Golgotha e Tepelenës

1549
Vasil Kokali

(Tepelenë, Turan, Bënçë, Luzat)

Në Tepelenë vuajta nga dhjetori i vitit 1950 deri në maj 1952.
Nuk përshkruhet gëzimi ynë kur morëm vesh se do të transferoheshim nga Porto Palermo në Tepelenë. Shpresonim se shpëtuam nga shiu por ramë në breshër, në një breshër kokërrmadh.

Të internuarit në kampin e Tepelenës nuk kishin absolutisht asnjë të drejtë. Besoj edhe skllevërit nuk ma merr mendja te kenë qenë aq të privuar. Çfarëdo që të përpiqem të sjell ndërmend nuk shënon as edhe një kënaqësi gjatë gjithë kohës që kemi qenë nëpër kampe. Na iku rinia dhe burrëria kampeve, një jete monotone, dita, java, muajt dhe vitet nuk kalonin lehtë.

Në Tepelenë, çdo mëngjes, ngriheshim në orën 5 për apelin, ndërsa në orën 6 do të grumbulloheshim përpara drejtorisë. Organizimin dhe shpërndarjen për punë e kryente zakonisht oficeri i rojës policore me gradën kapter. Drejtoria policore e kampit përbëhej nga 15 policë. Kampi ngrihej rrëzë kalasë në kazermat e ngritura nga ushtria italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë nga ne u caktua të merrej me punët bujqësore të fushës pranë kampit, të tjerët prisnin dhe transportonin në kurriz dru nga mali i Turanit që ngrihej 7 km. nga kampi. Drutë shfrytëzoheshin për ngrohje nga drejtoria e kampit dhe nga banorët e qytetit të Tepelenës. Gratë e internuara, mblidhnin pleh organik nëpër stanet e maleve të Tepelenës dhe e transportonin në kurriz me litarë. Plehu përdorej për parcelën e komandës policore në kamp që quhej “ekonomi ndihmëse”. Ne të tjerët punonin me bel. Bënim punime toke qilizëm, dyzet centimetra thellë. Një grup tjetër, transportonte driza që shërbenin për furnizimin e kuzhinës së kampit në vend të druve. Drizat merreshin afër urës së Dragotit, pesë kilometra nga kampi.
Vajzat bartin driza
Për transportin kishin caktuar një skuadër me vajza të reja, të cilat ngarkoheshin dy herë në ditë me driza. Kapteri që i shoqëronte nuk i linte të pinin as ujë. Ishin caktuar për të bartur driza vajzat e familjeve: Kaloshi, Mirakaj, Gjon Markaj, Tuci nga Mirdita, Demaj, Gole dhe Suzana Topalli etj. Një ditë në vitin 1952, nga mërzitja, uria e lodhja, pasi nuk ishin mësuar me këtë lloj pune, ato vendosën që kur të ktheheshin të ngarkuara me driza, të hidheshin nga ura në lumin e Vjosës. Për fat të mirë njëra prej tyre nuk ishte dakord, ajo tha se me këtë veprim “vetëm do t’u shtonim dhimbjen nënave tona”. Disa të tjerë transportonin dru të ngarkuar si mushkat, nga mali i Turanit, nga një distancë prej 7 kilometrash. Barrën që do të mbahej e caktonte kapteri. Gratë që i ishin caktuar për transport plehu, e mblidhnin këtë mal më mal e stan më stan. Më kujtohet se si ato kur ktheheshin të lagura, s’kishin as me çfarë të ndërroheshin, as me çfarë të ngroheshin. Kjo punë ishte e përditshme, pa marrë parasysh kushtet e motit: sikur edhe gurë të binin nga qielli ne do të niseshim për punë. Ashtu lagur deri në palcë shikonim sesi policët ishin të pajisur më së miri: me pelerina, kapota etj. Shumica e tyre ishin nga Tepelena e rrethinat. Ata na konsideronin armiq duke na i shtuar vuajtjet, madje e bënin këtë me shumë kënaqësi.
Batalioni Special i Sigurimit 
Disa të internuar, mes tyre edhe unë, që drejtoria na shihte vëngër, na caktuan të punonin disa kilometra larg kampit: në Bënçë e në Luzat. Niseshim të dielën në darkë nga Tepelena dhe ktheheshim të shtunën. Që në momentin që dilnim jashtë derës së kampit, kalonim në dispozicion të batalionit special të Sigurimit të qytetit Tepelenë. Ky batalion, varej nga Ministria e Brendshme. Çdo të diel në darkë vinte në kamp nga Batalioni Special kapter Bajram Rizai nga Fratari i Mallakastrës, na merrte në dorëzim dhe na vinte përpara si tufën e dhive. Mbasi bëmë një rrugë të gjatë, më në fund arritëm në Bënçë, ku na strehuan në një shtëpi të braktisur. Dhoma ku banonim në Bënçë një herë në javë, nuk kishte me shumë se 12 metra katrorë. Aty flinim njëzet burra. Puna në Bënçë ishte shumë e rëndë dhe e vështirë. Në orën 7 të mëngjesit duhet të ishim në vendin e punës, dhe në orën shtatë të darkës do të ktheheshim të rraskapitur në vendin e strehimit, ku do të hanim drekën e darkën bashkë. Ngaqë mali ishte shumë i thyer dhe shkëmbor edhe transporti i druve nuk ishte i kollajtë. Nuk kishte javë pa të plagosur, pasi gjatë rrokullisjes së trupava të pemëve shkaktoheshin orteqe me gurë. Për të shmangur punën e rëndë në Bënçë, të internuarit lëndonin veten me një lloj bari që quhej kulpër, i cili ishte shumë i rrezikshëm për jetën. Ai lloj bari hapte plagë. Të internuarit vetëplagoseshin, jo vetëm me kulpër, por edhe me vaj të përvëluar, të cilin e hidhnin këmbëve. Unë isha i fortë dhe përpiqesha të mos arrija deri te vetëplagosja. Erdhi e shtuna ku do të ktheheshim në kamp për t’u larë e ndërruar. Siç thashë më lart, kapter Bajram Rizai na vinte përpara si kopenë e dhive. Ai përsëriste një shprehje: “vrik e vrik”. Gjatë rrugës, njërin nga shokët na e kishte zënë barku. Kishte nevojë për të dalë jashtë. Ai i lutet kapterit ta lejonte por ishte e pamundur. “Bëje në shallvare se s’kemi nge të merremi me ty.” – Në pa mundësi për ta bërë në vendin e caktuar, i detyruar, e bëri aty ku i tha kapteri. Kur mbërritëm përpara kampit, rastësisht na doli drejtori kampit Xhafer Pogaçe nga Progjia e Tepelenës. Drejtori na hedh një sy, njëkohësisht kthehet nga kapteri duke i thënë: “Si shumë të shëndoshë i ke prurë kësaj radhe! Nuk kanë punuar fare?” – Ndërkohë ne, me zor mbaheshim në këmbë. 

