Harresa për Ismail Qemalin/ Ergys Alushi: Në 100-vjetorin e vdekjes, Babai i Pavarësisë së Shqipërisë braktiset nga shteti. Përpjekjet e udhëtimit në SHBA, Konferenca e Paqes dhe misteri shekullor i vdekjes në Itali

90

Misteri shekullor i vdekjes së Ismail Bej Vlorës! -Vdekje natyrale apo e helmuan?!

Përpjekjet e Ismail Qemalit për vajtjen në Shtetet e Bashkuara dhe Konferencën e Paqes në Paris. Vdekja e papritur në moshën 75-vjeçare në hotelin “Brufani” të Peruxhias. Interesi i italianëve për vdekjen e Ismail Bej Vlorës

Në 100-vjetorin e vdekjes së vlonjatit që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë

Po nëse e helmuan, përse e donin të vdekur?
Çfarë do të deklaronte Ismail Bej Vlora në konferencën për shtyp?
Çfarë kishte bërë dhe çfarë dinte ai më shumë se të tjerët që duhet të vdiste?
Kush ishin të interesuar për vdekjen e tij, italianët apo kundërshtarët e tij shqiptarë?
Për çfarë ishte bërë pengesë vlonjati që kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë?
Përse iu vonua ndihma mjekësore dhe a pati një autopsi për të gjetur shkaqet zyrtare të vdekjes së tij?
A janë të vërteta fjalët e djalit të pronarit të hotelit në të cilin vdiq Ismail Bej Vlora se i kishte mbetur peng vdekja e plakut nga Shqipëria?
Përse nuk është hetuar asnjëherë zyrtarisht edhe nga shteti shqiptar në këto 100 vjet për vdekjen e kryeministrit të parë të Shqipërisë?

Në numrin e saj të datës 10 tetor 1918 gazeta “Albania” kishte si titull të madh në faqen e parë “Shkëlqesi e tij Ismail Qemali përgatitet për t’ardhur në Shtetet e Bashkuara”
Ishte djali i Ismail Qemalit, Et’hem Vlora, i cili nëpërmjet një letre e kishte njoftuar Nuredin Bej Vlorën për vizitën e afërt të babait të tij në Amerikë. “Dëshira që ka im atë për t‘i shërbyer çështjes tonë të shenjtë kombëtare, e ngut që të përgatitet për t’ardhur atje ku me ndihmën e Republikës bujare dhe liridashëse të Shteteve të Bashkuara ka shpresë të bëjë punëra të mëdha për lirinë e atdheut tonë të dashur Shqipërisë”
Një javë më vonë, në numrin e datës 17 tetor, gazeta ka si titull të madh “Shkëlqesi e tij Ismail Qemali vjen në Amerikë – shqipëtarë gëzohuni!”
Poshtë titullit me germa të mëdha, gazeta botonte telegramin që Ismail Qemali i kishte dërguar nga Madridi gazetës në fjalë “Të tëra janë gati së këtejmi për ardhjen time atje, dhe dërgomëni të holla me anë të Ambasadës Amerikane në Madrid që të vij sa më shpejt”
Gazeta “Albania” që ishte organ zyrtar i Partisë Nacionaliste Shqiptare me qendër në Amerikë, ishte tepër aktive në kohën e para dhe gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris ku diskutohej problem i kufijve të Shqipërisë. Në një nga numrat e saj të muaji maj të vitit 1919, Partia protestonte hapur kundër rekomandimit të Presidentit amerikan Wilson për Vlorën. Rekomandimi thoshte që Vlora t’i mbetej Italisë dhe të shkëputej nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920
Por, Ismail Qemali nuk arriti dot të shkonte kurrë në Amerikë. Nuk arriti dot as të ishte në mesin e shqiptarëve përfaqësues në Konferencën e Paqes në Paris.

Nga Madridi në Itali

Por, ndërsa të hollat që i duheshin për të shkuar në Amerikë e prej andej në Paris, nuk erdhën kurrë në ambasadën Amerikane në Madrid, Ismail Bej Vlora vendosi të shkonte në Romë të Italisë. Kryeministri i Italisë Vittorio Emenuale Orlando ishte një ndër liderët e shtetit fqinj që i kishte premtuar se do e ndihmonte për të shkuar në Paris, për të mbrojtur çështjen e Shqipërisë ashtu si kishte bërë një jetë të tërë. Por, zhgënjimi i vlonjatit do të ishte madh kur mësoi se kryeministri Italian ishte larguar për jashtë shtetit dhe nuk e kishte pritur ashtu si i kishte premtuar. Zhgënjimin e Ismail Bej Vlorës e jep gazetari i “Times”, William Fullerton kur shkruan: “Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit që i priste 50 popuj të ardhur me vrap në Paris, sikur po vinin në Mekë”. Ndërkohë vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë ai do të shkruante në një letër “Sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”. I zhgënjyer nga liderët Italian dhe vetë kryeministri i Italisë, Ismail Bej Vlora do të vendoste të jepte një konferencë shtypi në hollin e hotelit “Brufani” në Peruxhia.

