Gjergj Kastrioti Skënderbeu shtetar dhe strateg brilant

2292
Prof. Dr. Pajtim RIBAJ 

Jeta, vepra dhe lufta titanike e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i vlerësuar, pos të tjerash dhe si “atlet dhe mbrojtës i krishtërimit” apo “parzmore në gjoks të Evropës”, që prej kohës që ai jetoi e deri në ditët e sotme vijon të ngjallë interes të veçantë. Jetës e bëmave të heroit nga kronikanë, biografë, shkrimtarë, studiues e historianë të panumërt, vendas e të huaj i janë kushtuar me qindra e mijëra libra e studime. Si një figurë historike ”përcillet” me dengje dokumentesh nëpër arkivat e vendeve të fuqishme e biblioteka të panumërta gati në tërë botën. Pjesë të trajtesës së mëposhtme, janë shkruar në një distancë kohore para 25 vitesh, si referat në një konferencë shkencore, janë publikuar dhe botuar brenda vendit si edhe në revista të huaja në Slloveni, Zvicër etj. Ajo është e përkthyer në fondin e disa bibliotekave të huaja e shoqëruar me një vlerësim nga historiani amerikan Dr. Daniel F. Harrington, i cli mes të tjerave shkruan: (…) Gjenerata e re e Amerikës ka pak kontakte me popujt e Evropës Lindore. (…) Ndoshta asnjë vend nuk është një mister tek ne sesa Shqipëria e vogël, e izoluar, e varfër. (…) Asnjë episod nuk shkëlqen më shumë në mendjen e tyre se lufta e tyre e gjatë e shekullit XV kundër pushtuesve turq dhe asnjë figurë kombëtare nuk ka aq shumë peshë sa udhëheqësi i kësaj lufte, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. (…) Mund të duket e papranueshme që amerikanët të mund të mësojnë ndonjë gjë nga betejat e një njeriu i cili vdiq 24 vjet se Kolombi të zbulonte Botën e Re. Akoma, mjeshtëria, taktika e Skënderbeut, kuptimi i forcës dhe dobësisë së kundërshtarit, përdorimi i terrenit, udhëheqja e tij gjeniale, janë të denja për tu studiuar.

Një epokë e re historike
Historiografia jonë tashmë i ka dhënë përgjigje premisave objektive shoqërore politike të domosdoshme për shpjegimin e luftës titanike që ka bërë populli ynë nën udhëheqjen e Skënderbeut. 

Së pari, niveli ekonomik mjaft i lartë i pasqyruar sidomos në prodhimin e drithërave dhe përpunimin e metaleve, në lulëzimin e qyteteve etj. Në prag të shekullit XV zhvillimi politiko-shoqëror e kulturor i vendit ecte me ritme të barabarta me vendet e tjera të zonës së Ballkanit e Adriatikut. 

Së dyti, interesimi jetësor i masave të prekura drejtpërdrejtë nga vërshimet e pushtuesve të huaj e nga pasojat e tyre. 
Së treti, ekzistenca e një shtrese shoqërore të aftë dhe e interesuara për të kryer funksione drejtuese. “Njerëz të shkolluar që luajtën një rol drejtues në luftë, kancelar, magjistër, klerikë e oratorë shqiptarë, i gjejmë në shërbim të Skënderbeut” (A. Buda). 

Të tillë ishin dhe ata udhëheqës luftarakë të kërkuar si mjeshtër të artit të luftës dhe jashtë Shqipërisë në mbretërinë e Napolit, Venedik, Dalmaci, Sicili. Të dhënat arkivore flasin se lufta e madhe që u zhvillua në Shqipëri nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike. Ai u përgatit disa vjet për kthesën historike, forcoi lidhjen me popullin e vet duke mos lënë pas dore dhe lidhjet me botën e jashtme, “ njohu forcën dhe pulsin e bashkatdhetarëve, por edhe masat njohën talentin dhe urtësinë e kapitenit para se t’i përvisheshin epopesë legjendare” (K. Frashëri)…

