Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, një maniak femrash. Si ra në dashuri me kamerieren e Hotel “Dajtit”, sigurmi i shtetit dhe Ismail Kadareja

402

Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur ra në dashuri me kamerieren e Hotel “Dajtit”

Pas hapjes së debatit në “Telegraf”, për figurën dhe rolin të shtetasit italian që tanimë ka hyrë në histori me emrin “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, ka dhënë mendimin e tij edhe ish-roja i mjediseve të brendshme të hotelit, Tefik Koja, i cili rrëfen se “Gjenerali quhej Domeniko Bandini dhe ai ishte i veshur civil. Konsumonte shumë alkool dhe cigare, si edhe kishte dëshirë të madhe për të luajtur me letra bixhozi”. Midis të tjerave ai rrëfen se gjatë natës shihte shpesh kamerierët që dërgonin porosi të ndryshme në adresë të dhomës së tij. Ja se çfarë rrëfen ai për Domeniko Bandinin: “Domenikua ishte shumë qejfli për lojëra dhe alkool. Ai kishte sidomos shumë qejf që të afrohej me femrat.

Prandaj, në hotel morëm vesh me njeri-tjetrin se diplomati italian, (pra gjenerali) ra në dashuri me një kameriere shqiptare, e cila ishte shumë e bukur. Sa herë që ajo shërbente në tavolinën e tij, ai i hapte biseda të ndryshme, duke i bërë komplimente për paraqitjen e jashtme. Por ajo nuk ia zgjaste shumë, vetëm se respektonte detyrimin e saj për të qenë e sjellshme me klientët e huaj. Por gjenerali e kishte keqkuptuar mirësjelljen e saj dhe një ditë, kur ajo kishte mbaruar turnin ai e ndali në korridor dhe i propozoi për ndonjë takim të mundshëm. Por ajo refuzoi dhe më vonë njoftoi organet e Sigurimit të Shtetit për këtë propozim. Unë nuk e di, nëse i tërhoqën vërejtjen apo jo, gjeneralit për këtë sjellje, por i vazhdoi me të tijën. Dhe në fund, kur iku i la asaj një letër dashurie ku i shprehte ndjenjat e tij. Pas pesë minutash edhe kjo letër ra në duart e organeve të Sigurimit. Por megjithatë Gjenerali nuk pati asnjë pasojë nga sjellja e tij e dehur prej maniaku. Ndërsa, vajza u vlerësua shumë për korrektesën e treguar”.

Kështu e mbyll rrëfimin e tij, roja i shërbimit të brendshëm, Tefik Koja, i cili nënvizon se ky gjeneral tregonte shenja xhelozie ndaj asaj kamerieres dhe dëshpërohej shumë, kur ajo takonte të fejuarin e saj, në korridor. Më tej, Koja shton se pas hedhjes në lumë të eshtrave të një ushtaraku të lartë, (Kadareja i ka quajtur eshtrat e kolonelit Xampa) në lidhje me këtë gjë ka qarkulluar një thashetheme e madhe. Thuhej se gjenerali kishte rënë në dashuri me konteshën Beti, pra, gruaja e kolonelit Xampa dhe si pasojë ishte bërë xheloz ndaj të vdekurit, i cili ende gëzonte respektin dhe dashurinë e bukuroshes. Prandaj për shkak të kësaj xhelozie ai i hodhi eshtrat e kolonelit Xampa në lumë. Sipas këtij versioni është ndërtuar edhe skenari i filmit francez për gjeneralin e ushtrisë së vdekur. Pra, kjo përputhet disi me rrëfimin e rojës së mjediseve të brendshme, Tefik Koja, që thotë se ai u dashurua marrëzisht me kamerieren e hotel “Dajtit”.

Jonajd Grezda