Hasan Reçi, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një çerek shekulli

1763
Dënimi i dytë me vdekje i Hasanit
Kur Hasan Reçi u kthye në Tiranë, “Grupi Komunist i Tiranës”, pothuajse ishte shpërbërë. Kështu Xhevdet Doda dhe Isuf Kambo kishin kaluar me “Grupin e të Rinjve”, disa të tjerë me “grupin e Shkodrës”, kurse shumica midis tyre Demir Godelli, Anastas Plasari dhe Uan Filipi kishin kaluar me “Grupin e Zjarrit”, me të cilin ishte bashkuar dhe Selim Shpuza. Mbas kthimit nga Jugosllavia, Hasën Reçi dhe Mustafa Gjinishi bënë përpjekje për të riorganizuar grupin e tyre, por tashmë ishte vonë. Grupet e tjera, sidomos ai i Korçës, mbajtën ndaj tyre një qëndrim të ftohtë. Shkak kryesor i kësaj ftohje ishte teza e H. Reçit dhe M. Gjinishit se, lufta e shqiptarëve për çlirim nga zgjedha fashiste duhej të zhvillohej në aleancë me fuqitë perëndimore, në radhë të parë me Britaninë e madhe, në atë kohë e angazhuar në luftë me Gjermaninë hitleriane, kurse B S ende nuk kishte hyrë në luftë. Këtë tezë komunistët bolshevikë shqiptarë e lidhnin me takimet që M. Gjinishi kishte bërë me majorin britanik O. Hill, një nga organizatorët e xhandarmërisë shqiptare, i cili dyshohej se nga kryeqyteti jugosllave drejtonte qendrën e agjenturës britanike në Shqipëri. Për “bolshevikët” shqiptarë, emir i H. Reçit ishte i lidhur ngushtë me atë të M. Gjinishit, aq sa meritat ose mëkatet e njërit i atribuoheshin dhe tjetrit. Të nderuar lexues, hija si agjentë anglo-amerikanë i ndoqi të dy këta militantë revolucionarë deri në fund të jetës së tyre, traditë që vazhdon ende për vijuesit e botëkuptimit të tyre mbi demokracinë dhe shtetin ligjor. Por le të ecim me historinë e personazhit tonë. Pasi filloi lufta gjermano-sovjetike, në qershor 1941, H. Reçi dhe M. Gjinishi e zgjeruan tezën e tyre, duke shpallur se shqiptarët duhej ta lidhnin luftën e tyre çlirimtare të barasvlershme si me lindjen, BS ashtu dhe me perëndimin, Britani e Madhe, SHBA-të. Por kjo tezë nuk u pëlqye nga krerët e grupeve komuniste që morën përsipër barrën e formimit të PKSH. Sipas tyre PKSh-ja duhej të pranonte publikisht se rreshtohej në koalicionin anglo-sovjeto-amerikan. Kjo ishte arsyeja përse H. Reçi dhe M. Gjinishi nuk u thirrën të merrnin pjesë në mbledhjen themeluese të AKSH, në fillim të nëntorit 1941, me gjithë veprimtarinë e tyre të pasur revolucionare. Gjithsesi, nga sedra dhe bindjet e tij, pa e shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtimin ndaj AKSH, Hasani vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike në përputhje me direktivat që kishte lëshuar PKSh. Kështu krahas agjitacionit politik antifashist, ai krijoi pa dijeninë e PKSh –së, një njësit gueril për të kryer aksione kundër pushtuesve fashistë. Një ditë ai mori guximin për të kryer një nga aksionet e para: ti vinte zjarrin depozitave të karburantit që kishte grumbulluar ushtria fashiste në fushën e aviacionit, në afërsi të Kasharit. Ishte nga aksionet e para kundër fashistëve. Por plani për realizimin e këtij aksioni, dukej i pastudiuar mirë. Në mars 1942, kur H. Reçi së bashku me Hamit Shijakun {Librashitës}, një komunist Tiranës , ju afruan fushë së aviacionit për të kryer aksionin, u arrestuan nga rojet ushtarake italiane duke u kapur me armë në brez. Arrestimi i tyre ndodhi në rrethana politike tepër interesante. Mbas themelimit të PKSh-së, qeveria kolaboracioniste e Shefqet Vërlacit ishte zëvendësuar, më 2 dhjetor 1941, me qeverinë kolaboracioniste të Mustafa Krujës, i cili konsiderohej si dorë e fortë e pushtetit fashist në Shqipëri. Në qeverinë e M. Krujës bënte pjesë si Ministër i Drejtësisë Hasën Dosti. Zoti Dosti njihej në opinion si jurist patriot me pikëpamje demokratike, ndaj ngjalli habi në postin e bashkëpunëtorit të M. Krujës. E habitshme ishte dhe mbështetja e zotit Dosti për dekretin