Heroi Pal Melyshi dhe maratona e internimeve të familjes së tij

2284
Sigal

Për Pal Melyshin është folur herë pas here në shtyp e u shkruan libra. U bë edhe një film për të “Operacioni zjarri”. Por heroin e lanë “jetim”

Albana Melyshi Lifschin

Vijon

 

Maratona e internimeve

Pas dy javëve qëndrimi në Shpal, ashtu siç ishim 25 frymë, të shoqëruar me policë, të izoluar në një kamion ushtarak të mbyllur me mushama, na transferuan në Lezhë. Në Lezhë na mbyllën në një godinë të madhe me hapësira të gjëra që u ngjante shumë stallave të fermave. Kjo godinë ishte plot me të internuar të tjerë, pjesëtarë të familjeve të krerëve të veriut. Godina qe rrethuar me policë të armatosur mirë. Njëri prej tyre që rrinte tek porta nuk linte as fëmijët të dilnin për nevoja të domosdoshme, pa marrë leje tek tetari i rojës. Ushqimin e gatuanin gratë në kazan, si për derrat, me lakra e presh të pa pastruar, vetëm me kripë, pa yndyrë. Buka ishte 800 gr.në ditë për familje. Uji vinte i depozituar dhe ndahej me gota alumini. Godina nuk ajrosej pasi dera mbahej mbyllur se mos ikte ndonjëri prej nesh. Në 500 metër katror na linin të vinim vërdallë mbi 200 frymë. Na vunë të flinim me brinjë për tokë, pa pasur me vete asnjë mbulesë se ashtu pat ardhur urdhri që kur bashkë me shtëpinë të digjeshin të gjitha. Nuk na lanë të merrnim as edhe një batanije me vete. Për këtë gratë e shtëpisë e mallkonin ditën dhe natën kur binim të flinin bashkë më fëmijët e tyre me brinjë përtokë, pa dysheme e pa tavan, duke u dridhur nga të ftohti e duke u përpjekur të ngroheshin me frymën e njëri-tjetrit. Një mëngjes nana jonë e hapi gojën e i tha tetarit të rojës:

-Nëse keni familje, kini mëshirë për fëmijët dhe për pleqtë se mbaruan së ftohti.

Ai foli me komandantin e burgut dhe solli dy batanije për të gjithë ne.

Në Lezhë kishte shumë mushkonja dhe njerëzit filluan të sëmuren nga ethet, dizenteria e mungesa e ushqimeve. Madje edhe nga uji që na sillnin me bidonë që mbanin erë myk.

Gjyshja e shkretë e dërmuar nga hidhërimi dhe e lodhur nga internimi u sëmur rëndë e vdiq në Lezhë. Atje prehet edhe sot e kësaj dite. Ne fëmijët qamë shumë për të. Ishte një gjyshe shumë e dashur. Nuk mbaj mend kurrë të qortonte ndonjërin nga ne. Njerëzve të tjerë të shtëpisë filluan t’u vijnë ndihma nga miqtë e të afërmit, ushqime e rroba, por vetëm për ne (nënën dhe tre fëmijët) nuk u kujtua njeri, madje as vëllezërit e saj që ishin të kamur. Një ditë s’m’u durua dhe i thashë nënës:

-Po dajat tanë, si nuk erdhën asnjëherë për të na parë, o nanë?

-Jo se nuk na duan, bij-o, por ti s’e kupton që ata i ruhen spiunllikut, se i padisin e pastaj i burgosin. Unë si motër, nuk dua t’i shoh as të burgosur e as të internuar.

Kështu ma mbylli gojën ajo.

* * *

Pas internimit në Lezhë, ku na mbajtën 6 muaj, na transferuan në Berat. Aty na ‘strehuan’ në lagjen Mangalem, në shtëpitë e shembura të Pashajt. Ishin të braktisura, shumë të vjetra e të kalbura. Edhe ato që kishin mbetur në këmbë dukeshin sikur do binin nga çasti në çast. Në Berat atë kohë shihje gjithandej banesa të shembura, rrënoja si ato të fill pas luftës. Fëmijët duke luajtur gjenin në rrënoja filxhanë, pjata, lugë e pirunë, të paprekura të dala mbi dhe, dhe i sillnin tek nëna. Nëna kishte frikë se mos fëmijët nga skamja bëheshin hajdutë dhe një herë u bërtiti:

-Ku i morët këto sende? Kush ua dha? Mos ma nxini faqen!

-Po s’besove hajde ta tregojmë se ku i kemi gjetë. Këtu moj nanë, sa më shumë të gërmosh aq më shumë gjen nga këto. Nëna u bind që fëmijët thoshin të vërtetën. Ne të shkretët nuk kishim asnjë enë kuzhine dhe ato ishin të askujt. Dhe për t’i blerë duheshin para.