Dalja e Skënderbeut në krye të jetës politike ushtarake, favorizohen nga një varg faktorësh, së pari:
a. Roli i madh i Skënderbeut në organizimin e kryengritjes së përgjithshme më 1443-shin.

b. Shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve ne qendër të viseve të lira të vendit. Ai shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës, arrinte në lindje në afërsi të Shkupit si dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhni krahinat jugore me verioret dhe lindoret me perëndimoret. Në veri të Shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jelicës (Sanxhakut), të Guntes (Zeta). Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Aranitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve që ishin kritike me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte dhe pesha kryesore e luftës kundra pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te rrjedhja e lumenjve Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.

c. Lidhjet farefisnore e martesore me sundimtarë të fuqishëm. Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të fuqishëm të zotëve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas Barletit, jetonte në Pollog. Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve fisnike më të fuqishme të kohës. Vetë Skënderbeu u bë dhëndër i Gjergj Aranitit, ndërsa Muzakë Topisë i dha bashkëshorte të motrën, Mamicën.

Zotërimet e këtyre feudalëve, jo vetëm kishin një potencial shumë të madh, por ndodheshin në zona strategjike që diktonin masa të forta sigurimi e mbrojtjeje. Nëpër to kalonte Rruga Mbretërore ( Egnatia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën.

d. Favorizuese për Skënderbeun ishte dhe qenia në duart e tij e Krujës, si qendra më e rëndësishme politike-ushtarake e tokave shqiptare të çliruara. Është rasti që theksojmë, se i ati i heroit, Gjon Kastrioti, hero i rezistencës paraskënderberiane, kish futur dhe pjesë të Kosovës në zotërimet e tij. Pra Skënderbeu ka pasur një backgroung familjar që përbën dhe një argument dhe motiv më shumë për rezistencën e tij. Kastriotët u shndërruan në aktorë kryesorë në skenën politike shqiptare që në fillimet e shek. XV, për të bërë më pas (duke filluar nga vitet ’40 ) në kohën e Skënderbeut familja që “do të stamponte emrin e vet në tërë historinë e këtij shekulli” (Duka, 34)

