Gjenerali në pushkatim të trefishtë

1548
Skënder Guma Ish- Kolonel
I katërti gjeneral në radhën e gradimit , por i pari komandat i formacioneve më të mëdha të UNÇ-ës , ndonëse me një kulturë ushtarake të lartë për t’u patur zili, Dali Ndreu pati karrierën më të shkurtër nga të gjithë gjeneralët e tjerë të luftës.

Shkëlqim meteorit dyvjeçar i një gjenerali, në qiellin e zymtë shqiptar të pasluftës së Dytë Botërore, do të paralajmëronte se për vendin e shqiponjave do të kishte vend vetëm për një gjeneral. Ky komisar gjeneral do t’i eleminonte një pas një të gjithë ushtarakët madhore për t’u vetëshpallur kryegjeneral. Kapogjenerali i vetëgraduar, përpara se ta eleminonte gjeneralin e radhës, ia ngrinte lavdinë atij në qiell. Kur viktima ishte dehur nga lavdia, ai e godiste llahtarshëm. Fundi tragjik i një ish -gjenerali në 82-shin, emërdëgjuar i luftës Mehmet Shehu, do të vuloste dekretin e gradimit të vetë diktatorit: Kryegjeneral i gjeneralëve të likuiduar!….

Zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-ës, tridhjetëenjëvjeçari Dali Ndreu, ndoshta është më i panjohuri gjeneral i saj. Sepse vjeshta e parë e 46-ës, që rëzon grada gjeneralësh si fletë të zverdhura pemësh, edhe D.Ndreun, oficerin e Shtatmadhorisë, por edhe komandantin e të parës Korparmatë të UNÇ-ës e nxjerr në lirim. Në memorien e veteranëve të paktë që jetojnë, Dali Ndreu ka mbetur vetëm si një disident disi abstrakt për ngjarjet e pesëdhjetëgjashtës. Por Daliu nuk është i pranishëm fizikisht në Konferencën e Tiranës 56, sepse qe i përjashtuar nga partia. Mehjithatë ai, ndoshta për hir të së shoqes, anëtares të Byrosë Politike ,Liri Gegës, ndoshta më shumë për shkak të saj, është protagonist fantazëm i asaj konference. Të paktën kjo del nga frazat e mjegulluara në veprat e diktatorit. Por edhe nga fakti që pas kësaj konference ata pushkatohen të dy, burrë e grua, ish luftëtarë të shquar në luftën për çlirimin e vendit nga ekupatorët nazifashistë. 

Dali Ndreu lindi më 10 mars 1912 në Sllovë të Peshkopisë. Ai rridhte nga një familje ndër më të zëshmet për tradita atdhetare. Babai i tij Isuf Xhelili, që s’e kish hequr armën nga dora kundër pushtuesve turq, serb e bullgarë, përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, vritet bashkë me axhën e tij, patriotin e shquar Elez Isufin, në dhjetor 1924 nga A. Zogu.Në vitin 1931 Daliu përfundon shkollën ushtarake të artilerisë në Tiranë ku titullohet oficer dhe shërbeu në ushtri . Për ide dhe veprimtari antizogiste, veçanërisht pas tentativës revoltuese të ushtarakëve kundër rregjimit, në Fier më 1935, bashkë me oficirë të tjerë, arrestohet dhe lirohet nga ushtria. Pas kryerjes së burgimit, shkon për të kryer studimet e larta në fakultetin e shkencave ekonomike në Fierence të Italisë. Po nuk i mbaron ato, pse Italia pushtoi Shqipërinë dhe ai kthehet në atdhe për tu hedhur në veprimtarinë antifashiste. Me krijimin e njësitit luftarak të Sllovës, në prill 1942, zgjidhet komandat i tij. Këshilli i Përgjithshëm ANÇ, që zgjodhi Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ, duke vlerësuar aftësitë e një kuadri të kompletuar në kulturë, sa energjik, aq edhe të matur në marrjen e vendimeve, e emëron Dali Ndreun zëvendëskomandantin e parë të Shtabit të Përgjithshëm. Gjatë kohës që punoi aty, ai u tregua një shtabnik i palodhur e i kompletuar profesionalisht për punët operative, si edhe një komandues ushtarak i rrallë, që gëzonte cilësi të veçanta të drejtuesit. Bashkëkohësit e kanë kujtuar për komunikimin transparent me njerëzit, për drejtësinë dhe vendosmërinë e gjykimit, por dhe për një tolerancë që e karakterizoi gjatë gjithë karrierës e që ish veçori thelbësore e karakterit të tij të ekuilibruar. Ushtarak i zgjuar, por edhe me intuitën e politikanit,ai nuk bënte armiq rreth vetes. 

