Greqia paraqet kërkesa tokësore kundër Shqipërisë dhe rivendikime në t’ashtuquajturin Vorio-Epir

1162
Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

Rëndësia e Kanalit të Korfuzit
Kanali i Korfuzit ishte një kanal që kurrë më parë nuk e kishte pasur një rëndësi kaq të madhe detare sa e kishte marrë në atë kohë. Ai ndan ishullin e Korfuzit nga toka dhe në daljen e tij veriore është vetëm 2 km i gjerë. Në të dy anët e kanalit ndodheshin fshatra të vogla si në bregdetin shqiptar ashtu dhe në atë grek. Porti i Sarandës ishte një port fare i vogël pa asnjë lloj rëndësie ndërkombëtare. Para Luftës dhe gjatë saj në kanal kalonin vetëm varka e anije të vogla që shërbenin për transport pasagjerësh dhe mallrash. Përfshirja e Britanisë në incidentin me mina në kanalin e Korfuzit, i kishte dhënë një rëndësi ndërkombëtare këtij kanali.

Shqipëria deklarohet në Komisionin e Këshillit të Sigurimit
Më 3 shkurt, korrespodenti i posaçëm i “Tanjug’ në Athinë njofton
“Në seancën e parë publike të Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-s, përfaqësuesi i Republikës Popullore të Shqipërisë, Kolonel Nesti Kerenxhi, paraqiti në emër të qeverisë shqiptare një deklaratë në të cilën theksoi se, menjëherë pas mbarimit të Luftës, Shqipëria u bë objekt i sulmeve greke, të cilat kryheshin bile edhe kundër minoritetit shqiptar në Greqi….” Ndër të tjera në deklaratën e tij, delegati shqiptar kërkoi që punimet e Komisionit Hetimor të ishin publike dhe se pjesëmarrja e delegacionit shqiptar duhet të ishte e pranishme në të gjitha punimet. Kolonel Nesti Kerenxhi do t’i dorëzonte Komisionit dhe një notë proteste në lidhje me vonesën e delegacionit shqiptar në fillimin e punimeve të këtij komisioni, për shkak se qeveria greke nuk pranoi t’i pajiste me viza.

Raporti sekret i kryetari të misionit anglez, Hodgson
Të hënën e datës 17 shkurt 1947, në mbledhjen e Komisionit Hetimor, përfaqësuesi i Shqipërisë Kolonel Nesti Kerenxhi, paraqiti një raport zyrtar sekret të kryetarit të misionit ushtarak anglez, Gjeneral Hodgson në lidhje me provokimet greke kundër Shqipërisë. Gjenerali Hodgson pohon ndër të tjera në raportin e tij sekret, që i ka dërguar Qeverisë britanike, më 29 korrik 1945 që marina greke ka bërë provokime kundër Shqipërisë. Në këtë raport thuhet: “Dy anije greke janë afruar në kepin Karanti dhe kanë shtënë me mitraloza të rëndë mbi bregdetin shqiptar”

Gjenerali Hodgson shton pastaj: “Duket se këto incidente janë shkaktuar ose nga ana e elementëve grekë jo të përgjegjshëm, ose nga t’arratisurit shqiptarë në Greqi që kanë bërë pjesë në njësitë e ushtrisë shqiptare”
Dëshmia e dy marinarëve grekë
Në datën 17 shkurt midis shumë letrave, komisioni hetimor i Këshillit të Sigurimit, mori një letër të berberit Emanuel Papanikolau dhe të tipografit Toma Vukas, që të dy detarë të vjetër të marinës mbretërore greke. Ata pohonin se kishin marrë pjesë në provokacionet e forcave të armatosura greke kundër bregdetit shqiptar. Papanikolau në letrën e tij bën një përshkrim të hollësishëm të mënyrës me të cilën anija “Krijezis”, në të cilën ndodhej ai, i ishte afruar shumë herë me radhë limanit të Sarandës dhe kishte hapur zjarr në drejtim të bregut. Papanikolau thotë se në verën e vitit 1945 më shumë se 15 prej këtyre veprimeve u kryen në ujërat shqiptare. Nga ana e tij Vukas përmend ndër të tjera rastin e një anijeje greke që mori me vete për në Greqi disa shqiptarë, të cilët ishin kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Vukas jep gjithashtu shumë hollësira mbi përgatitjet e bëra në Korfuz në lidhje me agresionin kundër Shqipërisë. Papanikolau dhe Vukas u vendosën në dispozicion të Komisionit të Hetimeve për t’i konfirmuar atij gojarisht deponimet e tyre të paraqitura me shkrim.

