Hamza MALAJ/ Laze Nuro kamberi, trimi që u përjetësua në këngë

1041
Sigal

Partizani trim  vra heroikisht nga pushtuesit e tradhtarët 71 vite më parë

U mbushën mbi 71 vjet nga ajo ditë e zezë e 17 shkurtit 1944 kur Laze Nuro ra në ballë të sulmit. Por fshatarëve të Bratit, u duket sikur ka rënë dje në fushën e betejës. Bashkëkohësit e tij dhe tani e kujtojnë buzëqeshjen e Lazes që si një lis i gjatë nuk pyeste për furtunat. Kujtojnë ëmbëlsinë dhe urtësinë e fjalës së tij, që përshkonte gjithë qenien e burrit syshqiponjë dhe urrejtjes që shfaqte ndaj armikut pushtues. ‘O Laze Nuro Kamberi

Hanedan’i/i këtij semi!’ Gjëmon kënga e trimit në festa e gëzime. i hekurt ai, e hekurt kënga: Laze Nuro Kaçandoni/Një komandant batalioni…/. E ashpër lufta e Lazes me armiqtë, – mirënjohëse kënga e fshatit për ty dhe veprën tënde! I mbajmë mend mirë ato ditë kur ti u rrëzove si lisi kur i bie rrufeja.  Sapo kishte mbaruar operacioni armik i Dimrit 1944, kur u kthyen në fshat nga malet e Vranishtit e të Vunoit marrë me vete edhe dhitë e xha Lazes. Si mund t’i linin ato në dorë të armikut, kur i zoti i tyre kishte dalë partizan dhe, kur në shtëpi duhej të ushqehen katër fëmijë të vegjël?! Nuk dinim gjë për gjëmën që kishte ndodhur. Ishte një mëngjes i ftohtë që të priste si brisk, bashkë me një kushëri, edhe ai i vogël u afruam pranë konakëve dhe dëgjuam vajtimet rrënqethëse të grave. Nënë Fatia, një grua labe, burrëreshë që u kishte dalë për zot halleve dhe punëve të familjes, sapo na pa, u ngrit në këmbë, na mori për qafe dhe tërë ngashërim na pyeti si të ishim burra. “U keqen nëna, nga Vranishti erdhët, e takuat xha Lazen? A u dha ndonjë amanet për mua e fëmijët? U tha se kush e vrau? A u tregoi se ku e kishte marrë plumbi?” Dhe pastaj duke na marrë në prehër filloi të ligjëronte: Partizani im i mirë/ Trimi duron për fëmijë/ Po s’duron dot pa lirinë!/. Edhe sot pas 71 vjetëve na dridhërojnë e na burrërojnë këto ligje që labëria ka 71 vjet që i ka kthyer në këngë. A mund t’i përcaktosh me përpikmëri përmasat e lirisë, që në jetën dhe karakterin e këtij populli, ka qenë dhe mbetet përjetësisht busulla udhërrëfyese, energjia e pashtershme, atdhedashuria që nuk njeh kufij dhe sakrifica më sublime për të cilat edhe vajton edhe këndon kjo grua labe? Heroi i popullit Laze Nuro Kamberi lindi në fshatin Brataj të Vlorës më 1897. Fëmijërinë e kaloi pas bagëtive, në shkrepat e malit, në pyjet e dendura, në përrenjtë e rrëmbyeshëm dhe pranë pishave e lisave. Ky mjedis sa i ashpër edhe i bukur i fali atij shkathtësinë dhe saktësinë në veprime, vëmendjen e kurajën për të kaluar çdo vështirësi në jetë. Shumë ngjarje lanë gjurmë të thella në shpirtin e atdhetarit Laze Nuro. Pjesëmarrja më armë në dorë e të atit në luftën kundër pushtuesve osmanë, grekë e italianë, bisedat me demokratin revolucionar Halim Xhelo dhe marrja pjesë në shoqërinë e krijuar prej tij “Shtizat e qytetërimit”, pjesëmarrja në mitingjet e vitit 1923 për zgjedhjen e deputetëve e sidomos Lufta e Vlorës me kredon famëmadhe: “Nuk e bëjmë kabull na, të jemi për nënë botë”, edukuan tek ai ndjenjat e atdhedashurisë dhe dëshirat për drejtësi e barazi, për të drejtat demokratike. Laze Nuro mori pjesë me armë në dorë në revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924. Me këtë akt, pas dështimit të revolucionit ai u vu në mbikëqyrje të qeveritarëve të Zogut si një njeri i rrezikshëm dhe i padëshirueshëm. Dhe kështu me këto motive provoi më 1931 internimet e para dhe reprezaljet mizore monarkiste. Në gusht 1942 Lazja zgjidhet komandant i njësitit partizan të fshatit dhe më 28 nëntor 1942 rrethon me njësitin postkomandën e karabinierisë fashiste në fshat dhe paralajmëron të mos bëjnë asnjë veprim. Kjo bëri të ecte normal mitingu përkujtimor ku u ngrit flamuri kombëtar pa sëpatat e liktorit.

Në dhjetor të atij viti armiku filloi operacionin ndëshkimor në krahinën e Mesaplikut. Trimi Laze Nuro dhe njësiti që komandonte u përlesh i pari me autoblindat e pararojës, e gozhdoi në vend për disa orë, duke bërë të mundur ardhjen e të gjitha forcave nga e gjithë krahina. Në qershor 1943 i dërguan me një mision të rëndësishëm në Vlorë, gjurmohet nga spiunët e fashistët e kapet në befasi. Provoi torturat nga më të egrat, por qëndroi si burrë dhe nuk tregoi asgjë. Me krijimin e Brigadës V Sulmuese u rreshtua në radhët e saj së bashku me 55 djem të fshatit dhe u caktua zv. komandant i batalionit II. Në kushtet e një dimri të egër dhe të një operacioni ndëshkimor, armiku shumë herë më superior në forca e mjete, partizanët e kësaj brigade i bënë një rezistencë të vendosur dhe tepër aktive. Në këto luftime më 17 shkurt 1944 në kodrat mbi Vranisht, duke sulmuar Laze Nuro, në fillim u plagos, por nuk u ndal deri sa ra në fushën e nderit.

I paharruar Xha Laze. Në rrugën drejt përjetësisë, me ty është malli i bashkëfshatarëve dhe amaneti për brezat e ardhshëm. /Laze Nuro kapedani/ Fshatin e ka marrë malli/ Dil dhe një herë nga varri/ Dil se të kërkon vatani. Jehonën e kësaj kënge e përcjell Shushica e kaltër dhe flladi i malit, të cilët e rritën, e burrëruan dhe e bënë shqiponjë trime të pavdekshme partizane.