Hil Lushaku/ 1935, policia zëvendësohet nga “xhandarmëria qytetase” dhe shërbimi i “agjentëve policorë”

915
Edhe pse fati nuk po e ndihmonte konsolidimin e Policisë si strukturë e rëndësishme për çështjet e qetësisë e të sigurisë në qytete, shumë autoritete të Ministrisë së Brendshme kanë kontribuar në të mirë të saj. Ka pasur prej tyre edhe prefektë, sikurse qenë Hilë Mosi dhe Ismet Kryeziu, të cilët janë shquar në përgatitjen e akteve për punën e Policisë. Në shkresën nr. 209, datë 5 qershor 1935, të prefektit të Korçës, Ismet Kryeziu, përdoret për herë të parë përcaktimi “Policja e Shtetit tonë”. Ai theksonte se: “…deri sot nuk ka pasur as një rregullore për sa i përket detyrës së saj, dhe nga ky shkak u munduam me përkthye rregulloren në fjalë, të cilën e suallmë nga Turqia”. Sipas kësaj rregulloreje: Neni 1: “Policia ka për detyrë sigurimin e mbajtjen e rregullit publik dhe qetësinë e përgjithshme të vendit, të mbrojë jetën, pasurinë, nderin e publikut dhe të sigurojë këtij prehje të qetë”. Neni 2: Në cilësinë e detyrave të përgjithshme, Policia ndahet në dy kategori: policia administrative dhe Policia Judisiale. Neni 3: Policia administrative disponon të gjitha masat oportune për: Mos shkeljen e ligjeve të shtetit në fuqi; Respektimin e disponimeve e urdhrave, porosive që jepen legalisht prej autoriteteve shtetërore e bashkiake; Ndalimin e ngjarjeve të fajeve e për sigurimin e rregullit dhe prehjes publike. Kjo polici përmban dy degë: Policinë administrative dhe Policinë Bashkiake. Neni 4: Policia Judisiale: Ndjek, heton, fajet e përgjithshme, zen fajtorët, tue çelun anketim kundër tyre, të cilët ia dorëzon prokurorisë bashkë me aktet relative; Merr masat preventive policore për fajet ordinere e politike, në këtë pikëpamje ndahet dhe kjo në dy degë: dega politike dhe dega judiciare. Neni 5: Hierarkia e agjentëve të Policisë përmban këto grada: kandidat i Policisë, polic, ndihmës komiser Policie, komiser, agjentët e qendrës, inspektorët e Policisë së Stambollit, drejtorët e nëndrejtorët e seksioneve, drejtorët e Policisë, drejtorët e sigurimit publik. Neni 6: Policia ndahet në tre klasa: Policia Këmbësore, Policia Kalorëse dhe Policia Civile. Neni 7: Komiserat e agjentët e qendrave ndahen në dy dhe drejtorët në tre klasa. Në nenet e tjera ka dispozita për organizimin e funksionimin e Policisë, përzgjedhjen e emërimin e punonjësve të Policisë, gradimet, etj. Në 6-mujorin e parë të këtij viti, Policia, krahas detyrave të përgjithshme, pati angazhime të shumta në zbulimin e vjedhjeve; ndëshkimin e çifteve që bashkëjetonin pa u kurorëzuar (madje duke pasur edhe fëmijë); ndalimi i lypjes në rrugë etj. Lidhur me detyrën e fundit Ministria e Brendshme urdhëroi në muajin shkurt të gjithë prefekturat që “…organet e Policisë të tregojnë një kujdes të veçantë mbi masat që po merren për zhdukjen e kësaj pamje të keqe”, duke pasur parasysh se pjesa dërmuese ishin fëmijë dhe gra. Po kështu qe plagë dhe u konsiderua detyrë për Policinë edhe ndalimi i përhapjes së prostitucionit, veçanërisht në kryeqytet. Ministria e Brendshme urdhëroi bashkitë në muajin korrik që “…Policia të mbledhë të gjitha gratë publike” dhe nëse kjo nuk realizohet, atëherë të dëbohen ose të detyrohen të largohen nga Shqipëria. Për Policinë u konsideruan detyra të rëndësishme edhe goditja e kontrabandës së duhanit nga tregtarët vendas, e kumarit dhe ajo kundër fallxhoreve. Muaji qershor 1935 solli ndërprerjen e jetës së Policisë dhe zëvendësimin e saj me Xhandarmërinë Qytetase. Projekt-dekretligji, i datës 22 qershor 1935, “Mbi suprimimin e Policisë dhe zëvendësimin e saj me Gjindarmërinë Qytetëse”, përcaktonte se:
