Hero i popullit, Rrahman Parllaku/ Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk ishte luftë civile, por luftë e sakrificave të mëdha. Lufta e brigadave në çlirimin e Kosovës dhe mesazhet e shekullit të tij. Luan Rama: Jeta prej heroi e gjeneral Parllakut

1346
Sigal

LANÇ – Lufta e sakrificave të mëdha

 

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk ishte luftë civile

Nga Rrahman Parllaku

 

Shqiptarët festojnë këtë vit përvjetorin e 75-të të çlirimit të Atdheut nga okupatori nazifashist më të gëzuar e më krenarë se kurrë. Në këtë jubile të lavdishëm ne shqiptarët kemi të

drejtë të krenohemi për Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare që çoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Ne krenohemi, sepse me luftën e sakrificat mbinjerëzore dhe gjakun e dhjetëra mijëra dëshmorëve u bëmë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës kryesuar nga Aleanca Anglo-Sovjeto-Amerikane. Në momentin historik populli shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kodo që jetonte në trojet e tij etnike u bashkua me forcat e lirisë kundër atyre të errësirës. Në bazë të kësaj lufte e sakrificave që bëmë, ne siguruam jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë, por të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje e të

shqiptarëve kudo ku jetojnë të drejtën për të qëndruar në trojet e tyre etnike. Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare pas shpalljes të pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit në Vlorë.

Në Luftën e Dytë Botërore gjithë populli shqiptar ishte në rrezik, Shqipëria mund të humbiste pavarësinë. Populli shqiptar i Kosovës e ai i shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike mund të shpërnguleshin nga trojet e tyre e të pësonin fatin e atyre shqiptarëve që u dëbuan me forcën e armëve nga serbët në vitet 1870 – 1880 nga zonat e Nishit, Vranjës, Prokupjes, Leskovcit etj., si dhe të popullit çam. Ky rrezik vinte sepse pushtuesit italianë erdhën me parullën e bashkimit të shqiptarëve nën kurorën e Viktor Emanuelit, krijuan qeverinë kuislinge për t’i dhënë pamjen e një shteti të pavarur dhe me shkatërrimin e Jugosllavisë dolën me parullën e Shqipërisë së Madhe. Në këtë mënyrë u përpoqën ta lidhin popullin tonë me bllokun fashist. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Gjermania Naziste pas kapitullimit të Italisë, duke mbledhur një Asamble Tradhtare që e shpalli Shqipërinë të pavarur, pasi gjermanët kishin deklaruar se “ne jemi kalimtarë dhe Shqipëria do të jetë e pavarur”. Vetëkuptohet, pavarësi me nazistët brenda në Shqipëri. Po të mos kishte filluar e të zhvillohej Lufta Nacionalçlirimtare, kombi shqiptar do të kishte shkuar në humnerë bashkë me nazifashistët dhe do të ishin plotësuar lakmitë grabitqare sllavo-greke për copëtimin edhe të shtetit shqiptar, për të cilat punonin edhe qeveritë mbretërore greko-serbe në mërgim.

Ishte zhvillimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që përfshiu gjithë Shqipërinë dhe që vetëm brenda vitit 1942 ishin krijuar 22 çeta partizane nga Konispoli në Jug deri në Malësinë e Gjakovës në Veri. Jehona e kësaj lufte bëri që ministrat e jashtëm të Anglisë-Idem, i Bashkimit Sovjetik – Molotov dhe i SHBA – Hell që në dhjetor të vitit 1942 të bënin deklaratën se dëshironin të shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe që të vendosej pavarësia e saj. Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendosej në Shqipëri do të ishte një çështje që do ta vendoste vetë populli shqiptar në fund të luftës. Megjithëse në këtë deklaratë qeveria angleze mbante një rezervë kur shprehej se “e sheh çështjen e kufijve shqiptarë pas luftës si një çështje që duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”, kjo deklaratë ishte mbështetje për qeveritë greko-jugosllave në egzil që përgatisnin plane për copëtimin e Shqipërisë. Por Lufta antifashiste Nacional-Çlirimtare kishte marrë zhvillime të vrullshme që me krijimin e reparteve sulmuese të Ushtrisë Nacional – Çlirimtare dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm, në 10 Korrik 1943, ky shtab mori në drejtim dhe centralizoi veprimet luftarake duke shtuar goditjet kundër pushtuesve dhe duke krijuar zonat e lira. Në këto moment aleatët, e në radhë të parë anglezët dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm që të ndiqnin nga afër Luftën tonë dhe u bindën se e vetmja forcë ushtarake e organizuar në Shqipëri që bënte luftë të vendosur kundër pushtuesve nazifashistë ishte Ushtria Nacionalçlirimtare. Pas kësaj bindjeje ata i shtuan misionet e tyre në Shqipëri dhe filluan të na ndihmonin me armatime e materiale luftarake, megjithëse shumë të kufizuara për shtimin e zgjerimin e Ushtrisë sonë gjatë viteve 1943-1944. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ushtrive aleate bënë të gjitha përpjekjet për t’i bashkuar forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e Legalitetit, por nuk patën sukses.

