“Helmimi” i Pallatit të Kulturës Naim Frashëri

1141
Shqetësimi i tretë i Profesor Kastriot Bezatit: Pallatin e Kulturës “ Naim Frashëri” e mbron Ligji i Shqipërisë dhe jo dëshirat apo hamendësitë

Atdhedashuria, e vërteta dhe e bukura, mendoj se janë piedestale mbi të cilat lartësohet Shqipëria

Këshilli Bashkiak i Përmetit dhe Ministria e Kulturës nuk duhet të gjunjëzohen përpara kërkesës së Kryepeshkopit Janullatos dhe të vrasin në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Pallatin e Kulturës, që mban emrin e Naim Frashërit, shënjtorit të madh të Shqipërisë 
– Aq sa mund të bësh që të qëndrojë gurin në ajër apo të lidhësh ujin me litar, po aq ka mundësi që antiligji të vrasë ligjin 
– Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, i vetmi në qytetin e Përmetit, u projektua, u investua dhe u ndërtua tërësisht nga themelet nga shteti 
– Punimet filluan më 11 prill 1961 dhe Pallati u përurua më 28 Nëntor 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 18-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë
– Kur u përurua Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” “ka qenë i pranishëm dhe Kryepeshkopi Pais Vodica – Pashko”, – shkruan historiani Apostol Kotani, më 24 gusht 2013 
– Unë dua dhe besoj se nuk është bërë apo po kërkohet të bëhet ndonjë “pazar” midis këshilltarëve të Bashkisë e Ministrisë së Kulturës me Kryepeshkopin për “shitjen”, “helmimin” apo “vrasjen” e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. 

Arben Progonati
Z. Kastriot, përse po e sillni në vëmendje sërish Pallatin e Kulturës në Përmet?
Më 5 maj 2015 dhe më 10 tetor 2016 i jam drejtuar Kryeministrit, Z. Edi Rama, për dy probleme, që për mua janë me rëndësi për Përmetin: Së pari, për mbrojtjen e rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” dhe, së dyti, për miratimin e fillimin e realizimit të idesë së ngritjes së Panteonit në Natyrë të Përmetit.
Më 5 maj 2015, ndër të tjera, i shkruaja Kryeministrit: “E sjell vështrimin nga Ju nisur nga ideja … e vlerësimit të personaliteteve të Përmetit që i bëjnë nder Shqipërisë, për lartësimin e institucionit kryesor dhe të vetëm të kulturës në qytetin e Përmetit, Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Qeveria e drejtuar nga Ju, mendoj se duhet të shikojë mundësinë e dhënies së mjeteve financiare, së pari, për rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që ngrihet në zemër të qytetit të Përmetit dhe, së dyti, edhe për miratimin e fillimin e realizimit të idesë së ngritjes të “Panteonit në Natyrë të Përmetit” apo të “Parkut të Monumenteve të Përmetit” në hapësirën përreth Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, në “Ballkonin natyror të Përmetit” …ku të përfshihen edhe hapësira e Shëtitores “Odise Paskali” si dhe e Sheshit “Abdyl Frashëri”. E përsërita këtë kërkesë edhe më 10 tetor 2016. Për të dy problemet kam biseduar edhe me Ministren e Kulurës, Znj. Mirela Kumbaro. Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, i vetmi në qytetin e Përmetit, u projektua, u investua dhe u ndërtua tërësisht nga themelet nga shteti në zbatim të Vendimit Nr.69, datë 11.08.1960 të ish-Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Përmet, në kuadrin e vënies në jetë të planit të 3-të urbanistik të qytetit të Përmetit dhe, nga e gjithë sipërfaqia e truallit prej 584 m2 mbi të cilën ai u ngrit, vetëm 25 m2 ose 4.28 % i takon truallit të ish-Kishës Shën Maria e Pazarit. Punimet filluan, më 11 prill 1961 dhe Pallati u përurua, më 28 Nëntor 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 18-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Kur u përurua Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” “ka qënë i pranishëm dhe Kryepeshkopi Pais Vodica – Pashko”, – shkruan historiani Apostol Kotani, më 24 gusht 2013, i cili në atë kohë ishte me punë në Përmet dhe është marrë me organizimin e ceremonisë së përurimit të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”.
Po më vonë çfarë ndodhi?
