Gjergj Basta dhe kalorësia e lehtë

1651
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Studiues i dukurive dhe fenomeneve ushtarake
Gjenerali Gjergj Basta në fushën e luftës u nis nga studimi i dukurive dhe i fenomeneve ushtarake dhe shkroi teori ushtarake. Ai u la ushtrive dhe udhëheqësve të tyre tri vepra, të cilat u ribotuan në italisht dhe më tej në frëngjisht, në spanjisht e në gjermanisht. Rregulloret “Udhëheqësi i veprimeve të përgjithshme luftarake”, “Drejtimi i kalorësisë së lehtë”, “Mbi drejtimin e artilerisë” u cilësuan vepra themeltare, mbi bazën e të cilave u ndërtuan dhe funksionuan ushtritë tri armëshe të kohës që janë. Letërsia ushtarake evropiane “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” e vlerëson vepër madhore dhe ka zënë vend si rregullorja e parë e organizimit të kalorësisë së lehtë. Vepra e Bastës konfirmon kalorësinë famëmadhe arbëreshe, të cilën autorë francezë, analistë gjermanë deduktonin se “arbëreshët kërkoheshin e vlerësoheshin shumë në ushtritë evropiane” në shek. XV-XVI. Vepra, parathuhet në kapak, është një traktat ushtarak origjinal i shkruar nga Gjergj Basta, e dobishme për ushtarët dhe për luftëtarët, e frytshme për kapitenët. Duke dhënë dhe mbajtur në ushtri, si dhe në beteja një promemorie orientuese, në atë kohë ishte një përjashtim, një dukuri e mirëpritur. Katër pjesët e veprës ishin një sintezë teorike-përgjithësuese e fakteve, ngjarjeve, luftimeve, personazheve etj., në mënyrën e drejtimit të kalorësisë, në ngritjen dhe përpunimin e një art ushtarak, në njohjen e jetës së luftës, të përpunuar e të përjetuar nga strategu, si dhe mbresa e emocione si luftëtar e si mendimtar. Disa dukuri që tërheqin vëmendjen janë trajtimi i jetës ushtarake, detyrat e vështira, përdorimin mjeshtëror i armëve dhe pajisjeve mbrojtëse, si dhe dashuria e përkujdesin për kalin nga ushtari i thjeshtë deri te gjenerali. Gjergj Basta me vizionin e tij si ushtarak ka bërë vlerësime kalorësive më të përparuara të ushtrive. Vende si Franca, Gjermania, Spanja, Hungaria, Turqia ishin shembujt e zgjedhur, duke arritur në përfundime të këtij mekanizmi, siç ishte kalorësia. Sipas tij mbetet në fuqi pikëpamja e tij se, vetëm me stërvitje të kualifikuar, ushtria sapo përleshet trup me trup me armikun, i shkakton atij humbje shumë të mëdha. Dukuri e përhershme ishte kacafytja e shpejtë, përleshjen dhe tërheqja nga sheshi i betejës me t’u dhënë sinjali.
Basta, strateg ushtarak
Gjenerali i sprovuar me fitore e hidhërime konkrete, rekomandon këshilla se nga vendi i caktuar për luftim, kalorësi duhet të lëvizë vetëm atëherë kur oficeri do të lajmëronte me anën e katër apo gjashtë kalorësve, të cilët do të sillnin urdhrin. Basta shfaqi aftësi si strateg ushtarak duke qenë i qetë, i paepur, në marrjen e masave për vigjilencë, i siguron njerëzit, u ngre moralin, bën planin e çarjes së rrethimit edhe në mes të natës. Mbledh kolonelët, asgjëson e djeg krejt bagazhin e rëndë, i lehtëson ushtarët nga pesha e armatimit dhe shpërthen rrethimin duke zënë lartësitë me shpejtësi e në heshtje të plotë, në mes të natës. Shpërthen sulmin dhe arrin fitore. Kalorësit e Bastës asgjësonin në një kohë të shkurtër gjithë pasurinë e grumbulluar të kundërshtarit. Ndaj dhe për disa javë me radhë, venedikasit regjistruan lajme marramendëse, ku thuhet se vlera e plaçkës arrinte në qiell. Interesant është fakti, se Gjergj Basta kishte kurajën të citonte gabimet e tij dhe pasojat, sidomos për marshimet. Marshimet ishte lënda ku përshkruhen dhimbjet dhe kënaqësitë e luftimit për të hyrë në luftë i organizuar, me dinjitet dhe për fitore. Errësira e natës dhe kalimet në terrene të vështira, për teoricienin-strateg, mbartin vlera befasuese, dobiprurëse të pallogaritshme në dy llojet e rreshtimit, në formë hëne e gjysmë hëne.
