Gjiri i Vlorës, si i përpiu 674 marinarët e flotës italiane

1087
Sigal

Zhdukja e kryqëzorit të famshëm të Flotës Mbretërore Italiane “Regina Margherita” në 1916-n. Ndërtimi i anijes, pse ju vendos emri i bashkëshortes së Mbretit Umberto, inaugurimi nga Viktor Emanueli III dhe fundosja

ARKIVA / 103 vjet pas zhdukjes së kryqëzorit të famshëm të Flotës Mbretërore Italiane

 

Misteri i mbytjes së kryqëzorit më të madh në Mesdhe

Gjiri i Vlorës, si i përpiu 674 marinarët e flotës italiane

 

Niset nga Vlora natën e 11 dhjetorit 1916, për të shkuar në portin e Tarantos, anija më e fuqishme e flotës mbretërore italiane, e cila shpërthen dhe fundoset disa milje larg portit të Vlorës duke marrë me vete 674 veta. Ende edhe sot nuk dihen shkaqet e vërteta të mbytjes: ishte një minë e lëshuar në det, nga ndonjë nëndetëse austriake që e shkatërroi, apo ndonjë minë e rënë aksidentalisht nga mjetet e koalicionit. Për shumë vjet për këtë anije nuk u mësua asgjë, deri sa u gjet në thellësinë 68 metra.

 

Është ajo, Regina Margherita, anija mbretërore e Flotës Italiane që u përdor gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u zhduk në mënyrë misterioze në ujërat e gjirit të Vlorës, gjatë një nate me shtrëngatë të datës 11 dhjetor të vitit 1916.

Ndërtimi i Kryqëzorit

Viti 1901 është viti i përfundimit të ndërtimit të kryqëzorit Regina Margherita me një tonazh 14. 574 ton. Më parë ky kantier naval nuk kishte ndërtuar anije të këtij kapaciteti. Maksimumi i tonazheve të mëparshme arrinte deri në 7000 tonelata, prandaj edhe ndërtimi i kësaj anije konsiderohej si një ngjarje e veçante, jo vetëm për bazën navale në Spezia, por, për gjithë bazat e tjera navale italiane e me gjerë në baza të tjera të mesdheut. Mbreti Umberto i vendos që t’i caktoj kësaj anije emrin e bashkëshortes, me dekretin mbretëror të datës 24 shtator 1898, por nuk pati fatin ta shikonte të përfunduar pasi u vra në Monza në datën 29 korrik; në vazhdim, do të ishte djali i tij, Viktor Emanueli III, që në datën 30 majë 1901 do të prezantonte publikisht këtë vendim. Kjo anije i dorëzohet Marinës Mbretërore në datën 14 prill 1904 dhe në datën 11 maj të njëjtit vit, gjithmonë, në bazën e marinës në Spezia, i dorëzohet flamuri i luftës nga vetë Mbretëresha Regina Margherita me motivacionin: “Për nderin e Italisë”. Për vetë rëndësinë e saj anija Regina Margherita mbeti një anije flamur dhe në dispozicion të admiraliatit deri në datën 15 dhjetor të vitit 1910. Përjashto detyrave normale që kryente kjo anije pati edhe pjesëmarrjen e parë në Luftën Italo-Turke, por një aktivitet të rëndësishëm do të luante në ndihmën që do t’u jepte viktimave të tërmeteve që ndodhën në Mesina në muajt dhjetor 1908 e janar 1909. Në fillim të vitit 1913 “Regina Margherita” caktohet me Forcat Detare të Bashkuara për patrullim dhe vëzhgim në Mesdheun Lindor në mbrojtje të ishujve të pushtuar të Egjeut ku në datën 6 gusht 1913, nga një marrje sinjali e gabuar, në thellësinë 30 metra, para se sa të ankorohej do të shkëputej dhe humbiste spiranca, gjë që do çonte në një kundër goditje nga përplasja me fundin e cekët të detit. Përplasja do të sillte disa të plagosur si dhe vdekjen e zv/komandantit, i cili goditet nga një dorezë në kabinën e tij.