Për çudi në këto gërmadha na doli fati i një strehimi. Një nevojtore kishte shpëtuar pa u shembur. Ishte e vogël, e mbuluar me beton dhe kishte derë! Sipërfaqja e saj ishte 3×2, sa për të futur kokën. Morëm ca tulla të thyera dhe mbuluam vrimën e WC dhe mbi të ngjeshëm baltë për ta bllokuar plotësisht. Gjithsesi, në Berat ndiheshim më mirë. Beratasit ishin njerëz të butë e nuk na shihnin me përçmim. Dega e brendshme na mbante nën kontroll. Na mblidhnin rregullisht në xhaminë e Mangalemit. Kishin frikë se fëmijët e të internuarve duke u rritur mund të arratiseshin, siç kishte ndodhur. Për të jetuar na duhej jo vetëm buka e thatë por edhe lakra, preshi e, kripa së paku, (Mishin e peshkun,- kishim kohë që i kishim harruar). Për të blerë ato na duheshin para. Në qytet nuk kishte vend pune për të internuarit. Në fshat për të gjetur punë do të thoshte të dilje nga shtëpia me leje, të kishe moshë për t’u konsideruar ”krah pune”, duhej të kaloje urën e Beratit, të veje pas malit të Shpiragut dhe vetëm kjo merrte një orë e gjysmë dhe po aq kthimi në banesën e kalbur. Nëna jonë ishte e re , 42 vjeçe. Unë po rritesha pranë saj. Nuk më ndante nga vetja, po as nuk më linte të ngarkohesha me pesha të rënda. “Je akoma fëmijë dhe të del kurrizi” më thosh”. Të dy vëllezërit e mi më të vegjël se unë, donin të bënin diçka, por ishin të parritur për punë. Kështu nëna ishte i vetmi krah pune. Ishte muaji korrik kur na erdhi nga fshati një grua e panjohur. Ajo i kërkoi nënës t’i korrte grurin. Nëna u gëzua dhe pranoi menjëherë. Unë iu luta të më merrte me vete dhe shkova me të. Fshatarët ta jepnin korrjen e grurit “qesim” siç i thoshin, d.m.th., jo me normë, por me sipërfaqe toke të caktuar. Nënën e mbuluan djersët nga korrja pa pushuar, se donte ta mbaronte parcelën pa u errur, të mos na zinte nata pa hyrë në qytet. Ajo korrte dhe unë e mblidhja duar-duar. E zonja e shtëpisë u kënaq shumë nga puna e nënës. Ajo mori një gjel deti dhe e futi në furrë, dhe përgatiti një drekë aq të shijshme e të pasur, sa e kujtoj dhe sot. Dhe na mbushi një trastë të madhe me gjysmën e gjelit që mbeti, me ushqime, me miell, niseshte, lakra grosh e me fruta. Ajo grua e mirë nuk harroi t’i jepte nënës edhe 100 lekë për korrjen e grurit dhe sistemimin e tij. Morëm rrugën për në shtëpi pa perënduar dielli. Pa hyrë ende në qytet, nëna donte të bënte edhe një turrë drush që t’i shiste për 40 lekë. Me 40 lekë e kalonim ditën të katërt. Duke llogaritur edhe 100 lekë nga korrja e grurit dhe ushqimin që na dha ajo grua e mirë, atë ditë na u duk vetja të pasur!

Jeta po bëhej më e vështirë e me të papritura. Një ditë, Dega e P. të Brendshme e Beratit mblodhi të gjithë të internuarit dhe u tha që të nesërmen nga një për familje do të shkonin në fermën e Otllakut, në Kuçovë, për të luftuar morinë e madhe të karkalecave. Karkalecët bënin kërdinë në grurë, misër, zarzavate dhe fruta. Kjo qe punë më tepër për rininë. Për të mos e lodhur më nënën, unë ngrita dorën e para për të shkuar vullnetare në Otllak. Kështu u bëmë një grup të rejash bashkë, që nëna të mos kishte merak për mua dhe u nisëm me kamionë për në fermë, që ishte afër me Beratin. Sa zbritëm në fermë, na u hodhën karkalecat në fytyrë e në trup. Ishin në madhësinë e një zogu. Ne i luftonin duke hedhur benzinë e duke u vënë zjarrin e mandej i fshinin nga fusha me fshesa gjeshtre (apo gjineshtre) dhe mbushnim çarçafët me ta.

Pastaj këndonim:

“ Karkalecin në lëndinë/ do ta djegim me benzinë”.

Kur digjeshin karkalecat lëshonin një erë të keqe shkrumbi.

(Vazhdon)