Shqipëria nuk pranon akuzat britanike
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 19 shkurt 1947, u diskutua ankesa e Britanisë së Madhe kundër Shqipërisë. Përfaqësuesi i Shqipërisë, Hysni Kapo nuk i pranoi akuzat britanike sipas së cilës, Shqipëria kishte minuar kanalin e Korfuzit, ku dy luftanije britanike ndeshën në mina, më 22 tetor të vitit 1946. Qeveria shqiptare, do të deklaronte përfaqësuesi i Shqipërisë, nuk ka nevojë të vendosë mina, të lejojë vënien e tyre ose të mos paralajmërojë mbi prezencën e tyre, po të kishte dijeni mbi faktin se ishin vendosur mina. Qeveria shqiptare i ka lajmëruar shtetet e mëdha për provokacionet e rënda luftarake që anijet greke kishin ndërmarrë në ujërat detare të Shqipërisë fill pas përfundimit të Luftës. I kishte lajmëruar që të ruhej sovraniteti i kufijve shqiptarë, por shtete; si Britania vazhdonin të mos i respektonin ligjet ndërkombëtare. Në një nga këto raste, më datën 22 tetor 1946, në një shkelje të ujerave territoriale të Shqipërisë, luftanijet britanike hynë në ujërat shqiptare dhe ndeshën në mina.

Spastrimi i minave nga Kanali i Korfuzit
Kolegji Mesdhetar i spastrimit të minave, pa e lajmëruar Shqipërinë dhe pa kërkuar pëlqimin e saj, ia ngarkoi përgjegjësinë e minave në ujërat shqiptare në kanalin e Korfuzit jo Shqipërisë por Greqisë. Ky vendim u mor në kundërshtim me nenin 12 të rregullores mbi organizmin ndërkombëtar të heqjes së minave që parashikon që çdo vend duhet të mbajë vet përgjegjësinë për heqjen e minave nga ujërat tokësore të tij. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të disa anëtarëve të këtij kolegji për të ftuar Shqipërinë që të bëhet pjesë e Kolegjit, Britania e Madhe dhe Greqia e refuzuan pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kolegj me argumentin se Shqipëria nuk dispononte anije për spastrimin e minave. Ndërkohë, në kolegjin Mesdhetar të spastrimit të minave ishte ftuar edhe Egjipti, edhe pse dihej që nuk kishte anije për spastrimin e minave. Në një notë proteste që Shqipëria i kishte dërguar Anglisë, në datën 21 dhjetor 1946, shkruhej ndër të tjera, se spastrimi i minave në ujërat tokësore të Shqipërisë pa autorizimin e Qeverisë shqiptare është një dhunim i rëndë dhe sistematik i sovranitetit të Shqipërisë. Anijet angleze hynin në ujërat e Shqipërisë pa u konsultuar më parë me Qeverinë shqiptare duke mos e përfillur fare sovranitetin e Shqipërisë.

Ndërkohë nuk mund të anashkalohet një fakt i rëndësishëm: Vendi i kalimit i torpedinier-ndjekësit e skuadrës britanike pësuan dëme në 28 nëntor 1946 nuk përputhet me vendin e kalimit, ku u hoqën minat në vitin 1944-1945, për të cilën bënte fjalë dhe nota e britanikëve më 9 dhjetor 1946.