Vdekja e papritur e Ismail Qemalit

Ishte 75 vjeç, por gëzonte një shëndet të mirë, një mendje të kthjellët. Vuante nga sëmundja e parkinsonit, por edhe kjo nuk e pengonte që të ishte aktiv në punët e Shqipërisë. Para se të dilte para gazetarëve, piu një kafe, ndoshta për të mbledhur veten.
Ja si e ka treguar tek Ali Asllani, kryetar i bashkisë së Vlorës, vdekjen e babait të vet, Et’hem Beu, djali i Ismail Bej Vlorës, që ka qenë duke shoqëruar babanë në Itali bashkë me Luigj Gurakuqin “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”
Ndërsa gazeta “L’Unione Liberale” e datës 27 janar 1919, e njofton kështu vdekjen e Ismail Bej Vlorës: “Dje në mbrëmje, në orën 23:30, pushoi së jetuari në hotel “Brufani” miku i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”.
Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, dr. Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e djemve.

Vdekje natyrale apo e helmuan?!

Ende sot pas 100 vjetësh gjithçka ka mbetur një mister. Ismail Bej Vlora vdiq për shkaqe natyrale apo e helmuan me kafen që piu në barin e hotelit para se të dilte në konferencë për shtyp?! Dyshimet shtohen edhe më shumë kur mëson se pas vdekjes, trupi i tij u mbajt për dy javë në Itali duke ia hequr të gjitha organet e brendshme, me qëllim balsamimin e trupit. Po përse duhet të balsamosej dhe t’i hiqeshin organet e brendshme, mungesa e të cilave pakëson në mënyrë të ndjeshme mundësinë e një autopsie për të gjetur shkaqet e vdekjes?! Gjithçka ndodhte kur në Vlorë dhimbja për vdekjen e Ismail Bej Vlorës ishte e madhe dhe bashkë me të edhe zemërata se ai mund të ishte helmuar nga italianët, të cilët e mbanin të pushtuar e të izoluar Vlorën nga pjesa tjetër e vendit. E mbanin të izoluar ashtu si mbanin të izoluar edhe Ismail Bej Vlorën, atje në Peruxhia, që ai të mos lëvizte për të shkuar në Paris.

Dilemat e helmimit!
Po nëse e helmuan, përse e donin të vdekur? Çfarë do të deklaronte Ismail Bej Vlora në konferencën për shtyp? Çfarë dinte ai më shumë se të tjerët që duhet të vdiste? Kush ishin të interesuar për vdekjen e tij, italianët apo kundërshtarët e tij shqiptarë? Për çfarë ishte bërë pengesë vlonjati që kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë? Përse iu vonua ndihma mjekësore dhe a pati një autopsi për të gjetur shkaqet zyrtare të vdekjes së tij? A janë të vërteta fjalët e djalit të pronarit të hotelit, në të cilin vdiq Ismail Qemal Bej Vlora, se i kishte mbetur peng vdekja e plakut nga Shqipëria? Përse nuk është hetuar asnjëherë zyrtarisht edhe nga shteti shqiptar në këto 100 vjet për vdekjen e kryeministrit të parë të Shqipërisë?

 A ishin italianët të interesuar për vdekjen e Ismail Qemal Bej Vlorës?

Italianët ishin zyrtarisht pushtuesit e Vlorës. Qyteti i shpalljes së Pavarësisë ishte ndarë nga pjesa tjetër e vendit. Italianët e pretendonin Vlorën dhe në konferencën e Parisit, duke pasur deri dhe mbështetjen e Presidentit Amerikan, Wilson, për pretendimin e tyre. Italianët e kishin nxjerrë jashtë ligjit flamurin kombëtar në Vlorë. Kishin ndaluar festën kombëtare të flamurit dhe e kishin shpallur qytetin si provincë të Leçes.Po cila kishte qenë politika e Italisë në raport me Vlorën dhe krahinat e saj që nga hyrja në qytet, më 25 dhjetor 1914.?
Italia në pushtimin e parë të vitit 1914, ndoqi një politikë ekstreme në të gjithë krahinat e Vlorës. Qëllimi ishte që popullsia vendase të pranonte pushtimin dhe t’u nënshtrohej rregullave të reja. Dorëzimi i armëve ishte kërkesa e parë e italianëve, për zbatimin e së cilës, italianët i përdorën të gjitha mënyrat, për të arritur deri në veprimin ekstrem. Kur panë se përveç zonës së Topalltisë, asnjë krahinë tjetër nuk i ishte përgjigjur thirrjes për dorëzimin e armëve, italianët vendosën bllokadën e drithit për popullsinë e këtyre zonave. Ata i ndaluan tregtarët e drithit që të sillnin drithë nga jashtë vendit. Në 6 prill të vitit 1916, popullsia e fshatrave të Vlorës, zbriti pothuajse e gjitha në qytetin e Vlorës, në kërkim të drithit për bukë.