Artin e të luftuarit e mësoi nga këngët e tregimet e mjediseve arbëreshe për veprën e Skënderbeut
Vepra e Gjergj Bastës përshkohet nga analiza dhe konkluzione, shpirti i një mendjeje gjeniale. Artin e të luftuarit ai e dëgjoi në mjedise arbëreshe, atë të farefisit, e pa dhe e mësoi me të atin, mësues, e përvetësoi dhe e lartësoi në fushëbetejë, e studioi dhe e shndërroi në teori në luftë e pas saj. Një testament, dëshmi e pa kontestueshme e gjenisë krijuese e një mendimtari të shquar, siç ishte kujtimi dhe nderimi i emrit simbol të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u përligj. Gjenerali ishte nga të parat që kodifikoi parimet dhe elementet e luftimit të këmbësorisë e të kalorësisë, që u përkrah fuqishëm nga kancelaritë ushtarake, nga historianët, nga komandantët dhe nga ushtritë e të gjithë Evropës. Teoria e tij përmbysi doktrinën klasike, të rëndë, të pamanovrueshme, duke e freskuar dhe gjallëruar mendimin e praktikën luftarake me një teori të çliruar nga kornizat e ngurta të sistemit ushtarak feudal. Basta përgjithësoi një epokë. Në bosht të veprës së tij vuri talentin triumfues të Skënderbeut, përvojën me bollëk të bashkëluftëtarëve arbëreshë, të babait, të vëllait Nikoll, të komandantëve shumëkombësh. Si njohës i përkryer i artit ushtarak, i talentuar për të penetruar në sferën e përpunimit, Gjergj Basta shpjegon detaje të thjeshta duke mbaruar në të ndërlikuarat gjatë formulimit dhe përshkrimit të çdo teze. Pasqyrimi tri dimensional me syrin kritik, me një gjuhë të kuptueshme e koncize, me shembuj konkret dhe personazhe të pa improvizuar, i japin veprës së tij një tipar tjetër dallues e të respektuar.
Vlerësime për fenomenin Basta
Dukuria Basta ishte shprehja e cilësive dhe e tipareve të natyrës shqiptare, që përputhen me shpirtin e tij të energjisë dhe të karakterit të vendosur, me zotësinë e tij ushtarake dhe cilësitë organizative. Sikurse dëshmon Prof. Çabej, zotësia ushtarake është e lindur prej kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm. Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi. Ndër vetitë fiziko-morale-ushtarake veçojmë, trimërinë apo qëndresën kreshnike të tij, ndershmërinë në aleanca, zellin dhe besnikërinë në të shërbyer, nuhatjen e rrezikut dhe të situatave të ndërlikuara, sidomos në shesh të luftës, hollësinë dhe praninë e jashtëzakonshme të mendjes, kurajën e lindur nga jeta me rreziqe, marrjen e nismës së fortë në çastin dhe në vendin e duhur. Teoricieni dhe strategu me origjinë nga Shqipëria rrëmbeu mendjet e zemrat, adhurimin e konsideratat e mijëra simpatizantëve e komandantëve bashkëkohës, të mjaft personaliteteve me zë të Evropës. Vlerësimet për të janë të shumta dhe të larmishme. Ato japin portretin e plotë të Gjergj Bastës. Në mjaft “Enciklopedi Ushtarake” të Evropës, jepet e njëjta sentencë se Gjergj Basta ishte gjeneral… me origjinë shqiptare… Është marrë edhe me letërsi ushtarake… Më i rëndësishëm është traktati “Drejtimi i kalorësisë së lehtë” Kjo vepër mund të cilësohet si pararendës e letërsisë së mëvonshme për luftimin e vogël. Kardinali G. Bentivolio që shërbeu nëntë vjet në Vendet e Ulëta ku strategu shpalosi madhështinë, e quan Bastën “Gjeneral të kalorësisë dhe një komandant i madh. Studiues të pasionuar nga Franca, Bastës i japin mirënjohje të veçanta për teoricien. Autorë të dëgjuar të artit ushtarak francez, si G. Node dhe P. Bail, nënvizojnë se në veprat e shkruara nga Gjergj Basta gjendet shkëlqimi i shprehjes dhe kriteri i sigurt i një udhëheqësi ushtarak të sprovuar. Francezi i tretë Zh. Sh. Folardi biograf thekson se Gjergj Basta ka qenë njeri nga kapitenët dhe burrat më të mëdhenj të kalorësisë së shekullit të tij dhe njëherazi autor teorik i çmuar. Dukuria Basta ishte shprehje e artit të lashtë ushtarak shqiptar, përsosur në periudhën e Skënderbeut. Ky ishte një kontribut me vlerë në artin ushtarak evropian duke futur në të për herë të parë, taktikën dhe strategjinë e kalorësisë së lehtë shqiptare, sintetizuar në veprat e komisarit të përgjithshëm të kalorësisë, shqiptarit Gjergj Basta.


Sigal