Neni 1: Policia që ekziston në Shqipëri suprimohet dhe të gjithë nëpunësit e saj, të çdo klase, mbeten jashtë kuadrit ditën e hyrjes në fuqi të kësaj dekret ligje. Neni 2: Vendin e Policisë që suprimohet e xën Gjindarmëria Qytetase, po me ato të drejta e detyra. Neni 3: Gjindarmëria Qytetase do të funksionojë si ndër vendet ku ekziston Policia ashtu edhe ndër ato qytete e vende që ka me u pa e nevojshme. Kompetenca e caktimit të qyteteve dhe vendeve ku do të jetë nevoja me mëkëmbë Gjindarmërinë Qytetase i përket Ministrisë së Punëve të Mbrendshme. Neni 4: Gjindarmëria Qytetase në të gjithë qytetet e vendet që do të funksionojë do të plotësojë të gjitha detyrat e Policisë Shtetnore dhe t’asaj Bashkiake e Komunale, dhe asht kryekëput nën urdhrat e prefekturave, të nënprefekturave dhe të kryetarëve të komunave. Neni 5: Ndër qytete e vende ku nuk do të ketë Gjindarmëri Qytetase detyrën e Sigurimit Botor si dhe çdo detyrë tjetër e kryen si ma parë Gjindarmëria e qarqeve e cila asht kryekëput nën urdhrin e prefektëve, nënprefektëve dhe të kryetarëve të komunave. Neni 6: Personeli i Policisë që mbetet jashtë kuadrit, marrin rrogë disponibiliteti simbas ligjit të budgetit (buxhetit). Sapo është komunikuar ky akt, në qershor 1935, ka filluar dorëzimi i detyrës dhe i dokumentacionit të Policisë, të cilin e mori në dorëzim Xhandarmëria Qytetëse. Procesverbalet u përpiluan në 4 kopje dhe mbaheshin: një kopje nga dorëzuesi (komiseri i policisë), një nga përfaqësuesi i prefekturës, një nga marrësi në dorëzim i detyrës dhe një nga arshiva e Xhandarmërisë. Prefekturat kanë qenë të paqarta për mënyrën e veprimit të Xhandarmërisë Qytetëse dhe kanë kërkuar nga Ministria e Brendshme udhëzime “për mënyrë e veprimit dhe se deri kur kjo zyrë ka lidhje me administratën civile dhe a duhet që korrespondenca zyrtare të vazhdojë në mënyrën sikurse vazhdonte Policia e mëparshme direkt me administratën e nëse ky shef në veprimet administrative a ka me u dirizhue prej titullarit të kësaj prefekture”? Policët e mbetur jashtë kadros (strukturës organike) në Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Shkodër dhe Durrës janë urdhëruar për t’u testuar që të pranohen në Xhandarmërinë Qytetëse. Lidhur me këtë prefektët kanë dorëzuar listat me emrat e policëve që pëlqehen prej tyre (Vlora-4, Shkodra-7, Durrësi-9, Korça-8, Saranda-3, Tirana-26, pra gjithsej 57 policë). Komanda e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi Ministrinë e Brendshme më 7 korrik 1935 se u nxorën në lirim 93 oficerë “për ngushticë kuadri”. Ndërsa pretendohej nga shteti se nuk kishte buxhet, mbreti Zog vijonte të shpërblente e të dekoronte oficerët anglezë të Xhandarmërisë. Duket se “mendja e hollë” e tyre i ka mbushur kokën atij të suprimojë Policinë dhe të caktojë xhandarët qytetas në detyrat e rendit e të qetësisë në qytete. Në këtë rast Zogu dekoroi 6 oficerë anglezë (duke u dhënë gradën kolonel e nënkolonel), të cilët shërbenin përkatësisht në Shkodër-Kosovë, Tiranë-Dibër, Vlorë-Berat, Korçë-Gjirokastër, Durrës-Elbasan dhe në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë. Më 2 korrik është urdhëruar kryekomiseri i Policisë në Tiranë t’i dorëzojë rregullisht detyrën kapitenit të xhandarmërisë, Kolë Radovani. Katër muaj më vonë, edhe pse u krijua Xhandarmëria Qytetase, kemi një formë tjetër të organizimit të shërbimit policor. Ngjarja e 14 gushtit në Fier, e