 

Në një natë me shtrëngatë

Kryqëzori “Regina Margherita” kishte marrë pjesë në ato ngjarje që kishin shpërndarë Italinë drejt Mesdheut Lindor dhe në mënyrë të veçantë drejt shpërbërjes së Perandorisë Otomane. Në marrëveshjet ndërmjet kombeve që pasuan luftërat ballkanike, Italia kishte mundur të arrinte sovranitetin mbi ishullin e Sazanit, duke instaluar atje një bazë detare që kontrollonte hyrjet në Gjirin e Vlorës,dhe sidomos, trafikun detar të Adriatikut që kalonte në ngushticën e Otrantos. Në fakt, kjo lloj lëvizje do të rezultonte me mjaftë interesa strategjike gjatë operacioneve detare të Luftës së Parë Botërore. Që në vitin 1914, para hyrjes së Italisë në luftë, aleatët filluan, por me shumë pak rezultat, të bllokonin Kanalin e Otrantos. Mbretëria Italiane, ndonëse duke qëndruar neutrale, përsëri mendonte të bëhej pjesë e një aleance treshe (Itali- Gjermani -Austri). Por në 8 prill të vitit 1915, gjatë një takimi në Vjenë, refuzohet kërkesa e palës italiane, ndërsa Aleanca tjetër treshe (Francë-Angli- Rusi), në takimin e datës 26 prill do ta pranonte këtë kërkesë dhe në të njëjtën kohë Anglia do të nxiste Italinë për luftë kundër Austrisë në majë të vitit 1915, ndërsa kundër Gjermanisë në gusht të vitit 1916. Në këtë mënyrë strategjia e bllokimit të Kanalit të Otrantos bëhet më imperative dhe efikase në sajë të kontrollit Italian të Gjirit të Vlorës. Ishte një kontroll që vjen gjithmonë duke u përforcuar edhe me ardhjen e anijeve të tjera aleate. Kështu, ndërmjet brigjeve të Puglias dhe brigjeve shqiptare krijohet një barrierë e fuqishme navale. Në këtë kontest historik, Regina Margherita bëhet shumë shpejtë protagoniste e këtyre ngjarjeve luftarake. Mbas një faze të parë operacionesh, baza e të cilave ishte Taranto, kësaj njësie luftarake iu caktua detyra, në kuadër të Grupit Naval C, për mbrojtjen e transheve dhe fushave të minuara rreth Vlorës si dhe ruajtje e sigurisë në Adriatikun e Poshtëm.

Operacionet navale

Në muajin prill 1916 kjo anije mbërrin në radë nën komandën e kapitenit Giovanbattista Bozzo Gravina duke marrë funksionin e anijes udhëheqëse të divizionit naval të udhëhequr nga kundëradmirali Cusani Visconti. Nuk ishte angazhimi i parë i saj në ujërat shqiptare pasi, ndërmjet dhjetorit 1915 dhe shkurtit 1916, kishte marrë pjesë në operacionet për evakuimin e ushtrisë serbe të humbur nga lufta, për ti çuar ata në Greqi e Itali nga ku do të bëhej përsëri riorganizimi për vazhdimin e luftës. Në një nga këto operacione u mor fotografia e fundit të kësaj anije, origjinali së cilës gjendet sot në muzeun e ushtrisë serbe në Beograd. Mbas një cikël normal operacionesh në Vlorë, në muajin dhjetor të vitit 1916 jepet urdhri për rikthimin e “Regina Margherita” në bazën e Tarantos ku do të kryente disa punime mirëmbajtje. Urdhri u dha për t’u nisur në datën 11 dhjetor, duke lënë në vendimmarrjen e komandantit Bozzo caktimin e orës së nisjes, pasi në rajon ishin kushte shumë të vështira meteorologjike. Së fundi, pra rreth orës 21.00, pas zvogëlimit të shtrëngatës, pavarësisht se vazhdonte era e fortë dhe stuhia, “Regina Margherita” fillon lëvizjen për të dalë nga gjiri i Vlorës e shoqëruar nga anijet gjuajtëse “Indomito” dhe “Ardente”.

