Gojëdhëna dhe këngë për kohën e Skënderbeut

5709
Gëzim Llojdia

Duke filluar këtë hulumtim për epokën e Skënderbeut në 500-vjetorin e tij, diku nga viti ’68, Qemal Haxhihasani, shkruante te gazeta gazeta “Drita” e diel, 14 janar 1968

”Lavdia e luftërave te mëdha popu¬llore të kohës së Skënderbeut u ruajt, jo vetëm në burimet historike, por edhe në zërin e gjallë të traditës. Populli diti të na sjellë jehonën e ngjarjeve të asaj kohe të shkëlqyer, të historisë sonë, kur Shqipëria u bë e vetmja barrikadë e rëndësishme e vërshimit osman nëpër botë, me tregimet e tij të mrekullueshme. Shekujt e rëndë të robërisë nuk munden t’i vrasin me hanxharët e tyre të përgjakur këto tregime. Ato ishin strukur thellë në zemrën e popullit tonë, rronin në shpirtin dhe gjakun e tij. Pleqtë në mbrëmje rreth vatrave i tregonin ato me dashuri. Të rriturit, kur kalonin nëpër trojet ku ishin zhvilluar skenat e betejave legjendare a nëpër shkëmbinjtë nga lëshoheshin shigjetat vdekjeprurëse të shqiptarëve që shponin, sipas vetë kronistëve osmanë, edhe gurin, u flisnin bijve dhe nipërve për lavdinë që pushonte në këto vise. Dhe të rinjve u ndritnin sytë, u qeshte zemra nga këto gjeste heroike të të parëve, që rritnin krenarinë e tyre kombëtare, dashurinë për atdhe e liri. Duke vijuar më tej Haxhihasani thotë: Fantazia popullore, e frymëzuar nga gjestet luftarake të kryetrimit, e idealizoi me përpjesëtime gjigante forcën e krahut dhe të shpatës së tij. «Kur del ven’ e rakeja (ylberi) në qiell», pleqtë e Matit thonë se “ka dalë shpata e Skenderbegjut, me kta luftonte Skanderbegju”. Forca e mreku¬llueshme e shpatës se heroit shprehet me legjendat e prerjes së shkëmbit të Varoshit, me hapjen e Shkalles së Rrajcës në Librazhd, me shpërthimin e ujërave të kroit të Altarit në Milot, të Gurrës së Trodhmes në malin e Bajzës etj. Tradita gojore për Skënderbeun ka në shtratin e saj ngjarjet e kohës, të cilat i ka pasqyruar sipas mënyrës tradicionale te konceptimit artistik popullor. Kështu të dhënat e traditës kanë një interes të veçantë. Krahas dokumenteve historike ato përbejnë një tjetër burim shumë të rëndësishëm, që ndihmon në mënyrën e tij, për të nxjerrë në pah madhështitë e kësaj periudhe epike të historisë sonë dhe për të hedhur dritë në problemet e ndryshme të saj. Ato i jetuan nëpër shekuj si një shfaqje e gjallë e shpirtit epik të masave tona popullore, e vullnetit të tyre për liri, si një flamur i madh lavdie qe frymëzonte për beteja te vazhdueshme çlirimtare. 
Pjesë nga thesari i prozës popullore për Skënderbeun:
“Skanderbegju ka ba luftë të madhe në Varosh. Atje e patën rrethue kan e kan turqit e s’kish ka i vinte buka kurrkun. Po e nimoi Lura. Kta ç’batën? Kualt e parë i mushën me brame farke e çakiga; kualt tjerë me drithë e ushqime. Asqeri i Turkut, kur panë bramen e farkes thanë: -Mo i ngani kta se qankan xhip, farkaxhij. Edhe i lanë të hishin ne Varosh. Skanderbegju u gzu shumë nga nima e lurasve ene tha: -Ju jeni besnikt e mij, ku rafshi në luftë, ju fitofshi. Për çekta lurasit kurdoherë çi ka¬në ra në luftë, kanë fitue. 

Fushëlurë Dibër
– Skanderbegu ka pete Kokë Malcin: -Kur zehet ma kollaj asqeri i Turkisë? Koka i tha: -N’zhek, n’mesdite, kur t’dalin me u la n’ujë. N’zhek asqeri po lahesh n’Mat e kishte lanë armët turra-turra. I ra Skanderbegu e fitoi luftën. 

Pllane-Lezhe. 
Kur ra Kruja, nanëdhetë goca dulën në Grykë të Vajës dhe u gremisën dorë me dorë në Dro, për mos me ranë në dorë të turqve. Edhe sot ky vend quhet Gryka e Vajes. 

Krujë. 
Skanderbegju shpatën prej alltani, fren’e kalit prej alltani, shalën e kalit prej alltani e rrobët prej alltani, yëft të xhitha, i ka lanë në Çafë të Buellit, ma nja shpelle, që merr trama-trama, manej tëposhtë-tëposhtë, apet trama-trama njer m’atë shpellën e mrame. Po s’u’n vej kush me i marrë se Skanderbegju ja ka ba amanet tokës. I tha Skanderbegju tokës: -Ta kam dhanë amanet kët xha me ja dhane xhinsit, tem. E,s’un e ka marre kush athere. 

Urxalle-Mat. 
Ai Murani i parë në Kruve, n’Fushë të Kosovës fjale ka çue: -Sulltan Murati rn’u ka afrue, nat’e ditë jam tu liftue! Skanderbegu, sa mur xhevapin, meniherë ç’e njeshi shpatën; ushtrisë vet s’i ka kallxuve, si rrufeja ka mrri n’Kruve, bashkë me Uranin u ka bashkuve. Skanderbegu me ushtrin e vetë ka dalë malit kep me kepë; kep me kep e prru me prruve, të gjithe Krastën ç’e ka rrethuve, me Sulltan Muratin u ka takuve; na janë vra, na janë dermue. Sulltan Murati paska qajë: Gjithë ushtrija qenka vrajë. Qenka vra, u ka maruve, ka dhanë urdhnin me dredhuve, për Stamboll-o për me shkuve: -S’asht e mundun me hy n’Kruve! E mor po, mor jo!

Krujë.
Sontenith, me dy ore nat’e,
atje lart, nga Muskovate,
ndihej gjemë’ e topave.
Nga kjo gjemë ‘e topave gjithë
bota me gjëmonte;
nga tym i dyfeqeve
gjithë malet mjegullonin;
nga shkëlqimi i shpatave
gjithë fushat me shkëlqenin;
nga gjaku ushtareve
nkuqesh ujët e lumenjve;
nga copat e shtizave
ura bëheshin mbi ujë!
Arbëreshet e Italisë
Kam pase t’parin shpatë mizore, amanet aj na ka lanë:
«Armët e mushme mos me i dhanë!» e m’qillue për nget martina, kje tu bine Shkodra e letina.
Por thuej Pashës e Allaj Begut: S’lidhen t’bijt e Skënderbegut!» Kërset pushka, Saraji dridhet, qaj Gjin Leka nuk po lidhet!… 
Gomsiqe-Mirditë
Sigal