Hamza Malaj/ Komisari i Skënderbegasve që vinte nga LANÇ

886
Katër orët e studimit të pasdites në shkollë na dukeshin të tmerrshme. Mundoheshim me lloj – lloj mënyrash t’u bënim bisht. Shumë vonë, kur u ndeshëm vetë me jetën praktike, me marshimet e gjata ditën e natën, me stërvitjet në poligon, në çdo lloj kohe e moti, do ta kuptonim se sa i domosdoshëm ishte durimi dhe vullneti për oficerin. Por…e kishim fjalën te studimi. Një pasdite, në atë orë pushimi që kishim pas buke në drekë, pasi kishim marrë secili grup topin me vete dhe kishim kaluar hekurudhën, filluam të loznim futboll. Shkolla “Skënderbej” atëhere ndodhej në ndërtesën ku sot gjendet spitali ushtarak. Pas ndërtesës ishte fusha e futbollit. Po ku na nxinte ajo të gjithëve të loznim në të njëjtën kohë? E pra, ne një grup djelmoshash të gjimnazit, kaluam matanë hekurudhës dhe pasi formuam dy porta në një shesh të vogël, filluam lojën. Topi ishte ai i leckës. Kur shkonim në verë me pushime në shtëpi, të parën gjë që siguronim ishte topi. Një lëmsh me fill nga ato që nënat na bënin çorape të leshta, i mbështjellë me një copë pëlhure. Kishte elasticitet të pranueshëm. Po loznim me një kënaqësi të madhe. Ajo lojë ishte bërë pasioni ynë i pazëvendësueshëm. Zilja kishte rënë, studimi kish filluar, po ne as që e kishim dëgjuar, a thua nuk e kishim nocionin e kohës. Kur ja, mbi hekurudhë u shfaq silueta e oficerit të rojes. Na merr në rresht 16 veta dhe na çon në platenë e kinemasë. Ajo ishte bosh. Ditët e shtuna që kishim film, stolat i merrnim nga menca. Oficeri i rojes na mbylli brenda dhe vetë u largua duke na kërcënuar se do të njoftonte komandën e shkollës. Ai iku, e ne i formuam përsëri dy portat me rrypat e mesit. Dhe vazhduam lojën, mbasi kushti ishte për të realizuar 12 gola, njëra nga skuadrat, nuk ishte plotësuar. Këtej të dënuar, këtej loznim brenda në kinemanë burg! Dhe jo vetëm luanim, por edhe bënim tifozllëk, njëri – tjetrit. Në kulmin e kënaqësisë, kur duheshin edhe 2-3 gola, në derë u shfaq komisari i shkollës, me oficerin e rojes. 
Ky i fundit vazhdonte t’i ankohej, ndërsa ne ngrimë në vend, pa bërë asnjë lëvizje. Më turp na vinte sepse nuk donim që të njiheshim kështu për herë të parë me komisarin. Dhe prisnim që edhe ai të turfullonte e të kërcënonte më keq nga oficeri i rojes. Helbete… ai kish edhe më shumë të drejta. Ai sipas rregullores edhe mund të përjashtonte fare nga shkolla. Po për çudinë tonë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, komisari zuri vend anash arenës futbollistike të kinemasë dhe, me një zë të ëmbël, sikur t’i drejtohej ndonjë të sëmuri na pyeti: “Djema dhe sa gola ju duhet për të përfunduar lojën”. Asnjë përgjigje. Çfarë prisnim dhe çfarë na doli. Ky kontrast na kishte shokuar! “Mirë, a mund të më thoni se si është rezultati i lojës”. “Shtatë më nëntë, shoku komisar”, ndërhyri njëri prej nesh. “Atëherë le ta vazhdojmë lojën deri në 10 gola. Kush i plotëson, fiton lojën dhe ajo quhet e mbaruar. Mirë”? “Si urdhëron”. “A… ju drejtua komisari njërit, që pranë portës kundërshtare gjuajti në atmosferë. Ty do të duhet përgatitje e madhe që, me sallaken tënde, ti ngjash Refik Resmes”. Qeshëm me gjithë shpirt, por edhe dyshonim. Pas lojës vallë ç’ka ndërmend të na punojë komisari? “Bravo, më pëlqeve portier, ndërhyri përsëri. U hodhe mirë në krahun e majtë, ku pritjet janë më të vështira”. Dhe loja mbaroi. Na urdhëruan të mblidheshim në një klasë. Rrugës diskutonim: a thua të mbarojë vërtetë kështu, kaq miqësisht, kjo punë? Ç’masa mund të merreshin për ne? “Pushoni, tha Astriti, – komisari ka fytyrë ëngjëllore dhe tipat si ai janë zemër mirë. Ja, do ta shikoni”! U mblodhëm në klasë. Erdhi dhe komisari dhe u ul në bankë. Ju mblodhëm përreth të gjithë. “E dini që disa nga ju më pëlqyen në lojën me top? Disa kanë për t’u bërë vërtetë futbollistë të mirë”. Dhe rreth 10 minuta biseda u zhvillua për sportin, për futbollin, atletikën, brezin e kalitjes, etj. Ne harruam fare përse ishim mbledhur. Pastaj komisari ndërhyri përsëri. Djelmoshat skënderbegas kanë shumë dëshira dhe këto mund t’i realizojnë se kushtet i kemi. Por këto dëshira duhen realizuar në një kohë të caktuar. Se ja, p.sh…, ju