Bombardimi i befasishëm

Mbas gjysmë orë lundrimi, rreth orës 21.34, ndërsa gjendej në korridorin e kanalit të daljes së zonës së minuar ndërmjet Ishullit të Sazanit dhe Kepit të Gjuhës, dëgjohen dy shpërthime të forta që, sikurse na i sjellin të mbijetuarit, përfshinë pjesën fundorë të anijes dhe qendrën e saje deri në lartësinë e lokalit të kaldajave. Këto shpërthime shkaktuan shpërthimin e depos eksplozivit dhe të kaldajave me avull duke e shtrirë shkatërrimin në pjesët e tjera por me një farë ngadalësie gjë që iu dha kohë shumë marinarëve të mblidheshin tek pjesa e parë e anijes. Vetëm pas pesë minutash anija filloj të mënjanohej dhe fundosej me shpejtësi duke pasur në bordin e saj gjashëtqind e shtatëdhjetë e katër veta, përfshi komandantin Bozzo dhe komandantin e Forcave Italiane në Shqipëri gjeneralin Baldini që, edhe ai kishte marrë urdhrin për t’u kthyer në Itali; pavarësisht nga kushtet e këqija atmosferike falë mjeteve të ndihmës së shpejtë u shpëtuan 18 oficerë dhe dyqind e pesëdhjetë e shtatë marinar. Në relacionin zyrtar për mbytjen e kësaj anije, autoritetet deklarojnë: “mbytja e anijes nuk mund të lidhet me veprime armiqësore, por më një fatkeqësi fatale të lidhur me shumë rrethana që e kanë shtyrë Komandën në vlerësime dhe vendime të gabuara“. Këto vlerësime dhe bindje bazohen kryesisht në faktin që komandanti Bozzo, pasi kalon cepin e Galovecit për motive të paqarta kishte kaluar anijen në kursin 298 gradë, shumë më tepër nga sa ishte përcaktuar në procedurat e lundrimit, pra fillimisht në këndin 238 gradë për të hyrë në kanalin e sigurisë së zonës minuar. Ndërsa në një relacion të dytë vëmë re se kursi i lundrimit të anijes ishte në kufijtë e zonës së minuar.

U C – 14

Ekspedita ndëshkimore e nëndetëses gjermane

Të gjitha burimet dokumentare austro – gjermane ja atribuonin mbytjen e “Regina Margherita” një nëndetëse gjermane që i përkiste bazës detare austro -hungareze të Polas (Kroaci ), por këtë të dhënë e konfirmonin edhe historianët më në zë të marinës austro – hungareze. Së fundi, në një dokument gjerman të asaj kohe lexohet: “11 Dezembr 1916. Montag vor Valona sinkt Regina Margherita auf einer von U C- 14 gelegten Mine (ca. 600 +), ku praktikisht thuhej se anija ishte shkatërruar nga një minë e lënë në det prej nëndetëses UC -14. Ky version i fakteve mund të jetë edhe shpjegimi i një thirrje të komandantit të anijes Bozzo në momentin e shpërthimit të parë: “E kemi nga austriakët, ata na e kanë bërë!”. Në fillimin e armiqësisë me Italinë, austriakët kishin një flotë të konsiderueshme nëndetësesh, gjithsej gjashtë njësi, për të cilat do të vendosej, në marrëveshje më palën gjermane, një bashkim me nëndetëset gjermane, të cilat do të transferoheshin në rrugë hekurudhore në bazën detare të Polas. Kështu aty erdhën shumë nëndetëse të tipit UC 14, të cilat nuk ishin të pajisura me silurë, por kishin në përbërje të tyre pajisje minimi për zona jashtë porteve ku kalonin linjat e zakonshme të navigacionit . Një ndër viktimat e famshme të kësaj lloj lufte ishte anija – spital angleze, njëlloj binjake e Titanikut, që fundoset në kanalin e Keas, në Greqi, në datën 21 nëntor 1916.