Buka kishte kohë që u mungonte dhe uria kishte pllakosur vendin. Shumë njerëz filluan të vrisnin veten për shkak të urisë dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjet e tyre. Në fshatin Radhimë u helmuan shumë banorë, si shkak i përdorimit për ushqim i një bar të helmatisur. Të detyruar nga uria, krahina e Lopësit i dërgoi një ultimatum autoriteteve italiane, se nëse nuk u dërgohej ushqim, ata do të bashkoheshin me Greqinë ose me Musa Qazimin.
Në 24 prill 1916 erdhën 1200 dhe në 7 maj 1000 kuintalë drithë, që përsëri ishin shumë pak në krahasim me kërkesat dhe urinë e madhe.
Që nga pushtimi, në 25 dhjetor 1914, Malësia e Labërisë kishte mbetur ende në shumë fshatra jashtë ndikimit italian dhe për këtë qëllim “zyra politike” e Italisë në Vlorë kërkonte patjetër një shkak për të ndërhyrë forcërisht në këto territore. Përfaqësues të shërbimit sekret italian në Vlorë, së bashku me disa njerëz në Vlorë, mendonin gjetjen e një shkaku, sajimin e një ngjarjeje, e cila do të shkaktonte përçarje, frikë në popull, për ta pasur më të lehtë realizimin e qëllimeve që kishin.
“Plagosja’e Ali Beqirit prej armiqvet personal u paralizua si e shkakëtuar prej njëi komplloti Shqipëtar. Mbasi u organizua mirë komplloti dhe ankmitë së plagosurit në gjyqin ushtarak se “u vrava prej kompllotit Shqipëtar me që kurdohera kam punuar për kundra Shqipërisë në favor të Italisë” u vërtetua prej autoritetëvet rrebel Prefekti Osmën Haxhiu, Major Ahmet Lepenica, Elams Bedini e shumë të tjerë filloi rreptësisht së vepruari gjyqi ushtarak duk’e i burgosur ma se 50 idealistër kombëtarë. Me shumica ushtarësh rrethoheshin shtëpitë, lidhen njërës, prej krahinavet dhe ashtu ca më shumë mbushen burgjet pitër më pitër me njërës”. (Sali Hallkokondi – Histori e Shqipërisë së Re, 1923).
Gjykata ushtarake pas hetimeve në lidhje me “komplotin” arriti deri sa të vendoste për varjen e disa banorëve vendas, që u akuzuan si pjesëmarrës në “komplot”, por që në fakt ishin të pafajshëm. Vendimet e kësaj gjykate shkaktuan një frikë të madhe në popullin e Vlorës, i cili qëndronte i tmerruar, ku secili në pritje se mos i dilte emri si pjesëmarrës në “komplot”, e për pasojë përfundonte në birucat e errëta apo në litar me varje. “Komploti” i Vlorës mbërriti deri në Parlamentin Italian, i cili u nda për sa i përkiste sjelljes që duhet të kishte politika italiane në Vlorë, ku njëra palë kërkonte që me faj apo pa faj të eliminoheshin disa njerëz, dhe pala tjetër kërkonte një politikë më njerëzore të Italisë.

Një Komision i dërguar nga Parlamenti italian erdhi në Vlorë për të hetuar në mënyrë të drejtë për ngjarjen e ndodhur dhe pas hetimeve liroi nga burgu shumicën e të arrestuarve e të dënuarve si “komplotistë”. “Zyra politike” e Italisë në Vlorë, jo vetëm që nuk kishte arritur të çrrënjoste idetë kombëtare, por nxiti edhe më shumë urrejtjen në popull, ndërkohë që dhjetëra banorë të krahinave të Vlorës kishin emigruar në Itali nga frika e ndëshkimit. Pati edhe vlonjate, të cilët fituan simpatinë e zyrës politike italiane në Vlorë, duke mbështetur politikat e saj në dëm të interesave shqiptare, dhe për këtë u shpërblyen me vende pune të mira dhe fituan duke u marrë me tregti. Krahas masave të tilla represive ushtarake, italianët të mbështetur dhe nga vlonjatë antikombëtarë, ndërmorën dhe një propagandë të madhe për kulturën italiane, duke hapur në shumë fshatra shkolla për të mësuar gjuhën italiane. Me fuqizimin e saj në Vlorë dhe me frikën e madhe që kishte shkaktuar në popullatë, më 17 maj të vitit 1916, italianët nuk e ngritën më flamurin kombëtar të Shqipërisë, në Prefekturë. Pas disa ditëve e vendosën përsëri atë, për ta hequr përsëri atë më 20 gusht.
Më 15 shtator 1916, në zyrat e Qeverisë së Vlorës varet vetëm flamuri italian, ndërkohë që u shpall Vlora si e lidhur me Leçen, duke e njohur si një provincë të saj. Italianët ndaluan të gjitha ceremonitë festive kombëtare. Por edhe në mes të shtypjes së madhe dhe ndalimit të flamurit e festave kombëtare, në 28 Nëntor 1916, me iniciativën e Avni Rustemit e Bajram Hallkos, një grup vlonjatësh dolën në shesh për të kujtuar përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Karabinierët e shumtë italianë ishin në gatishmëri për të ndërhyrë, por frika se mos ndërhyrja shkaktonte gjakderdhje dhe e turbullonte më shumë politikën italiane në Vlorë, e shmangu përplasjen.

Vijon…