I guximshëm, që e kish njohur shpejt rrezikun, nuk iu shmang asnjë detyre të vështirë, përkundrazi, gjithmonë i pranoi e i përmbushi me sukses. Në Operacionin e Dimrit 1943-1944, ai u ngarkua të udhëhiqte inkursionin e Brigadës III S me drejtim Tiranë – Mat –Lurë – Sllovë, veprimtari luftarake tepër e vështirë, në sajë të së cilës u përgënjeshtrua propaganda e pushtuesit se UNÇ u shpërbë e u shua. Këtu Dali Ndreu dha shembullin e një komandanti të zot, që kish aftësi të rralla organizuese e drejtuese edhe per njësi më të mëdha operative se brigada.

Prandaj, menjëherë pas Kongresit të Përmetit, ku zgjidhet në Kryesinë Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, atij do t’i besohet një detyrë shumë e rëndësishme. Kolonel Dali Ndreu do të emërohet komandant i të parit Divizion sulmues që u krijua më 28 maj 1944, I cili ishte njësi e madhe operative që mori në varësi Brigadën I, IV dhe V. Detyrat që kreu patën rëndësi operative e strategjike, sikundër ish kalimi në mësyjmje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut dhe të qyteteve Burrel, Peshkopi e Dibër.

Në cilësitë komanduese të tij spikatën aftësitë edhe për luftimet frontale, prandaj nuk ishte rastësi që në krye të Korparmatës së pare, që do të krijohej në shtator 1944, kandidatura e Dali Ndreut përsëri do zgjidhej si më e përshtatshmja, funksion në të cilin të cilin gradohet Gjeneralmajor. Korparmata I S, ku u përfshinë Divizionet I dhe II si dhe gjithë forcat partizane të Shqipërisë së Mesme e të Veriut me 9500 partizanë, 130 topa e mortaja, 630 mitraloza etj., ishte njësia më e madhe operative strategjike e UNÇ. Korpormata I S, në kuadrin e Mësymjes së Përgjithme të UNÇ kaloi në mësymje nga brigjet e lumit Shkumbin e deri në Kosovë për shkatërrimin e forcave të Korp,XXI Malore gjermane dhe të autokolonave të Grup-Armatës “E”, që tërhiqeshin nga Greqia në drejtimin Shqipëri-Jugosllavi – Austri. Në përiudhën gusht-nëntor 44, kjo njësi kreu një varg operacionesh me rëndësi operative-strategjike që përfshijnë çlirimin e Matit, Mirditës, Krujës e Dibrës, prishjen e komunikacionit Tiranë – Elbasan – Librazhd, çlirimin e plotë të Kukësit e Tropojës. Po lufta për çlirimin e Tiranës do të shënonte suksese e veçori të rralla për karakterin dhe llojin e luftës në kryeqytet. Të gjitha këto operacione janë përpunuar nga gjeneral Daliu, tekstualisht e grafikisht, por edhe janë udhëhequr prej tij duke dhënë urdhërat luftarakë dhe udhëzimet e nevojshme. Ai ka dhënë urdhrat luftarakë e udhëzimet e nevojshme. Gjeneral Daliu është drejtuesi i këtyre operacioneve, kurse në raste të veçanta ka marrë vetë komandimin e drejtpërdrejtë të njësive vartëse, duke u bërë shembull i një komandanti që privacionet i ishin bërë natyrë e dytë e jetës. Veçanërisht si komandant i Divizionit I S, por edhe si komandant i Korparmatës së Parë, Daliu shquhet në manovrimin e shpejtë të njësive vartëse për t’iu përgjigjur menjëherë dinamizmit të situatave që impononte kundështari. Është karakteristike se njësitë e komanduara prej tij, asnjëherë nuk u gjendën në befasi dhe nuk ranë në