Gjergj Kastrioti Skënderbeu i pavlerësuar nga kasta ushtarake në Shqipëri

77
Kol. (P) Zyhdi Kroj
President Nderi i Shoqatës KURSH
-Përtej fasadës së “Vitit i Skënderbeut-2018”-
Titulli i shkrimit nuk përmban vetëm kritikën, por e konsideroj edhe si kujtesë për institucionet ushtarake në Shqipëri, lidhur me vlerësimin dhe respektin për këtë gjigant të kombit tonë në pikëpamje të strategjisë ushtarake që ideoi dhe zbatoi për një çerek shekulli kundër pushtuesve osmanë. Me aq sa kam informacion dhe pse jemi në Vitin Jubilar të Skënderbeut nuk po zhvillohen veprimtari kushtuar tij, botime të mirëfillta ushtarake, kushtuar Skënderbeut, të cilin një enciklopedi e huaj e ka radhitur ndër dhjetë strategët më të mëdhenj të historisë ushtarake.

Ja disa shqetësime që kam unë por edhe shumë kolegë lidhur me vlerësimin e figurës së Skënderbeut.

Së pari, mungon një botim i mirëfilltë ushtarak, nuk ka rëndësi emri i tij por objekti i tij të jetë strategjia ushtarake e Skënderbeut. Unë e kam mbaruar akademinë ushtarake herët, por edhe sot studentët ushtarakë kudo që studiojnë e njohin strategjinë ushtarake të Skënderbeut. 

Për Skënderbeun, historinë e bëmat si prijës ushtarak janë botuar shumë libra historike, romane, janë shkruar opera (një e tillë madje edhe në Shqipëri) dhe janë prezantuar portrete të tij, por për elitën ushtarake në Shqipëri (nuk po e quaj kastë për të shmangur ndonjë keqkuptim) është e pafalshme mungesa e një botimi specifik si strateg ushtarak, të cilën perëndimi e ka quajtur mbrojtës të krishterimit. Kur duam të flasim e shkruajmë për Skënderbeun bëjmë mirë që u referohemi autorëve të huaj, sepse i konsiderojmë burime të besueshme. Por nuk duhet të harrojmë që në jo pak raste ka tendenca për të minimizuar famën dhe meritat e tij, disa i zvogëlojnë përmasat e trupit, të shpatës e mburojës, madje i ndryshojnë kombësinë apo gjenealogjinë familjare. Ndonëse vonë por “më mirë vonë se kurrë”, institucionet mësimore ushtarake duhet të marrin nismën për përgatitjen dhe botimin e këtij dokumenti të munguar (pak rëndësi ka emri që do marrë). Le ta fillojë komanda e doktrinës, Akademia e Mbrojtjes, Sektorë shkencorë, Shoqata e Historianëve Ushtarakë, nën udhëheqjen e Shtabit të Përgjithshëm. Një program dhe një maket paraprak para botimit t’i nënshtrohet diskutimit të gjerë mes specialistëve, historianëve, gjeneralëve dhe atyre që mbajnë grada shkencore.

Së dyti, me sa di unë në Shqipëri nuk ka asnjë institucion mësimor ushtarak me emrin Skënderbe. Para disa viteve, ish-shkolla e Bashkuar mori emrin “Skënderbe”, më vonë u shndërrua në universitet ushtarak me të njëjtin emër, por çuditërisht me ndërrimin e qeverive apo ministrave u hoq emri i tij. Madje edhe akademisë ushtarake me emrin “Spiro Moisiu” iu hoq emri dhe sot quhet Akademia e Mbrojtjes. Ideatorët dhe ekzekutorët e tyre, sa janë injorantë, aq edhe antikombëtarë, sepse emri i Skënderbeut i ka frymëzuar në shekuj shqiptarët në luftërat e gjata për rezistencë e mbijetesë.Në thelb sistemi arsimor ushtarak nuk ka asgjë shqiptare, sepse edhe studentët (nëse ka të tillë) për oficerë të rinj përgatiten diku jashtë, por që kur e nisin karrierën ushtarake me shpirt u mungon nostalgjia, dashuria dhe adhurimi për strategjinë ushtarake të Skënderbeut. Kjo është një temë më vete, meriton diskutim e korrigjim të gabimeve aq sa është e mundur në këtë stad. 

Së treti, duke u interesuar për ekzistencën e institucioneve arsimore ushtarake mësova se njëri prej tyre, Komanda e Doktrinës drejtohet nga një mjek. Nuk e njoh e as e paragjykoj, por për kapacitetin e meritat e tij ai mund të emërohet ministër i shëndetësisë, por kurrsesi drejtues i një institucioni mësimor ushtarak. Jo vetëm kaq, por meqenëse e kërkon funksioni ka marrë edhe gradën e gjeneralit. Këtë unë e konsideroj edhe fyerje ndaj kolegëve që kanë formim ushtarak të kompletuar e karrierë të suksesshme e natyrisht e synojnë yllin e gjeneralit. Është e nevojshme që të rishikohet ligji për gradat ushtarake, unë gradën ushtarake e konceptoj si atribut i nivelit të formimit dhe të karrierës ushtarak jo si është vepruar deri tani që edhe gradat ushtarak ndjekin trendin e dekorata pa kandar që kanë dhënë presidentët e Republikës. Pavarësisht opinionit tim, mendoj se institucionet ushtarake, ato mësimore e shkencore i kanë burimet intelektuale që me vullnet e profesionalizëm të korrigjojnë ato që janë bërë gabim. Unë përmenda shkurt tre konstatime, por ka dhe shumë të tjera. Reflektimi ndaj gabimeve është përgjegjësi e njëherazi fisnikëri për këdo që guxon të shfaqet i tillë