cila u quajt “Lëvizja antizogiste e Fierit”, tronditi themelet e monarkisë. Një numër i madh personash u arrestuan dhe u gjykuan në një maratonë gjyqesh, duke u ndëshkuar ashpër, me dënime drastike, aq sa kjo tërhoqi edhe vëmendjen e Lidhjes së Kombeve e cila protestoi pranë qeverisë shqiptare për të ndaluar këtë veprimtari që binte ndesh me të drejtat e liritë kushtetuese të shtetasve. Në këto kushte, pra kur detyrat e qetësisë në qendra të banuara i kryente Xhandarmëria Qytetase, organizatorët i sugjeruan mbretit Zog krijimin e një rrjeti të gjerë agjentësh policorë, me detyrë parësore grumbullimin e informacioneve për organizimet e ndryshme kundër monarkisë. Me dekret nr. 116, datë 5.10.1935, Mbreti Zog dekretoi ligjin “Mbi krijimin e disa agjentëve policorë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme”. Ndër të tjera ky ligj përmbante:
Art. 1: Merret në shërbim të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme një sasi agjentësh policor me rrogë prej fr. ari 100 deri në fr. ari 150, numri i të cilëve do të jetë simbas nevojës së shfaqur herë mbas here.
Art. 2: Emnimi i agjentëve policorë bëhet me dekret të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme e mbahen në shërbim simbas nevojës së shfaqun.
Art. 3: Pagesa e rrogave të tyre, të cilat i shtrohen ndalesës së jashtëzakonshme e të përqindjes së pensionit si të nëpunësve të shtetit, bëhet me mandat pagesa direkte të lëshueme mbi titullarin e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme ose mbi t’autorizuemin prej tij. 
1936, policia “u shua”, pushteti i xhandarmërisë u bë i pakufishëm
Këtë vit ishte në krye të dikasterit të Ministrisë së Brendshme, Et’hem Toto, i prirë për përkrahjen e fuqizimin e xhandarmërisë. Ndonëse kabineti i Mehdi Frashërit u vlerësua si “liberal”, me prirje demokratike dhe i mirëpritur në respektimin e të drejtave të shtetasve, pas gjithë asaj shtypje barbare të lëvizjes së gushtit 1935, në Fier, ministri Toto nuk bëri asgjë për problemet e garantimit të sigurisë publike në qytete me struktura policore. Sipas dokumenteve arkivore rezulton se në vend vepronte vetëm Policia Bashkiake dhe xhandarmëria qytetëse, kryesisht për mbajtjen e rregullit në treg. Ajo u mor këtë periudhë kryesisht me kundërvajtjet në zbatimin e ligjit. E gjithë praktika shkresore përmend vetëm “Xhandarmëria Qytetëse”. Ahmet Zogu, i trembur prej zhvillimeve politike në vend dhe i bindur se vetëm xhandarmëria “lan” hesapet me kundërshtarët i dha të gjithë kompetencat kësaj “arme” në duart e tij për mbajtjen e rendit dhe sigurimin e qetësisë. Komenti më i saktë për këtë gjendje është bërë në një raport të komandantit të xhandarmërisë, më datë 5 tetor 1936. Në Arkivin e Shtetit Shqiptar, krahas të tjerave, gjendet një letër e komandanti të Përgjithshëm të Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, drejtuar Mbretit Zog, në të cilën ai shpalos drejtpërdrejt përgjegjësitë e xhandarmërisë për çështjet e sigurisë publike dhe luftën kundër lëvizjes komuniste në Shqipëri. Në letër evidentohet se është xhandarmëria struktura që “heton” mbi jetën dhe tendencat e djalërisë, që “vlerëson” përhapjen e propagandës komuniste në rrethet e djalërisë, që “klasifikon” nivelin e rrezikshmërisë së saj (anarki apo revolucion), që “zbulon” metodat e format e përhapjes së propagandës komuniste, krerët e saj, organizimin e të rinjve dhe përfshirjen e tyre “për modë” në rrethet e lexuesve të literaturës artistike e asaj komuniste, “të manipuluar” nga kundërshtarët e mbretërisë.
Sigal