e. Por, mbi të gjitha këto kushte favorizuese dominon personaliteti i Skënderbeut, që kishte te gjitha ato cilësi, më tepër se kushdo tjetër, për të përmbushur detyrat e kohës.
Të gjitha burimet e kohës sjellin faktin se Skënderbeu ka pasur një formim të plotë e të gjithanshëm qe vihej në radhët e para të figurave politike e ushtarake te kohës. Ai dinte turqisht, arabisht, greqisht, latinisht e sllavisht, kishte mësuar histori e politike e sidomos mjeshtërinë e artin luftarak. Kultura e gjithanshme, vetitë e shkëlqyera, karriera brilante në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë, njohës shumë i mirë i jetës e artit ushtarak osman, si më moderni në kohë dhe sidomos, njohja shumë e mirë e gjendjes e mundësive ekonomike, ushtarake e financiare të vendit të vet, ishin parakushtet e domosdoshme për të kaluar e dominuar si kapiten i përgjithshëm i luftës.
Burrë i shquar shteti
Skënderbeu jetoi e veproi në epokën e Rilindjes Evropiane. Atë që humanistët e shquar të Rilindjes e predikonin me zjarr, lirinë e njeriut e të atdheut, besimin në forcat krijuese të popullit, zgjimin e vetëdijes kombëtare etj, Skënderbeu, jo vetëm i predikoi, por i vuri në jetë. Për këto ide të mëdha ai ngriti në këmbë një popull të tërë dhe ia lehtësoi frymëmarrjen Rilindjes Evropiane. Ai u bë kështu një titan shqiptar i Rilindjes, “që vërtetë nuk la trakte të shkruara latinisht, por shkroi me gjak një vepër të gjallë madhështore, tek e cila kërkuan e gjetën frymëzim, jo vetëm shekulli i tij, por edhe shekujt e ardhshëm” (A. Kostallari).“Historia,-shkruan S. Frashëri për vetitë e kryetrimit tonë,- s’i tregon shok e shembull në trimëri, në të diturit e luftës, në forcë e në dijet, në mendime të drejta me njerëzit, në ëmbëlsi të zemrës e në madhështi të shpirtit”.Ishte meritë e tij thirrja e Kuvendit të Lezhës, e kësaj aleance politike ushtarake me kryetar vetë Skënderbeun. Vendimet shumë të rëndësishme te lidhjes për organizimin e ushtrisë dhe krijimin e arkës së përbashkët, janë vepra lapidare e parakushte për epokën e Skënderbeut në vijim. Emri i tij u shndërrua, jo vetëm si simbol i mbrojtjes së qytetërimit, por dhe një përmendore e rrallë e historisë së lavdishme kombëtare, e fuqisë së bashkimit të shqiptarëve në luftë për ruajtjen e identitetit të tyre. “Skënderbeu, thotë M. Shuflaji – është pjella më e shkëlqyer e popullit të tij dhe luftëtar më i tmerrshëm që krijuan në përgjithësi luftërat e Evropës me turqit.” Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira në një shtet të përbashkët u pasqyrua dhe në raportet e ndryshme midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtues e jetës politike të vendit. Në e në vitet ’40 ai do të përmendet “zot i Krujës”, më pas do të cilësohet si “zot i Arbërisë” dhe më 1464, me rastin e ardhjes së Papa Piu II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun. Organizimi shoqëror i shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut ka qenë i ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Krahas tyre gjendën dhe shtresëzime të së drejtës dokësore shqiptare, si një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita të vetë-organizimit lokal në bazë fshati e më gjerë. Vend të veçantë në të drejtën tokësore shqiptare kishte institucioni i besës, si një kult kombëtar që ka zënë vend edhe në korrespodencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja etj. Njëherazi, shteti shqiptar nën drejtimin e Skënderbeut kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendore dhe shprehnin sovranitettin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Ai, krahas evokimit të lavdisë, përdori simbolet shtetërore të Pirros ( shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë( shenja e Diellit) si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin cilësor kulturor e humanist si dhe prioritetet në mbështetjen e traditës vendore për t’i dhënë frymë kombëtare shtetit shqiptar dhe luftës anti-osmane. Njeriu trim i besës dhe provës se virtytit do t’i shkruante princit të Tarantit, se çfarëdo që do të ndodhë unë do të jem miku i virtytit dhe jo i fatit. Te Skënderbeu princat e parasë, gjen një burrë shteti që ishte më i fortë se paratë e tyre, një burrë që ata me frikë e nderim e quajtën “il formidabile”” (e tmerrshme) Personaliteti i veprimtarisë së strategut brilant, kalorësit të pathyeshëm, mburojë e qytetërimit evropian ” themeluesit të Shtetit më të njohur e më të fuqishëm mesjetar të Arbrit dhe njëherësh të farkëtuesit të shpirtit të Arbrit”( M. Verli) bënë atë që për 25 vjet realizoi të pamundurën dhe të pabesueshmen, duke na lënë të habitur dhe sot.