LANÇ, Lufta e sakrificave të mëdha

Ushtria Nacionalçlirimtare pasi theu me sukses Operacionin më të madh të Forcave Naziste e bashkëpunëtorëve të tyre në dimrin e egër të viteve 1943-1944 e kish çliruar hapësira të mëdha të vendit, krijoi kushte për mbajtjen e Kongresit të Përmetit. Nga ky Kongres doli Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore. Pas Kongresit u bënë ndryshime në

organizimin e Ushtrisë. Ajo kaloi nga formacionet e Brigadave në ato të Njësive të Mëdha të Divizioneve e Korparmatave, të afta për të kryer operacione operative strategjike në të gjitha hapësirat e vendit. Me thyerjen e operacionit të gjerman të Qershorit 1944, i fundit i ndërmarrë nga nazistët në vendin tonë, në korrik 1944 forcat e Divizionit të Parë kaluan në mësymje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut dhe me çlirimin e Matit, të Dibrës e të Lumës, Brigada e Pestë u shkëput nga varësia e Divizionit të Parë dhe së bashku me Brigadën e Tretë morën urdhër të kalojnë në Kosovë për të ndihmuar në çlirimin e saj. Detyra kryesore që na ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm ishte, që në bashkëveprim me Forcat e

Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Kosovës të godisnim pa ndërprerje forcat naziste e të shpejtonim çlirimin e Kosovës e të ndihmonim që rinia kosovare të merrte pjesë masive në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare me qëllim që Kosova të bëhej pjesëtare e Aleancës Antifashiste të Popujve të Botës që luftonin kundër nazistëve dhe në këtë mënyrë të fitonte të drejtën për vetëvendosje dhe të ndihmonim për ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare në zonat e çliruara. Për realizimin e këtyre detyrave e drejtimin e veprimeve luftarake u krijua Shtabi i përbashkët Operativ i dy Brigadave dhe Forcave të Kosovës i përbërë nga Fadil Hoxha komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, nga Shefqet Peçi komandant i Brigadës së Pestë dhe Hulusi Spahiu Komandant i Brigadës së Tretë. Me gjithë rezistencën e ashpër të forcave naziste e të mbeturinave të Divizionit SS “Skënderbeg” për të mbajtur qytetet Prizren, Gjakovë e Pejë e për të siguruar tërheqjen e shpejtë e të organizuar të reparteve naziste për në Frontin Perëndimor kundër forcave aleate, forcat tona i mundën e i shpartalluan nazistët me luftime shumë të ashpra që u zhvilluan në Gjakovë e sidomos në Junik e Deçan. Në këto luftime Brigada e Tretë ka pasur humbjet më të rënda në historinë e saj luftarake me 32 të vrarë e shumë të plagosur. Edhe armiku pati humbje të rënda me shumë të vrarë e të plagosur, zumë me sa më kujtohet rreth 30 robër nga forcat e Divizionit “Skënderbeg”, pasi kishin nxjerrë nga rrethimi komandantët e tyre nëpërmjet një çepengu. Mes tyre kishin qenë edhe Rexhep Deva, Demali Pozhari, një oficer gjerman e të tjerë. Partizanët tanë të zemëruar nga humbjet e shokëve të tyre kërkonin me këmbëngulje pushkatimin e robërve. Më shumë vështirësi i bindëm t’i lirojmë, pasi ne nuk kishim shkuar në Kosovë për të vrarë vëllezërit tanë, po për çlirimin e tyre. Atyre u morëm armët e i liruam duke i porositur të mos shkonin prapë në shërbim të armikut e të vriteshin vëlla me vëlla siç ndodhi në ato luftime. Duhet të pohojmë se prej asaj dite, pushkë kosovari nuk qëlloi më kundër nesh. Luftimet për çlirimin e Deçanit, Pejës e gjithë Rrafshit të Dukagjinit përfunduan, më 17 Nëntor 1944.

Na vjen keq kur dëgjojmë ose kur shkruhet në ndonjë gazetë se forcat tona kanë vrarë njerëz të pafajshëm në Kosovë. Unë pohoj se kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast, përveç kur jemi ndodhur ballë për ballë në luftime. Nuk di a jeton ndonjëri nga të liruarit të jetë dëshmitar i kësaj dhe aty nga fundi i sallës u ngrit njëri që ishte liruar dhe për fat të mirë i vërtetoi më së miri çka pohova aty.