 

 

Marina Mbretërore Italiane

Misteri që mbuloi mbytjen e kryqëzorit

Lidhur me paqartësitë dhe të dhënat kontradiktore ndërmjet raportit italian dhe dokumenteve gjermane tregon interes edhe admirali Celeste, i cili, do të dilte jashtë fushës së minuar dhe kanalit të sigurisë, jashtë llogaritjeve të gabuara të rrugës, shpejtësisë dhe kohës së njohur të kapërcimit, por edhe nga pika e saktë e gjetjes së relikeve, duke sqaruar se pozicioni i anijes, në çastin e mbytjes ishte brenda kanalit të sigurisë të fushës së minuar. Sigurisht, është mjaftë vështirë të që të thuash se minat që shpërthyen dhe mbytën Regina Margherita të jenë minat gjermane të UC14 apo minat italiane të shkëputura prej anijes nga furtuna e madhe e asaj dite, por me siguri mund të thuhet se komandanti Bozzo nuk bëri asnjë gabim, ose më mirë, asnjë gabim vlerësimi në drejtimin e anijes brenda kanalit të sigurisë (mes Sazanit e Karaburunit) që do t’i lejonte daljen pa asnjë lloj dëmtimi nga Gjiri i Vlorës. Por fakt është se nëndetëset, sidomos nëndetëset gjermane dhe sabotimet e ndryshme, do të ishin arsyet kryesore të shumë humbjeve jo vetëm Marinës Mbretërore italiane, por edhe te aleatëve francez e anglez. Ndërmjet anijeve më të rëndësishme ushtarake italiane që humbën nga këto arsye mund të përmendim: kryqëzorin e koracuar Amalfi, i siluruar përball portit të Venezia, anijen Garibaldi, e mbytur ndërmjet Raguzës dhe Kotorrit, korazatat “Benedetto Brin” e Leonardo Da Vinci, të mbytura respektivisht në Brindisi dhe Taranto nga aktet sabotuese të kryera nga organizata qendrore e spiunimit austriak në Berën. Që të gjitha humbjet e anijeve që ndodhen, në dy vitet e para të luftës, do të bënin një përshtypje të madhe në opinionin publik, i cili do të bënte lëvizje të forta dhe kritika të ashpra që lidheshin me administrimin e operacioneve navale. Në atë kohë edhe për “Regina Margherita” u fol shumë. Kjo anije ishte e fundit në listën e anijeve të përfolura për veprime sabotazhi dhe komandimi të keq. Por vetë koha tregoi se ishin vetëm fjalë të lëshuara pa asnjë lloj baze. Ne Romë, politika akuzonte Komandën e Marinës për faktin se humbjet ishin pasojë e një aktiviteti mjaft të gjerë që, në vende që të sillte avantazhe nuk bënte gjë tjetër veçse i ekspozohej sulmeve të armikut. Për këtë qëllim, rreth dy muaj nga mbytja e anijes Regina Margherita, në datën 7 shkurt 1917, vendoset shkarkimi i komandantit të Marinës Luigi di Savoia-Duka i Abruzios, së bashku me; admiralët Cagni dhe Millo, ky i fundit komandant i trupave italiane në Vlorë i cili kishte dhënë urdhrin e nisjes të anijes për në Taranto. Largimi i dukës së Abruzios aprovohet nga Mbreti i cili do të ngarkonte me detyrën e komandantit të Mrinës Mbretërore admiralin Thaon de Revel. Historia e Regina Margherita bëhej gjithmonë e më interesante, kjo edhe për faktin e disa aspekteve të errëta, akoma të pa kuptueshme, të mbytjes saj. Gjithsesi edhe nëndetësja UC 14 do të kishte një përfundim të keq: 3 tetor 1917, pas rikthimit në Gjermani futet në përdorim për minimin e brigjeve angleze dhe gjatë kthimit nga njëri prej këtyre misioneve shpërthen në detin e Veriut, në afërsi të portit të Zeebrugge, ndoshta nga vetë shpërthimi i njërës nga minat e saj, gjë që çoi në humbjen e të gjithë ekuipazhit.