Haki Tafa – burri që çoi në Vlorë Ismail Qemalin

1140
Shpendi TOPOLLAJ
Banorët e fshatit Luz i Vogël në Kavajë, janë dalluar gjatë gjithë historisë për vlerat e tyre të larta atdhetare. Janë të shumta familjet për të cilat gjithmonë ka se ç`tregon, kur bëhet fjalë për kontributin e tyre në luftën për liri; por ajo e Haki Tafës, zë një vend të veçantë. Më i vogëli i pesë djemve të Halilit dhe Fatimes, ai ruajti dhe çoi më tej traditat e shquara të të parëve. Pikërisht për këtë, dhe sidomos për ndershmërinë, besnikërinë dhe guximin që e karakterizonte, u zgjodh nga miku i tij Qazim Merhori për një detyrë me shumë përgjegjësi, për të shpënë në Vlorë burrin e shquar të Shqipërisë Ismail Qemalin, i cili do kryente aktin më madhor, atë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Dhe Hakiu, pa asnjë hezitim, madje me një entuziazëm e gëzim të papërmbajtur, vuri në shërbim të këtij misioni, jo thjesht pajtonin e tij, por edhe jetën, pasi rrëmuja, ngatërresat dhe paqartësia që zotëronte aso kohe, paraqiste rreziqe nga më të papriturat. Nuk do të ndiqej rruga ekzistuese, pasi ajo nuk kishte asnjë garanci për hartuesin e memorandumit të Gërçes, organizatorit të kryengritjes së atij viti dhe parashtruesit të domosdoshmërisë së mëvetësisë në kancelaritë e Evropës. Do ndiqej një kalim në rrugë pa rrugë, andej nga Karpeni, ku Ismail beu do zbarkonte, në Bago, Çorrum, Zhabjak, Kala e Bashtovës, Divjakë, Seman, Vlorë. Në krye do printe trimi Bajram Xhani me Qazimin dhe të gjithë ishin të armatosur. Do kaloheshin dhe tre lumenj, por as ata, as shkurret, as balta e kënetës së Çermës dhe as prishja e karrocës nuk i penguan për ta kryer detyrën. Ishin të ndërgjegjshëm se fati i kishte caktuar që të bëheshin pjesë modeste e një ngjarjeje madhështore. Se është ashtu sikurse thoshte Leon Tolstoi se “Njeriu që të veprojë, duhet të besojë se ajo që bën është një gjë e mirë dhe e rëndësishme.” Dhe të gjithë ata e dinin se nuk mund të kishte vepër më të mirë se kjo. Por Hakiu nuk e la me kaq veprën e tij në shërbim të Atdheut. Pak kohë më vonë, pra në vitin 1913, kur vendi kërcënohej nga rreziku i pushtimit malazezo – serb, së bashku me vëllezërit e tij, shkoi për të luftuar në Shkodër, ku Aliu dhe Kasemi dhanë jetën, kurse vetë Hakiu u plagos rëndë. Vuajti gjatë nga kjo plagë dhe nga plaga e humbjes së vëllezërve, por krenaria dhe energjia për vepra të mira nuk iu lëkundën asnjëherë. Familja e tij dha sërish një kontribut të madh gjatë luftës kundër okupatorëve nazi – fashistë. Shtëpia e Haki Tafës u kthye në bazë të rëndësishme për luftëtarët partizanë. Kurse djali i tij Haqimi u përfshi në rininë antifashiste dhe përballoi me shumë dinjitet ashpërsinë e hetimeve gjatë arrestimit. Pas çlirimit të vendit, ai u bë oficer e më pas, për arsye shëndetësore, punoi në sektorë ekonomikë. Djali tjetër i Hakiut, Nazimi studioi gjithashtu në shkollën e oficerëve dhe Akademinë Ushtarake dhe kreu detyra të ndryshme në ushtri, derisa doli në pension. Aktualisht është zgjedhur kryetar i shoqatës së veteranëve të LANÇ Dega Durrës. Kështu, edhe djemtë vazhduan rrugën e të atit, i cili gjersa ndërroi jetë në vitin 1969, pra në moshën 85 vjeçare, asnjëherë nuk u mburr se kishte bërë ndonjë gjë tjetër veç detyrës si shqiptar, duke çuar shëndoshë e mirë Plakun e madh të Vlorës, për të ngritur atje Flamurin tonë kuq e zi, pas gati 500 vjet robërie.


Sigal