Luzati
Në muajin janar e shkurt kur temperatura ishte minus 10 gradë Celsius, ne kemi transportuar shtylla nëpër lumin e Bënçës. Edhe ata që kanë punuar në Luzat të njëjtën fat kanë pasur. Strehoheshim në një kasolle me thupra nga futej era prej të gjitha anëve. Në darkë kur ktheheshim nga puna, ndiznim zjarrin për t’u tharë mbasi ishim krejt të lagur. Afër kasolles ku banonim ishte një shtëpi. I zoti i shtëpisë kishte therur një dhi. Ngaqë i vinte keq për ne fatzinjtë, na dhuroi zorrët e dhisë. Në Luzat është vrarë me pushkë i internuari Sali Kasa që ato ditë punonte në varrezën e kampit, tridhjetë e pesë vjeçar, nga Polisi i Elbasanit. Flitej se arma u shkreh aksidentalisht, por autorit, një oficeri të Batalionit Special, nuk i hyri ferrë në këmbë.

2 000 të internuar
Kampi i Tepelenës popullohej nga 2 mijë të internuar. Shtatëqind prej tyre ishin forca pune. 
Shumë të rinj janë futur në burg nga kampi i Tepelenës, të akuzuar për arratisje, ja disa prej tyre; Skënder Dine, njëzet e katër vjeçar nga Maqellara e Dibrës i cili vdiq në burg. 