Vite më vonë lindi konflikti midis Bashkisë dhe Kishës Ortodokse përsa i përket pronësisë së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Konflikti gjyqësor filloi më 25 shtator 1997 dhe përfundoi më 5 maj 2004 dhe, të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër me Vendimin Nr.484 datë 10 korrik 2001, Gjykata e Apelit Gjirokastër me Vendimin Nr. 122 datë 21 mars 2002, Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 1640 datë 14 tetor 2003 dhe Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 66 datë 5 maj 2004, vendosen të gjitha mbijetesën e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, aty ku ai u ngrit nga themelet nga shteti dhe aty ku ai lartësohet edhe sot në zemër të qytetit të Përmetit, vendime që u ekzekutuan, më 16 gusht 2013. Gjykimi në të gjitha shkallët e gjyqësorit u bë nga 45 gjyqtarë, 13 nga të cilët të Apelit dhe 19 të Gjykatës së Lartë, nga të cilët cilësojmë gjyqtarët që dhanë vendimet përfundimtare të cilësura më lart: Blerta Çibuku, Shkëlqim Mustafa, Mirela Kore, Izet Salaj, Aleksandër Muskaj, Irena Ibrahimi, Zamir Poda, Valentina Kondili, Natasha Sheshi, Irma Bala, Bashkim Caka, Gjergji Sauli, Alfred Karamuço dhe Kristofor Peçi, si dhe gjyqtarët që gjykuan seanca me rëndësi për ecurinë e gjykimit: Etleva Deda, Musa Halili, Arjan Dosti, Ylvi Myrtaj, Marjana Hoxha, Kujtim Idrizi, Bashkim Çami, Kristaq Ngjela, Vladimir Bineri, Artan Hoxha, Spiro Spiro, Aludin Malaj, Astrit Shema, Vasil Hanxhari. Mbijetoi Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” sepse e mbrojti Ligji, e Vërteta, Historia. “Ligjet janë shpirti i qytetërimit, nëse ligjet mungojnë, qytetërimi shkatërrohet”, – ka thënë Demosteni. “Derisa të jetë qielli dhe toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit”, – thuhet në Bibël dhe se “Secili duhet t’i bindet pushtetit të Shtetit” se “Fuqia e plotë për të dënuar sipas Ligjit i përket Shtetit”, – thuhet edhe në Dhiatën e Re, Kreu XIII. Ligji mbron Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, ndërsa antiligji, i ngritur kohët e fundit “në këmbë” nga Kryepeshkopi dhe, si flitet në Përmet, edhe nga këshilltarë te veçantë të Bashkisë, edhe nga ndonjë deputet apo edhe nga ndonjë anëtar qeverie, që ndoshta e vënë kokën në jastëkun e Athinës, kërkojnë ta helmojnë e tjetërsojnë Pallatin e Kulturës në Kishë. Mendojnë se e “ngritën antiligjin në këmbë” kur antiligji s’ka këmbë. Aq sa mund të qëndrosh gurin në ajër apo të lidhësh ujin me litar, po aq ka mundësi që antiligji të vrasë ligjin.
Konkretisht si qëndron situata?
Më 5 mars 2018, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, “i nisur” edhe nga “një propozim i organizuar ndoshta nga ai vetë” i një numri qytetarësh të Përmetit drejtuar Këshillit Bashkiak të Përmeti, më 1 mars 2018, të cilët kërkojnë në kundërshtim me ligjin, (14 vjet mbasi të gjitha shkallët e gjyqësorit mbrojtën Pallatin e Kulturës), “tjetërsimin pa shpërblim (dhurimin)” të Pallatit të Kulturës në favor të Kishës, i drejtohet Kryetarit (pa ia përmëndur emrin) dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe për dijeni, me emër, Kryetarit të Bashkisë, Z. Niko Shupuli, dhe, në kundërshtim me Ligjin, në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkon që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” t’i “rikthehet Kishës” (!!!). Kisha, – shkruan Kryepeshkopi, – “daton që prej viteve 1600 dhe është rikonstruktuar disa herë deri në vitin 1963” dhe, më tej, thotë se “varret … ndodhen edhe sot e kësaj dite pranë godinës” (!!!). E vërteta. “Kisha e Shën Mërisë së Pazarit …është ndërtuar … më 1930 dhe ka funksionuar gjer në vitin 1945”, – thuhet në Vendimin Nr.484 datë 10 korrik 2001 të Gjykatës, Gjirokastër. “Shtëpia e Kulturës Përmet është ndërtuar mbi bazën e një projekti të veçantë … me investime shtetërore dhe se ndërtimi i këtij objekti ka zënë 4.28% të truallit ku më parë ka qënë e ndërtuar Kisha”, – thuhet në Vendimin Nr. 1640 datë 14 tetor 2003 të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.
-Çfarë kërkohet në këtë situatë?