Lufta e brigadave tona për çlirimin krahinave të Kosovës dha ndihmesë për pjesëmarrjen e djemve të saj në Luftë

Pjesëmarrja masive në Luftën Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës nën drejtimin e Fadil Hoxhës e shokëve të tij ka qenë vendimtare. Ajo bëri të dështojnë planet e Çubrilloviçit që i kishte servirur Komandës së Ushtrisë Jugosllave për spastrimin etnik të shqiptarëve

nga trojet e tyre. Arkitekt i mendimit shovinist serb Vaso Çubrilloviçi me elaboratorin e tij të dytë të vitit 1944 jepte direktivën politike se paskësh ardhur momenti i përshtatshëm për t’i larë hesapet me shqiptarët njëherë e përgjithmonë, se për t’i dëbuar nga trojet e tyre asnjëherë ne nuk kemi pasur kushte më të favorshme. Luftërat, vazhdon më tej ai, janë momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ai shpreh bindjen se, aleatët tanë do të na kuptojnë dhe do të plotësojnë dëshirat tona, veçanërisht një shpresë të madhe kemi tek Bashkimi Sovjetik vëlla, dhe në fund ideologu shovinist serb jepte direktivën për ushtrinë. Ushtria gjatë operacioneve luftarake duhet të spastrojë në mënyrë të planifikuar e pa mëshirë pakicat kombëtare shqiptare”. Edhe Konferenca e Tre të Mëdhenjve (Çurçill-Stalin- Rusvelt) u jepte të drejtë shteteve fituese në luftë për shpërnguljen e pakicave kombëtare që ishin bashkuar me bllokun fashist. Shembull konkret ishin Rumania që iu shkëput një republikë e tërë Moldavia nga trojet e veta, pa llogaritur shpërnguljen e më se dhjetë milionë gjermanëve nga Prusia, Krakovia etj. Platforma politike dhe ushtarake e Çubrilloviçit, e mbajtur sekret nga Beogradi për çështjen e Kosovës u dogj nga 55 mijë djemtë e saj që morën pjesë në Luftë dhe mijëra dëshmorëve kosovarë që dhanë jetën duke

luftuar përkrah forcave antifashiste të botës.

Lufta e Brigadave tona për çlirimin e krahinave të Kosovës dha ndihmesë për pjesëmarrjen e djemve të saj në Luftë. Me largimin e Brigadave tona nga Kosova në drejtim të Sanxhakut e Bosnjës, forcat serbo-sllave përfshi dhe ato çetnike u përpoqën të venë në zbatim planin e Çubrilloviçit, por ishte vonë. Forcat shqiptare ishin të armatosura, ata bënë qëndresë të fortë duke luftuar për jetë a vdekje nën komandën e Shaban Palluzhës. Krimet qenë të rënda, por planet e Çubrilloviçit nuk u realizuan. Shqiptarët mbetën përjetë në trojet e tyre etnike. Forcat e dy Divizioneve tona e vazhduan luftën në tokat e Jugosllavisë duke dhënë ndihmesën e tyre jo vetëm në çlirimin e krahinave të Malit të Zi, Sanxhakut e Bosnjës, por edhe duke penguar, dëmtuar, e vonuar forcat naziste që përpiqeshin të tërhiqeshin me shpejtësi e në mënyrë të organizuar për në Frontin Perëndimor për të luftuar kundër forcave aleate që kishin zbarkuar në Francë. Luftimet e forcave tona në këto vende janë zhvilluar në kushte tepër të vështira të një dimri që u kujtonte atë të dimrit të vitit 1943 – 1944 në Shqipëri, me mungesa të theksuara në ushqime e mjete të tjera të jetesës, por ata e kryen me nder detyrën. Dua të theksoj se në këto luftime kanë rënë afro 700 dëshmorë të dy divizioneve tona. Ky ishte edhe një kontribut i veçantë në Luftën Antifashiste.

Populli ynë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo në trojet e veta etnike është krenar se iu bashkua në luftë Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve, e çliruam Shqipërinë pa ndërhyrjen direkte të Forcave Aleate, por edhe dhamë kontribut të çmuar

në këtë Luftë. Patjetër ne shprehim falënderimet tona për ndihmën që dhanë Aleatët e Mëdhenj, Anglia, Bashkimi Sovjetik e SHBA-të, që shkatërruan bishën naziste e u siguruan popujve lirinë. Lavdi Dëshmorëve

Fitimtari i tri kohëve

Jeta prej heroi e gjeneral Rrahman Parllakut

Luan Rama

 

Sot, “Heroi i Popullit”, Rrahman Parllaku mbush një shek­ull jetë; jetë në luftë e përpjekje pafund, jetë në sakrifica e pri­vacione, jetë në tri epoka e tri kohë; jetë prej partizani e luftë­tari antifashist, jetë prej heroi e komandanti ushtarak, por edhe jetë në ferrin e persekucionit komunist, prej nga na vjen si një feniks për të qenë ndër ne dëshmitar e protagonist i historisë së Shqipërisë; prej Monarkisë në Luftën Antifashiste Nacion­alçlirimtare, e prej regjimit totalitar në epokën e lirisë.