Në kampin e Tepelenës kanë vdekur shumë të internuar, shkaku i vdekjes ka qenë dizenteria, mungesa e ushqimit, dhe të ftohtit. Ushqimi ka qenë nën kuotën, për një person. Normativa ishte 80 gram për person dita: makarona ose oriz, ose bollgur, ose groshë (të gjitha me krimba); 9 gram vaj, 5 gram kripë dhe 400 gram bukë. Këtij ushqimi nuk i dihej viti i prodhimit, pasi kur kazanët digjnin nga zjarri, sipërfaqja mbushej me krimba. Në kamp kush kishte ndonjë ndihmë nga të afërmit e lirë, e kalonte disi, po për ata që s’kishin ndihmë nga jashtë kampit, ishin të vdekur e të pa varrosur. Të internuarit e Tepelenës kanë ngrënë mish të ngordhur, lende lisi, gorrica të papjekura, kur i gjenin. Me gjithë këto vuajtje besimin tek Zoti nuk e kemi humbur.

Në Tepelenë edhe fjetjen e kemi pasur kolektive në një kazermë flinin gjashtëqind veta, gra, fëmijë burra, pleq, plaka. Beharit nga vapa, e nga çimkat që ishin si mizat e dheut, dhe nga era e keqe që ajri nuk ndërrohej asnjëherë nuk na zinte gjumi. Kampi i Tepelenës ishte kamp asgjësimi fizik i njeriut. Në kampin e Tepelenës shpesh herë vinte kontrolli nga Ministria e Brendshme, ndër ta ishin dhe dy kapterë. Njërit ia mbaj mend emrin e quanin Polikron Gjermeni nga Krutja e Lushnjës, këto të dy kur hynin në kamp bënin si të tërbuar, kapteri që nuk e mbaj mend emrin, i jep një shkelm tenxheres që ziente me kaçamak në trotuarin e kazermës. E pashë një herë në sy, “Eh!”, më tha: “Nuk të pëlqen?” “Jo, i thashë s’ka asgjë të keqe!” Iu shmanga provokacionit të tij, i them vetes, rri e mos bëj zë, se dardha e ka bishtin mbrapa. Ata ishin të pajisur me carta bianca si SS-ët, thonë kishin në dorë jetën dhe vdekjen. 

Zhdukja e varreve nga Drejtoria e Kampit
Drejtoria e kampit nuk kujdesej vetëm për të gjallët, një “kujdesje” të veçantë tregonte për të vdekurit që i zhvarrosi tri herë. Radhën e tretë u treguan shumë çnjerëzorë i sistemuan buzë lumit të Bënçës pranë kampit, për t’i zhdukur njëherë e përgjithmonë. Gjatë dimrit të vitit 1954 ujërat e rrëmbyera të lumit të Bënçës i gërryen dhe vunë varret përpara duke i zhdukur eshtrat. Ka shumë prej atyre që vdiqën, aty sot ata s’kanë asnjë varr. Vetëm në vitin 1952 transferohemi nga Tepelena për në kampin me tela të Çorovodës.

Tiranë 1991-2008 
P.s. Në vitin 2008 Vasil Kokali ia dorëzoi Leka Ndojës kujtimet e tij, të shkruara pas viteve ’90. 
Me një energji të pashtershme xha Vasili vej e vinte nga shtëpia e tij në Laprakë për në Tiranë, me biçikletën e tij emblematike, të vetmen rentë të përfituar prej tij nga gulakët gjysmë-shekullorë sovjeto-shqiptarë. Vasili e njihte konceptin e historisë instinktivisht, duke mbushur një golle kohe me dëshmi, si përmbushje e teorive të besueshmërisë më të lartë: Për çka ekzistoi dhe ekziston. Mbas një muaji plotësimesh me dëshmi të reja, Vasil Kokali pati thënë: “Tani vdes i qetë që ta dinë nipërit dhe shqiptarët, seç kemi hequr në 9 kampe e burgje”. Vasil Kokali: i internuar dhe i burgosur politik prej datës 17 06 1945 deri më 27 02 1991. U lind në Aliko të Sarandës më 1924, 94 vjeç, jeton në Tiranë. 


Sigal