Hasan Prishtina – mbrojtës i lirisë, tërësisë territoriale dhe arsimit shqip

910
Safet N. Ramolli

84 vjet nga atentati ndaj Hasan Prishtinës  (1878-14 gusht 1933)
Deri më 1908 prezantohet me mbiemrin “Polaci”, kjo sepse i gjyshi ishte nga ky fshat, por i vendosur në Vuçiternë. Si deputet në Parlamentin Turk me atdhetarët e tjerë Fuat Pasha, Hafiz Mustafa Efendiu, e të tjerë, më shumë përdori si mbiemër Vuçiterna. Që herët kur ishte vetëm 25 vjeç (tetor, dhjetor 1903 në shtypin e kohës jepen vlerësime pozitive për personalitetin e tij. Gazeta “Bashkimi i Kombit” botuar në Manastir, shprehet për një “mëmëdhetar të shquar”, “ burrë të ditur e të zgjuar”, me zemër “të përvëluar për kombin”, që “jetën e shkriu për të mbjellë farën e diturisë” dhe që “jep 5 % të të ardhurave vjetore për të përhapur diturinë në Shqipëri”. Njëherësh Ai këmbëngul që në gjuhën shqipe të përdoret alfabeti latin si i plotë në numur por edhe që shkruhet me lehtësi.
Hasan Prishtina ka edhe mjaft cilësi pozitive të karakterit shpirtëror shqiptar: trim, i ndershëm, që “ka marrë burrërisht Flamurin në dorë….”, që “besnikërinë dhe dashurinë për atdhe e ka provuar jo me fjalë por me vepra dhe sakrifica…”, “ i cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në Parlament të Turqisë…, një nga më të mëdhenjtë atdhetarë…”, dhe mjaft vlerësime të tjera. (Meqënëse për këtë aspekt jemi shprehur në një shkrim të veçantë, po kalojmë në trajtimin e titullit të materialit 
Cilësia si atdhetar i spikatur dhe mbrojtës i lirisë, mbetet parësore në figurën e Hasan Prishtinës. Këtë ai e reflekton në rrethe të ngushta patriotike, në tubime popullore, në organizma rajonale, por edhe në Parlamentin Turk. Nuk ka se si të shprehet më mirë kurajua atdhetare e tij përveçse me këmbënguljen dhe forcën argumentuese përmes së cilës ai gjithkund e kurdoherë merr në mbrojtje çështjen kombëtare shqiptare. Kjo vjen e shkallëzuar nga koha në kohë, por gjithësesi në ngritje dhe e argumentuar gjithnjë e më mirë. Në Parlamentin Turk, Hasan Prishtina problemin shqiptar e merr në mbrojtje deri edhe në imtësira të natyrës, si p.sh të çështjeve të politikës tatimore apo të kushteve të jetesës të diferencuar për shqiptarët nga ato të serbëve. P.sh në se një serb me 7 lira në duar mbaron një punë në rrugën për në Selanik, një shqiptari do t’i duheshin 20 lira; ashtu sikundër vagonët e udhëtimit për shqiptarët, edhe pse klasifikohen të shkallës së dytë, në fakt “… nuk vlejnë as për kafshët e jo më për njerëzit….”.
Çështjen shqiptare ai e merr në mbrojtje sidomos për probleme madhore: trajtimi sipas ligjshmërisë i kësaj popullsie, sjellja ndaj asaj brenda normave kanunore, respektimi i të drejtave sovrane dhe të gjëra të popullsisë shqiptare, shenjtërimi i trojeve etnike të saj etj.etj. H. Prishtina është i prirë që për zgjidhjen e të drejtave sovrane të mbisundojë rruga e arësyes, të përdoren mjetet diplomatike, të veprojë toleranca e dyanëshme, dhe, në se këto janë pa efekt, atëhere të vijohet me mjetet e violencës. Por fatkeqësisht Ai me një grusht patriotësh të tjerë, midis të cilëve Isa Boletini, Bajram Curri, etj., vërejnë se Qeverisë Osmane, në korrik 1912, i mungon vullneti i mirë që të jetë tolerante, që në zgjidhjen e problemeve, mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve të veprojë rruga e arësyes, prandaj edhe përfundimisht konkludojnë se, ka ardhur koha të përdoret forca, sepse “… atje ku nuk mbretëron logjika është e pamundur të fitohen të drejtat me logjikë…”. Për këtë problem Ai i bën thirrje diplomatike popullit “… shqiptar atdhedashës dhe botës se kulturuar…” në mënyrë që të garantohet liria si diçka e natyrëshme por e mohuar dhunëshëm. Çështjen e sigurimit të lirisë e quan madhore ku “… do të vendoset fati, vdekje apo jetë e Shqipërisë”. Është edhe kjo arësyeja bindëse dhe e drejtë që e bën atë të konkludojë se, “Të ndihmojnë shqiptarët është detyrë e tërë botës së qytetëruar…”, sepse po nuk u veprua kështu, “… politika e shtrembër që ndjek qeveria në çdo drejtim që prej kohe do ta zvarrisë këtë vend fatzi, vonë ose herët drejt shëmbjes…”.
