Heroizmi Partizan në Tendën e Qypit, sakrificë në emër të lirisë

1011
Sigal

Në këtë betejë legjendare, armiku la 100 të vrarë e disa rob. Nga partizanët dhanë jetën 13 luftëtarë

Ka hyrë në histori si një nga betejat më të rënda të LANÇ. Pse u bë lufta e Tendës së Qypit? Nazistët gjermanë në dimrin e vitin 1943-44 u hodhën në sulm kundër UNÇSH me qëllim që të shuanin LANÇ e të asgjësonin UNÇSH e Shtabin e saj. Ky u quajt Operacioni i Dimrit. Pasi kryen Operacionin “Seydlitz” në Korçë e Berat, ku bënë masakra të mëdha, vazhduan operacionet në Jug në zonën midis lumenjve Vjosë e Drino. 2000 ushtarë nazistë të Divizionit 100, me emrin “Grupi Luftarak Verior” hodhën në sulm me 3 batalione në 3 drejtime. Me 22 janar, sipas parashikimit, gjermanët duhet të ndodheshin në Këlcyrë e Përmet në vendet e caktuar, se më 25 janar do të hidheshin ne mësymje. Për të vajtur sa më shpejt duhet të kalonin nga Qafa e Tendës së Qypit. Kapja e Tendës së Qypit nga gjermanët do të vinte në duart e tyre çelësin për të dalë menjëherë në Këlcyrë e në Përmet, se priste shkurt. Armiku nuk duhet ta kapte Tendën e Qypit. Komanda e Brigadës mori një letër nga Shtabi i Përgjithshëm që ishte në qarkun e Korçës që më 11 janar, ditën kur filloi operacioni armik në atë qark, ku kërkohej që brigada të dilte në Potom te Skraparit, prej nga të merrte lidhje me Shtabin e Grupit të Korçës dhe me komandën e Brigadës IV për të bashkërenduar veprimet kundër armikut në mësymje. Komanda e Brigadës i nisi menjëherë drejt Potomit dy batalione të saj (I dhe III). U nis dhe vetë Komandanti Mehmet Shehu. Kur dolën në qafë përmbi Vëndreshë, dëgjoheshin të shtëna pushkësh e mitralozash nga të dyja anët e qafës. Nga ana tjetër ishte Grupi i Skraparit, me komandant Zylyftar Veleshnja. Dyqind e ca partizanë të këtij grupi kishin 3-4 ore që luftonin. Gjermanët rrihnin me artileri e mortaja vendin rreth e rrotull. Partizanët e zunë majën e Kokojkës përpara se atë ta kapnin hitlerianët. Komanda Brigadës i ndau detyrat për luftë. Kur nazistët po ngjiteshin drejt Tendës së Qypit në formacion luftimi, komandanti i Brigadës i dha shenjën e sulmit. Partizanët hodhën mbi armiqtë bomba. Ngado tym e flakë. Filluan përleshjet trup me trup. Tingujt e borisë s’kishin të pushuar. Pastaj heshti… Borizani u plagos në qafë… Plumbi i kishte dalë tejpërtej. Boria ushtoi përsëri. Borizani mbante me gisht vrimën e plagës që të mos i rridhte gjaku… Përleshja midis partizanëve dhe hitlerianëve vazhdonte e ashpër. Maja u kap njëkohësisht nga të dyja palët. Kodërza mbahej nga Mefaili Rozani me Sotir Bulgarecin dhe tre luftëtarë të tjerë me tre mitraloza. Tre shokë, Mefailit iu vranë njëri pas tjetrit. Iu ndez gjaku dhe u turr mbi gjermanët. Luftoi me fuqi vigani derisa një nazist i nguli bajonetën në bark. Kështu heroi mbaroi. Armiqtë po goditeshin edhe nga partizanët e Grupit të Skraparit. U detyruan të prapseshin. Në këtë kundërsulm plagoset rëndë Zylyftar Veleshnja me komisarin e grupit. Pas gjashtë orë luftimesh të rënda, luftëtaret triumfuan. Ishte një fitore tjetër e madhe pothuajse vendimtare në dështimin e operacionit të mëtejshëm armik. Në Tendën e Qypit gjermanët u shkatërruan. Patën më shumë se 100 të vrarë. Në duart e partizanëve mbetën një sasi e madhe materiali luftarak: 1 top, 1 mortajë, 5 mitraloza të rëndë, një sasi mitralozash të lehtë, pushkë dhe automatikë, materiale veshmbathje etj. Nga 120 kafshë qe kishte armiku, 50 u vranë dhe 70 u zunë nga luftëtarët tanë. Në barrët e tyre u gjetën një numër kasetash me municion, por më tepër kishte plaçka të grabitura nga nazistët nëpër fshatrat ku kishin kaluar dhe i kishin djegur. Edhe kuajt e mushkat ua kishin rrëmbyer fshatarëve. Fitorja e Tendës së Qypit u arrit me heroizmin e partizanëve. Aty mbetën 13 dëshmorë: Mefail  Rozani,  Sotir  Beçka  (Bulgareci),  Sulo  Buxheli, Ago Topulli,  Sabri Caka, Leke (Aleks) Babaliu, Piro Gazepi, Fiqret Struga, Mario Kronika, Maksut Hyseni (Dobrenja), Gani Agolli, Xhuzepe Riki e një partizan me emrin Franko (italian), si dhe 12 të plagosur. Ishte e para herë që brigada pati kaq të vrarë e të plagosur në luftimet e saj. Ka ca gagarelë të politikës sonë që thonë se në betejën e Tendës së Qypit u vranë nja 3-4 veta dhe ata e bëjnë të madhe se kushedi se ç’ bënë… Të shkretëve ua ka mpirë trurin karriera politike. Sinqerisht i pyesim: janë me nazistët apo me partizanët e dëshmorët? Mirë dokumentet tona të luftës e kujtimet e veteranëve që kanë marrë pjesë në të nuk duan t’i lexojnë, po të paktën lexoni ato të hitlerjanëve se ç’ thonë nëpër ditarët e tyre për këtë betejë të Tendës së Qypit, që populli në këngë e quan ” TË RËNDË”… Dhe kur e thotë Sovrani, heshtni!