Unë dua dhe besoj se nuk është bërë apo po kërkohet të bëhet ndonjë “pazar” midis këshilltarëve të Bashkisë e Ministrisë së Kulturës me Kryepeshkopin për “shitjen”, “helmimin” apo “vrasjen” e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Nuk dua ta besoj se ndoshta në errësirë nga “Dikush” apo nga “Disa” përgatitet natën pusia dhe goditja për rrafshimin apo shitjen e pastaj vrasja e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. “E keqia s’do gjë tjetër për të triumfuar, veçse indiferencën e njerëzve të mirë”, – thotë Edmund Burke. Askush nuk e pengon Kishën që ta rindërtojë Kishën Shën Maria e Pazarit në një hapësirë të lirë të dukshme të Përmetit, por jo mbi truallin ku tani ngrihet ligjërisht Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”. Këshilltarët e Bashkisë, kryetarja, Znj.Mira Habili, anëtarët e këtij Këshilli, Ahmet Bërzani, Artan Meshini, Dritan Hoxha, Edvin Tuçi, Eltion Ismaili, Gerti Zhaka, Genta Jahja, Irida Mançellari, Dhoksi Mango, Ilir Ibrahimi, Jorgji Çuro, Josif Lipe, Kujtim Selmani, Landi Dama, Lida Ismaili, Ligor Thanasi, Niko Poçi, Robert Naqe, Soni Xhamollari, Vasil Nikolla, në respektim të ligjit dhe në interesin e të gjithë qytetarëve të Përmetit duhet ta mbrojnë dhe jo t’ia kalojnë Pallatin e Kulturës në pronësi Kishës, nuk duhet të firmosin kërkesën antiligjore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Edhe Ministria e Kulturës duhet t’i lërë të qetë këshilltarët e Përmetit. Këshilltaret mendoj se nuk duhet të firmosin edhe propozimin e bërë nga disa qytetarë të Përmetit, propozim që vjen ndesh me Ligjin. Nisur nga Kushtetuta, vetqeverisja ligjore është Ligji dhe Referendumi i të gjithë qytetarëve të qytetit të Përmetit dhe i të 53 fshatrave të Bashkisë së Përmetit e ndoshta më mirë referendumi i gjithë qytetarëve të 2 qyteteve dhe 91 fshatrave të Nënprefekturës së Përmeti. Këshilli i Bashkisë dhe Ministria e Kulturës s’duhen të gjunjëzohen para Kryepeshkopit. S’duhet të firmosin kërkesën e Janullatosit. Pse? Sepse askush nuk është mbi Ligjin. “Çdo politikë duhet të përulet para drejtësisë”, – ka thënë Kanti. “Ju sigurojmë se përpjekjet tona do të jenë maksimale për të ruajtur Shtëpinë e Kulturës”, – u shkruante më 3 korrik 2001 Këshilli i Bashkisë Përmet qytetarëve të Përmetit. “Kush mbron kulturën e kombit, mbron edhe Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” … Si në çdo shtet të Europës, edhe në Shqipëri askush nuk duhet të dalë mbi ligjin: asnjë njeri, asnjë komunë apo bashki, asnjë institucion i vëndit, as edhe Kryeministria apo Presidenca. Institucionet e kultit … duhet të respektojnë dhe t’i binden ligjit të Shqipërisë. Jemi në mbrojtje të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që mban emrin “Naim Shqipëria”, – i shkruajnë 36 profesorë, akademikë e shkrimtarë më 29 maj 2007 Presdidentit, Z. Alfred Moisiu, Kryeministtrit, Z.Sali Berisha, Kryetares së Kuvëndit, Znj. Josefina Topallit, ndër të cilët cilësojmë: shkrimtari Dritëro Agolli, Prof. Ylli Popa, Prof. Kristo Frashëri, Prof. Luan Omari, Prof. Farudin Hoxha, Prof. Jorgo Bulo, shkrimtari Xhevahir Spahiu, Prof. Moikom Zeqo, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Beqir Meta, Prof. Valentina Duka, Prof. Marenglen Verli, Prof. Muzafer Korkuti, Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Perikli Çuli, Prof. Emin Riza, Prof. Valter Shtylla, muzikologu Zhani Ciko, Prof. Xhelal Gjeçovi, Prof. Yllka Selimi, Prof. Lira Sula, Prof. Gazmend Shpuza, Prof. Stiljan Adhami, studjuesi Apostol Kotani, Prof. Xhovalin Gruda. m “Pallati i Kulturës në Përmet mban emrin e Naim Frashërit, që është shënjtori më i madh i shqiptarizmës. Na ngrihen sot papritur dy tre priftërinj … dhe duan të heqin emrin e shënjtorit Naim Frashëri nga Pallati i Kulturës për ta zëvëndësuar me