Rrahman Parllaku, në sagën e vet i ka jetuar të gjitha: mjer­imin, luftën, paqen, rritjen e lavdinë, fuqinë e pushtetit, por edhe rënien prej armiqësisë së pushtetit që iu dedikua e i shër­beu me idealizëm, rilindjen e lirinë. E përmes këtyre dallgëve, shpirti e karakteri i tij mbeti i pandryshuar, me një jetë prej heroi, si pakkush në botën që jetojmë. Sot ai është fitimtari i tri kohëve e meriton nderim e mirënjohje prej të gjithëve.

Gjeneral Rrahman Parllaku dhe mesazhet e shekullit të tij

 

 

Dr. Hajri Mandri

 

Më 17 prill 2019, Heroi i Popullit, Gjeneral Rrahman Parllaku, mbush një shekull jetë, duke u bërë model i mbijetesës, qëndrimeve dhe vlerave. Me memorie të freskët, dhe shëndet të mirë, bart në kujtesë imazhe groteske të skenave më të skajshme të një intelektuali me një veprimtari të dendur në drejtim, veprim dhe qëndrim dhe na vjen në jubileun e 100-vjetorit të tij, si dëshmitar okular i historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve, sublimitetit dhe vlerave, arritjeve dhe gabimeve historike, dëshmi e gjallë për luftërat dhe qëndresat, ëndrrat dhe shpresat që rriteshin e veniteshin nën një mbijetesë sakrale.

I lindur në Veri të Shqipërisë dhe rritur e formuar në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme, Gjeneral Parllaku e njohu Atdheun gjeografik me pëllëmbë, duke qenë prezent në të gjitha ngjarjet dhe sfidat e kohës, si pjesëmarrës aktiv në bëmat e mëdha në luftën për liri, dinjitet shoqëror dhe demokraci. Ai lëviz në historinë e shekullit të tij, hijerëndë me virtyte të larta, me përkushtim kombëtar, qytetar e shoqëror me ndikim të fuqishëm publik. Jetën dhe veprën e tij nuk e nxënë kufijtë e Shqipërisë shtetërore, por atë do ta gjejmë në luftëra dhe përpjekje dhe në viset e tjera shqiptare, në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Në spiralet e historisë, Gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet duke pasur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës. Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuintesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në Hero të Popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablet në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e Tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Retrospektiva dhe perspektiva kanë një prerje të artë në personalitetin e Gjeneral Parllakut. Atë e përshkon frymëzimi dhe dashuria për Atdheun e tij, si lajtmotiv vijues mbi kohor që çliron në rrethana tipike energji shpirtërore pozitive në luftën e jetës. Jeta e Tij, e përshkruar në këtë libër është një shëmbëlltyrë e rrallë që na fton të kuptojmë se jeta meriton të jetohet kur luftohet fort dhe fitohet. Si një ushtarak, korrekt, i shquar ai mbështetej në skrupuj të fortë të moralit kombëtar, me pikëvështrim të qartë dhe të kthjellët, duke ngjitur një nga një shkallët e karrierës ushtarake, si një gjigant hijerëndë që ngjitet i sigurt në bedenat e kalasë. Kalaja e pushteteve në kohë të ndryshme dhe situata të ndryshme pati dhe shembje morale e politike, por këto nuk e dobësuan dhe përulën Gjeneral Rrahman Parllakun, këtë soj të fortë shqiptari që me mençuri diti të manovrojë në spiralet e rrezikshme të historisë shqiptare. Heroi i luftës në terren, i luftës dhe përballjes në gjyqe ushtarake, përballoi burgje e privime dhe fitoi duke merituar lavdinë dhe pavdekësinë. Jeta iu afrua Heroit herë me tufa me lule herë duke u derdhur mbi të me tërë egërsinë e saj. Ai është një model i ardhur nga gjenocidi komunist si dëshmitar i gjallë për të kuptuar dhe vërtetuar peripecitë dhe traumat që kaloi ky popull i orientuar dhe i ideologjizuar gabimisht nga rryma dhe korrente të huaja. Mbi 20 vjet në krye të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës, me ndershmëri dhe principe të larta morale ka kontribuar në ndriçimin e mjaft skenave dhe protagonistëve, të vërtetave dhe kërkimeve historike duke dhënë edhe në moshë pensioni, një ndihmesë të vyer në emancipimin politiko-shoqëror e demokratik të shoqërisë. Në këtë vështrim Gjeneral Rrahman Parllaku përbën një shembull frymëzimi për atdhedashurinë dhe përkushtimin qytetar.