e propozuar nga Kryeministri M. Kruja, njëkohësisht dhe Ministër i Brendshëm, dekret i miratuar nga mëkëmbësi Jakomoni, më 6 prill 1942, me këtë përmbajtje: “Mbi propozimin e Ministrit Sekretar Shteti për punët e Brendshme, dekretojmë: Neni,1. Cilido që, pa pasur leje, gjendet me armë zjarri ose me mjete plasëse jashtë banesës në qytete me 4000 banorë e sipër, dënohet me burgim të rëndë prej 5 deri në 20 vjet burgim dhe nëse ka rrethana rënduese mund të zbatohet kundër tij dhe dënimi me vdekje, {Fletore Zyrtare, nr. 38. Tiranë, 7 prill 1942}. Bazuar në këtë nen, gjykata fashiste dënoi H. Reçin dhe H. Shijakun me vdekje, vetëm se u kapën me armë pa leje. H. Dosti u step kur pa se H. Reçi, shoku i tij i lëvizjes antizogiste, u dënua me vdekje në bazë të nenit që ai kishte mbështetur. Si Ministër i Drejtësisë, ai refuzoi ta nënshkruante vendimin e gjykatës për të dy të dënuarit me vdekje. Hezitimi i tij shkaktoi një debat të ashpër midis kryeministrit M. Kruja dhe ministrit të Drejtësisë H. Dosti. Kruja e zuri ngushtë Dostin, duke i treguar se gjykata po zbatonte një vendim të mbështetur nga vetë Dosti. Përfundimisht, H. Dosti, në shenjë proteste, paraqiti dorëheqjen. Ndërsa Kruja e mbylli çështjen duke i kërkuar Jakomonit të nënshkruante dënimin me vdekje vetëm për H. Shijakun, kurse dënimin e H. Reçit ta kthente në burgim të përjetshëm. Pak ditë pas nënshkrimit të këtij dekreti, H. Shijakun e varën në litar, gjë që i shkaktoi H. Reçit një dhimbje, të cilën nuk e harroi derisa vdiq. Nënvizojmë se gjatë kohës që në qeverinë kuislinge zhvillohej debate për dënimin me vdekje të H. Reçit, në Tiranë u mblodh fshehtas Konsulta I e Aktivit të PKSh-së, {6-8 prill 1942}. Enver Hoxha, i cili ndërkohë mori në dorë drejtimin e PKSH, jo vetëm nuk e kundërshtoi dënimin e padrejtë të H. Reçit, por e sulmoi ashpër atë bashkë me M. Gjinishin. Ai u rekomandoi anëtarëve të aktivit që t’i mbanin sytë hapur si ndaj H. Reçit ashtu dhe ndaj M. Gjinishit dhe të vëzhgonin çdo hap të veprimtarisë së tyre. Me këtë hap, PKSH shkeli programin e saj të miratuar që në rezolutën themeluese, ku thuhej se partia duhej të afronte dhe bashkëpunonte me të gjitha rrymat antifashiste, pavarësisht nëse e quanin veten komunistë ose nacionalistë. Përkundrazi në Konsultën I të PKSH, Hasan Reçi dhe M. Gjinishi u shpallën armiq të PKSH. Fill mbas dënimit nga Gjykata fashiste, Hasani u dërgua duarlidhur në burgun famëkeq të Barit. Mbas disa ditësh, qëndrimi e dërguan në ishullin Ventotene, larg Napolit, ku vuanin dënimin krerët kryesorë të lëvizjes socialiste e demokrate italiane. Në burgun e Ventotenes, H. Reçi qëndroi më shumë se një vit, deri sa armata e 8-të e Forcave Aleate të Mesdheut zbarkoi në Napoli dhe çliroi midis të tjerave dhe ishullin Ventotene. Pasi u lirua, H. Reçi së bashku me shumë shqiptarë të tjerë që ndodheshin të burgosur ose të internuar në Italinë e Jugut, u dërguan në kampin e ngritur posaçërisht për ta, në pritje të kushteve të favorshme për riatdhesimin e tyre në Shqipëri. Në kampin e Barit, oficerët anglo-amerikanë të armatës së 8-të, pasi morën vesh se H. Reçi e fliste rrjedhshëm anglishten, e morën në zyrat e tyre, me qëllim që ta kishin si përkthyes në kontaktet e tyre me Ushtrinë NÇL. H. Reçi u kthye në Shqipëri me një Nëndetëse së bashku me oficerët anglo-amerikanë, të cilët vinin në Shqipëri me detyrë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL. Në këtë mision Hasani ishte angazhuar si përkthyes. {Kështu Hasani bëhet një nga bashkëpunëtorët e parë të luftës antifashiste me aleatët anglo-amerikanë}. Edhe pse përkthyes ai shkaktoi habinë e E. Hoxhës, kur u takua me të në Odriçan, Përmet. Ky takim ishte një fatkeqësi tjetër e H. Reçit, i cili në vend të ngrohtësisë që shpresonte të gjente në zonat e lira, u ballafaqua me fytyrën e vrenjtur të E. Hoxhës.