aventurizëm. Kjo sepse në vlerësimin e gjendjes së armikut ai tregohej kurdoherë realist e jo euforik, ashtu siç e gjykonte në po këtë sens edhe vlerësimin e forcave tona. Ai ishte mjeshtër në formulimin konçiz të urdhrave luftarakë të operacioneve. Është i njohur fakti se në historinë e UNÇ, midis njësive të saj dallohen si Divizioni i ashtu edhe Korparmata I S që u komandua prej tij. Mirëpo historiografia zyrtare ka heshtur për protagonistin kryesor të këtyre formacione të mëdha luftarake.Kjo ndodhi për dy arsye: E para ishte se Dali Ndreut pas luftës iu ndërpre shpejt rruga e karrierës, duke e caktuar pas çlirimit në fillim si komandat të prapavijës, kurse në shtator 1946, duke e nxjerrë në lirim këtë gjeneral në moshën tridhjetekatër vjeçare. Arsyeja e dytë lidhet me faktin se, gjenerali që rastisi ta zëvendësonte në detyrat e rendësishme,arriti të gezojë një besim më të gjatë në kohë të “kryegjeneralit Zeus’’, e për rrjedhojë, grumbulloi për së gjalli edhe lavdinë e pararendësit të vet.Megjithë indoktrimin që po i bënte PKSH Luftës Nacional çlirimtare për ta uzurpuar pushtetin pa mbaruar lufta, Dali Ndreu si ushtarak i klasit të parë, dallon në përpjekjet për të ruajtur ekuilibrin ne raport me forcat e tjera luftarake që ishin radhitur kundër pushtuesve. Ai udhëzonte që të mos mbahej qëndrim ekstremist e sektar,’’ ndaj shqiptarve të inkuadruar në forcat kundërshtare’’, por’’ të bëhej një diferencim i matur në radhët e tyre që të mos ketë një front të të gjithë popullit kundra nesh”, i shkruante ai Shtabit të Përgjithshëm kur divizioni i I S vepronte në Mirditë. Po të ish e mundur, sipas tij, ishte e nevojshmme të bëhej edhe marrëveshje me bajraktarët e Mirditës, mjafton që të minimizohej sa më shume lufta vëllavrasëse që shfaqej here here në raste sporadike. Nga ana tjetër,ai u tërhiqte vëmendjen komandantëve të brigadave, që të mos i lejonin partizanët e tyre të binin në “kategorinë e xhandarëve të Zogut e të milicit fashist, duke djegur e plaçkitur’’, dhe as të mos pushkatonin pa gjyq e të mos bënin masakra, siç kritikohej me të drejtë prej tij shtabi i Brigades së I S. 

Moment me rëndësi që tërheq vëmendjen është qëndrimi i qartë e pa ekualvoke i Dali Ndreut ndaj përfaqësuesve jugosllavë gjatë luftës.‘’Ato që thonë këta shokë jugosllavë ne nuk do t’i marrim për direktiva me i zbatue krejtësisht në ushtrinë tonë’’ i shkruante komandantit të Brigadës I S edhe me vizionin e një politikani realist, por që do të vihej nën vëzhgim. Sepse pas çlirimit, kur politika e shtetit tonë u orientua totalisht drejt Jugosllavisë, protagonistët që kishin shfaqur rezerva gjatë luftës prej kësaj influence do të kalonin në vrimë të gjilpërës. Nuk vonoi dhe gjeneral Dali Ndreu, lirohet nga ushtria pas gjyqit të deputetëve pasi ish përjashtuar nga KQ në shkurt ’46, anëtar i të cilit kish qënë prej marsit 1943. Fillimisht caktohet zëvendësministër i ndërtimit, por kjo nuk zgjat shumë. Ai punon në detyrën e drejtorit të Ndërmarrjes së Ndërtimit “Rruga Ura” deri në vitin 1956, por gjithnjë i survejuar nga organet e Sigurimit të Shtetit. 