Në Korçë hetohet për provokacionet greke
Pasdreken e datë 13 mars, ora 17.30, kaloi tokën shqiptare një nënkomision Komisionit Hetimor i Këshillit të Sigurimit, i cili do të hetonte mbi provokacionet e grekëve në kufirin shqiptaro-grek. Nënkomisioni kryesohej nga australiani Hood dhe përbëhet nga Kosparov për BS, Auschwetz për SHBA, Jordan për Anglinë, Limairoe për Francën, Wandelen për Belgjikën dhe Ro Shin për Kinën. Oficerët e ndërlidhjes që shoqëronin Nënkomisionin ishin: Teodor Heba për Shqipërinë, Ivanoviç për Jugosllavinë, Gjerogjev për Bullgarinë dhe Theodhopulos për Greqinë.

nënkomisioni shkoi në fshatin Trestenik ku gjatë vitit 1946 janë kryer nëntë provokacione nga ana e Greqisë. Këtu Nënkomisioni qëndroi vetëm gjysmë ore dhe pyeti dëshmitarin Toger Gaqo Mborja që tregoi për vendet ku ishin kryer provokacionet. Shkaku që Nënkomisioni hyri me vonesë në tokën shqiptare ishte një përplasje partizanëve grekë me forcat qeveritare në mes të rrugës Follorinë- Kostur. Pasi hyri në tokën shqiptare, Nënkomisioni pyeti një numër dëshmitarësh dhe në Gjirokastër dhe mbajti shënimet përkatëse për përgatitjen e një raporti për Komisionin e Këshillit të Sigurimit. Ndërsa Nënkomisioni i Komisionit Hetimor i Këshillit të Sigurimit ndodhej në Korçë për të mbledhur dëshmi për provokacionet, në këtë qytet filloi gjykimi i një grupi njerëzish, të cilët akuzoheshin se ishin në shërbim të një organizate terroristo-fashiste greke EAVI (Komiteti i Çlirimit të Vorio-Epirit). Në akuzën e ngritur për të cilin arrestuar grupi synonte që me ndihmën e Greqisë të përmbyste qeverinë komuniste në Shqipëri dhe të aneksonte Korçën dhe Gjirokastrën.

Greqia e konsideron Shqipërinë një shtet armik
Në datën 24 mars 1947 përfaqësuesi i Shqipërisë në Komisionin Hetimor të Këshillit të Sigurimit, Nesti Kerenxhi e konsideroi të rëndë situatën e krijuar midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe bëri këto konstatime para Komisionit.:

1 – Greqia konsiderohet në gjendje lufte me Shqipërinë. Ajo e konsideron Shqipërinë si një shtet armik.
2 – Greqia paraqet kërkesa tokësore kundër Shqipërisë dhe rivendikime në t’ashtuquajturin Vorio-Epir.
3 – Kërkesat e Greqisë zbatohen në dy mënyra: a) me rrugën legale b) me rrugën ilegale.

Kolonel Kerenxhi parashtroi një sërë argumentesh, se mënyra ilegale e Greqisë kundër Shqipërisë është e egër dhe armiqësore, nëpërmjet krijimit të organizatave antishqiptare, trakteve, propagandës, provokacioneve me armë në kufi e të tjera si këto.

Dekreti i Mbretit të Greqisë për ligjin e Forcës (Luftës). 
Mbreti i Greqisë Konstandin do ta nxirrte dekretin me nr. 2636 në vitin 1940 sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuisling shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. 

Dekreti Mbretëror kërcënonte se “Do të konsideronte tradhti kombëtare aktin e çdo qeverie greke që do të ndërmerrte hapin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin armik Shqipërinë.

Këshilli i Sigurimit hedh poshtë ankesën britanike
Në mbledhjen e datës 24 mars 1947, Këshilli i Sigurimit hodhi poshtë rezolutën britanike, e cila kërkonte që ta bënte përgjegjëse Qeverinë shqiptare në lidhje me minimin e kanalit të Korfuzit. Rezoluta britanike u hodh poshtë pasi nuk pati aprovimin unanim të të gjithë anëtarëve permanent të Këshillit të Sigurimit. Bashkimi sovjetik dhe Polonia votuan kundër rezolutës britanike, ndërsa SHBA, Australi, Belgjikë, Brazili, Kolumbia, Kina dhe Franca votuan në favor të rezolutës. Përfaqësuesi i Sirisë abstenoi nga votimi.

