim pa identitet e mashtrues, abuzues e manipulues që vetfryhen e vetkapardisen me parakrah e në boshllëk“.Nuk duhet që kjo kategori apo pinjoll baballarësh kriminelë (që nuk kanë kërkuar një falje publike për krimet e  bëra) të komision dëbim-internimesh, të skuadrave të gjykim-dënimit e pushkatimit, të pyeten për ne e t’na bëjnë biografitë familjare e përcaktojnë fatin politik e administrativ tonin me bacgraund të pakrahasueshëm historik me to, si qytetar patriot, disident, nismëtar themelues, kontribuues e mbrojtës të demokracisë. Autori parandjen e ngre shqetësimin e administrimit të pushtetit, qoftë lokal dhe qendror, se duke iu sulmuar djemtë tuaj të shkolluar, elitën që iu përfaqëson, politika dhe pushteti iu përçajnë dhe ndan, keqpërdor e manipulon përmes punësimeve në nivele dytësore, dhe asnjëherë drejtuese e motivuese, ndërkohë që në kapërcim të bindjeve të veta, sa majtas në të djathtë e vice versa, në marrëveshje me njëri-tjetrin, pushteti sipas radhës administrohet bablokshe me ra katuni në çdo drejtori e institucion.Me të marrë votën, nuk pranojnë dhe nuk sheh një përfaqësues fisi në nivele drejtuese të qeverisjes.Ikni, shihni dhe binduni tash.

Ky është shqetësimi që ngrihet për sot dhe nesër…!Politika në çdo krah ka marrëveshje mes veti, që Kukësi mos të promovohet me figura që përfaqësojnë unerën e historisë Lumjane, por me personazhe të inkriminuar, të kapur, periferik apo me skajin etnokulturor në kufijtë e vet.Autori, është koshient për përjetimet e gjithsecilit në atë kohë ligështie për këdo, për dritëhijet që shoqëronin jetët njerëzore e familjare, të secilit të vënë në provë gjatë asaj periudhe, dhe në mënyre qëllimore rreket t’i kapërcejë duke ngritur shqetësim për këtë, si dhe duke apeluar për bashkim, harmoni dhe solidaritet pa dallim kur është fjala për ekspozimin, evidentimin, vlerësimin dhe mbështetje të vlerave të kultivuara, intelektuale e të spikatura të fisit dhe në të mirë të vendit.Autori përdor një stil të thjeshtë e narrativ, i mbështetur në mënyrë serioze në të dhëna objektive, larg dozave të subjektivizmit të tepruar, ku për raste analoge dhe kur bëhet fjalë për një autobiografi nga vetja, për përjetime dhe episode dramatike që ndokush rrallë i ka kaluar është i pamundur t’i shpëtojë këtij tundimi.Mbase dikush mund të mos jetë në një mendje me idetë apo mënyrën e tregimit dhe kjo është një gjë e mirë dhe pozitive që lë të hapur këtë kontribut për përmirësime, që duke u mbështetur mbi këtë bazë të jap të tjera detaje dhe njohuri.Është normale që sekush të ketë vërejtje apo qasje të ndryshme të cilat lënë shteg për diskutime të hapura, praktike dhe të dobishme për të gjithë, ku duke dëgjuar dhe mësuar për njeri-tjetrin krijohet një bazë e mirë dhe e shëndoshë e qartësimit dhe e mbrojtjes së vërtetës historike, e asaj ende të pashkruar apo në ndonjë rast keqshkruar dhe keqinterpretuar me dashje nga të tjerët.Duke qenë se është një libër biografish e jetësh njerëzore që kanë dinamikën e tyre, kjo sagë e fisit të Elezëve, duhet që si palimpsest të përditësohet më tej e me të tjera pasurime. Libri është i hapur dhe polivalent, dhe si i tillë  ka aq lexime dhe interpretime sa lexues ka, si dhe për çdo kënd të interesuar e në çdo kohë.Besoj që autori, im atë, me këtë trashëgimi të lënë e stil të përdorur i ka shpëtuar këtij kurthi, gjë e cila ia ka shtuar vlerën këtij libri.