Enver Hoxha, mjeshtër i ngritjes së alibive, shkruan në veprat e tij se Dali Ndreu u arrestua në përpjekje për të kaluar kufirin Jugosllav dhe se u dënua nga gjyqi i popullit si agjent i Jugosllavëve. (Kush doli armik dhe nuk u cilësua agjent Jugosllav?! Por pse e bënte këtë sakrifikim profesional e politik UDB-ja ? Për kë e bënte këtë investim të kushtueshëm agjentura jugosllave?…..) Por e vërteta është më e thjeshtë. Dali Ndreu ndodhej familjarisht me pushime në shtëpinë e tij në Sllove, atje ku banonin të vëllezrit. Ja çka treguar në kujtimet M. Kërxhalliu, ish kryetar i Degës së PB të Dibrës.’’….Më erdhi urdhër me shifër që të marr masa sigurimi për Dali Ndreun që ndodhej familjarisht në shtëpin e tij. Vjen Zoi Themeli, zvëndësministri i PB, dhe më thotë që të shkoja e ta arrestoja Dalinë dhe Lirinë, por unë nuk do të vi, thotë ai, se më vjen shume zor para atij burri, kemi qenë shok lufte. Por edhe unë, ndonëse vetë i tretë, e pata shume të veshtirë ta bëja këtë gjë. Shtëpinë e tyre e kishim rrethuar fshehurazi qysh natën.Kisha marrë me vete kryetarin e lokalitetit, por ai e dinte sikur do t’u bënim një vizitë miqësore dhe aq. Kur hymë brenda edhe nuk përshëndetëm sipas zakonit, Daliu i pari tha buzëgaz : “Urdhëroni” dhe bëri drejt nesh për të na takuar.Pa e vështuar dot në sy i them me një zë që s’mu duk i imi ‘Në emer të popullit jeni i arrestuar!.’’Mos e keni gabim more djalë ? ‘’, foli ai me zë të shuar e me veshtrim të dhimbshur prej prindi. I kontraktuar i mora revolen, por ai s’lëvizi fare. Atë cast erdhi Liria që shpërtheu mllefin …’’Ç’është kjo poshtërsi?!… A keni nder, a keni besë ju ?…‘’ Nuk më bëri zemra ta kontrolloja për armë atë grua trime sepse dukej që ishte edhe shtatzanë. I futëm në “Gaz” të dy. Zoi Themeli nuk u bë i gjallë fare. U nisëm në Tiranë, por nuk do ta harroj atë gulç të rëndë që m’u mblodh në gjoks për ngjarjen tragjike që e priste atë familje të madhe patriotike…’’

Atë vjeshtë të dytë të 56-ës, skuadra e pushkatimit (a ka ndonjë dëshmitar prej tyre?), në një vend ku s’dihet se ku, po në një mot të vranët gjithsesi, hapi zjarr dhe vrau burrin dhe gruan, babën dhe nënën, bashkëshortëluftëtarët për çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Akuza ishte e rëndë: “Tradhëti. Agjentë të jugosllavëve’’ Dali Ndreu që kish qenë antisllav në familje brezpasbrezi! Po paradokset do të kalonin çdo parashikim. Fantazia e diktatorit, për alibi të hipokrizisë, do të dekretonte gjashtë vjetë më pas dekorimin e babait të Dali Ndreut me rastin e 50- vjetorit të Pavarsisë të Shqipërisë….