Strateg i lavdishëm
Me Skënderbeun lidhet fenomeni historik që ka marrë emrin “Epoka e Skënderbeut”.Siç del dhe nga veprat e M. Barletit, Skënderbeu ishte dhe je edukator i shkëlqyer dhe gjeneral i ushtrive të veta. Ai ka meritën e edukimit e të përgatitjes të një brezi të tërë komandantësh të shquar që jo vetëm në trimëri por edhe në shkallë dijesh e kalitjesh të lartë thyen disa gjeneralë me në zë të Turqisë. Për këto, sikurse thotë Noli, ai meriton lavdërimin e gjeneralit Xhejms Uells: “Ai shkëlqeu mbi gjithë gjeneralët e vjetër dhe modernë në drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Sipas mjaft studiuesve, Skënderbeu kapërceu jashtëzakonisht shumë, si pararendësit ashtu dhe bashkëkohësit dhe gjeneralë modernë që u përpoqën të imitonin atë në një art aq të vështirë. Ballkani dhe Evropa shikonin tek Skënderbeu një kapiten të madh, bile edhe në Berat, e vetmja betejë e humbur. Prandaj siç pohon Fallmeyer, Gjergj Kastrioti, njihet ne artin e luftës “si një nga krye luftëtarët më të mbaruar, me faqebardhë e më të mëdhenj të të gjitha kohërave, fitonjës i kurorëzuar me dafina, që u thye vetëm prej vdekjes”. Skënderbeu është ndoshta rast i rrallë, sepse asnjë nga ushtarakët e famshëm nuk u ndodh në kondita aq të disfavorshme sa ai. Ai bashkonte me përsosmëri autoritetin e burrit te shtetit me atë të krye gjeneralit, megjithëse pati në dispozicion më pak burime dhe forca materiale, më pak mundësi se cilido nga strategët e shquar pararendës në artin e luftës dhe për këtë, bëhet më e padiskutueshme gjenia e Skënderbeut. Skënderbeu është talent e strateg i shquar, “katror nga lartësia dhe nga baza” po të përdornim shprehjen origjinale të Napolonit, që sintetizojnë cilësitë e një gjenerali të madh. Bëhet më bindëse kjo, kur vetë Napoloni do ta vlerësonte Skënderbeun një ndër katër strategët më të shquar të të gjitha kohërave. Skënderbeu shkatërroi kultin e kondotierëve ku prijësit e “famshëm” evropianë i bënin luftërat me shkumës në dërrasë të zezë me diskutimin e teorive “të thella” e plotë elegancë, me manovra rrethuese, okupime demonstrative dhe e shumta me prerjen e rrugëve të furnizimit. Mjafton të dihet se ç’përfaqësonte Perandoria Osmane dhe ushtria e saj, për t’u bindur për vlerat e padiskutueshme të ushtrisë shqiptare. Turqit osmanë me luftërat dhe fushatat plaçkitëse ishin kthyer në një shtet të fortë, veçanërisht në shekullin XV e XVI, kur kjo perandori ishte në kulmin e saj. Ajo “zotëronte territore të mëdha në Evropë, Azi, Afrikë, me sipërfaqe 8 milionë km katrorë. (Sovjetskaja Vojenaja Encilopedia).Vëmendja e të gjithë sulltanëve drejtohej veçanërisht në forcimin e ushtrisë mbi bazën e kalorësisë së spahijve, Ndërkohë korpusi i jeniçerëve u bë bërthama e kësaj ushtrie. Turqit krijuan dhe reparte të tjera speciale siç ishin akinxhinjtë, reparte të lehta sulmi (akin). Ushtria turke u pajis me artilerinë më moderne të kohës dhe u shqua për përgatitje e disiplinë të lartë e furnizim, të cilit i kushtohej kujdes të veçantë. Formulime të tilla si: “midis teje dhe parajsës qëndron armiku”, “ushtari në fushën e betejës lufton, jo vetëm me shpatën, por dhe me zerde dhe pilaf”, “atje ku ka shkelur këmba e kalit tënd atje gjithçka është e jotja” etj. shprehin kodin etik të përgatitjes, morale, disiplinës e forcën joshëse të shërbimit në këtë ushtri. Të rralla janë ato figura si Skënderbeu që kanë pasur udhëheqje me zgjatje kohore e bilanc të tillë fitoresh. Huniadi i madh, bashkëkohës i Skënderbeut, vijoi luftën për 14 vjet. Sipas Barletit “Huniadi nuk provoi kurrë ndonjë armik tjetër përveç barbarit, ndërsa Kastrioti nuk fitoi me pak emër e lavdi “nga lufta ne Itali dhe nga çlirimi i mbretërisë së Napolit”. Edhe një gjeni si Napoloni që luftoi, aq sa Skënderbeu 25 vjet, e mbylli karrierën me disfatë, ndërsa Skënderbeu me vdekje, “I vetmi armik që nuk mund të mundej”, do të shkruante Bekoni, dhe duke iu dhënë mundësi shtetasve të tij të provojnë shijen e fitores dhe të lirisë për një kohë të gjatë.
– Vijon –
Sigal