një kryq të shtrëmbër të ardhur nga kovaçhanat greke … Po unë besoj se edhe vetë Krishti duhet të jetë zëmëruar me këta priftërinj dhe ka thënë: “O priftërinj të marrë lëreni Naimin se do t’ju mallkojë”, – ka shkruar Dritëro Agolli më 2 qershor 2007. “Përmeti është një qytet në të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, trevë të cilën Athina e lakmon ta aneksojë … Meqënëse në Përmet nuk ka banorë grekë, nacionalistët e Athinës përpiqen ta helenizojnë … Shtëpia e Kulturës, e cila mban emrin e Naim Frashërit nuk mund t’i shërbejë për asnjë çast platformës heleniste të Athinës. Kjo është arsyeja përse Hirësia e Tij (Janullatosi – KB) ngul këmbë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë Ortodokse”, – ka shkruar historiani Kristo Frashëri më 26 gusht 2013. “Nuk e kuptoj se akti fare pa kuptim i prishjes së Pallatit të Kulturës bëhet në emër të besimtarëve. Të cilëve besimtarë? Ky është një objekt i gjithë qytetit dhe banorëve të Përmetit. Por jo të gjithë janë ortodoksë. Simboli i Naim Frashërit … qëndron mbi të gjitha llojet e feve që janë në Shqipëri”, – ka shkruar mendimtari Moikom Zeqo me 3 qershor 2007. “Pallati i Kulturës të mbetet e lartësohet si tempull i kulturës …Valët antishqiptare kërkojnë të groposin Pallatin e Kulturës dhe figurën e Naim Frashërit në zemër të Përmetit”, – i shkruanin 48 intelektualë dhe artistë të Përmetit më 8 qershor 2007 Presidentit, Z.Alfred Moisiu, Kryeministrit, Z. Sali Berisha dhe Kryetarit të Kuvendit, Znj. Josefina Topalli, ndër të cilët cilësojmë Alma Hoxha, Et’hem Kaso, Lumo Kolleshi, Dhimitër Miti, Peço Sevo, Et’hem Bejo, Spiro Jani, Et’hem Selfo, Ylli Hoxhaj, Jano Dhimarko, Zihni Pasho, Tomor Kotori, Gilberto Jaçe, Lliko Londo, Saliko Hodo, Ligor Shyti, Ali Delilaj, Kujtim Hoxha, Lefter Nurka, Ylli Muço, Refan Ponoçi, Jarek Muço, Arban Zeqiri, Xhafer Deçka si dhe mjeshtri i madh i klarinetës Laver Bariu.
-Kur u dëmtua më shumë ky vend i shenjtë i kulturës shqiptare?
Pallati i Kulturës u dëmtua rëndë nga Kisha sidomos në hapësirën kohore 11 – 27 prill si dhe në muajt e mëvonshëm të vitit 2011. Ndaj dhe 32 qytetarë të Përmetit, më 10 maj 2011, bënë kallëzim në Prokurorinë e Përmetit ku, ndër të tjera, në këtë kallëzim thuhet: “ … kërkojmë ndërprerjen e menjëhershëm të punimeve të jashtëligjshme që janë kryer dhe po kryhen edhe sot nga Kisha Ortodokse në Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore … të personave që kanë lejuar dhe kryen keto veprime të kundraligjshme …”. Edhe Bashkia e Përmetit, me 9 qershor 2011, bëri kallëzim penal “kundër personave që vazhdonin të kryenin punime brenda Pallatit”, – thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që Bashkia i drejtoi Prokurorisë së Përmetit.
-Si e shikoni zbatimin e ligjit në këtë situatë?
Shtetin e mbajnë ligjet. Rikonstruksioni i fasadës dhe rindërtimi i mjediseve të brëndshëm të dëmtuara të Pallatit si dhe kërkesa pranë Qeverisë për miratimin e fillimin e realizimit të Panteonit në Natyrë apo të Parkut të Artit mendoj se do të jenë nga përparësitë në të ardhmen të punës së Këshillit të Bashkisë. Edhe harmoninë ndërfetare e mbron dhe e lartëson ligji. “Faltore kemi njerinë, / Atje gjejmë dhe Perëndinë”, – shkruan Naim Frashëri. Përmeti, si qytet ka 2703 familje me 10964 banorë dhe, në hapësirën e tij gjeografike, ngrihen 2 kisha ortodokse (Kisha e Shën e Prëmtes dhe Kisha e Shën Kollit, e para e ngritur më 1776, e dyta më 1757), 1 xhami (Xhamia e Gurit të Qytetit, ngritur më 2001), 1 teqe (Teqia e Baba Xhaferit, ngritur para vitit 1672) dhe 1 kishë ungjillore (Kisha “Drita e Jetës”, ngritur më 2001). “Ne kemi një krijues të vetëm”, “Jemi të gjithë vëllezër” dhe “duhet të jemi të gjithë së bashku për të mirën e Atdheut”, – tha Papa Françesku në Tiranë më 29 shtator 2014.
Sigal