Shumë pyetje lindën e mbeten pa përgjigje, por thelbi i tyre përmblidhet: ç’krim të madh bëri Dali Ndreu që u eleminua me dënim kapital? Mos ndoshta Daliu i ndershëm e fisnik duhej të paguante edhe për sektarizimin ekstrem të Liri Gegës gjatë Luftës, ca më shumë ndoshta edhe për ambiciejen e egër për pushtet të së shoqes që ish ngrënë majë më majë me ambicjen e vetë diktatorit?! Ai e dinte se Liria mezi e kishte duruar heqjen e spaletave të gjeneralit nga supet e tij, por e kish duruar ama.Po edhe ai do ta duronte çfarëdolloj fundi që t’i vinte, mjafton që ai fund të ishte i njëllojtë dhe i menjëhershëm për të dy, veçse fundi i tyre do të ish më i kobshëm. Ai fat i zi do tua mbyste edhe filizin e njomë që ish ndjerë në barkun e së shoqes.Dhe për këtë pushkatim të trefishtë asgjëkund nuk do të flitej dhe askund nuk do të shkruhej, siç kish ndodhur me të gjitha krimet makabre të diktaturës. (Ekzekutimi i trefishtë i këtij gjenerali do të përsëritej pas 26 vitesh edhe për një tjetër personazh, pikërisht tek ai që kish qëlluar ta zëvendësonte Daliun në rastet e ngritjes në detyrat më të larta komanduese të njësive luftarake. Por ne rastin e këtij gjenerali tjetër emermadh qysh në luftë, e ca më shume edhe pas lufte, kur si kryeministër në jetëgjatsi do të ish edhe për GINES-in, vrasja e trifishtë do të bëhej me tre akte. I pari, me një vrasje (vetë ?) të kryeministrit. Më pas një pushkatim postorturash çnjerëzore të bashkëluftëtares e nënës së fëmijëve.I treti akt, me një vdekje të djalit të madh po aq tragjike prej aksidentit me (vet?!) dashje?!, në rrethana të dyshimta akoma të pazbardhura.)

Vështruar rrethanat, version i ‘‘agjenturës jugosllave’’ për fundin tragjik të gjeneralit Dali Ndreu nuk ka gjasa. Si Liria edhe Daliu faktikisht goditen para dhe pas grupit të deputetëve e në një kohe me Sejfulla Malëshovën, ngjarje këto që nuk lidhen fare me ndikimin sllav, por me përpjekje për orientimin politik oksidental. Kështu që mosmbajtja e një qëndrimi të prerë , nga ana e Daliut, për një pjesë të fisit që iu arratis në Jugosllavi, vështirë se përbënte provën për akuzën “agjent jugosllav”Sidoqoftë një gjë mund të konkludohet:Dali Ndreu, si shumë të tjerë, ra viktimë e luftës për pushtet midis diktatorit dhe mikrodiktatorëve.Sepse pas lufte mund të mos ishte vetëm E.Hoxha për eleminimin e D. Ndreut. Ndonjë tjetër, që për shkak se i kish marrë më vonë se Daliu spaletat e gjeneralit, por edhe pse fati e kish caktuar të ish shpesh pasardhës zëvendësues i tij, gjithësesi edhe për këtë shkak, pra që kish mbetur në hije për nga meritat e luftës, do të ish aq i interesuar sa Zeusi vet për eleminimin e rivalit . Se kryegjenerali do t’ia shpërblente. Natyrisht, sipas radhës, sipas meritave… në shërbim të diktatorit.

Një eksponent i luftës ANÇ, oficer e koleg me Daliun qysh prej vitit 1931, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, që pas çlirimit i takoi të radhitej me protagonistët e vendosjes së regjimit komunist,por që ka shënuar edhe rastin e vetëm për vetdenoncimin analitik ( e autokritik) të atij sistemi diktatorial, Bedri Spahiu,në shënimet e tij, më 1970, prej burgut ku vuante, ka shkruar;”Daliu u tregua gjatë gjithë jetës së tij prej oficeri një atdhetar militant, sepse ishte me një karakter të paepur, të pacen dhe shëmbullor në jetën e tij private dhe shoqërore ”

Gjeneral Daliu Ndreut i takon një vend nderi i veçantë në historikun e ushtrisë shqiptare, që u ngrit dhe u formua gjatë Luftës së Dytë Botërore për clirimin e vendit nga okupatorët, ndërsa për aftësitë komanduese të njësive më të mëdha luftarake në terren, meriton të jetë figura më e spikatur prej lidershipi.
Shënim:Referencat tekstuale janë marrë prej Dosjes së Korpormatës së Parë S, në letrat e nënshkruara prej gjeneral D.Ndreut, përkatësisht më datat 8, 12 dhe 20 tetor 1944. 
Sigal