Nesti Kerenxhi 
Lindi në Korçë, më 5 shtator 1920 dhe ka vdekur në Tiranë në vitin 2002.
Me lëvizjen komuniste është lidhur që në vitin 1936-1937, kur zhvillohej Lufta e Spanjës. Në Grupin Komunist të Korçës është lidhur që në muajin qershor-korrik të vitit 1939. Ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat GKK kundër pushtimit fashist. Që me themelimin e PKSH është anëtar i saj. Me krijimin e qarkorit të partisë dhe atij të rinisë ka qenë anëtar i tyre. Në vitin 1942 u zgjodh sekretar politik i Komitetit Qarkor të Rinisë. Në Konferencën e Parë të vendit të PKSH në mars 1943 është një nga 6 delegatët e Qarkorit të Korçës. Më pas në mbledhjen kombëtare të rinisë zgjidhet anëtar i KQ të RKSH. Me krijimin e Brigadës së 4-t Sulmuese caktohet përgjegjës i sektorit politik të Brigadës. Me hapjen e kurseve të kuadrove politikë të ushtrisë në Panarit të Korçës u caktua përgjegjës i shkollës së parë të partisë. Prej këtej niset për të shkuar si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare pranë Shtabit të Përgjithshëm jugosllav dhe mareshalit Tito. Në plenumin e 2-të të KQ të PKSH rizgjidhet anëtar i KQ të PKSH. Pas çlirimit caktohet në detyrën e zëvendësdrejtorit të Rrojtjes së Popullit (Sigurimit të Shtetit), ku drejtor ishte Koçi Xoxe, me unifikimin e Ministrisë së Brendshme, ministër u emërua gjeneral-lejtnant Koçi Xoxe. Më vonë emërohet ministër i Brendshëm kolonel Nesti Kerenxhi dhe anëtar i Byrosë Politike. Pas Kongresit të Parë, ai dhe gruaja e tij, e cila ishte ministre e Arsimit dhe anëtare e KQ të PKSH u përjashtuan nga të gjitha funksionet qeveritare dhe partiake dhe filloi kalvari i gjatë i persekucionit enverist. 

Në vitin 1961, Nesti Kerenxhi caktohet nëndrejtor i minierës së Selenicës në Vlorë dhe në vitin 1982 do të vendoset familjarisht në fshatin Petë të Mavrovës në rrethin e Vlorës, një fshat i krijuar enkas për familjet e internuara, familje të njohura si armiq të komunizmit dhe kundërshtarë të sistemit.

Naxhije Dume
Bashkëshortja e Nesti Kerenxhit
Lindi në Kolonjë në vitin 1921. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror të Tiranës. Nexhija numërohej ndër vajzat e pakta që merrnin pjesë në grupet ilegale të Tiranës që zhvillonin një aktivitet propagandistik kundër regjimit të Zogut. Në vitin 1941 mbaroi shkollën dhe u emërua mësuese në Tiranë. Puna si mësuese nuk e pengoi që të angazhohej në organizimin e lëvizjes çlirimtare që po rritej kundër pushtimit fashist të vendit. Aktiviteti i saj në demonstrata e takime të ndryshme me gratë e vajzat e Tiranës ra në sy të fashistëve dhe në maj të vitit 1942 ajo u hodh në ilegalitet. Nga Tirana shkoi në Korçë ku zhvilloi një aktivitet të madh patriotik. Ajo mori pjesë në Kongresin e Përmetit ku u zgjodh anëtare e Këshillit Antifashist. Naxhija ishte një nga organizatoret kryesore të Bashkimit të Gruas Antifashiste Shqiptare, të kongresit të Parë të Gruas, ku dhe u zgjodh anëtare e Sekretariatit të Gruas. Ajo do të kandidonte për deputete në zonën e Korçës në zgjedhjet e para të 2 dhjetorit 1945, ku dhe do të fitojë votat për të shkuar në Asamblenë e parë të pas Luftës. Pas zgjedhjes si deputete do të zgjidhet edhe ministre e Arsimit dhe anëtare e Komitetit Qendror deri sa bashkë me bashkëshortin e saj do të lirohet nga të gjitha funksionet shtetërore e partiake. 
Sigal