Hazis Çela: Lufta partizane ishte një luftë e vërtetë dhe heroike

818
Sigal

INTERVISTA/  Flet për “Telegraf”, veterani Hazis Çela:  Kush hedh poshtë Luftën Nacionalçlirimtare nuk e ka njohur atë

Veterani Hazis Çela, ka një kujtesë të çuditshme. Në vegjëlinë e tij, kur ai ende nuk kishte mbushur 13 vjeç, u radhit ndër korrierët e parë të Çetës territoriale të zonës ku banonte. Për tre vjet rresht ai furnizonte me ushqime, veshmbathje dhe municion luftëtarët e kësaj çete. Shumë herë rreziku ishte pranë tij pasi armiku kishte dhe spinat në fshatrat e asaj zone. Ditën e çlirimit ai e kujton me shumë gëzim, pasi ishte dita që njerëzit nuk kishin më frikë, nuk trembeshin të lëviznin në çdo vend. Midis të gëzuarve ishin dhe shumë italianë që qëndruan ën fshat pas kapitullimit të Italisë fashiste.

 Si ju quajnë dhe  ku keni qenë në kohën e luftës?

 Unë quhem Hazis Çela dhe në kohën e luftës kam qenë rreth 13 vjeç. Jam nga fshati Zapërzan i Skraparit.  Në fillim kam parë se si vinin partizanët në fshatin tonë. I shikoja me kapelën me yll në ballë dhe i pëlqeja shumë. Ndihesha shumë i lumturuar kur i shihja. Për herë të parë unë i kam parë partizanët në fshatin Parasuazh të Beratit. Pra nga vendi nga jemi ne. Pikërisht me këtë çetë që quhej Çeta territoriale u lidha shumë shpejt. Në atë kohë  unë ndiqja mbrapa Riza Laskën, një ndër luftëtarët që bëri emër më vonë. Unë u afrova vetë në çetë dhe doja të ndihmoja. Në fillim më thanë se je shumë i vogël, por unë këmbëngula dhe me ndihmën e Riza Laskës më pranuan korrier. Unë i dija të gjitha shtigjet e luftës deh e kisha të lehtë të shkoja kudo që më thoshin.

 Çfarë ndihme konkrete ke dhënë për luftën apo për çetën?

Një nga ndihmat kryesore ishte që unë çoja vazhdimisht ushqime në mal ku më thoshin. Unë nuk bija në sy se isha i vogël. Mi ngarkonin mushkat me ushqime dhe me ndihmën e Riza Laskës i çoja ato në mal. Ndiqja rrugë të pa shkelura që të mos bija në sy.  Çeta Territoriale kishte komandant Xhemal Malindin, një burrë trim dhe i zgjuar. Kishte autoritet në krahinë. Unë atë sa e shikoja pasi s’kisha mundësi ta takoja gjatë pasi ishte gjithmonë  në tension.

 Kur e ndieje veten më keq?

Kur më ngarkonin të çoja fishekë. Ato jo vetëm ishin të rënda por kishin dhe përgjegjësi. Në rast se të kapnin dihej se çfarë të bënin. Zakonisht fishekët i çoja natën.

 Kur je ndjerë më keq në këtë detyrë luftarake?

Ishte viti 1944, shkurt. Unë duhej të çoja një letër në fshatin Grepcë ku ishte Çeta. Do ti çoja një letër Alush Grepckës një letër që ishte komandant. Rrugës ndesha me një patrullë. Gjithë rrugës letrën e mbaja në xhep, kur pashë patrullën së largu që ishte me kurriz nga unë e futa atë në një xhep të brendshëm poshtë shpatullës. Edhe u tremba pasi duhej patjetër që letra të shkonte në destinacion.

 Ku të gjeti përfundimi i luftës?

Në fshat, Zapërzan. Erdhi lajmi i fitores. Të gjithë që kishin pushkë qëllonin ën ajër në shenjë fitoreje. Një gëzim i madh.

Çfarë ndieje?

Nuk e di po ndieja një gëzim që nuk e shpreh dot. Por do të veçoj një moment. Kur u shpartallua dhe kapitulloi Italia, disa ushtarë italian, katër vetë qëndruan në fshat. Ata u morën me punë të ndryshme. Ditën që u çlirua Shqipëria ata ishin njerëzit që u gëzuan më shumë. Qanin si fëmijë.

 A kishte ballist në fshatin tuaj?

Jo. Asnjë. Kishte në nja dy fshatra aty afër, por jo tek ne. Ne na thoshin Moskë në gjithë atë zonë. Na thoshin Moskë pasi nuk kishim asnjë ballist dhe se kurrë nazifashistët nuk qëndruan të qetë ën fshatin tonë. Madje kemi qenë ndër fshatrat e parë që jemi çliruar. Pra ishim një Moskë e dytë.

KU shkove pas çlirimit?

Unë shkova 3 vjet ushtar në Kukës. Aty kam bërë stërvitje të vështirë. Tre vjet larg shtëpisë. Pas tre vjetësh kthehem nga ushtria dhe punon ca kohë ën Skrapar. Në vitin 1958 më vdiq babai dhe u ndërtua kooperativa. U futa në kooperativë derisa dola në pension.

 Cili është mendimi juaj për luftën nacional çlirimtare?

Nuk e di pse e hedhin poshtë. Si ore hidhet baltë mbi diçka që bota e nderon. Edhe komandant Enveri e hedhin poshtë. Nuk e di se pse. Por historia do bëjë të vetën, guri do marrë vendin që i takon.

Albert Z. ZHOLI