luanit sot pas hekurudhës apo në kinema dhe mua më vinte mendja te djemtë e tjerë, që ishin në studim. Kishim bërë një dallim midis pjestarëve të familjes tonë të madhe. Disave u thamë dëfreni, ndërsa të tjerëve mbylluni në klasë e studioni. “Lëre, shoku komisar, lëre bëmë gabim, shkelëm rregullin”. “Jo, nuk e kam fjalën atje, – ndërhyri përsëri. – Ju nuk u larguat qëllimisht për të mos ardhur në studim, porse nga që nuk kish vend ku të luanit në fushë. Mua më vjen keq se ju, pa dashje e vutë veten në kushte të privilegjuara. Tani shokët tuaj kanë të drejtë të thonë se këta kanë mik komisarin, ndaj nuk vinë në kohë në studim”. “A, jo shoku komisar, – ndërhymë të gjithë. – Kjo nuk na ka shkuar kurrë ndërmend. Ne e bëmë vetë atë gabim. Ç’lidhje keni ju në këtë punë”? “Lidhje kam, se ndaj jam komisar. Rregulli e disiplina në shkollë më bën dhe mua komisar të mirë, prishja e rregullit më bën të keq. Tani për mua problemi shtrohet: a duhet ta dënoj aktin tuaj, apo të bëj sikur s’u kam parë dhe nesër gjithë shkolla të kalojë hekurudhën e të mos vijë në studim”? “Dënona pa hezitim, nmuk duam kurrë që për hir tonë të përflitet emri juaj”. “Edhe unë e di këtë, – vazhdoi ai, – dhe as nuk dua që për hir të këtij gabimi, pa dashje, të merren për ju masa të pa merituara. Ja, p.sh., çfarë masa mendoni e propozoni ju konkretisht”? U propozuan masa nga më të ndryshmet. Tre shërbime jashtë radhe, një muaj ndalim kazerme etj., etj. Por komisari pasi u mendua pak na u drejtua: “Jo djema. Rregullorja i ka vërtet këto masa, por ne nuk duhet që t’i mësojmë skënderbegasit me këtë frymë dhe me këtë metodë. Ti, ju drejtua një skënderbegasi, bëmë listën e të gjithë shokëve dhe ma jep mua. Masa që do të marr është kjo: Tani do të shkoni në studim dhe do të qëndroni deri në atë orë që do të keni përvetësuar mësimet. Nesër unë do tu propozoj mësuesve t’u ngrenë të gjithëve në mësim, jashtë planit të tyre. Dëshiroj që asnjeri të mos marrë notë pakaluese. Në të kundërt, nota e dobët është ndëshkimi për sot”.
Momente jetësore
Në shkollë ra një grip që kapi shumicën e skënderbegasve. Masa të menjëhershme: mjekë, infermiere, kujdestarë, medikamente, disa herë në ditë çaj të nxehtë. Aty pranë nesh edhe komisari. Mbasi kalonte krevat më krevat, interesohej për gjendjen shëndetësore të secilit, i buzëqeshte dhe i thoshte “mbahu sportist”, vinte e ulej në një karrige në mes të fjetores dhe pyeste: -Kushedi ku e ka ndeshjen Partizani kësaj jave? Dhe fillonin diskutimet. Si do të dalë ndeshja, kush do të shënojë gola, sa pikë i bëhen skuadrës etj. Kalonte koha pa u kuptuar në mënyrë shumë tërheqëse dhe shumë të natyrshme. Pas kësaj komisari dilte e shkonte në dhomat e tjera. Edhe natën aty. “Ikni shoku komisar, se do ju zërë gripi”, i thoshim ne. “Ka rëndësi të shëroheni ju, unë një jam. E shikoni, do jem i privilegjuar, do të më ndihmoni të gjithë. Njëri, çajin, tjetri frutat, tjetri gazetat dhe unë do të rri aga në krevat”, na thoshte. Djelmoshat qeshnin. “Po nga vajzat që simpatizoni keni marrë ndonjë letër”, ngacmonte më tej komisari. “Aha, shoku komisar kot e ke, ndërhyri Bexheti. Edhe ato që dinë të shkruajnë u mungon guximi. E kemi të fortë kanunin ne, ndryshe është qyteti”. “Dashurinë nuk mund ta ndalojë asgjë të shprehet. Ajo i gjen vetë rrugët, por mesa duket edhe këtë temë ju e keni shpallur sekret ushtarak”. “Po ju, shoku komisar nuk e keni sekret dashurinë me gocën e pedagogjikes”, i thoshim ne. “Nuk e kuptoj sepse duhet ta kem sekret shoqërinë me një vajzë. Si unë dhe ju dikur do ta krijojmë një familje dhe familja nuk mund të jetë ilegale apo jo”, tha ai. Ai nuk ish vetëm komisar, por ishte dhe pedagog, mësues e prind. Detyra e komisarit atij i lejonte të shpaloste aftësitë pedagogjike e psikologjike, aftësitë prej edukatori. Jo më kot pas shkollës “Skënderbej” ai u caktua për shumë vite të drejtojë punën e rinisë në ushtri. Ja, këto kujtime më vijnë ndër mend natyrshëm për komisarin tim të fëmijërisë, dora atërore dhe shpirti i dhembshur i të cilit, shpërndahej me ngrohtësi nga të gjithë skënderbegasit, të cilët së bashku me mirënjohjen e çiltër i urojnë atij jetë të gjatë e shëndet të plotë.
Sigal