Dënimi i tretë me vdekje
Pasi u riatdhesua, H. Reçi e la detyrën e përkthyesit në misionin ushtarak anglo-amerikan. Ai u rreshtua në radhët e ushtrisë NACL, por gjithmonë i ndjekur e vëzhguar nga partia e tij. Me këtë qëndrim të ftohtë të PKSH dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NACL, e gjeti Hasan Reçin, çlirimi i plotë i Shqipërisë. Pas çlirimit qeveria “demokratike” e E. Hoxhës i dha atij një detyrë modeste e pa peshë në strukturat administrative të shtetit të ri shqiptar. Ai u emërua Drejtor i konvikteve në Ministrinë e Arsimit, në një kohë kur në Shqipëri nuk funksiononte asnjë konvikt. Atij ju tha të organizonte konviktet e shkollave, pa pasur asnjë lloj fondi për ndërtimin e tyre. Por, ajo që preku dhe indinjoi më shumë intelektualin majtist, ishte rruga që ndërmori PKSH për të ndërtuar Shqipërinë e re. Vizioni i tij për ndërtimin e Shqipërisë ishte ai perëndimor, konkretisht anglo-amerikan, me të cilin ai ishte njohur që në shkollën “Harry Fultz”, dhe jo modeli sovjetik që po zbatohej në Shqipëri. Dukë lënë mënjanë detyrën që do kryente Hasani këto vite, shqetësimet politike të personazhit tonë në vitet e para të çlirimit, ishin katër. Sipas tij, Shqipëria, së pari duhej të hapte dritaret e kulturës jo vetëm nga Lindja, por dhe nga Perëndimi, pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Komiteti i Çlirimit Nacional, Gjenevë.{Çuditërisht anëtarët e këtij komiteti të majtë u eliminuan të gjithë në vite, ndërsa ata të Kominternit, mbijetuan?!}. Së dyti, Shqipëria duhej të shpallte liritë demokratike dhe të lejonte veprimtarinë e disa partive, përfshirë dhe ato opozitare. Së treti, Shqipëria duhej të fillonte nga reformat ekonomike, që t’i siguronin asaj jo përqendrimin e ekonomisë në duart e shtetit, por veprimtarinë e lirë të ndërmarrjeve private. Në fund, Hasanit, si intelektual patriot, nuk i pëlqeu gjunjëzimi i skajshëm i qeverisë së re “demokratike” ndaj Republikës Federative të Jugosllavisë, e cila po cenonte sovranitetin dhe aspiratat e Shqipërisë, siç thoshte ai. Mbështetur në idealet e tij, H. Reçi ra shpejt në kontakt me personalitetet që kishin marrë pjesë në Luftën NACL, por që nuk ishin dogmatikë, në mënyrë të veçantë me ata që dikur ishin Konaristë, Komiteti Nacional Revolucionar, ose çlirimtaristët, të cilët dëshironin një Shqipëri demokratike e të pavarur. Natyrisht, në kohën kur dara e diktaturës komuniste vinte duke u shtrënguar nga dita në ditë, H. Reçi ra shpejt në kurthin e Sigurimit të Shtetit. Ai u arrestua më 1947, së bashku me një grup jo të vogël patriotësh demokratë. Ndër ta mund të përmendim Kostandin Boshnjakun, Riza Danin dhe figura të tjera të shquara të ideve demokratike shqiptare. Më 23 dhjetor 1947, prokurori Nevzat Haznedari, kërkoi nga trupi gjykues dënimin me vdekje të më tepër se dhjetë të pandehurve, midis tyre dhe atë të Hasën Reçit. Ibrahim Hasnaj, i cili merrte pjesë si i pandehur në këtë proces gjyqësor dhe u dënua me 20 vjet burg, ka shkruar për qëndrimin që mbajti H. Reçi para trupit gjykues, kur u pyet për të thënë fjalën e fundit: “Pas Riza Danit u çua Hasan Reçi, i cili me trimërinë që e ka karakterizuar gjithmonë, i drejtoi një pyetje kryetarit të gjyqit, {Niko Çetës}: “Unë jam dënuar me vdekje në rregjimin e Zogut si antizogist, në okupacionin fashist Italian si antifashist, e prapë sot në rregjimin e Partisë po dënohem si armik i partisë. 
Sigal