Këtë ide e shtjellon më vonë, sepse kjo është një çështje thelbësore e konceptit që Ai ka për lirinë dhe tërësinë territoriale të Atdheut të vet. Hera–herës si deputet në Parlamentin Turk, e shtjellon çështjen e mësipërme duke sugjeruar që jeta të ndërtohet mbi themelet e ligjeve; që gjuha shqipe të përdoret në sistemin shkollor deri në arësimin e mesëm, që nëpunësit e administratës të dinë gjuhën shqipe; që të ketë falje për ata që do të jenë në opozitë etj. etj.
Pra, sikurse mund të gjykohet H. Prishtina në thelb është për një shoqëri pluraliste, si bazë e domosdoshme për veprimin e demokracisë. Në tërësi rezervon mendimin se “Ato vende që po mbeten me të vërtetë nën zjarrin e zullumit dhe të despotizmit po zdhuken…”. Si mbrojtës i lirisë së kombit ai shprehet pa ekuivoke, pa rezerva dhe pa nënkuptime. Për këtë çështje ai është krejt i qartë në formulime dhe transparent në veprime duke u shprehur se, nëse edhe xhonturqit nuk do të ndërrojnë qëndrimet politike kundrejt Çështjes Shqiptare, nëse shqiptarëve nuk do t’u garantohen të drejtat e tyre politike, atëhere do të ndodhin ngjarje të përgjakëshme dhe të idhëta. Me guxim të rrallë atdhetari ai pohon: “… në kjoftë se “Jeunes turcs” (Xhonturqit apo Turqit e Rinj, S.R) vijojnë në zbatim të këtij sistemi mizuer në lamë të politikës së përbrëndëshme, kam me kenë njani, e ndoshta i pari i atyre, q’i kam për ta ngreh flamurin e kryengritjes…”. Në fakt këtë flamur H. Prishtina e kishte ngritur që herët, por nuk gjykon se janë pjekur rrethanat, ai e vlerëson si një çështje me rëndësi dhe shpërthimi i saj kërkonte fshehtësi e mjeshtëri sa asnjë punë, prandaj vepron me kujdes që kryengritja të mos shuhet përpara se të fillojë. Prandaj Ai fill nga Parlamenti Turk vjen në Kosovë, i kërkon mirëkuptim e bashkëpunim Makronit, Pavllovit Shqiptar, i kërkon përkrahje konsullit britanik në Shkup, prej të cilit mori përgjigje se, Anglia nuk paska interesa në Ballkan; zhvillon punë kokë më kokë me disa nga parësia e Kosovës (në Vuçitern, në Mitrovicë, në Balincë, në Prekaz, në Drenicë, në Gjergjevik, në Pozhar, në Junik etj), prej të cilëve gjeti përkrahje të plotë, por edhe qëndrime të fshehta dyshuese, për të cilat edhe i vjen keq. Por gjithësesi ishte në zemrën e çdo shqiptari, prandaj edhe diplomacia ia la vendin forcës, të cilën së pari e përdori Çeta e Buolës, që edhe pse inferiore në armatim, (9 në çdo 10 vetë kishte një pushkë, luftoi me energji të egërsueshme duke i dhuruar Atdheut mjaft trima njëri pas tjetrit. Kemi të bëjmë me një moment heroik, por kohët ishin të tilla për të shpëtuar nga të këqijat e xhonturqve, ishin kohë heroike: “A pështim, a vdekje!”. H. Prishtina është pjesëmarrës aktiv dhe autoritar në Kongresin e Manastirit më 1909, që u mbajt për përcaktimin e alfabetit shqip. Këmbënguli që të vendoset Alfabeti Latin, (i plotë në numur që të shkruhet me lehtësi duke gjykuar që ky Alfabet është i domosdoshëm për të mësuar si duhet shqipen por edhe për të arritur përfundimet e dëshiruara. Në këtë çështje Ai rezervon mendimin e përgjithëshëm se, përdorimi i këtyre shkronjave, “… nuk sjellin ndonjë inkonseciencë qoftë me karakter fetar, qoftë me karakter politik, përkundrazi do të siguronin ca përfitim me karakter politik…”.
Në përgjithësi Ai gjykon se dituria e poshtëron padijen, se ajo është një tregues i qytetërimit të një kombi, por edhe kusht për zhvillimin e tij. Në këtë problem Ai mbetet mjaft konkret, por edhe praktik. P.sh, nisur nga fakti që Vilajeti i Kosovës ka hapësirë të konsiderueshme dhe popullsi të mjaftë, do të ishte e domosdoshme të hapej një shkollë praktike bujqësore për të nxitur rritjen e prodhimit, sidomos të duhanit e të pambukut, kultura bujqësore këto, që gjejnë mjedsis të përshtatëshëm në këto anë.
Në përfundim, gjithëkush mund të pranojë se, Hasan Prishtina mbetet një atdhetar i spikatur; se ai si rrallëkush dallohet si mbrojtës i zjarrtë i lirisë, tërësisë territoriale dhe arësimit e gjuhës shqipe; se H. Prishtina ka parime të larta morale duke shprehur thelbin e formimit shpirtëror e moral të popullit shqiptar. Ishte i tillë, prandaj edhe u vra nga dora gjakatare e një krimineli të paguar nga qeveria e kohës.
Sigal